Vetëvrasja
Si ta Ndihmoni Dikë në Krizë


“Si ta Ndihmoni Dikë në Krizë”, Si ta Ndihmoni Dikë (2018).

“Si ta Ndihmoni Dikë në Krizë”, Si ta Ndihmoni Dikë.

Si ta Ndihmoni Dikë në Krizë

6:35

Merrini gjithnjë seriozisht shenjat paralajmëruese të vetëvrasjes dhe çfarëdo kërcënimi për tentativë vetëvrasjeje, edhe nëse mendoni se individi nuk po mendon seriozisht rreth vetëvrasjes ose thjesht po kërkon vëmendje. Ndiqini këta tre hapa për të ofruar përkrahje – Pyetni, Interesohuni, Thuajini Dikujt.

Hapi 1: Pyetni. Pyeteni personin drejtpërdrejt a po mendon rreth vetëvrasjes. Mund të pyetni: “A po mendon t’i japësh fund jetës?” Nëse thotë se po mendon rreth vetëvrasjes, pyeteni a ka ndonjë plan. Mund të pyetni: “A ke ndonjë plan për të lënduar veten?” Nëse ka një plan, ndihmojeni menjëherë që të shkojë në një spital ose klinikë për kujdesin shëndetësor, apo telefonojini një ofruesi shërbimesh për urgjenca, ose një linje telefonike për ndihmë në rast krize në zonën tuaj. (Shih te “Linja Telefonike për Ndihmë në Rast Krize” për hallka lidhëse për linja telefonike për ndihmë anembanë botës.) Nëse nuk ka ndonjë plan, kaloni te hapi 2.

Hapi 2: Interesohuni. Tregojeni që interesoheni duke i dëgjuar ato që thotë. Jepini kohë ta shpjegojë se si ndihet. Respektojini ndjenjat e tij ose të saj duke thënë diçka të tillë si: “Më vjen keq që ke kaq shumë dhembje” ose “Nuk e kisha kuptuar sa të vështira qenë gjërat për ty”. Mund të ofroheni ta ndihmoni atë të krijojë një plan sigurie për parandalimin e vetëvrasjes (shih te “How to Create a Suicide-Prevention Safety Plan”, Doug Thomas, Ensign, shtator 2016, f. 63). Një plan sigurie mund t’i ndihmojë njerëzit t’i përcaktojnë pikat e tyre vetjake të forta, marrëdhëniet pozitive dhe aftësitë e shëndetshme të përballimit të jetës. Ai gjithashtu mund ta zvogëlojë qasjen e tyre te mjetet vetëdëmtuese, të tilla si armët ose barnat. Nëse ju kërkon të mos i thoni askujt për ndjenjat e veta, shpjegoni se do ta respektoni privatësinë e tij ose të saj sa më shumë që të jetë e mundur, por që atij ose asaj i nevojitet më tepër ndihmë nga sa mund t’i jepni ju. Mos premtoni kurrë që t’i mbani sekret mendimet e tij ose të saj për vetëvrasje.

Hapi 3: Thuajini Dikujt. Nxiteni personin t’ia thotë dikujt që mund t’i ofrojë më tepër përkrahje. Jepini informacion kontakti për burime të dobishme në zonën tuaj. Burimet mund të përfshijnë spitalet, klinikat për përkujdesje të ngutshme ose linja telefonike falas për ndihmë në rast krize. Nëse personi nuk do të kërkojë ndihmë, nevojitet që ju t’ia tregoni dikujt në vend të tij ose saj. Mund të dëshironi të thoni diçka të tillë si: “Interesohem për ty dhe dua që të jesh i/e sigurt. Do t’i tregoj dikujt që mund të të ofrojë ndihmën që të nevojitet.” Respektojeni privatësinë e tij ose të saj duke i treguar vetëm dikujt që mendoni se mund të ndihmojë, të tillë si një pjesëtari të ngushtë të familjes, peshkopit të personit, një psikologu në shkollë, një mjeku ose një profesionisti tjetër të kujdesit shëndetësor. Nëse nuk jeni i/e sigurt se kujt t’i thoni, bisedoni me peshkopin tuaj ose telefonojini një linje telefonike falas për ndihmë në rast krize në zonën tuaj. Mbajeni mend, nuk pritet nga ju që ta përkrahni personin i vetëm.

Shënim: Nëse po udhëhiqni një diskutim, merreni parasysh t’u kërkoni pjesëmarrësve t’i ushtrojnë këta hapa. Jepuni një situatë ku dikush vjen tek ata dhe shpreh mendime vetëvrasëse dhe kërkojuni të ushtrohen për mënyrën se si do të reagojnë.

Burime Shtesë