Thirrjet në Lagje ose Degë
Financat


“Financat”, Burimet për Këshillim (2020).

“Financat”, Burimet për Këshillim.

Financat

2:35

Çdo njeri ka përgjegjësinë të sigurojë për nevojat e veta, si edhe për nevojat e pjesëtarëve të familjes, deri në masën që mundet. Përgjegjësia për të administruar financat familjare duhet të ndahet midis bashkëshortit dhe bashkëshortes me një frymë mirëbesimi dhe çiltërsie. Administrimi i urtë financiar mund të japë siguri dhe mund t’i japë shtysë mirëqenies familjare.

Individët mund të përjetojnë shqetësime financiare për shkak të papunësisë, shpenzimit të tepruar, urgjencave të papritura apo keqadministrimit të financave. Ndihmojini individët të kuptojnë rëndësinë e pagimit të një të dhjete të ndershme, të jetuarit brenda mundësive të tyre, kursimit për shpenzime të papritura dhe shmangies së borxhit. Kur familjet bëhen më të mbështetura financiarisht te vetja, ato do të ndihen më të sigurta dhe do të gëzojnë paqe më të madhe në jetën e tyre.

Jini të vetëdijshëm që problemet financiare shpesh duken sikur janë një rast i ngutshëm. Ndihmojini individët të marrin parasysh fillimisht burimet që janë në dispozicion të tyre (të tilla si miqtë dhe pjesëtarët më të afërt të familjes ose në rrethin familjar) përpara se të kërkojnë ndihmë financiare nga Kisha. Teksa kërkoni njerëz të cilët po hasin vështirësi, përcaktoni shenjat që tregojnë se ata mund të jenë në nevojë. Theksoni vazhdimisht rëndësinë e të qëndruarit të ndërgjegjësuar për financat dhe të qenit të përgatitur për rastet e ngutshme ose pengesat financiare.

Përpiquni të Kuptoni

Diskutimi për çështjet financiare mund të jetë i lodhshëm, emocional dhe i vështirë. Kur bëni pyetje, sigurohuni të tregoni dashuri dhe ndjeshmëri sikurse do të tregonte Shpëtimtari. Me lutje merreni parasysh të bëni pyetje si këto që vijojnë, në mënyrë të mirësjellshme dhe dashamirëse për t’ju ndihmuar që të kuptoni më mirë gjendjen financiare të personit dhe të dalloni nevojat e saj ose të tij.

  • Cila është gjendja jote aktuale financiare? (Për shembull, sa të ardhura po sjell në shtëpi, sa po harxhon dhe sa borxh ke?)

  • Kush i administron financat në familjen tënde?

  • Si i merr vendimet për blerjet? (A është shpenzimi një gjë emocionale? A je i ndërgjegjshëm për buxhetin?)

  • Cila është gjendja jote e punësimit?

  • Cila do të ishte gjendja jote nëse do të të duhej të mbështeteshe te rezervat ose kursimet e tua financiare?

  • A ke një buxhet për familjen tënde? Sa mirë po e ndjek atë?

  • Cili ka qenë burimi yt më i madh i shqetësimeve të tua financiare? (Burimet e mundshme mund të përfshijnë shpenzimet e tepruara, shpenzimet mjekësore ose shkurorëzimin.)

  • Kujt tjetër i ke kërkuar ndihmë (të tillë si familjarët ose miqtë)?

  • Çfarë ndihme financiare ke marrë tashmë?

  • Çfarë burimesh të tjera ke që mund t’i përdorësh?

Ndihmojeni Individin

Teksa e ndihmoni personin të kuptojë parimet e mbështetjes te vetja, merreni parasysh të përdorni disa nga sugjerimet më poshtë. Teksa punoni së bashku, përpiquni të tregoni ndjeshmëri dhe ndihmojini individët të ruajnë një ndjesi dinjiteti.

Jepni mësim parimet e pagimit të një të dhjete të ndershme dhe dhënien e një oferte bujare agjërimi, si edhe parimet e mbështetjes te vetja.

  • Jepni mësim se administrimi i financave familjare duhet të jetë një përgjegjësi që ndahet midis bashkëshortit dhe bashkëshortes.

Përcaktoni burimet ekzistuese për ndihmën financiare.

  • Bëni një listë të talenteve dhe aftësive.

  • Bëni një listë të lidhjeve, marrëdhënieve, zotërimeve, pasurive financiare ose pasurive të tjera që mund të ndihmojnë për të krijuar të ardhura.

Nxitini familjarët që t’i administrojnë në mënyrë aktive financat e tyre dhe të përdorin kalendarin e eliminimit të borxhit ose strategjinë për të pakësuar borxhin, nëse nevojitet, dhe për të rritur kursimet.

  • Ftojini çiftet që të hartojnë një plan shpenzimesh (shih fletoren e punës Financat Vetjake për Mbështetjen te Vetja).

  • Nxitini çiftet që të parashikojnë dhe mbajnë shënim shpenzimet.

  • Nxitini çiftet të marrin pjesë në grupin Financat Vetjake për Mbështetjen te Vetja. Nëse nuk ka një grup në zonën tuaj, merreni parasysh të kontaktoni specialistin e kunjit për mbështetjen te vetja.

Përkraheni Familjen

Çështjet financiare ndikojnë tek të gjithë pjesëtarët e familjes. Përcaktoni ndikimin që ka mbi bashkëshorten/in ose pjesëtarë të tjerë të familjes dhe trajtojini ato çështje.

Nxiteni familjen që t’i bëjë çështjet financiare një përpjekje familjare.

  • Ftojeni familjen që të vendosë përparësi për kursimet (për gjëra të tilla si blerjet e mëdha në të ardhmen, për rastet e ngutshme, misionet dhe arsimimin).

  • Ndihmojeni familjen të kuptojë se si ta bëjë buxhetin.

  • Nxitini individët që të ndjekin parimet e mbështetjes te vetja dhe t’u drejtohen për ndihmë pjesëtarëve të familjes dhe miqve, dhe më pas peshkopit, nëse është e nevojshme.

Përdorni Burime të Lagjeve dhe të Kunjeve

Merreni parasysh të punoni me udhëheqësit/et e lagjes apo individë të tjerë të mirëbesuar që të siguroni përkrahje, udhërrëfim dhe ndihmë të vazhdueshme. Kërkojini leje individit përpara se ta diskutoni situatën me të tjerët.

Udhëheqësit mund të marrin parasysh ta diskutojnë gjendjen në këshillin e lagjes për të përcaktuar burime, kontakte dhe mundësi për ta ndihmuar personin.

Vëreni familjen në kontakt me dikë që mund të jetë këshilltar për ta, që mund t’i ndihmojë të vendosin synime dhe të bëjnë një plan për të punuar së bashku.

Ftojeni specialistin e mirëqenies ose dikë tjetër në lagje që ta ndihmojë familjen për të përgatitur një plan buxheti dhe shpenzimesh.

Përcaktoni dhe nxitni përdorimin e organizatave dhe burimeve vendore me famë të mirë.

Burimet mund të përfshijnë:

  • Agjencitë qeveritare dhe private

  • OJQ‑të (organizatat joqeveritare)

  • Organizatat jofitimprurëse

  • Seminaret financiare vendore

  • Sistemet dhe faqet në internet për administrimin parave