“Prindërit e Pamartuar që Presin Fëmijë”, Burimet për Këshillim (2020).
“Prindërit e Pamartuar që Presin Fëmijë”, Burimet për Këshillim.
Prindërit e Pamartuar që Presin Fëmijë
Prindërit e pamartuar që presin fëmijë, mund të përjetojnë sfida të pashoqe. Ju mund të viheni në dijeni të kësaj situate në çfarëdo faze të shtatzënisë dhe prindërit e pamartuar që presin fëmijë, mund të kenë shqetësime dhe nivele të ndryshme të të kuptuarit të pasojave me të cilat po përballen. Ata përballen me detyrën e vendimit për një të ardhme për fëmijën e tyre, si edhe për vetë të ardhmen e tyre. Disa do të martohen, të tjerë do ta japin fëmijën për birësim dhe disa do të vendosin të jenë prindër të pamartuar. Shtrijeni dorën e ndihmës me dashuri për të ngushëlluar, për të inkurajuar dhe për të treguar kujdes për nënën ose babanë e pamartuar që pret fëmijë. Shprehni dëshirën tuaj për të ndihmuar dhe falënderojeni individin për gatishmërinë e tij ose të saj që t’ju përfshijë.
Programi Shërbimet Familjare siguron konsultim pa pagesë për prindërit e pamartuar që presin fëmijë, dhe gjithashtu mund të sigurojë informacion rreth martesës, birësimit dhe të qenit një prind i pamartuar. Nxiteni prindin e pamartuar që pret fëmijë, që të takohet me peshkopin e vet, i cili mund ta lidhë me Shërbimet Familjare. Nëse programi Shërbimet Familjare nuk është në dispozicion, peshkopi mund të ketë mundësi përdorimi të burimeve të tjera të këshillimit.
Përpiquni të Kuptoni
Kur flisni me prindërit e pamartuar që presin fëmijë, sigurohuni të tregoni dashuri dhe ndjeshmëri sikurse do të tregonte Shpëtimtari. Ngaqë çdo situatë është e ndryshme dhe rrethanat e çdo personi ndryshojnë, me lutje merreni parasysh të bëni pyetje si këto në mënyrë të mirësjellshme dhe të ndjeshme, që t’ju ndihmojnë të kuptoni më mirë shqetësimet dhe nevojat e prindit të pamartuar që pret fëmijë.
-
Cilat janë shqetësimet ose brengat e tua më të mëdha pikërisht tani?
-
Cilat janë planet e tua për të ardhmen?
-
Cilat janë planet e tua për të ardhmen e fëmijës tënde?
-
Cila është marrëdhënia jote e tanishme me prindin tjetër të fëmijës?
-
Cila është marrëdhënia jote me gjyshërit dhe pjesëtarë të tjerë të rrethit familjar të fëmijës tënd?
Nëse viheni në dijeni se kjo situatë ishte rrjedhojë e keqtrajtimit ose sulmit seksual, kontaktoni autoritetet civile. Një shërbim telefonik i ndihmës është gjithashtu në dispozicion për peshkopin që ta marrë në telefon kur merret me këtë çështje.
Ndihmojeni Individin
Kur e ndihmoni prindin e pamartuar që pret fëmijë, teksa ai ose ajo merr vendime rreth së ardhmes, merreni parasysh të përdorni disa nga idetë më poshtë.
Ndihmojeni prindin e pamartuar që pret fëmijë, që të gjejë shpresë dhe shërim nëpërmjet Shpëtimtarit dhe Shlyerjes së Tij.
-
Ndihmojeni atë të kuptojë se shëlbimi dhe forca vijnë nga Shpëtimtari Jezu Krisht.
-
Ndihmojeni prindin e pamartuar që pret fëmijë, të kuptojë identitetin e vet si fëmijë i Prindërve Qiellorë dhe të dallojë anët e forta, talentet dhe aftësitë e veta individuale.
-
Ndihmojeni prindin e pamartuar që pret fëmijë, që të ndiejë dashurinë e Perëndisë për të dhe të dijë se Perëndia është një partner me të cilin ai ose ajo mund të këshillohet për udhëtimin tokësor të kësaj fëmije.
Nxiteni prindin e pamartuar që pret fëmijë, që të takohet me peshkopin.
Nëse është e përshtatshme, ftojeni prindin e pamartuar që pret fëmijë, që të shqyrtojë bekimin e saj ose të tij patriarkal për drejtim dhe ngushëllim.
Ndihmojeni të përcaktojë dhe marrë parasysh mundësi të tilla si të qenit prind i vetëm, birësimin ose martesën, nëse është e përshtatshme.
-
Udhëheqësit e Kishës dhe miqtë duhet t’i shmangen inkurajimit ose shtytjes së prindit që pret fëmijë, për të zgjedhur ose ta mbajë fëmijën ose ta japë fëmijën për birësim.
-
Nxiteni prindin e pamartuar që pret fëmijë, që të shkruajë anët pozitive dhe negative që lidhen me secilën mundësi dhe që plot lutje t’i vlerësojë dhe peshojë pasojat e secilës mundësi, veçanërisht për fëmijën.
-
Këshillojeni prindin e pamartuar që pret fëmijë, që të kërkojë këshillë nga ata që mund ta ndihmojnë atë për t’i shqyrtuar me kujdes këto mundësi.
-
Nxiteni prindin e pamartuar që pret fëmijë, që të kërkojë një bekim priftërie.
-
Ndihmojeni anëtarin/en të kuptojë se ai ose ajo mund të marrë frymëzim, mbresa dhe udhërrëfim vetjak nga Perëndia.
Përkraheni Familjen
Përvoja e një prindi të pamartuar që pret fëmijë, gjithashtu ndikon në jetën e pjesëtarëve të familjes së tij ose të saj. Përcaktoni ndikimin mbi familjen dhe nxiteni familjen t’i diskutojë këto çështje.
Nxitini të gjithë udhëheqësit e këshillit të lagjes që t’u shërbejnë aktivisht prindërve që presin fëmijë, dhe familjeve të tyre.
Nxitini pjesëtarët e familjes të këshillohen së bashku rreth vendimit dhe më së fundi ta respektojnë vendimin e prindit të pamartuar që pret fëmijë.
Disa pjesëtarë të familjes mund të mos jenë dakord me vendimin që merr prindi i pamartuar që pret fëmijë. Nxiteni familjen të diskutojë për ndikimin e vendimit te pjesëtarët e familjes, për t’i ndihmuar ata dhe për t’i trajtuar ato çështje, nëse është e nevojshme.
Përdorni Burime të Lagjeve dhe të Kunjeve
Merreni parasysh t’u kërkoni udhëheqësve/eve të lagjes apo individëve të tjerë të mirëbesuar që të sigurojnë përkrahje, udhërrëfim dhe ndihmë të vazhdueshme. Kërkojini leje individit përpara se ta diskutoni situatën me të tjerët.
Përcaktoni një person të mirëbesuar që të jetë këshillues për prindin e pamartuar që pret fëmijë, dhe nxitini ata të dy të takohen rregullisht.
-
Këshilluesi duhet të jetë dikush me të cilin personi ndihet rehat dhe mund të jetë një motër ose vëlla shërbestar.
Përcaktoni burime vendore që sigurojnë shërbime në harmoni me parimet e ungjillit.
-
Burimet mund të përfshijnë këshillues, programe ose qendra profesioniste dhe agjenci të tjera.
Nëse prindërit e pamartuar që presin fëmijë, po marrin në konsideratë të bëhen prindër, nxitini të lexojnë ose të marrin pjesë në klasat Forcimi i Familjes, Martesa dhe Marrëdhëniet Familjare ose të lexojnë materialet shoqëruese, në qoftë se klasat nuk janë në dispozicion.