“Të Flasim me Anëtarët rreth Gjinisë”, Burimet për Këshillim (2023)
“Të Flasim rreth Gjinisë”, Burimet për Këshillim
Të Flasim me Anëtarët rreth Gjinisë
Ndonjëherë anëtarët kanë pyetje lidhur me ndjenjat e tyre rreth gjinisë. Ata mund të kenë pjesëtarë të familjes ose miq që po përballen me pyetje të tilla. Ose mund të pyesin veten për mesazhet që kanë dëgjuar në botë për sa i takon gjinisë.
Nëse anëtarët vijnë tek ju për të kërkuar këshilla rreth çështjeve që lidhen me gjininë, kërkoni plot lutje udhërrëfimin e Shpirtit. Ndihmojini që t’i shqyrtojnë pyetjet e tyre nga këndvështrimi i të vërtetave të përjetshme të planit të Atit Qiellor për fëmijët e Tij. Të dëgjuarit me dashuri e dhembshuri, i ndihmon që të mbështeten te Shpëtimtari për mirëkuptim dhe forcë shpirtërore.
Teksa përpiqeni që t’i kuptoni e t’i ndihmoni këta individë, jini i vetëdijshëm për nevojën që të përkrahni familjen dhe të përdorni burimet që janë në dispozicion. Shihni te “Transgjinorët: Përkrahja ndaj të Tjerëve” te Life Help [Ndihma për Jetën] në Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Të Vërtetat e Përjetshme
Ne jemi bij dhe bija të dashura të prindërve qiellorë – ky është identiteti ynë më i rëndësishëm.
Ne jetuam me Perëndinë përpara se të lindnim. Si fëmijë të Tij, ne kemi potencialin që të bëhemi si Ai.
Identiteti ynë si një fëmijë i Perëndisë është përparësia jonë më e madhe.
Shihni edhe te Rasëll M. Nelson, “Zgjedhjet për Përjetësinë” (takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë e të rejat në moshë madhore, 15 maj 2022), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; veçanërisht pjesa e titulluar “E para: Dini të vërtetën rreth asaj se kush jeni”.
Trupat tanë si meshkuj dhe femra janë bërë sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë.
Ndryshimet midis bijave të Atit Qiellor dhe bijve të Tij janë të rëndësishme në planin e Tij të përjetshëm. Ato dallime na lejojnë të krijojmë jetë, si dhe familje të lumtura e të përjetshme. Për këtë arsye, Ai urdhëron që ne t’i trajtojmë trupat tanë dhe fuqinë e riprodhimit si dhurata të shenjta duke iu bindur ligjit të dëlirësisë.
Shihni edhe te Zanafilla 1:27; 1 Korintasve 11:11.
Secili prej nesh ka një trup dhe një shpirt, dhe trupat tanë janë modeluar sipas ngjashmërisë me shpirtin tonë.
“Gjinia është një karakteristikë thelbësore e identitetit dhe qëllimit të jetës para lindjes, të jetës në vdekshmëri dhe jetës së përjetshme të individit” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”).
Kuptimi i fjalës gjini në proklamatën për familjen është “seksi biologjik në lindje”.
Disa njerëz mendojnë se identiteti i tyre gjinor (si ndihen brenda vetes) dhe seksi i tyre biologjik nuk përputhen. Ndjenja të tilla nuk janë mëkatare, megjithëse mund të jenë shqetësuese për ata që i përjetojnë ato.
Presidenti Dallin H. Ouks dha mësim se pështjellimi rreth identitetit gjinor “mund të marrë forma të ndryshme në kohë të ndryshme në jetën e një personi”. Ata që kanë pyetje, duhet “të mendojnë për të ardhmen dhe të përpiqen që të mbështeten te parimet e përjetshme dhe të veprojnë sipas tyre” (“Mbrojeni të Vërtetën” [takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë e të rejat në moshë madhore, 21 maj 2023], newsroom.ChurchofJesusChrist.org). Ata nuk duhet ta lejojnë Satanin që ta përdorë pështjellimin rreth gjinisë për t’i larguar nga Shpëtimtari ose për të minuar besimin e tyre në planin e Atit Qiellor për lumturinë e tyre të përjetshme.
Paqja mendore, forca shpirtërore dhe një këndvështrim i përjetshëm mund të gjenden te Jezu Krishti, ungjilli i Tij dhe Kisha e Tij, edhe nëse disa pyetje nuk mund të marrin përgjigje plotësisht në këtë jetë.
“Nëse ju, një pjesëtar i familjes, ose një mik i juaji po ndeshet me këto çështje të pështjellimit të identitetit, ju nxit t’i zbatoni të dyja ligjet e ungjillit dhe dashurinë e mëshirën e Shpëtimtarit dhe Shëlbuesit tonë, i cili do t’ju ndihmojë e udhërrëfejë nëse ecni me durim në shtigjet e Tij. Jezu Krishti … na mëson shtegun që nevojitet të ndjekim për t’i bërë realitet bekimet më të zgjedhura të Atit tonë Qiellor. … Ai na do dhe do të na udhërrëfejë kur përpiqemi ta ndjekim atje ku do të na çojë Ai” (Dallin H. Ouks, “Mbrojeni të Vërtetën”).
Shihni edhe tek Ethëri 3:16; Doktrina e Besëlidhje 77:2; 88:15.
Perëndia i do të gjithë fëmijët e Tij dhe secili është i denjë për dashuri e respekt.
Njerëzit që kanë pyetje rreth ndjenjave të tyre lidhur me gjininë, shpesh pyesin veten për marrëdhënien e tyre me Zotin apo për vendin e tyre në Kishën e Tij. Ndonëse “nuk e di[më] kuptimin e të gjitha gjërave”, ne mund të mirëbesojmë te Perëndia dhe të “di[më] se ai i do fëmijët e tij” (1 Nefi 11:17).
Të gjithë janë të mirëpritur në Kishë. Pavarësisht nga ndjenjat tona për gjininë, të gjithë ne kemi nevojë për miq të mirë që janë shembuj të dashurisë si të Krishtit. Na është mësuar sa vijon rreth dashurisë për të gjithë fëmijët e Perëndisë:
“Kushdo që nuk i trajton me dashuri e dinjitet individët që përballen me sfida të identitetit gjinor, nuk është në përputhje me mësimet e urdhërimit të parë e të dytë të madh. Si rrjedhim, për temën e ligjit të Perëndisë, na nevojitet të kujtojmë se Perëndia ka dhënë nëpërmjet zbulesës [sërish e sërish] se Ai krijoi mashkullin dhe femrën. Dhe për temën lidhur me detyrën tonë për ta dashur të afërmin tonë, na nevojitet të kujtojmë se Perëndia na ka urdhëruar t’i duam edhe ata që nuk i zbatojnë të gjitha urdhërimet. …
… Kujto[ni] se cilatdo qofshin variacionet tona në larminë e krijesave të Atit tonë në Qiell, Ai na do të gjithëve dhe plani i Tij i përsosur për lumturinë ka një vend për të gjithë. Ne e tregojmë dashurinë tonë për Të duke i zbatuar urdhërimet e Tij, përfshirë dashurinë për fëmijët e Tij” (Dallin H. Ouks, “Mbrojeni të Vërtetën”).