“Shëndeti Mendor”, Burimet për Këshillim (2020).
“Shëndeti Mendor”, Burimet për Këshillim
Shëndeti Mendor
Shëndeti mendor ndikon te mendimet, emocionet, sjellja dhe marrëdhëniet tona. Ata që hasin sfida ose sëmundje të shëndetit mendor, mund të jenë të dëmtuar në aftësinë e tyre për të përballuar rutinat dhe kërkesat e jetës së përditshme. Kushte të tilla shpesh janë dërrmuese nga ana shpirtërore dhe pështjelluese për individin, si edhe për njerëzit e vet të dashur dhe udhëheqësit që po përpiqen t’i japin shërbesë personit që po vuan.
Ata që nuk janë profesionistë të shëndetit mendor, nuk priten ose nuk nxiten që të diagnostikojnë apo t’u sigurojnë trajtim individëve që hasin vështirësi me probleme të shëndetit mendor. Kur individët nuk duket se po u përgjigjen përpjekjeve normale nga udhëheqësit për të qenë të dobishëm, askush nuk duhet të fyhet nga mungesa e tyre e përgjigjes. Përkundrazi, udhëheqësit duhet të marrin parasysh me seriozitet që ta nxitin individin të marrë një vlerësim të shëndetit mendor me një punonjës të kualifikuar mjekësor (shih Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme [2020], 31.2.6). Programi Shërbimet Familjare (atje ku është në dispozicion) është në gjendje të sigurojë këshillim dhe t’u ofrojë sugjerime udhëheqësve rreth burimeve të vlerësimit të shëndetit mendor në komunitet. Udhëheqësit duhet t’i drejtohen pjesës “Sëmundja Mendore” te Burimet për Njerëzit me Aftësi të Kufizuara në ChurchofJesusChrist.org për më shumë informacion rreth sëmundjeve mendore.
Përpiquni të Kuptoni
Kur diskutoni shqetësime për shëndetin mendor, sigurohuni të tregoni dashuri dhe ndjeshmëri sikurse do të tregonte Shpëtimtari. Nëse personi ju ka kërkuar ndihmë, falënderojeni që po kërkon ndihmë. Ngaqë çdo situatë është e ndryshme dhe rrethanat e çdo personi ndryshojnë, me lutje merreni parasysh t’i bëni personit pyetje si këto dhe më pas dëgjoni Shpirtin që t’ju ndihmojë për t’i kuptuar më mirë shqetësimet e tij ose të saj dhe për të dalluar nevojat e tij ose të saj.
-
A je diagnostikuar ndonjëherë me një sëmundje të shëndetit mendor? Nëse po, për sa kohë e ke pasur sëmundjen? Si ndikon ajo te marrëdhëniet e tua në punë dhe familje?
-
Cilat janë shqetësimet ose brengat e tua më të mëdha pikërisht tani?
-
Çfarë përkujdesi po merr (nëse po merr) nga një punonjës përkujdesi për shëndetin mendor? A po i ndjek udhëzimet nga mjeku yt dhe a ndihesh rehat me përkujdesin që po merr?
-
A ndien që gjendja jote e shëndetit mendor po përmirësohet, po qëndron njësoj apo po përkeqësohet?
-
Si po e përballon gjendjen tënde?
-
Si e përballojnë gjendjen tënde pjesëtarët e familjes sate? A kanë sugjeruar ndonjë gjë që nuk po e bën tashmë, që ti mendon se mund të jetë e dobishme?
-
Çfarë burimesh të përkrahjes ke?
-
A ke marrë ide nga Ati Qiellor rreth gjendjes tënde? Nëse po, cilat ishin ato ide?
Me lejen e individit dhe duke qenë plot respekt ndaj ndjenjave të individit, merreni parasysh të kontaktoni pjesëtarë të familjes për ide të mëtejshme lidhur me çështjen.
Ndihmojeni Individin
Teksa e ndihmoni individin të kuptojë se si sfidat e tij/saj po ndikojnë në jetën e tij/saj, merreni parasysh të përdorni disa nga sugjerimet vijuese:
Sigurojeni sërish personin se Ati Qiellor e do dhe se Shpëtimtari i kupton sfidat e saj ose të tij.
-
Ndihmojeni personin të kuptojnë se sëmundja mendore nuk është ndëshkim nga Perëndia.
-
Ndihmojeni personin të kuptojë se sëmundja mendore nuk mund të kapërcehet vetëm me anë të vullnetit. Sëmundja mendore nuk tregon se një njeriu i mungon besimi, karakteri apo denjësia.
Përfshijeni personin në veprimtaritë e Kishës dhe në mundësi të përshtatshme shërbimi.
-
Këshillohuni me personin, pjesëtarët e familjes dhe të tjerë që e njohin mirë personin, që të jeni në dijeni të anëve të forta dhe kufizimeve të personit.
Merreni parasysh të këshilloheni me programin Shërbimet Familjare (atje ku është në dispozicion) ose punonjësit vendorë të shërbimeve të shëndetit mendor për të përcaktuar mundësi përkrahjeje dhe trajtimi. Jini të vetëdijshëm se disa sëmundje mund të zgjatin gjatë gjithë jetës, edhe me përkujdesin më të mirë.
-
Ata që po marrin mjekime, nuk duhet ta ndryshojnë ose ndalojnë mjekimin pa u këshilluar fillimisht me punonjësin e kujdesit shëndetsor.
Vetëvrasja është shpesh një faktor i rrezikshëm për ata që vuajnë nga shëndeti i keq mendor. Njihuni me shenjat paralajmëruese të vetëvrasjes dhe merrini shumë seriozisht ato nëse vëzhgohen.
-
Nëse anëtari/ja duket sikur po “thotë lamtumirë”, po flet për vetëvrasje apo shfaq ndjenja të forta të dëshpërimit, kërkoni menjëherë ndihmë për të. Këshillohuni me peshkopin, një punonjës të kujdesit shëndetësor, familjen e personit ose dhomën e urgjencës në spital. Një shërbim telefonik i ndihmës është gjithashtu në dispozicion për udhëheqësit. Merreni parasysh t’i telefononi një punonjësi të shërbimeve vendore të urgjencës për të marrë ndihmë të menjëhershme. Ju lutemi t’i drejtoheni artikullit mbi vetëvrasjen në pjesën Temat e Ungjillit te ChurchofJesusChrist.org për më shumë informacion mbi vetëvrasjen dhe parandalimin e vetëvrasjes.
-
Ftojeni individin të marrë parasysh grupet e përkrahjes të financuara nga komuniteti, atje ku janë në dispozicion.
Përkraheni Familjen
Sfidat e personit lidhur me shëndetin mendor mund të ndikojnë gjithashtu në jetën e pjesëtarëve të familjes së tij ose të saj. Përcaktoni ndikimin mbi familjen e personit dhe merrni parasysh se si t’u jepni shërbesën më të mirë nevojave të tyre. Tregoni dashuri dhe ndjeshmëri teksa punoni me pjesëtarët e familjes.
Nxitini familjen, rrethin familjar dhe njerëzit e tjerë që janë të përfshirë, që të këshillohen së bashku rreth nevojave të anëtarit/es dhe burimeve të mundshme që janë në dispozicion për të ndihmuar (shih Manuali i Përgjithshëm, 22.3–22.11).
-
Nxitini pjesëtarët e familjes që të përgatiten për kohët kur individi mund të ketë nevojë për ndihmë për kërkesat normale të jetës.
-
Sipas nevojës, diskutoni se si pjesëtarët e familjes mund të ndihmojnë për faturat, llogaritë, transportin dhe burimet e nevojshme të përkujdesit për shëndetin (për shembull, këshillimin profesional, mjekimin dhe shtrimin në spital).
Këshillojini pjesëtarët e familjes që të mos presin shumë apo pak. Shërimi shpesh do të jetë i kushtëzuar nga diagnoza dhe trajtimi që po merret. Në disa situata, gjëja më e mirë për të cilën mund të shpresojnë, është njëfarë përmirësimi në vend të shërimit të plotë.
Merrni parasysh burime të përkrahjes për pjesëtarët e familjes dhe miqtë e njerëzve me sëmundje të shëndetit mendor.
-
Punonjësit e kujdesit mjekësor shpesh mund të ndihmojnë për të përcaktuar grupe përkrahjeje që janë sipas sfidave të personit.
Përdorni Burime të Lagjeve dhe të Kunjeve
Kur është me vend, merreni parasysh t’u kërkoni udhëheqësve/eve të lagjes apo individëve të tjerë të mirëbesuar që të sigurojnë përkrahje të vazhdueshme. Kërkojini leje individit përpara se ta diskutoni situatën me të tjerët.
Përcaktoni një person të mirëbesuar që të jetë këshillues për anëtarin dhe familjen e tij ose të saj dhe nxitini të takohen rregullisht.
-
Këshilluesi duhet të jetë dikush me të cilin individi ndihet rehat dhe mund të jetë një motër ose vëlla shërbestar.
-
Jini të kujdesshëm që të mos i vini këshilluesit individualë të anëtarit në situata ku ata mund të ekspozohen ndaj rrezikut të mundshëm.
Nëse është e përshtatshme, nxiteni familjen të përdorë udhëheqësit e Kishës për t’i dhënë shërbesë njeriut të tyre të dashur.
-
Nxitini ata që po e ndihmojnë anëtarin, të bëjnë gjëra me personin, në vend që të bëjnë gjëra për personin (për shembull: të shkojnë me të në një aktivitet ose të punojnë krah për krah asaj ose atij në një detyrë për mirëqenien).
Nëse anëtari/ja ka nevojë për ndihmë nga një përkujdesës për shkak të sëmundjes mendore të anëtarit/es, referojuni burimit Përkrahja për Përkujdesësit.
Ndihmojeni anëtarin/en të përcaktojë ndihmën profesionale si të jetë e nevojshme.
-
Përdorni burime vendore që sigurojnë shërbime në harmoni me parimet e ungjillit.
-
Kontaktoni Shërbimet Familjare vendore ose zyrat e zonës për më shumë burime ose mundësi këshillimi.