Thirrjet në Lagje ose Degë
Keqtrajtimi (Nevojat e Keqtrajtuesit)


“Keqtrajtimi (Nevojat e Keqtrajtuesit)”, Burimet për Këshillim (2020).

“Keqtrajtimi (Nevojat e Keqtrajtuesit)”, Burimet për Këshillim.

Keqtrajtimi (Nevojat e Keqtrajtuesit)

3:26

Shërbimet Telefonike të Ndihmës

Peshkopët, presidentët e degëve dhe presidentët e kunjeve duhet të marrin në telefon menjëherë shërbimin telefonik të ndihmës për udhëheqësit e Kishës çdo herë që mësojnë për raste keqtrajtimi. Ky burim jep asistencë për të ndihmuar viktimat dhe për të përmbushur kërkesat e raportimit. Shkoni te Numrat e Shërbimeve Telefonike të Ndihmës për numrin e shërbimit telefonik të ndihmës dhe për më shumë informacion.

Asnjë udhëheqës i Kishës nuk duhet ta lërë mënjanë një raportim të keqtrajtimit ose ta këshillojë një individ që të mos e raportojë veprimtarinë kriminale.

SHBA dhe Kanada

Nëse anëtarë të tjerë mësojnë për një keqtrajtim, ata duhet të kontaktojnë menjëherë autoritetet ligjore. Ata duhet të këshillohen edhe me peshkopin ose presidentin e tyre të kunjit, i cili do të marrë në telefon shërbimin telefonik të ndihmës ndaj keqtrajtimit për udhërrëfim se si t’i ndihmojë viktimat dhe të përmbushë kërkesat e raportimit.

Vendet Jashtë SHBA‑së dhe Kanadasë

Mësoni se si dhe kur duhet ta raportoni keqtrajtimin. Presidentët e kunjeve dhe peshkopët duhet të marrin në telefon menjëherë shërbimin telefonik të ndihmës për udhërrëfim nëse një i tillë është në dispozicion në vendin e tyre. Në vendet që nuk kanë shërbim telefonik të ndihmës, një peshkop i cili mëson për keqtrajtimin, duhet të vihet në kontakt me presidentin e tij të kunjit. Ai do të kërkojë udhërrëfim nga këshillimi ligjor i zonës në zyrën e zonës (shih Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (2020), 38.6.2.1, ChurchofJesusChrist.org). Anëtarët e tjerë duhet të veprojnë në pajtim me çfarëdo detyrimesh ligjore për raportimin dhe të këshillohen me peshkopët e tyre.

Keqtrajtimi Nuk Mund të Tolerohet

Keqtrajtimi është trajtimi i gabuar ose shpërfillja e të tjerëve (të tillë si një fëmijë ose një bashkëshort/e, të moshuarit ose personat me aftësi të kufizuara) në një mënyrë që shkakton dëmtim fizik, emocional ose seksual. Qëndrimi i Kishës është që keqtrajtimi nuk mund të tolerohet në asnjë formë dhe se personi që keqtrajton, mban përgjegjësi para Perëndisë. Pavarësisht nëse dikush dënohet ose nuk dënohet ligjërisht për keqtrajtimin, keqtrajtuesit/et i nënshtrohen disiplinës së Kishës dhe mund ta humbasin anëtarësinë e tyre në Kishë (shih Mateu 18:6; Marku 9:42; Lluka 17:2).

Përgjegjësitë kryesore të Kishës në raste keqtrajtimi janë: 1) të ndihmojë, në një mënyrë dashamirëse dhe të ndjeshme, ata që janë keqtrajtuar dhe 2) të mbrojë ata që mund të jenë të cenueshëm nga keqtrajtimi në të ardhmen. Ndërkohë që disa lloje keqtrajtimi mund të shkaktojnë dëmtim fizik, të gjitha format e keqtrajtimit ndikojnë në mendje dhe shpirt. Keqtrajtimi shpesh e shkatërron besimin dhe mund të shkaktojë pështjellim, dyshim, mosbesim, faj dhe frikë te viktima.

Shpesh personat që keqtrajtojnë, kanë mëkate të tjera të rënda, të pazgjidhura ose probleme të shëndetit mendor, apo mund të kenë qenë të keqtrajtuar vetë. Disa keqtrajtues ndiejnë keqardhje, dëshirë për t’i rrëfyer mëkatet e tyre dhe gatishmëri për ta filluar procesin e pendimit. Të tjerët mund ta mohojnë keqbërjen, ta minimizojnë sjelljen e tyre ose t’ia hedhin fajin dikujt tjetër. Përcaktimi i gjendjes së keqardhjes dhe dëshirës për të ndryshuar është hapi i parë për ta ndihmuar keqtrajtuesin/en.

Disa keqtrajtues mund të jenë dinakë, manipulues dhe mashtrues, prandaj varianti i tyre për ngjarjet mund të ndryshojë nga ai i viktimës. Në të gjitha rastet, para së gjithash merrni parasysh sigurinë dhe mbrojtjen e viktimës. Peshkopët dhe presidentët e kunjeve duhet të këshillohen me shërbimin telefonik të ndihmës teksa zhvillojnë një plan sigurie.

Udhëheqësit e Kishës nuk priten as nuk nxiten që të diagnostikojnë apo t’u sigurojnë trajtim individëve që hasin vështirësi me probleme të shëndetit mendor që lidhen me keqtrajtimin. Shumica e keqtrajtuesve duhet të marrin parasysh që të kërkojnë ndihmë profesionale. Programi “Shërbimet Familjare” (atje ku është në dispozicion) është në gjendje të sigurojë këshillim dhe t’u ofrojë informacion udhëheqësve rreth burimeve në komunitetet e tyre.

Peshkopët duhet t’i referohen Manualit të Përgjithshëm të Kishës: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (2020) për udhëzim lidhur me thirrjet në Kishë, rekomandimet e tempullit dhe pyetje të tjera që lidhen me këto, sapo keqtrajtimi të jetë hetuar dhe të jetë arritur në një përfundim lidhur me gjendjen se sa i rëndë është ai. Kur merrni në shqyrtim kufizime të anëtarësisë për keqtrajtues/e në moshë të re, kërkoni këshillë te Manuali i Përgjithshëm, 32.7.7.

Përpiquni të Kuptoni

Me lutje merreni parasysh të bëni pyetje si këto që vijojnë, të cilat ju ndihmojnë më mirë të kuptoni problemin e personit, gatishmërinë dhe motivimin e tij ose të saj për pendim.

  • A mund të më ndihmosh që ta kuptoj situatën?

  • Sa e rëndësishme është për ty që të pendohesh?

  • Si i ke përdorur parimet e ungjillit për të mposhtur prirjet dhe sjelljet keqtrajtuese?

  • Çfarë je i/e gatshëm/e të bësh që të ndryshosh?

  • Si mund të të ndihmoj në procesin tënd të pendimit?

  • A ka ndonjë gjë tjetër rreth këtij keqtrajtimi që unë duhet ta di?

Ndihmojeni Individin

Teksa këshilloheni me personin, merreni parasysh të përdorni disa nga sugjerimet vijuese:

Diskutoni me personin për pasojat e sjelljes keqtrajtuese ndaj vetes dhe familjes, përfshirë doktrinën dhe rregulloret e Kishës që lidhen me keqtrajtimin. (Shqyrtoni burimet te Rregullorja dhe Mësimet e Kishës për më shumë informacion.)

Ndihmojeni personin të gjejë shpresë dhe shërim nëpërmjet Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij.

Në raste të tilla si keqtrajtimi fizik ose verbal, ndihmojeni personin të përcaktojë mënyra të shëndetshme, jokeqtrajtuese për t’iu përgjigjur situatave ose ndjenjave të vështira, të tilla si ato që vijojnë:

  • Kalimi i një kohe të mjaftueshme për të lënë që emocionet të qetësohen dhe për të lejuar një përgjigje të vetëdijshme, për shembull, duke dalë për ecje, duke marrë frymë thellë, duke numëruar deri në 100 ose duke punuar me një projekt.

  • Shprehja e shqetësimeve me qetësi, pa kritikuar.

  • Gjetja e kohës për të marrë parasysh mendimet dhe ndjenjat e të tjerëve.

Përkraheni Familjen

Keqtrajtimi ndikon tek pjesëtarët e familjes, si edhe tek individi. Përcaktoni ndikimin mbi bashkëshorten/in ose familjen e individit dhe trajtojini ato çështje. Ndërkohë që është e domosdoshme që keqtrajtuesi/ja të ndihmohet në procesin e vet të pendimit, nganjëherë viktimat ndihen të shpërfillura kur duket se përqendrimi kryesor i udhëheqësve është që të ndihmohet keqtrajtuesi/ja. Lidhuni rregullisht me viktimën për t’u siguruar që po plotësohen edhe nevojat e tij ose të saj.

Përdorni burime të komunitetit ose ndihmë profesionale për pjesëtarët e familjes të cilët mund të kenë nevojë për këshillim ose përkrahje.

Ndihmojini pjesëtarët e familjes që të kuptojnë se si Shpëtimtari mund t’i ndihmojë ata personalisht që të shërohen (shih Alma 7:11 dhe Mateu 11:28–30).

Siguroni përkrahje të vazhdueshme për të tjerët në familje, të cilët mund të ndikohen.

Përdorni Burime të Lagjeve dhe të Kunjeve

Kërkojini leje individit përpara se ta diskutoni situatën me të tjerët. Peshkopët duhet të këshillohen me shërbimin telefonik të ndihmës ndaj keqtrajtimit kur ngrihen pyetje rreth fshehtësisë dhe detyrës për të mbrojtur.

Ndihmojeni personin të kërkojë dhe marrë ndihmë profesionale, sipas nevojës.

  • Përdorni burime vendore që sigurojnë shërbime në harmoni me parimet e ungjillit.

  • Kontaktoni Shërbimet Familjare vendore ose zyrën e zonës për më shumë burime ose mundësi këshillimi.

Merreni parasysh të punoni me peshkopin që të shpenzoni kohë në këshillin e lagjes ose një mbledhje tjetër për t’i trajnuar udhëheqësit/et lidhur me parandalimin dhe përgjigjen ndaj keqtrajtimit.