Thirrjet në Lagje ose Degë
Si mund t’i përkrah të tjerët teksa hartojnë plane?


“Si mund t’i përkrah të tjerët teksa hartojnë plane?” Burimet për Këshillim (2020).

“Si mund t’i përkrah të tjerët teksa hartojnë plane?” Burimet për Këshillim.

Burimet për Këshillim

Si mund t’i përkrah të tjerët teksa hartojnë plane?

Si udhëheqës i Kishës, ju keni mundësi të pashoqe për t’u dhënë përkrahje individëve që ndeshen me përdorimin e pornografisë, dhe bashkëshorteve/ëve, prindërve të tyre dhe njerëzve të tjerë të përfshirë. Përkrahja juaj mund të ndihmojë që të largohet turpi që shpesh shoqërohet me përdorimin e pornografisë (shih Wendy Ulrich, “It Isn’t a Sin to Be Weak”, Ensign, prill 2015, f. 30–35).

Shumë individë gjejnë sukses me anë të hartimit dhe ndjekjes së një plani vetjak për ta kapërcyer pornografinë. Si individi që po sheh pornografi, ashtu edhe bashkëshortja e tij ose bashkëshorti i saj apo pjesëtari i familjes mund të kenë nevojë për një plan të individualizuar që të gjejnë shërim. Është përgjegjësia e secilit individ për të kërkuar zbulesë vetjake, për të gjetur përgjigje dhe për të zhvilluar e ndjekur planin e vet. Si udhëheqës, ju mund t’i nxitni dhe përkrahni individët teksa hartojnë plane, por përgjegjësia për të bërë plane dhe për ta vlerësuar efektshmërinë e tyre u përket individëve.

Nëpërmjet bashkëbisedimeve të frymëzuara me individët dhe bashkëshortët/et ose familjet e tyre, ju mund t’i nxitni ata që të hartojnë plane për ta kapërcyer këtë sfidë të vështirë. Teksa individët hartojnë plane për të ndryshuar, ju mund t’i përkrahni në mënyrat vijuese:

  • Përqendrohuni te Krishti.

  • Përfshini njerëz të tjerë.

  • Përdorni burime të përshtatshme.

Përqendrohuni te Krishti

Edhe pse ka shumë metoda për t’i ndihmuar individët që të ecin përpara, roli juaj si udhëheqës është t’i ndihmoni të tjerët të vijnë te Krishti, të gjejnë shërim shpirtëror dhe të kërkojnë pajtim me Perëndinë dhe me ata që këta i kanë lënduar nëpërmjet sjelljes së tyre.

Nëse i nxitni individët për të zhvilluar plane, përpiquni fort që t’i ndihmoni për ta rritur besimin e tyre tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Ndihmojini të tjerët të dallojnë bekimet që vijnë nga të qenit të bindur ndaj Atit Qiellor. Nxitini ata që të vënë në zbatim bekimet e Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe t’i mbajnë besëlidhjet e tyre. Ftojini ata që të kërkojnë drejtimin e Shpirtit ndërsa i vënë në zbatim dhe i përmirësojnë planet e tyre.

Përpiquni fort që t’i ndihmoni individët të kthehen te Shpëtimtari. Ai është burimi më i lartë i forcës dhe zotëron urtësi përfundimtare. Ai e njeh dhe e do çdo person individualisht. Kur individët kthehen te Zoti, ata do të udhërrëfehen lidhur me mënyrën se si t’i përgjigjen këtij problemi dhe Ai do t’u japë shërbesë atyre. Kërkoni frymëzim lidhur me mënyrën se si t’i përkrahni individët e bashkëshortet/ët dhe se si t’i ndihmoni të ndërtojnë marrëdhënien e tyre me Shpëtimtarin.

Përfshini Njerëz të Tjerë

Pornografia lulëzon në fshehtësi dhe shpesh e ushqen turpin. Nxitja e individëve që të lidhen me njerëz të tjerë, mund t’i ndihmojë të ndihen të forcuar. Është e rëndësishme që si individët ashtu dhe bashkëshortet/ët e tyre të ndërtojnë një sistem përkrahjeje nga njerëz që i inkurajojnë ata dhe rritjen e tyre.

Përmasa dhe natyra e përkrahjes që nevojitet, varen nga faktorë që janë unikë për individin. Një individ që ka parë pornografi vetëm pak herë, mund të ketë nevojë për më pak kohë dhe më pak ndihmë nga jashtë për ta eliminuar problemin. E njëjta gjë mund të jetë e vërtetë për bashkëshorten e tij ose bashkëshortin e saj. Gjithsesi, një individ që ka parë pornografi për një periudhë të gjatë kohe, pa qenë në dijeni bashkëshortja/i ose që ka përparuar drejt pornografisë më të rëndë, ndoshta do të ketë nevojë për më shumë kohë e më shumë ndihmë. Bashkëshortja e tij ose bashkëshorti i saj gjithashtu mund të ketë nevojë për më shumë kohë e më shumë ndihmë.

Familja

Dashuria, përkrahja dhe udhërrëfimi mund të vijnë nga pjesëtarë të familjes. Nxitini individët të marrin forcë nga bashkëshortet/ët, prindërit e tyre ose rrethi familjar në trajtimin e një problemi me pornografinë. Megjithatë, individët duhet të marrin parasysh dhimbjen që mund të ndiejnë pjesëtarët e familjes. Nxitini individët që të kërkojnë përkrahje nga pjesëtarët e familjes që janë të përgatitur për t’i përkrahur ata. Përdorimi i pornografisë zakonisht lulëzon në fshehtësi; prandaj nxjerrja në dritë me kujdes mund të jetë pjesë e dobishme e shërimit. Në rastin e çifteve të martuara, të fejuara ose të zotuara, nxjerrja në dritë është një domosdoshmëri.

Përdorni Burime të Përshtatshme

Shpesh ka shumë faktorë që e çojnë një individ në përdorimin e pornografisë. Mjekimet shpirtërore, edhe pse të rëndësishme, mund të mos jenë e vetmja ndihmë që u nevojitet individëve. Ata gjithashtu mund të kenë nevojë të trajtojnë faktorë të tjerë në jetën e tyre, të tillë si ndikimet biologjike, psikologjike dhe shoqërore. Si të jetë e përshtatshme, nxitini individët të marrin parasysh llojet e ndihmës që mund t’u nevojitet për t’i trajtuar këto ndikime të tjera në jetën e tyre. Kjo mund të përfshijë të kërkuarit e ndihmës nga burime të tilla si faqe të besueshme interneti dhe profesionistë mjekësorë dhe të shëndetit mendor.

Profesionistët

Profesionistët mjekësorë dhe të shëndetit mendor mund të nevojiten, veçanërisht kur individët kanë pasur sukses shumë të vogël pavarësisht nga përpjekjet e shumta në orvatjet e tyre për ta eliminuar pornografinë nga jeta e tyre. Bashkëshortet/ët gjithashtu mund të kenë nevojë për këtë lloj ndihme teksa përballen me tradhtinë e mirëbesimit të tyre. Këdo që ata e zgjedhin që ta përfshijnë në planet e tyre për të kapërcyer pornografinë, duhet të ndihet në rehati me standardet e ungjillit.

Teknologjia

Shumë mjete të ndryshme në internet mund t’i ndihmojnë individët që t’i bëjnë ballë tundimit për të parë pornografi. Disa prej këtyre japin informacion të dobishëm, të tillë si pjesa “Trajtimi i Pornografisë” te ChurchofJesusChrist.org, Support Guide: Help for Spouses and Family of Those in Recovery [Udhëzuesi Përkrahës: Ndihma për Bashkëshortet/ët dhe Familjet e Atyre që Janë në Shërim], kanalet e mediave shoqërore të Kishës, fightthenewdrug.org dhe të tjera. Disa burime digjitale sigurojnë ndërhyrje të tilla si filtra që e kontrollojnë ose e bllokojnë përdorimin, dhe burime të tjera, të tilla si fortify.com, sigurojnë një ndërhyrje të strukturuar.

Pjesët Përbërëse të një Plani të Efektshëm

Teksa individët krijojnë plane, nxitini të marrin parasysh:

  • Shkrimin e planeve të tyre, duke përmendur qartësisht veprimtari dhe synime të caktuara, dhe më pas tregimin, vlerësimin dhe përshtatjen e planeve sipas nevojës.

  • Përcaktimin se si të mbeten të zotuar, madje edhe kur ndeshen me kthime mbrapa.

  • Krijimin e një plani përgjegjshmërie, ku ata mund t’ia raportojnë përparimin e tyre një pjesëtari të mirëbesuar të familjes, një miku/eje ose një udhëheqësi të Kishës. Raportet e përgjegjshmërisë nuk duhet të bëhen domosdoshmërisht me peshkopin.

  • Të ftuarit e një bashkëshorti/eje, prindi, pjesëtari tjetër të familjes ose një personi tjetër për të vlerësuar dhe ndjekur ecurinë e planeve. Mund të jetë e dobishme t’i raportohet dikujt tjetër rregullisht se sa mirë po funksionojnë planet. (Shih “Te çfarë kam nevojë të përqendrohem për ta kapërcyer zakonin tim të pornografisë?”)