Thirrjet në Lagje ose Degë
Përdorimi i Pornografisë


“Përdorimi i Pornografisë”, Burimet për Këshillim (2020).

“Përdorimi i Pornografisë”, Burimet për Këshillim.

Përdorimi i Pornografisë

Pornografi është çfarëdo informacioni që paraqet ose përshkruan trupin njerëzor ose sjelljen seksuale në një mënyrë që zgjon ndjesi seksuale. Kisha ka dhënë vazhdimisht mësim se përdorimi i pornografisë është sjellje mëkatare.

Shumica e individëve që e përdorin pornografinë, përjetojnë shkallë të ndryshme të vështirësive në marrëdhënie – me Perëndinë, vetveten dhe të tjerët. Ata gjithashtu mund të përjetojnë ndjenja faji ose turpi. Pavarësisht nga shkalla e përdorimit të pornografisë, shprehja e dashurisë dhe mirënjohjes ndaj individëve për forcën e tyre që të tregojnë të vërtetën, është një hap i rëndësishëm për t’i ndihmuar që ta rritin ndjesinë e tyre të vlerës dhe aftësisë për ta kapërcyer problemin.

Teksa u jepni shërbesë individëve që po ndeshen me përdorimin e pornografisë, përpiquni t’i udhërrëfeni drejt Krishtit. Nxitini individët të kuptojnë faktorët që ndikojnë në përdorimin nga ana e tyre të pornografisë, dhe të zhvillojnë plane për ta ndryshuar sjelljen e tyre.

Përpiquni të Kuptoni

Përdorimi i pornografisë mund të krijojë varësi, por këshillojini anëtarët që të përqendrohen tek identiteti i tyre hyjnor si bij e bija të Perëndisë, në vend që ta emërtojnë vetveten sipas sjelljeve vetjake. Me lutje merreni parasysh të bëni pyetje si këto, që ta kuptoni më mirë përdorimin e pornografisë nga anëtari/ja dhe që të dalloni nevojat e tij ose të saj.

  • Çfarë ndikimi ka pasur përdorimi i pornografisë në jetën tënde?

  • Sa shpesh përdor pornografi?

  • Çfarë të ka ndihmuar deri tani për ta kapërcyer këtë sfidë?

  • Si i ke vënë në jetë parimet e ungjillit në kapërcimin e kësaj sfide?

Nëse viheni në dijeni për ndonjë shikim, blerje ose shpërndarje të pornografisë që përfshin fëmijë, vihuni në kontakt me autoritetet civile. Një shërbim telefonik i ndihmës gjithashtu është në dispozicion për peshkopin që ta marrë në telefon kur ka të bëjë me këtë çështje.

Ndihmojeni Individin

Përdorimi i pornografisë shpesh është më shumë sesa thjesht një dobësi morale dhe ka shumë faktorë ndikues. Ndihma ndaj individit që të fitojë një kuptim më të madh për faktorët që ndikojnë në përdorimin e pornografisë, mund ta forcojë aftësinë e tij ose të saj për ta kapërcyer atë.

Forcojeni të kuptuarit e individit për doktrinën që mund ta ndihmojë të kapërcejë përdorimin e pornografisë:

  • Ndihmojeni të kuptojë rolin e Shpëtimtarit dhe aftësinë e Tij për të na ndihmuar nëpërmjet Shlyerjes së Tij.

  • Ndihmojeni individin të kuptojë identitetin e tij ose të saj si fëmijë i Perëndisë dhe të dallojë anët e forta, talentet dhe aftësitë e veta individuale.

  • Ndihmojeni individin të kuptojë lirinë e zgjedhjes dhe përgjegjësinë e tij ose të saj për të vepruar që ta kapërcejë këtë problem.

  • Ndihmojeni individin të kuptojë se njëri nga efektet shkatërruese të përdorimit të pornografisë është që përdoruesit shpesh fillojnë t’i shohin të tjerët si objekte për të kënaqur dëshirat e tyre në vend që t’i shohin si bij ose bija të Perëndisë.

  • Diskutoni ndryshimin midis fajit (“Kam bërë një gjë të keqe”) dhe turpit (“Jam njeri i keq”) dhe ndihmojeni individin të kuptojë se është e rëndësishme ndjenja e duhur lidhur me fajin, ndërkohë që i shmanget ndjenjës së turpit.

  • Nxiteni anëtarin/en të kërkojë informacion rreth seksualitetit të shëndetshëm, shprehjes së përshtatshme seksuale dhe rolit të një marrëdhënieje seksuale brenda kufijve që ka vendosur Perëndia.

Nxiteni individin të krijojë një plan për ta ndërprerë përdorimin nga ana e tij ose të saj të pornografisë.

  • Ftojeni individin të kërkojë frymëzimin e vet në hartimin e një plani që mund të funksionojë.

  • Nxiteni individin të planifikojë mënyra për ta kufizuar përdorimin e pornografisë, të tillë si instalimi i filtrave të internetit dhe lejimi i të tjerëve që të përdorin mjetet elektronike, kompjuterat dhe fjalëkalimet për ta mbikëqyrur historinë e tij ose të saj të shikimeve.

Nxiteni individin të përcaktojë situatat më të zakonshme që e shtojnë tundimin për të përdorur pornografi dhe mënyrën se si t’i shmangin ato.

  • Përcaktoni vendin, kohën dhe mënyrën për secilën situatë (merrni parasysh të kufizohet hyrja në mediat dhe përdorimi i tyre, të tilla si revistat, librat, televizioni, filmat, muzika, interneti e kështu me radhë).

  • Shqyrtojini ndjenjat që qëndrojnë prapa këtyre situatave (të tilla si të mërzitur, të vetmuar, të zemëruar, të stresuar apo të lodhur).

Ftojeni individin ta diskutojë çështjen me bashkëshortin/en e vet ose një prind.

  • Nxiteni individin të zhvillojë një plan për të rivendosur mirëbesim me ata që ndihen të tradhtuar nga përdorimi i pornografisë.

Ftojeni individin të takohet rregullisht me një person të mirëbesuar për të diskutuar përparimin.

Merreni parasysh ta lidhni individin me grupe përkrahëse ose programe që përkrahin vlera të përbashkëta lidhur me kapërcimin e pornografisë.

  • Ftojeni anëtarin/en që të frekuentojë një grup vendor përkrahjeje për riaftësim (pjesa “Riaftësimi nga Varësitë” te ChurchofJesusChrist.org) atje ku është në dispozicion.

  • Nëse nuk ekziston një program vendor përkrahjeje, shqyrtoni çfarë mundësish të tjera mund të jenë në dispozicion, të tilla si grupe ose programe përkrahjeje me bazë në komunitet ose internet.

Përkraheni Familjen

Përdorimi i pornografisë ka ndikim mbi bashkëshorten/in dhe pjesëtarë të tjerë të familjes. Teksa përpiqeni të përkrahni bashkëshorten/in ose pjesëtarë të tjerë të familjes së përdoruesit/es, mbani vesh për frikën dhe shqetësimet e tyre. Sigurohuni të tregoni dashuri dhe ndjeshmëri sikurse do të tregonte Shpëtimtari. Përveç kësaj, sigurohuni që të jepni përkrahjen e duhur për një bashkëshort/e që mund të jetë në vështirësi. Shih Përkrahja për Bashkëshortet/ët e Përdoruesve/eve të Pornografisë për më shumë informacion.

Nxiteni bashkëshorten/in ose pjesëtarin e familjes që të përcaktojë ndikimin që kjo situatë ka mbi të, dhe të kërkojë ndihmë kur është e nevojshme, për trajtimin e këtyre problemeve.

Ndihmojeni pjesëtarin e familjes të kuptojë se si mund të ndihmojë Shpëtimtari, pavarësisht nëse njeriu i tyre i dashur e ndalon ose jo shikimin e pornografisë (shih tek Alma 7:11 dhe Mateu 11:28–30).

Ftojeni pjesëtarin/en e familjes që të frekuentojë një grup përkrahjeje për bashkëshorten/in dhe familjen ose një grup të ngjashëm përkrahjeje nëse është në dispozicion. Shihni pjesën “Riaftësimi nga Varësitë” te ChurchofJesusChrist.org për oraret e grupeve përkrahës.

Nxiteni pjesëtarin/en e familjes të shqyrtojë burimet për bashkëshorten/in dhe pjesëtarët e familjes në pjesën “Trajtimi i Pornografisë” te ChurchofJesusChrist.org.

Përdorni Burime të Lagjeve dhe të Kunjeve

Merreni parasysh t’u kërkoni udhëheqësve/eve të lagjes apo individëve të tjerë të mirëbesuar që të sigurojnë përkrahje të vazhdueshme. Kërkojini leje individit përpara se ta diskutoni situatën me të tjerët.

Përcaktoni një person të mirëbesuar që të jetë një person përkrahës për anëtarin/en dhe nxitini të takohen rregullisht.

  • Në mënyrë ideale, ky person duhet të jetë dikush me të cilin/ën individi ndihet rehat dhe dikush që ose ka pasur sukses në kapërcimin e pornografisë ose ka një kuptueshmëri të mirë të këtyre çështjeve.

  • Ky person mund të jetë një vëlla ose motër shërbestare.

Në disa raste, përdorimi i pornografisë nga një individ mund të vazhdojë pavarësisht nga përpjekjet e shumta prej tij ose saj dhe ndihmës nga të tjerët për ta kapërcyer përdorimin e pornografisë.

  • Merreni parasysh ta referoni anëtarin/en te një profesionist i shëndetit mendor që jep shërbime në harmoni me parimet e ungjillit.

  • Programi Shërbimet Familjare (atje ku është në dispozicion) mund të jetë në gjendje të ndihmojë ose të japë referime për burime vendore, të cilat mund të përfshijnë programe ose qendra trajtimi, programe ose grupe përkrahjeje me bazë në komunitet dhe agjenci qeveritare.