“Çfarë më nevojitet të kuptoj rreth shtrirjes së përdorimit të pornografisë?” Burimet për Këshillim (2020).
“Çfarë më nevojitet të kuptoj?” Burimet për Këshillim.
Burimet për Këshillim
Çfarë më nevojitet të kuptoj rreth shtrirjes së përdorimit të pornografisë?
Përdorimi i pornografisë ka shumë faktorë dhe procesi i pendimit do të jetë i ndryshëm për çdo anëtar. Dëgjojini anëtarët kur flasin për gjendjen e tyre të tanishme, përfshirë qëndrimin e tyre (a janë zbuluar, ose a po kërkojnë të ndryshojnë?), përmasën e përdorimit dhe çfarë dëshirojnë në ecjen përpara.
Fillojeni duke shprehur dashuri dhe mirënjohje për individët që gjetën kurajën të ndërmerrnin hapat për të kërkuar ndihmë. Përpiquni fort që t’i ndihmoni të kuptojnë se ka shpresë. Ata mund ta trajtojnë këtë situatë dhe të ecin përpara si dishepuj të Jezu Krishtit. Sigurojini për identitetin e tyre hyjnor si fëmijë të Perëndisë. Një ndjesi e forcuar e faktit se kush janë në të vërtetë, i aftëson që t’i largohen turpit dhe ta përdorin këtë situatë për rritjen dhe ndryshimin e tyre vetjak.
Peshkopëve u është dhënë mirëbesimi i shenjtë që t’i ndihmojnë anëtarët në procesin e tyre të pendimit. Si gjykatës në Izrael, ata veprojnë nëpërmjet frymëzimit për t’i ndihmuar anëtarët të kuptojnë se është përgjegjësia dhe privilegji i tyre për të kërkuar zbulesë vetjake dhe për të marrë përgjigje që janë të nevojshme për të kapërcyer sfidat e tyre.
Udhëheqësit duhet të përqendrohen në forcimin e dishepullimit dhe të besimit të anëtarëve duke u mësuar se “si udhëheqës/e në Kishën e Jezu Krishtit, ju i përkrahni individët dhe familjet në përmbushjen e veprës së Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin” (Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme [2020], 2.0). (Shih “Çfarë doktrinash i ndihmojë individët që të kapërcejnë problemet me pornografinë?”)
Vlerësimi i Përfshirjes
Edhe pse në vetvete pendimi për përdorimin e pornografisë nuk kërkon disiplinim zyrtar nga Kisha, mbani mend “Kisha e dënon pornografinë në çfarëdolloj forme. Përdorimi i pornografisë i çfarëdo lloji dëmton jetën e individëve, familjet dhe shoqërinë. Ajo gjithashtu e largon Shpirtin e Zotit” (Manuali i Përgjithshëm, 38.6.13). Qëllimi juaj është t’i ndihmoni individët të përjetojnë më së fundi një “ndryshim të madh në zem[ër]” (Alma 5:12–14) dhe ta përqafojnë më plotësisht rolin e Jezu Krishtit në jetën e tyre, veçanërisht fuqinë e Shlyerjes së Tij. Dishepullimi i tyre do të rritet kur arrijnë të njohin fuqinë e Tij në jetën e tyre nëpërmjet një procesi të ndryshimit që kërkon udhërrëfimin dhe forcën aftësuese të Tij.
Teksa i nxitni individët të kuptojnë përdorimin nga ana e tyre të pornografisë si diçka më shumë sesa thjesht një shenjë të dobësisë morale, ata mund të vendosin, nëse ka, se për cilat burime shtesë kanë nevojë. Për shembull, përdorimi i pornografisë zakonisht ka disa faktorë kontribues (të tillë si biologjikë, psikologjikë, shoqërorë dhe shpirtërorë). Burimet e nevojshme do të varen nga sa e rëndë është sjellja e individit dhe se si ai ose ajo po e përballon çështjen.
Merrini parasysh idetë vijuese teksa përpiqeni t’i ndihmoni anëtarët/et dhe bashkëshortet/ët e tyre për të kuptuar shtrirjen e përfshirjes së tyre në pornografi dhe ndikimin e saj në jetën e tyre.
Përgjegjësia Vetjake
Përpiquni fort t’i ndihmoni anëtarët të mbajnë përgjegjësi vetjake për vendimet, zgjedhjet dhe ndryshimet që shtrihen përpara tyre. Kurrë mos e hiqni nga mendja faktin që vendimet rreth së ardhmes janë përgjegjësia e personit që po has vështirësi dhe e bashkëshortes/it të vet. Roli juaj është t’i ndihmoni dhe përkrahni që të kërkojnë zbulesë.
Spektri i Pornografisë
Teksa bëni pyetje të frymëzuara, ju do të jeni në gjendje t’i ndihmoni njerëzit e përfshirë (individët; prindërit, në rastin e rinisë; dhe bashkëshortët/et) që të dallojnë nëse ata që përdorin pornografi, janë përdorues të rastit, përdorues të shpeshtë apo përdorues të fiksuar. Të kuptuarit e kësaj mund t’ju ndihmojë që t’u jepni ndihmë atyre nëpërmjet procesit të pendimit, si edhe që të dini se si t’u jepni shërbesë bashkëshortes/it apo prindërve. Gjithashtu bëni pyetje lidhur me natyrën e pornografisë që përdorin – pornografia mund të ndryshojë në shpeshtësinë e saj dhe gjithashtu mund të lidhet me sjellje të tjera.
Jini të kujdesshëm në emërtimin e individëve si nën varësi; shumica e individëve që përdorin materiale pornografike, nuk duhet të konsiderohen nën varësi, veçanërisht ata që janë adoleshentë. Emërtimi i vetvetes si nën varësinë e pornografisë mund t’i dobësojë ata në përpjekjet e tyre për të ndryshuar. Për më shumë mbi këtë temë, shihni Dallin H. Ouks, “Shpëtimi nga Kurthi i Pornografisë”, Liahona, tetor 2015, f. 32–38.
Përdorimi i Pornografisë Është Shpesh më Shumë sesa Thjesht Dobësi Morale
Përfshirja e një individi në pornografi shpesh është e ndërlikuar dhe është e rëndësishme të pranojmë se shikimi i pornografisë zakonisht është më shumë sesa thjesht një impuls seksual. Në shumicën e rasteve, përdorimi i pornografisë lidhet me sfidat biologjike, psikologjike, shoqërore dhe shpirtërore, që janë të pashoqe për çdo individ.
Sfidat me çdonjërën fushë ose me një ndërthurje të këtyre katër fushave mund t’i dobësojnë individët dhe ta bëjnë të vështirë që ata ta ndërpresin përdorimin e pornografisë. Teksa përpiqen të kuptojnë ndërlikimin e problemeve të tyre me pornografinë, ata mund të fillojnë të përcaktojnë ndikime të tjera që po veprojnë mbi ta. Edhe pse forca shpirtërore është e rëndësishme, shpesh është e dobishme që individët t’i trajtojnë edhe fushat biologjike, psikologjike dhe shoqërore në jetën e tyre. Nxitini individët t’i shqyrtojnë këto fusha dhe ndikimin e tyre të mundshëm. Kjo mund t’i çojë drejt suksesit më të madh në ndërprerjen e përdorimit të pornografisë.
Katër Faktorë për t’i Marrë Parasysh
Katër tregues mund t’i ndihmojnë anëtarët që të vlerësojnë se sa thellë janë përfshirë me pornografinë: shpeshtësia, kohëzgjatja, intensiteti dhe ndërmarrja e rrezikut. Të kuptuarit e këtyre faktorëve mund t’ju ndihmojë ju, individët dhe njerëzit pranë tyre që të dallojnë sa e ndërlikuar është sfida e tyre.
Shpeshtësia
Shpeshtësia i referohet se sa shpesh përfshihet një individ në sjelljen. Shikimi më i rrallë i pornografisë tregon një problem më të lehtë, edhe pse kjo sjellje ende është qartësisht e papërshtatshme. Sa më shpesh që një individ sheh pornografi, aq më i rëndë është problemi.
Kohëzgjatja
Kohëzgjatja i referohet se sa kohë ka qenë i përfshirë një individ në sjelljen. Nëse ndonjë individ ka qenë i paaftë ta ndalë shikimin e pornografisë për një periudhë disavjeçare, ka të ngjarë që do të jetë më e vështirë që ai ose ajo ta kapërcejë sjelljen sesa kur ai ose ajo e ka përdorur pornografinë vetëm për një periudhë të shkurtër kohore.
Intensiteti
Intensiteti i referohet natyrës së materialit që shihet. Ndërkohë që të gjitha imazhet dhe përmbajtja pornografike janë të papërshtatshme, disa lloje materialesh janë shumë më tepër shkatërruese. Teksa mësoni rreth problemit të një anëtari, është e rëndësishme të vini re llojin e pornografisë që ai ose ajo ka qenë duke parë.
Për shembull, mediat që paraqesin veprime seksuale janë më intensive dhe grafike sesa fotografitë e individëve që veshin pak rroba ose nuk kanë rroba të veshura. Disa materiale pornografike janë të dhunshme ose përfshijnë fëmijë. Nëse viheni në dijeni për ndonjë shikim, blerje ose shpërndarje të pornografisë që përfshin fëmijë, kontaktoni autoritetet civile. Një shërbim telefonik i ndihmës është gjithashtu në dispozicion për peshkopin kur trajton këtë çështje.
Ndërmarrja e Rrezikut
Prirjet ose sjelljet që ndërmarrin rrezik lidhur me përdorimin e pornografisë, janë një faktor tjetër që tregon se sa e rëndë mund të jetë sfida. Sa më shumë që një individ është i gatshëm të rrezikojë për të parë pornografi, aq më e vështirë është në përgjithësi që ai ose ajo ta ndërpresë përdorimin e saj. Veprimtaritë ku ndërmerret rrezik mund të përfshijnë mungesën në shkollë, në punë ose zotime të tjera; përfshirjen në sjellje të paligjshme, të fshehtë ose të pandershme; ose veprime të ngjashme. Tek të rriturit, sjellja ku ndërmerret rrezik, mund të çojë drejt humbjes së punësimit, shkurorëzimit, shkatërrimit të familjes ose veprimtarisë kriminale.