Thirrjet në Lagje ose Degë
Përkujdesësit


“Përkrahja për Përkujdesësit”, Burimet për Këshillim (2018).

“Përkrahja për Përkujdesësit”, Burimet për Këshillim.

Përkrahja për Përkujdesësit

4:21

Një përkujdesës/e është një person që jep përkujdesje të rregullt për dikë që nuk është në gjendje të plotësojë disa ose të gjitha nevojat e veta. Shpesh personi që e merr përkujdesjen, është një pjesëtar i familjes që jeton me një aftësi të kufizuar fizike ose mendore, sëmundje kronike ose pasojat nga mosha e shkuar. Zotimi kohor i kërkuar për t’u kujdesur për individë të tillë mund të shtrihet nga disa orë në javë deri në përkujdesje 24‑orëshe.

Përkujdesësve/eve shpesh u kërkohet të baraspeshojnë përgjegjësitë për punën, kishën dhe përgjegjësi të tjera familjare, teksa në të njëjtën kohë përpiqen që t’i japin përkujdesje individuale një njeriu të dashur. Ndërkohë që dhënia e kujdesit është shpesh një përvojë shumë shpërblyese dhe përmirësuese, kërkesat e përkujdesit të vazhdueshëm mund të shkaktojnë edhe shqetësim, rraskapitje, stres financiar, ankth dhe lodhje.

Përkujdesësit mund të kenë nevoja që nuk janë të dukshme për të tjerët dhe gjithashtu mund të jenë ngurrues që të kërkojnë ndihmë. Përkujdesësit mund të kenë një rrezik më të lartë ndaj depresionit të shkaktuar nga stresi, ndaj ankthit, keqpërdorimit të substancave apo probleme me shëndetin fizik. Ata gjithashtu mund të përjetojnë pikëllim, mëri ose zemërim për humbjen e shpresave dhe të pritshmërive të tyre. Jetesa e tyre e përditshme, liria për të bërë gjërat që dëshirojnë, dhe synimet për të ardhmen, mund të jenë të gjitha të ndryshme nga ajo që prisnin më parë.

Përpiquni të Kuptoni

Kur flisni me përkujdesësit, sigurohuni të tregoni dashuri dhe ndjeshmëri sikurse do të tregonte Shpëtimtari. Ngaqë çdo situatë është e ndryshme dhe rrethanat e çdo personi ndryshojnë, me lutje merreni parasysh të bëni pyetje si këto që vijojnë në mënyrë të mirësjellshme dhe me dashuri, që t’ju ndihmojnë të kuptoni më mirë rrethanat e përkujdesësit/es dhe të dalloni nevojat e tij ose të saj.

  • Cila është gjendja aktuale dhe cilat janë përgjegjësitë e tua?

  • Cilat janë aspektet më të vështira lidhur me atë që po kalon?

  • Si ka ndikuar në familjen tënde të qenit një përkujdesës (shëndetin, problemet financiare, rolet, përgjegjësitë e kështu me radhë)?

  • Çfarë sfidash po përjeton në marrëdhënien tënde me personin që e merr përkujdesjen?

  • A ka të ngjarë që situata jote të përmirësohet, të vazhdojë njësoj apo të përkeqësohet me kalimin e kohës?

  • Çfarë lloj ndihme përkujdesëse po merr aktualisht (nga pjesëtarë të tjerë të familjes, vëllezër e motra shërbestare, burime të komunitetit ose punonjës të kujdesit mjekësor)?

  • Çfarë detyrash dhe përgjegjësish nuk je në gjendje t’i plotësosh vetë ose me pjesëtarë të tjerë të familjes, për shkak të mungesës së kohës apo të aftësisë?

  • Çfarë po bën që të kujdesesh për veten (ushqimi, gjumi, ushtrimi fizik, kujdesi mjekësor i përditshëm)?

  • Çfarë tjetër do të doje të më tregoje rreth situatës tënde?

Ndihmojeni Individin

Teksa e ndihmoni anëtarin/en për situatën e vet, merreni parasysh të përdorni disa nga sugjerimet më poshtë.

Ndihmojeni përkujdesësin/en të kuptojë fuqinë aftësuese dhe shëlbuese të Shpëtimtarit Jezu Krisht (shih Alma 7:11–12; Doktrina e Besëlidhje 88:6; Mosia 24:13–15).

Përcaktoni se si ta ndihmoni përkujdesësin/en që të qëndrojë i/e lidhur me anëtarët e tjerët të lagjes dhe shërbesat e adhurimit.

  • Nëse përkujdesësi/ja dhe marrësi/ja i/e përkujdesjes ndiejnë se mund të jenë barrë për lagjen, ndihmojini të kuptojnë se ata i vlerësojnë dhe se shumë anëtarë të lagjes janë të gëzuar që t’u shërbejnë atyre.

  • Sigurohuni që sakramenti të jepet në shtëpi, nëse nevojitet.

  • Përcaktoni nëse përkujdesësi/ja ka nevojë për ndihmë që të marrë pjesë në Kishë, tempull apo aktivitete të tjera.

  • Tregojini përkujdesësit/es se si shembulli dhe përvojat e tij ose të saj po ndihmojnë anëtarë të tjerë të lagjes.

  • Merreni parasysh t’i jepni përkujdesësit/es mundësi të përshtatshme për të shërbyer pa e shtuar barrën e tyre.

Vizitojini përkujdesësin/en dhe personin që merr përkujdesjen, dhe shprehni dashurinë dhe shqetësimin tuaj për të gjithë njerëzit që përfshihen.

  • Planifikoni vizita në shtëpi për ta kuptuar më mirë situatën.

  • Jepni nxitje dhe ndihmojeni përkujdesësin/en që të kuptojë se ai ose ajo nuk është vetëm.

  • Ndihmoni që të organizoni bekime të priftërisë kur ju kërkohet ose kur frymëzoheni ta bëni këtë gjë.

  • Diskutoni se cilat janë planet e përkujdesësit/es lidhur me përshtatjen ndaj përkujdesit ose çfarë të bëjë nëse përkeqësohet situata dhe se si mund të ndihmojë lagjja.

Përcaktoni burimet ekzistuese tek të cilat përkujdesësi/ja mund të drejtohet për ndihmë.

  • Bëni një listë të talenteve, aftësive dhe burimeve të pjesëtarëve të familjes dhe miqve, të cilët mund të sigurojnë ndihmë të nevojshme dhe bëni një plan për t’i përdorur këto burime.

  • Ndihmojeni përkujdesësin/en që të përcaktojë mundësi për kohë vetjake. Merrni parasysh nevojat shpirtërore dhe vetjake, si edhe mundësitë për argëtim.

Përcaktoni burime të nevojshme shtesë, të tilla si:

  • Ndihma financiare

  • Sigurimet

  • Ndihma dhe përkrahja nga pjesëtarë të tjerë të familjes

  • Përkrahja për mirëqenien fizike dhe mendore

  • Punësimi

  • Transporti

  • Teknologjia ose pajisjet ndihmëse dhe mundësia për tʼi përdorur ato.

Përkraheni Familjen

Nëse ka pjesëtarë të tjerë të familjes në shtëpi, ata mund të nevojitet që ta ndihmojnë përkujdesësin/en. Përcaktoni efektin që ka kjo mbi përkujdesësin/en dhe personin që e merr përkujdesjen, si edhe mbi bashkëshorten/in, fëmijët ose pjesëtarë të tjerë të familjes, dhe trajtojini ato çështje.

Ndihmojini fëmijët të kuptojnë ndryshimin e roleve dhe nevojat në shtëpi.

  • Fëmijët dhe adoleshentët mund të mësojnë se kanë shumë më tepër përgjegjësi nëse një prind, vëlla ose motër është përkujdesës/e apo një person që e merr përkujdesjen (për shembull, përgjegjësitë për mirëmbajtjen e shtëpisë, oborrit apo makinës).

  • Prindërit që janë përkujdesës ose që po marrin përkujdesje, mund të mos jenë në gjendje të shpenzojnë aq shumë kohë sa do të donin me fëmijët e tyre.

Përfshijini fëmijët në aktivitete me familje të tjera të lagjes.

  • Ftoni familje në lagje që ta vizitojnë familjen dhe t’i nxitin të marrin pjesë në veprimtaritë e familjes, të tilla si mbrëmja e shtëpisë.

Personi që merr përkujdesje, mund të ndihet si barrë ndaj përkujdesësve dhe madje mund të ketë vështirësi që të gjejë kuptim, në qoftë se aftësitë e tij ose të saj janë të kufizuara shumë. Merrni parasysh mënyra se si ta ndihmoni individin që të gjejë qëllim dhe përmbushje në vetvete.

  • Në varësi nga rrethana, ndihmojeni atë që të përcaktojë veprimtari domethënëse dhe të përfshihet në to (të tilla si shërbimi, argëtimi, qenia së bashku me familjen, projektet vetjake dhe hobitë e kështu me radhë).

  • Merrni parasysh mundësi për të shërbyer në Kishë nga shtëpia, të tilla si Indeksimi në FamilySearch ose mundësi të tjera në internet.

Përdorni Burime të Lagjeve dhe të Kunjeve

Udhëheqësit/et e lagjes apo individë të tjerë të mirëbesuar mund të sigurojnë përkrahje, udhërrëfim dhe ndihmë të vazhdueshme. Kërkoni lejen e përkujdesësit/es përpara se ta diskutoni situatën me njerëz të tjerë.

Udhëheqësit mund të marrin parasysh ta diskutojnë situatën në këshillin e lagjes për të vendosur se si lagjja mund t’i përkrahë përkujdesësin/en dhe personin që e merr përkujdesjen.

  • Peshkopi mund ta ftojë presidencën e Shoqatës së Ndihmës që të punojë me përkujdesësin/en për ta vlerësuar më tej situatën dhe për të përcaktuar se si të plotësohen nevojat.

  • Presidenti i kuorumit të pleqve dhe presidentja e Shoqatës së Ndihmës duhet të marrin parasysh që t’i caktojnë familjes vëllezër dhe motra të zotuara shërbestare.

  • Ndihmojeni përkujdesësin/en të përcaktojë një njeri të mirëbesuar i cili mund të jetë një përkrahje e vazhdueshme për të. Ky mund të jetë një vëlla ose motër shërbestare, apo një anëtar/e tjetër në lagje.

Gjeni mënyra se si anëtarët e lagjes të japin ndihmesë.

  • Përcaktoni anëtarë që mund të kryejnë vizita në shtëpi për ta lehtësuar vetminë.

  • Përfshini rininë ose njerëz të tjerë në projekte shërbimi për ta ndihmuar familjen.

  • Përcaktoni mënyra se si anëtarët e lagjes mund të sigurojnë rregullisht lehtësim duke e ndihmuar personin që merr përkujdesje, ndërkohë që përkujdesësi/ja frekuenton një grup përkrahjeje, kujdeset për nevoja shpirtërore ose vetjake apo merr ndihmë tjetër lehtësuese.

Përcaktoni organizata e burime vendore dhe nxiteni përkujdesësin/en që t’i përdorë ato. Burimet mund të përfshijnë:

  • Këshillues profesionistë

  • Grupe përkrahëse vendore dhe kombëtare për përkujdesësit/et (me prani fizike ose në internet)

  • Organizata qeveritare dhe private

  • Organizata joqeveritare (OJQ)