Shpëtimi nga Kurthi i Pornografisë
Të gjithë ne duhet të mësojmë të reagojmë siç duhet ndaj mediave me përmbajtje seksuale.
Një dekadë më parë unë fola në një konferencë të përgjithshme mbi temën e pornografisë. Unë bashkova zërin me udhëheqës të tjerë që kanë paralajmëruar kundër ndikimeve shpirtërore shkatërrimtare të pornografisë. Unë paralajmërova se mjaft burra dhe djem qenë lënduar nga ajo që unë e quaja “literaturë nxitëse për marrëdhënie të palejueshme seksuale”1. Përdorimi i çdo lloj pornografie është i lig – është shkatërrimtar për ndjeshmërinë shpirtërore, dobëson aftësinë për të ushtruar fuqi priftërore dhe dëmton marrëdhëniet e çmuara.
Tani, më shumë se 10 vjet më vonë, unë jam mirënjohës që shumë njerëz, duke dëgjuar dhe duke ua vënë veshin paralajmërimeve profetike, i kanë shmangur dhe kanë mbetur të pastër nga njollat e pornografisë. Unë jam gjithashtu mirënjohës që shumë ua kanë vënë veshin ftesave profetike për t’u larguar nga pornografia, për të rregulluar zemrat dhe marrëdhëniet e prishura dhe për të ecur përpara në udhën e të qenit dishepuj. Por unë jam më i shqetësuar se kurrë që të tjerë ndër ne vijojnë të bien pre e pornografisë, veçanërisht të rinjtë tanë dhe madje një numër në rritje të rejash.
Një arsye bazë për problemin në rritje të pornografisë është se në botën e sotme, fjalët dhe pamjet me përmbajtje dhe ndikime seksuale janë kudo: ato mund të gjenden në filma, programe televizive, media shoqërore, mesazhe me tekst, programe telefoni, reklama, libra, muzikë dhe biseda të përditshme. Si rezultat, është e pashmangshme që të gjithë jemi të ekspozuar rregullisht ndaj mesazheve me seks.
I. Nivele të Përfshirjes
Për të na ndihmuar ta trajtojmë këtë të keqe në rritje, dëshiroj të përcaktoj nivele të ndryshme përfshirjeje në pornografi dhe të sugjeroj mënyra me të cilat duhet t’i përgjigjemi secilës.
Në kohë dhe rrethana më të hershme, këshilla jonë rreth pornografisë përqendrohej kryesisht për të ndihmuar individët që të shmangin ekspozimin fillestar ose të shpëtojnë nga varësia. Ndërsa ato përpjekje janë ende të rëndësishme, përvoja e kaluar dhe rrethanat e tanishme kanë treguar nevojën për këshillë drejtuar niveleve të përdorimit të pornografisë midis skajeve polare të shmangies dhe varësisë. Është e dobishme të përqendrohemi në katër nivele të ndryshme të përfshirjes në pornografi: 1) ekspozimi padashur, 2) përdorimi rastësor, 3) përdorimi i ngjeshur dhe 4) përdorimi i sëmurë (varësi).
Ekspozimi Padashur. Unë besoj se kushdo është ekspozuar padashur ndaj pornografisë. Nuk ka mëkat në këtë kur ne e largojmë dhe nuk e ndjekim. Është si një gabim, që fton për korrigjim më shumë sesa pendesë.2
Përdorimi Rastësor. Ky përdorim i pornografisë mund të jetë i rastit ose madje i shpeshtë, por ai është gjithmonë i qëllimshëm dhe kjo është ligësia e tij.
Pornografia nxit dhe rrit ndjenja të fuqishme seksuale. Krijuesi na i dha këto ndjenja për qëllimet e Tij të urta, por Ai gjithashtu dha urdhërime që e kufizuan shprehjen e tyre ndaj një burri dhe një gruaje që janë të martuar. Pornografia rrënon shprehjen e përshtatshme seksuale dhe nxit shprehjen e ndjenjave seksuale tej kufijve të martesës. Ata që përdorin pornografi, luajnë me forca aq të fuqishme saqë mund të krijojnë ose të shkatërrojnë jetë. Mos shkoni atje!
Rreziku me çfarëdo përdorimi të qëllimshëm të pornografisë, pavarësisht sa rastësor apo i rrallë, është se gjithmonë fton për ekspozim, që do ta rritë me doemos interesimin për ndjenja dhe sjellje seksuale. Shkencëtarët kanë zbuluar se pamjet seksuale prodhojnë kimikate në tru që ushqejnë ndjenja seksuale, të cilat mandej nxitin më shumë vëmendje te sjellja seksuale.3 Sjellja seksuale e pamoralshme e çfarëdo lloji apo shkalle prodhon ndjenja turpi, që, me kohë, mund të nguliten tek individi.
Përdorimi i Ngjeshur. Përdorimi i përsëritur, i qëllimshëm i pornografisë mund ta bëjë përdorimin e saj një zakon, “një model sjelljeje i ndjekur rregullisht derisa është bërë thuajse i pavullnetshëm”4. Me përdorim të zakonshëm, individët përjetojnë një nevojë për më shumë nxitje për të pasur të njëjtin reaksion për t’u ndier të kënaqur.
Përdorimi i Sëmurë (Varësi). Sjellja e një personi është e fiksuar kur formon “varësi” (një term mjekësor lidhur me përdorimin e drogave, alkoolit, fiksimin te lojërat e fatit etj.) duke arritur kulmin te një “fiksim i pandalshëm” që “merr përparësi ndaj thuajse gjithçkaje tjetër në jetë”5.
II. Rëndësia e Kuptimit të Këtyre Niveleve
Sapo i njohim këto nivele të ndryshme, ne njohim gjithashtu se jo kushdo që përdor pornografinë është me dashje i varur prej saj. Në fakt, shumë të rinj dhe të reja që luftojnë me pornografinë, nuk janë të varur. Ky është një dallim shumë i rëndësishëm për t’u bërë – jo vetëm për prindërit, bashkëshortët/et dhe udhëheqësit që duan të ndihmojnë, por edhe për ata që luftojnë me këtë problem. Ja përse.
Së pari, sa më i thellë niveli i përfshirjes ku hyn dikush – nga ekspozimi pa dashje, te përdorimi rastësor ose i qëllimshëm i përsëritur deri te përdorimi i ngjeshur, te përdorimi i fiksuar (i varur) – aq më e vështirë është të shërohesh. Nëse sjellja është klasifikuar gabimisht si një varësi, përdoruesi mund të mendojë se ai ose ajo e ka humbur lirinë e zgjedhjes dhe aftësinë për ta kapërcyer problemin. Kjo mund ta dobësojë vendosmërinë për t’u shëruar dhe penduar. Në anën tjetër, pasja e një kuptimi më të qartë të thellësisë së një problemi – që mund të mos jetë aq i ngulitur apo skajor siç mund të trembemi – mund të japë shpresë dhe një aftësi të rritur që të ushtrojmë lirinë e zgjedhjes për ta ndërprerë dhe për t’u penduar.
Së dyti, si çdo sjellje mëkatare, përdorimi këmbëngulës i pornografisë e largon Frymën e Shenjtë. Disa që e kanë përjetuar këtë, do të ndihen të nxitur të pendohen. Të tjerë, gjithsesi, mund të ndihen në siklet dhe të kërkojnë ta fshehin fajin e tyre duke gënjyer. Ata gjithashtu mund të fillojnë të ndiejnë turp, që mund të çojë në neveri për veten. Nëse ndodh kjo, përdoruesit mund të fillojnë të besojnë një nga gënjeshtrat më të mëdha të Satanit: se ajo që ata kanë bërë ose vijojnë ta bëjnë, i bën njerëz të këqij, të padenjë për hirin e Shpëtimtarit dhe të paaftë për pendim. Kjo thjesht nuk është e vërtetë. Ne nuk jemi kurrë tepër larg për t’u ndihmuar nga Shpëtimtari dhe Shlyerja e Tij.
Së fundi, është e rëndësishme që të mos etiketojmë madje as përdorimin e ngjeshur apo të zakonshëm të pornografisë si një varësi sepse kjo nuk përshkruan saktë rrethanat apo natyrën e plotë të pendimit dhe shërimit të kërkuar. Pasja e një kuptimi më të mirë se ku është në proces një person do të lejojë gjithashtu një kuptim më të mirë se çfarë veprimi nevojitet për t’u shëruar.
III. Shpëtimi nga Pornografia
Tani le të shqyrtojmë se si munden individët t’i shpëtojnë kurthit të pornografisë dhe të shërohen. Kjo do të jetë e dobishme jo vetëm për ata që përpiqen të mposhtin përdorimin e pornografisë, por gjithashtu për prindërit dhe udhëheqësit që përpiqen t’i ndihmojnë. Individët do të jenë më të suksesshëm edhe në shmangien edhe në shërimin nga pornografia kur ata i diskutojnë këto tema me prindërit dhe udhëheqësit.6
Pavarësisht nivelit të përfshirjes në shikimin me dashje të pornografisë, rruga e shërimit, pastërtisë dhe pendesës ndjek dhe kërkon të njëjtat parime bazë: përulje, qenie dishepull, zotim ndaj një plani vetjak për ndryshim, përgjegjshmëri dhe mbështetje dhe durim me besim.
A. Përulësi
Për t’i mposhtur vërtet pornografinë dhe sjelljet e saj përkatëse, individët duhet të zhvillojnë përulësi (shih Ethëri 12:27). Të drejtuarit te Zoti në përulësi e bën njeriun të pranojë disa të vërteta, që, kur kuptohen plotësisht, sigurojnë forcë dhe largojnë turpin. Disa nga këto të vërteta përfshijnë:
Secili prej nesh është një fëmijë i dashur i një Ati të dashur Qiellor.
Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, e do dhe e njeh secilin prej nesh personalisht.
Shlyerja e Shpëtimtarit tonë zbatohet për të gjithë fëmijët e Perëndisë.
Nëpërmjet hirit të Jezu Krishtit, të gjithë mund të falen dhe të marrin fuqinë për të ndryshuar.
Secili prej nesh ka dhuratën e paçmueshme të lirisë së zgjedhjes, që na lejon të marrim fuqinë dhe forcën e Shlyerjes.
Individët që luftojnë me pornografinë mund të marrin shpresë nga fakti që të tjerë kanë arritur sukses në këtë betejë.
Pornografia është e ligë, por angazhimi në të nuk e bën personin të lig.
Çdo individ mund t’i shpëtojë kurthit të pornografisë dhe të shërohet plotësisht, por kjo është e mundur vetëm nëpërmjet përdorimit të fuqisë së Shlyerjes.
Pendimi i vërtetë nga pornografia kërkon më shumë sesa thjesht ta ndalësh përdorimin e saj. Një pendim i tillë kërkon një ndryshim të zemrës nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit.
Pranimi i këtyre të vërtetave e përgatit njeriun shpirtërisht që të veprojë sipas tyre, që hap derën për të marrë ndihmën e Zotit për të bërë ndryshimet e nevojshme për t’u penduar dhe shëruar.
B. Dishepullimi
Të vepruarit sipas këtyre të vërtetave kërkon gjithashtu që individët të zotohen përsëri për të jetuar si dishepuj të Zotit Jezu Krisht dhe të bëjnë ato gjëra që i pastrojnë dhe i forcojnë ata për t’u rezistuar tundimeve të ardhshme. Kjo do të thotë zotim ndaj sjelljeve fetare vetjake: lutje domethënëse dhe studim shkrimesh të shenjta çdo ditë, marrje pjesë në mbledhje të kishës, shërbim, agjërim dhe (kur miratohet nga peshkopi) pjesëmarrje në sakrament dhe adhurim në tempull.
C. Zotimi ndaj një Plani Vetjak
Dishepujt e përulur të Jezu Krishtit do të fitojnë ndjeshmërinë për të njohur ndjenjat e thella, situatat shoqërore dhe rrethanat fizike që shkaktojnë tundimin për ta përdorur pornografinë. Kur analizohen këto shkaqe, ata mund të bëjnë një plan vetjak shpëtimi që t’i ndihmojë:
Dallojini shkaqet dhe dëshirat kur ato shfaqen.
Krijoni veprime të posaçme për t’i ndihmuar ata të tërhiqen nga tundimi.
I riorientoni mendimet dhe energjitë drejt Zotit.
Përvijoni veprime të posaçme të përditshme për të përforcuar zotimin e tyre vetjak për të jetuar drejtësisht.
Kur bëni një plan vetjak, individët duhet të përdorin burimet e shkëlqyera që siguron Kisha. Për shembull, faqja e internetit e Kishës overcomingpornography.org ka përmbajtje për individët si për anëtarët e familjes dhe udhëheqësit e priftërisë që i mbështesin ata. Përveç kësaj, Programi i Kishës për Shërimin nga Varësia është në dispozicion të të gjithë anëtarëve që luftojnë me çfarëdo sjelljeje varësie dhe do t’i ndihmojë gjithashtu anëtarët e familjes së tyre.
D. Përgjegjshmëri dhe Mbështetje
Ndjekësit e përulur të Jezu Krishtit që e pranojnë se kanë nevojë për Shpëtimtarin, do të kërkojnë gjithashtu ndihmën e peshkopit të tyre, i cili është thirrur nga Zoti si udhëheqës i tyre i priftërisë dhe që mban çelësat e nevojshëm për t’i aftësuar të pendohen. Me pëlqimin e individëve të përfshirë dhe nëse peshkopi ndihet i frymëzuar kështu, ai mund të thërresë gjithashtu dikë tjetër për të punuar dhe për t’i ndihmuar ata. Pavarësisht rrethanave, kjo këshillë nga Presidenti Gordon B. Hinkli (1910-2008) gjen zbatim:
“Lutjuni Zotit nga thellësia e shpirtit tuaj që Ai të heqë nga ju varësinë që ju skllavëron. Dhe paçi guxim të kërkoni drejtimin e dashur të peshkopit tuaj dhe, nëse është e nevojshme, këshillën e profesionistëve të dashur”7.
Në varësi të thellësisë së problemit, individët mund të kërkojnë mbështetjen e një personi të besuar me përvojë ose një këshilltari profesionist tek të cilët mund të drejtohen në çdo orë për t’u forcuar në çaste dobësie dhe që mund t’i mbajnë ata personalisht përgjegjës ndaj planit të tyre.
E. Durim me Besim
Personat që janë penduar dhe janë bekuar për të mposhtur dëshirën për të përdorur pornografi, duhet përsëri të jenë syhapur, sepse kundërshtari përsëri do të përpiqet të shfrytëzojë dobësinë e tyre njerëzore. Ekspozimi pa dashje mund të ndodhë përsëri pavarësisht gjithë përpjekjeve për ta shmangur. Gjatë gjithë jetës së tyre, individët duhet të mësojnë të kontrollojnë ndjenjat e tyre seksuale të dhëna nga Perëndia dhe të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të qenë të pastër.
IV. Dhembshuri për të Gjithë
Tani një fjalë lidhur me mënyrën si i trajtojmë ata që kanë rënë në kurthin e pornografisë. Të gjithë ne kemi nevojë për Shlyerjen e Jezu Krishtit. Ata që luftojnë me pornografinë, kanë nevojë për dhembshurinë dhe dashurinë tonë ndërsa zbatojnë parimet dhe hapat e shërimit. Ju lutemi mos i ndëshkoni ata. Ata nuk janë të ligj apo pa shpresë. Ata janë bij dhe bija të Atit tonë Qiellor. Nëpërmjet pendimit të duhur dhe të plotë, ata mund të bëhen të pastër, të dëlirë dhe të denjë për çdo besëlidhje dhe bekim të tempullit të premtuar nga Perëndia.
Kur vjen koha e martesës, unë i nxit të rejat dhe të rinjtë që të jenë të kujdesshëm të zgjedhin një partner që të jetë shoku apo shoqja e tyre përgjatë përjetësisë që është i/e pastër dhe i/e dëlirë përpara Zotit dhe i/e denjë për të hyrë në tempull. Individët që pendohen plotësisht për pornografinë, janë të denjë për këto bekime.
V. Përfundimi
Gjatë gjithë jetës sonë, të gjithë ne do të ndeshemi me material me përmbajtje seksuale. Me drejtimin e Shpëtimtarit tonë të dashur, përfshirë sigurimin nga besëlidhjet e sakramentit që të mund të kemi gjithmonë Shpirtin e Tij me ne (shih DeB 20:77), ne mund të reagojmë gjithmonë siç duhet. Unë dëshmoj se kjo është ajo që ne duhet të bëjmë për të gëzuar bekimet e Atij të cilin ne e adhurojmë. Kur e bëjmë këtë, ne do të marrim më plotësisht paqen e Shpëtimtarit dhe do të qëndrojmë në udhën për te destinacioni ynë i përjetshëm i ekzaltimit.