Seminari
Mateu 18; Lluka 10


Mateu 18; Lluka 10

Vështrim i Përgjithshëm

Jezu Krishti dha mësim se Ai dhe Ati ynë Qiellor kanë dashuri dhe interesim për gjithkënd. Ai dha mësim dy shëmbëlltyra që mund të na ndihmojnë ta kuptojmë dashurinë e tyre dhe të mësojmë t’i trajtojmë të tjerët siç do të bënin Ata. Shëmbëlltyra e shërbëtorit të pamëshirshëm na kujton të jemi të mëshirshëm ndaj të tjerëve, sikurse Perëndia është i mëshirshëm ndaj nesh. Shëmbëlltyra e Samaritanit të mirë mund të na ndihmojë ta ndjekim shembullin e Shpëtimtarit duke e dashur të afërmin tonë. Ai gjithashtu i dha mësim edhe Martës, edhe Marisë rreth rëndësisë së përqendrimit të jetës sonë tek Ai.

Përgatituni të Jepni Mësim

Informacioni i mëposhtëm u ofron mësuesve ide mbi ato që mund të nevojitet të përgatitin paraprakisht për çdo mësim.

Mateu 18:11–14

Qëllimi i mësimit: Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë të ndiesh se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti janë të dhembshur dhe dëshirojnë ta shpëtojnë çdo shpirt të humbur.

  • Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të vijnë në klasë të përgatitur për të treguar ndodhi nga shkrimet e shenjta që demonstrojnë dashurinë e Perëndisë për ata që janë të humbur shpirtërisht.

  • Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Për ta filluar këtë mësim, merreni parasysh të përdorni një mjet anketimi në internet që t’i ftoni nxënësit të përgjigjen për pyetjen rreth mënyrës se si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti ndihen kundrejt atyre që kanë mëkatuar.

Mateu 18:21–35

Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të bëhen më shumë si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti ndërsa bëjnë përpjekje për t’i falur të tjerët.

  • Përgatitja e nxënësve: Në një fragment të zotërimit doktrinor Zoti pohon: “Nga ju kërkohet t’i falni të gjithë njerëzit” ( Doktrina e Besëlidhje 64:10). Ftojini nxënësit të përsiatin për arsyen pse Jezu Krishti na urdhëron ta falim njëri-tjetrin. Gjithashtu mund të jetë e dobishme t’i ftoni nxënësit të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 64:9–11 dhe të reflektojnë për mesazhin e Zotit në ato vargje.

  • Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Për ta filluar mësimin, merrni parasysh të paraqitni shkrimin e shenjtë vijues që nxënësit ta përsiatin: “Unë, Zoti, do të fal kë do të fal, por nga ju kërkohet t’i falni të gjithë njerëzit” ( Doktrina e Besëlidhje 64:10). Pasi nxënësit të kenë pasur kohë të përsiatin, ftojini ata të tregojnë pse ky urdhërim është një bekim në jetën tonë. Kërkojuni atyre të tregojnë edhe pse nganjëherë mund të jetë i vështirë për t’u zbatuar.

Lluka 10:25–37

Qëllimi i mësimit: Ky mësim ka si synim t’i ndihmojë nxënësit ta ndjekin shembullin e Shpëtimtarit për ta dashur të afërmin e vet.

  • Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të lexojnë te Lluka 10:30–35 , duke kërkuar vendin ku e shohin ata Jezu Krishtin në këtë shëmbëlltyrë. Bëjini të kërkojnë gjithashtu se ku e shohin veten në shëmbëlltyrë.

  • Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Gjatë pjesës së mësimit në të cilën nxënësit diskutojnë pyetjet që lidhen me dashurinë për të afërmin tonë në mjedise të ndryshme, merrni parasysh të përdorni dhoma virtuale të ndara. Caktojini secilit grup njërin nga mjediset e renditura në mësim dhe jepuni kohë grupeve për t’i diskutuar të trija pyetjet teksa mendojnë rreth mjedisit ku u caktuan.

Lluka 10:38–42

Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të përcaktojnë zgjedhje dhe veprimtari që i ndihmojnë ata ta bëjnë Jezu Krishtin qendrën e jetës së tyre.

  • Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të bëjnë një listë veprimtarish që bënë në një ditë të vetme përpara këtij mësimi, dhe ta sjellin listën e tyre në klasë.

  • Materialet për mësimin me sende: Një enë mbajtëse dhe më shumë gurë të përmasave të ndryshme nga sa mund të nxërë ajo.

Përsëritje e Zotërimit Doktrinor 6Qëllimi i mësimit: T’u japë nxënësve mundësi për ta thelluar të kuptuarit dhe për t’i shpjeguar të vërtetat rreth njërit ose më shumë prej fragmenteve të shkrimeve të shenjta për zotërimin doktrinor nga Dhiata e Re.

Shënim: Mund të jetë e nevojshme të jepet një mësim për fragmentet e zotërimit doktrinor në vend të këtij mësimi për përsëritje. Referojuni udhëzuesit të ritmit mësimor të ofruar nga drejtori apo bashkërenduesi i zonës ose rajonit për t’u siguruar që çdo mësim për fragmentin e zotërimit doktrinor, do të jepet gjatë zhvillimit të seminarit.

  • Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të përcaktojnë një aftësi ose strategji për studimin e shkrimeve të shenjta që funksionon mirë për ta, dhe të mendojnë rreth arsyes pse kjo aftësi ose strategji është e dobishme për ta.

  • Fletushkë: Përgatituni të paraqitni listën e fragmenteve të shkrimeve të shenjta për zotërimin doktrinor dhe frazat kyç të shkrimeve të shenjta të lidhura me to ose jepjani nxënësve si fletushkë.

  • Materialet: Sigurohuni që nxënësit të kenë mjete shkrimi dhe ditarë studimi ose fletë letre për t’i përdorur në veprimtaritë e mësimit.

  • Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Nxënësit mund të krijojnë me dëshirë një faqe digjitale “Rresht pas Rreshti” ose një përfaqësim pamor të një fragmenti të shkrimeve të shenjta për zotërimin doktrinor. Nxënësit mund tʼua tregojnë ekranin e tyre të tjerëve për t’ia shfaqur dhe shpjeguar klasës krijimin e tyre.