“Tërheqja ndaj së Njëjtës Gjini”, Burimet për Këshillim (2020).
“Tërheqja ndaj së Njëjtës Gjini”, Burimet për Këshillim.
Tërheqja ndaj së Njëjtës Gjini
Disa anëtarë/e mund të ndiejnë tërheqje ndaj së njëjtës gjini ose ta përcaktojnë veten si gej, lesbike ose biseksualë. Teksa kërkoni udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë dhe gjeni kohë për tʼu edukuar vetë rreth nevojave të fëmijëve të Perëndisë që përjetojnë tërheqje ndaj së njëjtës gjini ose identifikohen si gej, ju do të zhvilloni dashuri hyjnore dhe do të zmadhohet aftësia juaj për të dhënë shërbesë.
Të ndjerit e tërheqjes ndaj së njëjtës gjini ose zgjedhja për të përdorur një emërtim identifikimi seksual (të tillë si gej, lesbike ose biseksual) nuk është mëkat dhe nuk e shkel rregulloren e Kishës. Fjalë si gej dhe lesbike kanë kuptime të ndryshme për njerëz të ndryshëm. Identifikimi si gej mund të nënkuptojë që një anëtar përjeton tërheqje ndaj së njëjtës gjini, por zgjedh që të mos veprojë sipas këtyre ndjenjave. Ky emërtim mund të përshkruajë gjithashtu mënyrën se si ata shprehen emocionalisht, fizikisht, romantikisht, seksualisht ose politikisht. Mos hamendësoni që një individ po thyen ligjin e dëlirësisë ngaqë përdor një emërtim identiteti seksual.
Plaku M. Rasëll Ballard tha: “Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme beson se ‘përvoja e tërheqjes ndaj së njëjtës gjini është një realitet i ndërlikuar për shumë njerëz. Tërheqja në vetvete nuk është mëkat, por të vepruarit sipas nxitjeve që ndiejmë, është. Edhe pse individët nuk zgjedhin që t’i kenë tërheqje të tilla, ata vërtet zgjedhin se si t’u përgjigjen atyre. Me dashuri dhe mirëkuptim, Kisha u drejtohet të gjithë fëmijëve të Perëndisë, duke përfshirë [ata që kanë tërheqje ndaj së njëjtës gjini]’” (“Rrini të Qetë dhe Dijeni se Unë Jam Perëndi” [takim shpirtëror i Sistemit Arsimor të Kishës për të rinjtë në moshë madhore, 4 maj 2014], broadcasts.ChurchofJesusChrist.org.)
Njerëzit që përjetojnë ndjenja të tërheqjes ndaj së njëjtës gjini, të cilët zotohen për t’i zbatuar urdhërimet e Perëndisë, mund të marrin thirrje në Kishë, të mbajnë rekomandime tempulli dhe të marrin ordinanca tempulli.
Gjëja më e rëndësishme që mund të bëni pasi një individ i tregon hapur ndjenjat e tërheqjes ndaj së njëjtës gjini, është të dëgjoni dhe t’i ndihmoni që të ndihen të mirëpritur.
Shumë parime rreth tërheqjes ndaj së njëjtës gjini mund të gjejnë zbatim edhe për ata që përjetojnë disfori gjinore ose identifikohen si transgjinorë. Megjithatë, tërheqja ndaj së njëjtës gjini dhe disforia gjinore janë shumë të ndryshme. Ata që përjetojnë disfori gjinore, mund të përjetojnë ose jo tërheqje ndaj së njëjtës gjini dhe pjesa më e madhe e atyre që përjetojnë tërheqje ndaj së njëjtës gjini, nuk dëshirojnë që ta ndryshojnë gjininë e tyre.
Për mësimet e Kishës rreth tërheqjes ndaj së njëjtës gjini, pyetjet që bëhen rëndom dhe informacion tjetër të dobishëm për udhëheqësit, mësuesit, prindërit dhe individët, shihni pjesën Ndihmë për Jetën dhe Temat e Ungjillit te ChurchofJesusChrist.org.
Përpiquni të Kuptoni
Ata që përjetojnë tërheqje ndaj së njëjtës gjini, mund të ndihen të turpëruar ose të padenjë, edhe nëse kurrë nuk kanë vepruar sipas këtyre ndjenjave. Ata mund të kenë frikë se ju nuk i pranoni për shkak të këtyre ndjenjave dhe mund të mos dinë se si ta përputhin përvojën e tyre me parimet e ungjillit.
Teksa i këshilloni individët që përjetojnë tërheqje ndaj së njëjtës gjini, vini në dukje besimin dhe kurajën e tyre për t’i diskutuar këto ndjenja me ju. Sigurojini sërish për dashurinë e Perëndisë. Pranojeni se ndoshta nuk e kuptoni tërësisht atë që po kalojnë ata. Bëjuani të ditur se i doni dhe dëshironi t’i kuptoni. Shprehni gatishmërinë tuaj për të siguruar përkrahje emocionale dhe shpirtërore.
Plot lutje merrni parasysh pyetjet që vijojnë, për ta kuptuar më mirë situatën. Përpiquni të siguroni përkujdesje dhe bëni kujdes që ta shmangni bërjen e pyetjeve shumë të hollësishme:
-
Të lutem, a do të më tregosh më shumë rreth përvojës tënde?
-
Si kanë ndikuar këto ndjenja në jetën tënde? Si kanë ndikuar ato në jetën e miqve dhe familjarëve të tu?
-
Si mund të të ndihmoj unë?
-
A dëshiron që të takohemi rregullisht për ta diskutuar këtë?
-
Emërtimet kanë kuptime të ndryshme për njerëz të ndryshëm. Çfarë do të thotë për ty fjala gej (ose lesbike, biseksual, tërheqjes ndaj së njëjtës gjini e kështu me radhë)?
Ndihmojeni Individin
Teksa këshilloheni me individët që përjetojnë tërheqje ndaj së njëjtës gjini, nuk nevojitet të keni kuptueshmëri të përsosur për çështjen. Dëshira juaj për të kuptuar dhe ndihmuar do t’ju kualifikojë që të merrni udhërrëfim nga Shpirti teksa i doni dhe dëgjoni ata.
Ndihmojini individët që të dallojnë se ndjenjat e tërheqjes ndaj së njëjtës gjini mund të jenë një aspekt i përvojës së tyre në vdekshmëri, por ato ndjenja nuk e ndryshojnë identitetin e tyre të përjetshëm dhe hyjnor si fëmijë të Perëndisë.
-
Ndihmojini individët të dallojnë anët e forta, talentet dhe aftësitë e tyre individuale. Nxitini që të përpiqen për të ditur qëllimin e Perëndisë dhe për të dalluar, nëpërmjet Frymës së Shenjtë, drejtimin e veçantë dhe specifik për ta në shtegun e tyre.
-
Nëse individi është përfshirë në sjellje seksuale brenda së njëjtës gjini, jepni mësim pendimin dhe faljen nëpërmjet Shlyerjes së Shpëtimtarit Jezu Krisht.
-
Jepni këshillim dhe përkrahje të rregullt, kështu që individi nuk ndihet i vetëm në këtë udhëtim.
-
Shmangiuni premtimit për pakësim ose eliminim të tërheqjes ndaj së njëjtës gjini në shkëmbim për besnikërinë.
-
Martesa nuk duhet të rekomandohen si një mënyrë për ta eliminuar ose pakësuar tërheqjen ndaj së njëjtës.
Ftojeni individin të përqendrohet në zhvillimin ose ruajtjen e modeleve të shëndetshme të të jetuarit.
-
Vini në dukje anët e forta shpirtërore që mund të zhvillohen, ose që janë zhvilluar tashmë, duke iu përgjigjur me besim ndjenjave të tërheqjes ndaj së njëjtës gjini.
-
Ndihmojeni individin të kërkojë mundësi për të dhënë ndihmesa domethënëse në familjen dhe lagjen e vet nëpërmjet thirrjeve dhe mundësive të tjera të shërbimit.
Nxiteni individin të zhvillojë marrëdhënie të shëndetshme, joseksuale, brenda së njëjtës gjini me individë të mirëbesuar. Ndihmojeni individin:
-
Të gjejë një këshillues/e të mirëbesuar ose mik/e me të cilin/ën të takohet rregullisht për të diskutuar synimet dhe përparimin.
-
T’u flasë hapur individëve të mirëbesuar për ndjenjat e tërheqjes ndaj së njëjtës gjini. Të folurit me maturi për këto ndjenja nuk është vetëm i dobishëm, por mund t’i mbrojë potencialisht disa individë nga depresioni ose dëmtimi i vetvetes.
-
Të përpiqet t’i forcojë marrëdhëniet me pjesëtarë të familjes, miq, fqinjë dhe bashkëpunëtorë të mirëbesuar.
Disa individë që përjetojnë tërheqje ndaj së njëjtës gjini, mund të kenë vepruar sipas këtyre ndjenjave dhe ta kenë shkelur ligjin e dëlirësisë:
-
Nëse individi po ndeshet me pornografinë, masturbimin ose sjellje të tjera seksuale jo në harmoni me ligjin e dëlirësisë, përkrahini përpjekjet e tij ose të saj për t’i kapërcyer këto sfida. Drejtojuni pjesës “Trajtimi i Pornografisë” te ChurchofJesusChrist.org për ndihmë për çështjet e pornografisë.
-
Përcaktoni situatat më të zakonshme që çojnë drejt sjelljes mëkatare.
-
Kuptoni ndjenjat që ndodhen prapa këtyre situatave (të tilla si vetmia ose mospranimi).
-
Ndihmojeni individin të zhvillojë përgjigje alternative.
Disa njerëz që përjetojnë tërheqje ndaj së njëjtës gjini, mund të kërkojnë udhërrëfim nga një këshillues profesionist. Terapia mund t’i forcojë modelet e shëndetshme të jetesës. Merreni parasysh sa vijon:
-
Ndonjëherë mund të jetë e vështirë që njerëzit ta shohin vetveten me objektivitet. Të kërkuarit e ideve nga një këshillues profesionist që është në harmoni me parimet e ungjillit, mund të ndihmojë në shumë fusha të jetës, përfshirë modelet e depresionit dhe të ankthit, sjelljet e fiksuara, efektet e keqtrajtimit dhe probleme të tjera emocionale. Sikurse ka treguar Plaku Xhefri R. Holland, ndihma profesionale nganjëherë mund të jetë thjesht po aq e rëndësishme sa ndihma shpirtërore (shih “Si një Vazo e Thyer”, Liahona, nëntor 2013, f. 41).
-
Kërkimi i ideve nga një këshillues profesionist është shenjë e forcës dhe përulësisë. Nëse një person zgjedh të kërkojë ndihmë të tillë, të tjerët duhet ta respektojnë të drejtën e tij ose të saj për të përcaktuar rezultatet e dëshiruara. Kisha rekomandon metoda që e respektojnë “vendimin e marrë nga vetë klienti”.
-
Me fjalë të tjera, individi ka të drejtën të përcaktojë rezultatet e dëshiruara dhe terapistët e këshilluesit duhet t’i respektojnë dëshirat e tij ose të saj. Për disa njerëz që përjetojnë tërheqje ndaj së njëjtës gjini ose që identifikohen si gej, këshillimi mund ta ndihmojë personin që t’i drejtohet seksualitetit të vet në mënyra më të shëndetshme dhe më përmbushëse. Megjithatë, këshillimi dhe terapia nuk janë të nevojshme për çdo njeri.
-
Ndërkohë që ndërrime në seksualitet mund të ndodhin dhe ato ndodhin për disa njerëz, nuk është etike që trajtimi profesional të përqendrohet te një hamendësim që një ndryshim në orientimin seksual do të ndodhë dhe duhet të ndodhë.
Nëse është në dispozicion, kontaktoni programin Shërbimet Familjare për informacion ose konsultim.
Përkraheni Familjen
Tërheqja ndaj së njëjtës gjini ndikon te pjesëtarët e familjes si edhe individët. Përcaktoni ndikimin mbi familjen e individit dhe përpiquni t’i trajtoni ato çështje.
-
Përkrahini pjesëtarët e familjes, përfshirë një bashkëshort/e, teksa veprojnë duke përjetuar emocione të mundshme, të tilla si tronditja, lëndimi, zemërimi, tradhtia dhe faji.
-
Ndihmojini prindërit, bashkëshortët/et ose pjesëtarët e tjerë të familjes që të shkojnë përtej fajësimit të vetvetes ose të tjerëve, kështu që ata të mund të përqendrohen më mirë tek ushqimi shpirtëror i marrëdhënieve familjare.
-
Nxitini pjesëtarët e familjes ta duan pjesëtarin e familjes dhe ta pranojnë individin.
-
Nxitini pjesëtarët e familjes që të kërkojnë përkrahje dhe këshillim profesional nëse nevojitet.
-
Nxitini pjesëtarët e familjes të kërkojnë informacion nga burimet e Kishës, të tilla si Temat e Ungjillit ose pjesa Ndihma për Jetën te ChurchofJesusChrist.org.
Përdorni Burime të Lagjeve dhe të Kunjeve
Merreni parasysh t’u kërkoni udhëheqësve/eve të lagjes apo individëve të tjerë të mirëbesuar që të sigurojnë përkrahje, udhërrëfim dhe ndihmë të vazhdueshme. Kërkojini leje individit përpara se ta diskutoni situatën me të tjerët.
Përcaktoni se si t’u jepni shërbesë më së miri atyre që përjetojnë ndjenja të tërheqjes ndaj së njëjtës gjini.
-
Krijoni një mjedis dhe kulturë ku të gjithë individët të ndiejnë mirëpritje dhe dashuri.
-
Merreni parasysh ta diskutoni çështjen në këshillin e lagjes ose në një mësim të së dielës së pestë. Përdorni materiale nga pjesa Ndihma për Jetën te ChurchofJesusChrist.org dhe “Tërheqja ndaj së Njëjtës Gjini” tek Temat e Ungjillit për të përgatitur mësime ose diskutime.
-
Luftoni stereotipa dhe mite rreth tërheqjes ndaj së njëjtës gjini. Nëse njerëzit në lagjen ose degën tuaj nuk kanë kuptueshmëri të bazuar tek ungjilli për këtë çështje, referojini te pjesa Ndihma për Jetën te ChurchofJesusChrist.org dhe “Tërheqja ndaj së Njëjtës Gjini” tek Temat e Ungjillit.
-
Ndihmojini individët të kuptojnë se të qenit pranë atyre që përjetojnë tërheqje ndaj së njëjtës gjini, nuk do të thotë që ata gjithashtu do të përjetojnë tërheqje ndaj së njëjtës gjini dhe që përvoja e tërheqjes ndaj së njëjtës gjini nuk e shton rrezikun e pedofilisë.
Përcaktoni këshilltarë vendorë ose burime në internet që sigurojnë shërbime në harmoni me parimet e ungjillit.
Merreni parasysh të kontaktoni programin Shërbimet Familjare, nëse është në dispozicion, për të përcaktuar burimet.