“Përkrahja për Bashkëshortet/ët e Përdoruesve/eve të Pornografisë”, Burimet për Këshillim (2020).
“Përkrahja për Bashkëshortet/ët e Përdoruesve/eve të Pornografisë”, Burimet për Këshillim.
Përkrahja për Bashkëshortet/ët e Përdoruesve/eve të Pornografisë
Përdorimi i pornografisë shpesh ndikon në mënyrë të konsiderueshme te bashkëshortja (ose bashkëshorti) e përdoruesit. Një bashkëshorte (ose bashkëshort) mund të ndihet e zemëruar, e pafuqishme dhe e tradhtuar nga përdoruesi. Përveç kësaj janë të zakonshme ndjenja të panikut, tronditjes, dhembjes së madhe, hidhërimit dhe trishtimit, si edhe të zemërimit apo depresionit. Bashkëshortët/et shpesh ndiejnë turp të madh dhe e vënë në dyshim vlerën e tyre vetjake. Disa bashkëshortë/e madje përjetojnë simptoma fizike, të tilla si sëmundje, dhembje të pashpjegueshme zemre ose kraharori, dhembje koke ose pamundësi për të fjetur.
Ata gjithashtu mund të ndihen të tradhtuar nga Perëndia dhe të pyesin veten se si Ai mund ta lejonte këtë gjë të ndodhte. Jo të gjithë bashkëshortët/et do të reagojnë dhe do të përgjigjen në të njëjtën mënyrë. Probleme të tjera martesore ose shpeshtësia dhe kohëzgjatja e përdorimit të pornografisë mund të ndikojnë te reagimet e tyre dhe te madhësia e përgjigjes së tyre.
Bashkëshortët/et mund të jenë ngurrues që t’i tregojnë dikujt rreth vështirësive të tyre emocionale e shpirtërore dhe nganjëherë zgjedhin të vuajnë në heshtje në vend që të kërkojnë ndihmë ose përkrahje. Teksa kërkojnë ndihmë, bashkëshortët/et shpesh kanë nevojë për dikë që t’i dëgjojë me ndjeshmëri dhe të sigurojë përkrahje e dhembshuri. Bashkëshortët/et shpesh supozojnë gabim se problemi është disi faji i tyre, prandaj atyre mund t’iu nevojitet ndihmë të kuptojnë se nuk janë përgjegjës për sjelljen e përdoruesit.
Përpiquni të Kuptoni
Të ndihmuarit e bashkëshortes/it të individit që përdor pornografi, që të ndihet se po dëgjohet e kuptohet, mund të jetë po aq i rëndësishëm sa çfarëdo këshille që mund të jepni. Të dëgjuarit me dashamirësi do t’i dërgojë një mesazh të fuqishëm bashkëshortes/it se atë e duan, e vlerësojnë dhe kanë merak për të. Përpiquni të tregoni dashuri dhe ndjeshmëri sikurse do të tregonte Shpëtimtari. Me lutje merreni parasysh të bëni pyetje si këto, që t’ju ndihmojnë të kuptoni më mirë gjendjen e bashkëshortes/it dhe të dalloni nevojat e saj ose të tij. Jini të gatshëm të shpenzoni kohë thjesht për të dëgjuar bashkëshorten/in që të flasë për frikën, dyshimet dhe shqetësimet.
Një bashkëshorte (ose bashkëshort) mund të ndihet më rehat për të folur rreth situatës, në qoftë se është e pranishme një mike, një prind ose udhëheqës (ose udhëheqëse) i mirëbesuar i Kishës. Sigurohuni që bashkëshortja/i e di se ajo ose ai mund të kenë të pranishëm një person përkrahës. Merreni parasysh të bëni pyetje si ato që vijojnë, në mënyrë të ndjeshme dhe të dashur:
-
Cila është gjendja aktuale dhe çfarë po ndodh me ty?
-
Cili është aspekti që të mërzit më tepër i përdorimit të pornografisë nga ana e bashkëshortit (ose bashkëshortes) tënd?
-
Për çfarë shqetësohesh më shumë rreth martesës tënde tani?
-
Si ka ndikuar pornografia tek ti dhe familja jote (telashet familjare, problemet shëndetësore e kështu me radhë)?
-
Te cilat burime drejtohesh aktualisht për përkrahje?
-
Sa i çiltër dhe i besueshëm është bashkëshorti yt (ose bashkëshortja jote) për sa i përket sfidës me pornografinë?
-
Sa i/e çiltër ke qenë ose je i/e gatshëm/e të jesh për ta diskutuar këtë problem me bashkëshorten/in tënde?
-
Ç’gjë tjetër duhet të di rreth gjendjes?
-
Si të ka ndihmuar Zoti për ta duruar këtë sprovë?
Nëse viheni në dijeni për ndonjë keqtrajtim, dhunë në familje ose shikimin, blerjen apo shpërndarjen e pornografisë që përfshin fëmijë, kontaktoni autoritetet civile. Peshkopët kanë një shërbim telefonik të ndihmës shtesë që mund ta marrin në telefon në këto situata.
Ndihmojeni Individin
Teksa e ndihmoni bashkëshorten/in, merreni parasysh të përdorni disa nga sugjerimet vijuese.
Theksojeni aftësinë e Shpëtimtarit për të siguruar shërim vetjak për bashkëshorten/in e përdoruesit të pornografisë (shih Alma 7:11 dhe Mateu 11:28–30).
-
Ftojeni bashkëshorten/in të studiojë se si u ka dhënë shërbesë Krishti atyre që po kalonin fatkeqësi, dhe se si Ai mund ta ndihmojë atë që të shërohet.
-
Ndihmojeni bashkëshorten/in të kuptojë dhe të ketë besim tek ordinancat e priftërisë, veçanërisht tek ordinancat e tempullit.
-
Nxiteni bashkëshorten/in të kërkojë një bekim priftërie.
Jepni përkrahje që ta ndihmoni atë të kontrollojë emocionet e dhimbshme.
-
Shpreheni dashurinë dhe shqetësimin tuaj për të individualisht, si edhe për bashkëshorten/in dhe fëmijët e tij ose të saj.
-
Ndihmojeni bashkëshorten/in të kuptojë se vendimet e përdoruesit/es të pornografisë nuk ndryshojnë mënyrën se si Perëndia e sheh bashkëshorten/in individualisht.
-
Sqarojeni që ajo ose ai nuk është përgjegjës/e për përdorimin e pornografisë ose sjelljen e keqe nga ana e bashkëshortit të saj ose bashkëshortes së tij dhe nuk pritet që ta durojë sjelljen keqtrajtuese. Nëse viheni në dijeni për ndonjë keqtrajtim, kontaktoni menjëherë autoritetet civile.
-
Kujtojini bashkëshortit/es vlerën dhe meritat e tij ose të saj.
-
Nxiteni bashkëshortin/en që të takohet me peshkopin, nëse ai ose ajo nuk e ka bërë tashmë këtë gjë.
Ftojeni bashkëshortin/en të shqyrtojë burimet për bashkëshortët/et dhe familjen në pjesën “Trajtimi i Pornografisë” te ChurchofJesusChrist.org.
Ndihmojeni bashkëshorten/in të kuptojë se ajo ose ai mund të marrë frymëzimin e vet për të ditur se si të caktojë kufij të qartë në marrëdhënien e tyre dhe në shtëpi.
-
Ftojeni të studiojë “Principle 8: Be Firm and Steadfast” [“Parimi 8: Jini të Vendosur dhe të Paepur”] te Support Guide: Help for Spouses and Family of Those in Recovery (që gjendet në pjesën “Addiction Recovery” te ChurchofJesusChrist.org) për ta ndihmuar të kuptojë se si të caktojë kufij që mund ta ndihmojnë të rivendosë rregull në jetën dhe shtëpinë e vet.
-
Ndihmojeni bashkëshorten/in të kuptojë se ajo ose ai ka të drejtë të kërkojë ndershmëri të plotë, të mos ketë pornografi në shtëpi dhe të ketë shumë sjellje të tjera që e bëjnë më të lehtë paqen dhe unitetin.
-
Ndihmojeni të kuptojë se ai ose ajo mund të vendosin dhe të diskutojnë me bashkëshorten/in e vet se sa dëshiron të dijë rreth përdorimit të pornografisë (të tillë si natyrën, kohëzgjatjen dhe përmasën e përdorimit të saj). Të folurit për gjithçka mund të kontribuojë në procesin e shërimit.
Ndihmojeni bashkëshortin/en të gjejë një mik/eshë të besuar ose një pjesëtar të familjes, që mund të sigurojë mbështetje domethënëse vazhdimisht kur ajo ose ai kërkon të gjejë paqe dhe qëndrueshmëri në jetën e vet.
-
Kur është e përshtatshme, nxiteni bashkëshorten/in të flasë me të tjerët që nuk do ta nënçmojnë përdoruesin e pornografisë ose ta nxitin bashkëshorten/in të bëjë gjykime të menjëhershme ose të marrë vendime të nxituara.
-
Nëse janë në dispozicion, mbledhjet për përkrahjen e bashkëshortes/it dhe familjes janë shpesh një vend i mirë për të ndier se ju përkrahin, dëgjojnë e vlerësojnë dhe për të gjetur forcë në Krishtin nëpërmjet fuqisë së Shlyerjes së Tij.
Ndihmojeni të kuptojë se falja e bashkëshortit/es të vet është një proces dhe se ajo ose ai mund të marrë frymëzimin e vet që të dijë se si dhe kur ta fillojë këtë proces.
-
Nxiteni bashkëshortin/en të jetë i/e ndjeshëm ndaj procesit të vet të shërimit emocional e shpirtëror, i cili mund të kërkojë kohë të gjatë dhe do të jetë i pavarur nga ai i shërimit të përdoruesit/es. Mos u përpiqni ta ngutni ose diktoni procesin. Lejojeni t’u japë zgjidhje ndjenjave dhe sfidave të tij ose të saj që lidhen me situatën përpara se të diskutohet për falje.
-
Kujtojini bashkëshortit/es se falja që jepet, nuk do të thotë gjithmonë që është dhënë edhe mirëbesimi. Mirëbesimi mund të vijë pak kohë më vonë, ose mund të mos vijë aspak, në varësi të zgjedhjeve dhe sjelljeve të ardhshme. Mirëbesimi do të rindërtohet kur përdoruesi/ja i/e pornografisë punon për shërimin e vet dhe bashkëshortja/i sheh zellin dhe zotimin e përdoruesit/es për të ndryshuar.
Udhëheqësit e Kishës duhet të jenë të kujdesshëm të mos nënkuptojnë se marrëdhënia intime e çiftit në të shkuarën ka ndonjë lidhje të pranueshme me cilindo bashkëshort/e që përfshihet në përdorimin e pornografisë. Gjithsesi, përdorimi i pornografisë mund të jetë i dëmshëm për marrëdhëniet intime. Udhëheqësit e Kishës duhet të përmbahen nga dhënia e këshillës për çështje intime dhe, kur nevojitet ndihmë, të këshillohen me Shërbimet Familjare ose ekspertë të tjerë të përkrahjes shoqërore dhe emocionale dhe ta referojnë çiftin te një profesionist i përshtatshëm.
Përkraheni Familjen
Përcaktoni efektin që ka mbi martesën dhe familjen, si dhe trajtoni ndonjë problem.
Nëse partnerët në një martesë kanë nevojë për ndihmë shtesë, nxitini ta marrin ndihmën që iu nevojitet individualisht, ndërkohë që marrin ndihmë si partnerë në martesë.
Nëse në familje ka fëmijë që janë në dijeni të çështjes, ndihmojini prindërit e tyre të kuptojnë përgjegjësinë e tyre për t’u dhënë shërbesë atyre dhe për t’i ndihmuar fëmijët sipas nevojës.
Përpiquni ta përkrahni përdoruesin/en e pornografisë në procesin e tij ose të saj të shërimit shpirtëror. Burimet mbi varësinë dhe përdorimin e pornografisë, pjesa “Trajtimi i Pornografisë” te ChurchofJesusChrist.org dhe faqja në internet Program Riaftësimi nga Varësitë mund të jenë të dobishëm teksa e ndihmoni personin që po has vështirësi me pornografinë, që të kuptojë përgjegjësinë e vet për t’i dhënë zgjidhje sjelljes.
Nxiteni individin që përdor pornografi, që të jetë përgjegjës për veprimet e veta dhe mbështeteni bashkëshorten e tij ose bashkëshortin e saj. Shihni burimin mbi përdorimin e pornografisë për më shumë informacion.
Përdorni Burime të Lagjeve dhe të Kunjeve
Pasi të merrni leje nga bashkëshortja/i dhe individi që përdor pornografinë, për ta diskutuar situatën me të tjerët, merreni parasysh të bashkërendoni me udhëheqësit/et e lagjes ose njerëz të tjerë të mirëbesuar që të sigurojnë përkrahje, udhërrëfim dhe ndihmë të vazhdueshme.
Përcaktoni një person të mirëbesuar që mund të jetë një përkrahje për bashkëshorten/in e përdoruesit të pornografisë. Në mënyrë ideale, ky person përkrahës do të ketë trajtuar me sukses një sfidë të ngjashme, por çdo njeri i pjekur shpirtërisht që ka dhembshuri, mund të japë përkrahje përkujdesëse.
Ftojeni bashkëshorten/in që të frekuentojë një grup vendor përkrahjeje për bashkëshortin/en dhe pjesëtarët e familjes.
-
Shkoni te faqja në internet e Programit Riaftësimi nga Varësitë (pjesa ”Riaftësimi nga Varësia” te ChurchofJesusChrist.org) për të gjetur mbledhjet e një grupi vendor të përkrahjes për bashkëshorten/in, të cilat mbahen si një mbledhje me njerëz të pranishëm ose si një mbledhje e bërë nëpërmjet telefonit.
-
Nëse asnjë mbledhje nuk ekziston, merreni parasysh të kontaktoni peshkopin për të kërkuar që të fillohet një mbledhje ose që të përdorni grupet përkrahëse të komunitetit.
Merreni parasysh ta drejtoni bashkëshorten/in e përdoruesit të pornografisë për ndihmë ose këshillim të specializuar. Përcaktoni burime vendore që sigurojnë shërbime në harmoni me parimet e ungjillit.