Thirrjet në Lagje ose Degë
Vetëvrasja


“Vetëvrasja”, Burimet për Këshillim (2020).

“Vetëvrasja”, Burimet për Këshillim.

Vetëvrasja

2:22

Shkoni te pjesa “Vetëvrasja” në faqen ChurchofJesusChrist.org ose në programin kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] për të gjetur shërbime telefonike të ndihmës pa pagesë nga vende të ndryshme të botës dhe burime për t’i ndihmuar individët që po hasin vështirësi me një krizë që lidhet me vetëvrasjen.

Vetëvrasja është një problem mbarëbotëror i shëndetit publik që shpesh mund të parandalohet. Shumica e njerëzve që kanë menduar për vetëvrasje, nuk dëshirojnë të vdesin; thjesht dëshirojnë të gjejnë çlirim nga dhembja fizike, mendore, emocionale ose shpirtërore që po kalojnë. Gjithsesi, ata mund ta arrijnë çastin e krizës kur e humbasin shpresën dhe nuk mund të gjejnë zgjidhje për dhembjen e tyre, kur besojnë se janë barrë për të tjerët, kur bëhen të plogët ose të pandjeshëm ndaj vdekjes e dhembjes, ose kur ata nuk mund të përcaktojnë arsyet për të jetuar.

Rreziku i vetëvrasjes mund të pakësohet kur pjesëtarët e familjes, miqtë, anëtarët e lagjes dhe profesionistët e shëndetit mendor veprojnë së bashku për t’i ndihmuar ata që po hasin vështirësi. Çdo njeri duhet të mësojë faktorët e rrezikshëm dhe shenjat paralajmëruese të vetëvrasjes dhe më pas të kërkojë të gjejë ndihmë për një person që po konsideron vetëvrasjen. Të folurit me dikë rreth vetëvrasjes nuk e rrit mundësinë që ai ose ajo të veprojë sipas ndjenjave të vetëvrasjes.

Çdo njeri duhet ta marrë seriozisht çdo situatë ku një individ thotë ose nënkupton se ai ose ajo po mendon rreth vetëvrasjes apo një njeri i dashur thotë ose nënkupton se një individ është në rrezik për vetëvrasje. Çdo njeri duhet të ndihmojë me dashuri për të ngushëlluar, inkurajuar dhe për të treguar kujdes për ata që po ndeshen me këtë çështje dhe për pjesëtarët e familjes së tyre.

Për fat të keq, pavarësisht nga përpjekjet tona më të mira, vetëvrasja nuk është gjithmonë e parandalueshme. Kur ndodh, ajo lë pas thyerje të thellë të zemrës, trazirë emocionale dhe pyetje pa përgjigje për pjesëtarët e familjes dhe njerëzit e tyre të dashur. Në këto situata, udhëheqësit dhe anëtarët e lagjes duhet të përpiqen t’i forcojnë dhe përkrahin familjen dhe njerëzit e tyre të dashur.

Plaku Dejll G. Renland tha: “Ideja e vjetër sektare se vetëvrasja është mëkat dhe se dikush që kryen vetëvrasje, dëbohet në ferr përgjithmonë … [është] tërësisht e rreme” (Dale G. Renlund, “Understanding Suicide” [material filmik]).

Plaku M. Rasëll Ballard na ka dhënë këto fjalë ngushëlluese:

“Sigurisht, ne nuk i dimë të gjitha rrethanat që lidhen me çdo vetëvrasje. Vetëm Zoti i di të gjitha hollësitë dhe është Ai që do t’i gjykojë veprimet tona këtu në tokë.

Kur Ai të na gjykojë, unë mendoj se Ai do t’i marrë parasysh të gjitha gjërat: përbërjen tonë gjenetike dhe kimike, gjendjen tonë mendore, aftësinë tonë intelektuale, mësimet që kemi marrë, traditat e etërve tanë, shëndetin tonë e kështu me radhë” (“Suicide: Some Things We Know, and Some We Do Not”, Ensign, tetor 1987, f. 8).

Përpiquni të Kuptoni

Kur flisni me individët, sigurohuni të tregoni dashuri dhe ndjeshmëri sikurse do të tregonte Shpëtimtari. Përvojat dhe rrethanat e jetës janë të ndryshme për çdo njeri. Nëse e ndieni se një anëtar është në rrezik të orvatet për të vrarë veten, me lutje merreni parasysh t’i bëni pyetje si këto, që t’ju ndihmojnë të kuptoni më mirë shqetësimet dhe nevojat e tij ose të saj:

  • A mund të më ndihmosh të kuptoj se çfarë po ndien dhe po përjeton pikërisht tani?

  • A je diagnostikuar me një sëmundje të shëndetit mendor? A po ndjek ndonjë mjekim të përshkruar për këtë sëmundje?

  • A shpreson që rrethanat mund të përmirësohen në jetën tënde?

  • Cilat janë arsyet e tua për të jetuar?

  • Çfarë burimesh të kanë ndihmuar që të përballesh me të në të shkuarën?

  • A je përpjekur ta lëndosh veten tënde më parë? Po kohët e fundit?

  • A po mendon tani për vetëvrasje?

  • A ke plan për t’u orvatur që të vrasësh veten? A ke menduar për një kohë, vend ose mënyrë?

  • A janë në dijeni për mendimet e tua familja, miqtë apo njerëz të tjerë?

  • Sa i/e gatshëm/e je për të marrë ndihmë tani?

Ndihmojeni Individin

Teksa përpiqeni fort ta ndihmoni individin, merrini parasysh sugjerimet vijuese.

Ndihmojeni anëtarin/en të gjejë shpresë dhe shërim nëpërmjet Shpëtimtarit Jezu Krisht.

  • Ndihmojeni personin të kuptojë fuqinë aftësuese dhe shëlbuese të Jezu Krishtit.

  • Ndihmojeni personin të kuptojë se ai ose ajo është fëmijë i Perëndisë dhe ka vlerë të madhe.

  • Ndihmojeni personin të dijë se Perëndia e do atë pavarësisht nga kjo.

  • Ndihmojeni anëtarin/en të kuptojë se shërimi jo gjithmonë mund të nënkuptojë kurim nga një sëmundje mendore në këtë jetë. Shihni burimin mbi shëndetin mendor për më shumë informacion.

  • Merreni parasysh të takoheni rregullisht me personin dhe familjen e tij ose të saj përveç vizitave të rregullta nga udhëheqësit e Kishës.

  • Lidheni individin me burime të tjera të Kishës, të tilla si pjesët “Vetëvrasja” dhe “Shëndeti Mendor” te ChurchofJesusChrist.org, ku ai ose ajo mund të gjejë përgjigje specifike.

  • Sigurohuni që individi ka dijeni rreth burimeve të shërbimeve telefonike për vetëvrasjen dhe ka mundësi përdorimi të shërbimit telefonik për raste krizash.

Këshillohuni me burimet profesionale.

  • Nëse shqetësoheni për sigurinë e personit ose besoni se personi mund të orvatet të vrasë veten, kontaktoni menjëherë shërbimin vendor të urgjencës mjekësore ose zyrën e Shërbimeve Familjare (nëse është në dispozicion). Udhëheqësit e Kishës gjithashtu mund të kontaktojnë shërbimin telefonik të ndihmës së Kishës për asistencë lidhur me këtë çështje.

  • Këto burime mund t’ju ndihmojnë të përcaktoni profesionistë ose organizata vendore që mund ta ndihmojnë individin.

Ndihmojeni personin të marrë trajtimin e duhur për gjendjen e shëndetit të tij ose të saj mendor.

  • Nxiteni individin të përdorë burimet e rekomanduara nga Shërbimet Familjare ose nga shërbimet e urgjencës mjekësore. Mund ta ndihmoni atë që të caktojë takim për këshillim ose të shkojë në urgjencën e spitalit më të afërt.

  • Me leje nga individi, njoftoni pjesëtarët e duhur të familjes për rrethanat. Bëjini të kërkojnë udhëzim nga profesionistët e shëndetit mendor rreth mënyrës se si të planifikojnë për sigurinë e personit. Kjo mund të përfshijë kufizimin e përdorimit nga ana e individit të mjeteve të mundshme që mund ta dëmtojnë.

  • Si të jetë e përshtatshme, qëndroni në kontakt të rregullt me profesionistët e shëndetit mendor ose pjesëtarët e familjes gjatë trajtimit.

  • Nëse individi e refuzon ndihmën dhe ka plan për ta lënduar veten me qëllimin që ta kryejë vërtet atë, kontaktoni menjëherë burimet vendore të urgjencës (të tilla si autoritetet civile) dhe pjesëtarët e familjes që ta çojnë individin te shërbimet e urgjencës.

Përkraheni Familjen

Një individ që rrezikon të orvatet për të vrarë veten, ndikon në jetën e pjesëtarëve të familjes së tij ose të saj. Prindërit, bashkëshortët/et dhe pjesëtarë të tjerë të familjes zakonisht e kanë të vështirë të dinë se si ta ndihmojnë njeriun e tyre të dashur në raste krize. Ata shpesh janë të mbingarkuar emocionalisht dhe mund të mos i shohin shenjat paralajmëruese. Teksa përpiqeni fort për t’i ndihmuar pjesëtarët e familjes, merrni parasysh sugjerimet vijuese.

Ruajeni fshehtësinë rreth situatës përveç rasteve kur kërcënimi është i afërt, kur situata përfshin një fëmijë të mitur ose kur individi apo familja u japin leje që të flisni me njerëz të tjerë.

Përcaktoni efektin që ka situata e anëtarit/es te familja e tij ose e saj dhe ndihmojini pjesëtarët e familjes të përcaktojnë burimet që u nevojiten për përkrahjen dhe udhërrëfimin e tyre vetjak.

  • Nxitini pjesëtarët e familjes që të këshillohen së bashku rreth nevojave të individit dhe rreth mënyrës se si t’i përdorin burimet në dispozicion për ta ndihmuar atë dhe veten e tyre.

  • Nëse e dëshirojnë familjarët, takohuni me ta (ose rekomandoni udhëheqës të tjerë të Kishës që të takohen me ta, si të jetë e përshtatshme) për të hartuar një plan gjithëpërfshirës për plotësimin e nevojave të tyre, përfshirë planifikimin për sigurinë dhe për ta përkrahur njeriun e tyre të dashur në marrjen e përkujdesit të nevojshëm profesional e shpirtëror.

Merreni parasysh ndihmën ose këshillimin profesional vetjak për pjesëtarët e familjes.

  • Nxitini bashkëshortin/en, prindërit dhe pjesëtarë të tjerë të familjes që gjithashtu të marrin pjesë në këshillim me individin, në qoftë se profesionistët e shëndetit mendor përcaktojnë se kjo pjesëmarrje është e këshillueshme dhe e përshtatshme.

Përdorni Burime të Lagjeve dhe të Kunjeve

Merrini parasysh sugjerimet vijuese teksa përpiqeni fort që të përdorni burime të lagjes dhe kunjit për ta ndihmuar individin dhe familjen. Mbajeni mend të ruani fshehtësinë rreth situatës, në qoftë se individi apo familja nuk ju japin leje që të flitni me tjerët.

Kërkojuni udhëheqësve/eve të Kishës apo individëve të tjerë të mirëbesuar që t’i sigurojnë individit përkrahje, udhërrëfim dhe ndihmë të vazhdueshme.

Plot lutje përcaktoni një person të mirëbesuar që mund ta ndjekë rregullisht ecurinë me individin dhe ftojeni atë person që ta bëjë këtë gjë.

  • Personi i përzgjedhur duhet të jetë dikush me të cilin individi ndihet rehat.

  • Personi duhet të jetë i ndjeshëm e i stabilizuar emocionalisht dhe mund të jetë një motër ose vëlla shërbestar.

Merreni parasysh të organizoni trajnim për anëtarët e këshillit të lagjes ose kunjit mbi parandalimin e vetëvrasjes.

  • Përdorni materiale nga Burimet për Këshillim ose nga pjesa “Vetëvrasja” te suicide.ChurchofJesusChrist.org.

  • Merreni parasysh të ftoni për ndihmë një profesionist nga një program burimor në komunitetin pranë jush. Programi Shërbimet Familjare (atje ku është në dispozicion) ose shërbimet mjekësore vendore të urgjencës mund të ndihmojnë për të përcaktuar burime të tilla.