2015
Nuk e Dija Përse Isha Aty
Tetor 2015


Nuk e Dija Përse Isha Aty

Amber Çini, Alabama, SHBA

illustration of two women hugging

Ilustrimi nga Kathleen Petersen

Nëna ime dhe unë sapo kishim mbaruar lutjen tonë të natës. U përqafuam dhe thamë: “Unë të dua”. Pastaj eca për në dhomën time të gjumit. Teksa zgjata dorën për te doreza e derës, një përshtypje e fortë më erdhi në mendje që të nesërmen mami im do të vdiste.

Truri dhe zemra ime u përpoqën ta luftonin mendimin. Nuk kishte asnjë mundësi që diçka t’i ndodhte mamit tim. Çdo gjë do ishte në rregull me të.

Pasi shkova në dhomën time, u gjunjëzova në lutje dhe i thashë Atit Qiellor se përshtypja rreth mamit tim nuk mund të ishte e vërtetë. I kërkova Atij të ma hiqte atë mendim, por ai nuk largohej. U ktheva në dhomën e prindërve dhe i thashë mamit tim se doja edhe një përqafim e puthje tjetër përpara se të shkoja në shtrat. Thamë përsëri: “Të dua” dhe u ktheva në dhomën time. M’u desh ca kohë për të rënë në gjumë atë natë.

Kur u zgjova mëngjesin tjetër, isha në ankth. Fatmirësisht, ja ku ishte mami im, e lumtur dhe mirë. Por brenda mendjes sime, ende e kisha ndjenjën bezdisëse se diçka nuk shkonte. Në mbledhjen e agjërimit dhe të dëshmisë atë ditë, mami u ngrit dhe dha një dëshmi të bukur.

Pas mbledhjes së sakramentit, ajo shkoi t’i jepte mësim klasës së saj të Fillores dhe unë shkova në Shkollën e së Dielës. Pata një përshtypje tjetër të dallueshme, këtë herë që të çohesha e ta lija Shkollën e së Dielës. Nuk doja të tërhiqja vëmendje te vetja, por diçka më ngriti nga karrigia dhe më nxori jashtë derës. Brenda pak minutave, e gjeta veten të ulur në klasën e Fillores të mamit tim duke e dëgjuar atë të jepte mësim. Nuk e dija përse isha aty, por e dija se ai ishte vendi ku më duhej të isha.

Më vonë atë pasdite, në shtëpinë e vëllait tim, mami im më pa drejt e në sy për herë të fundit ndërsa u shemb në tokë dhe ndërroi jetë nga një bllokim i një ene të gjakut në mushkëri. Për arsyet e Tij dhe në mëshirën e Tij, Ati Qiellor e kishte dërguar Frymën e Shenjtë të më përgatiste. Këto nxitje më dhanë më tepër kohë me mamin që nuk do ta kisha gëzuar po ta kisha shpërfillur zërin e qetë e të vogël.

Dashuria e Atit tim Qiellor nuk kishte qenë kurrë kaq e dukshme për mua deri në ngjarjet që ndodhën lidhur me vdekjen e mamit tim. Sa të bekuar jemi që kemi një Atë në Qiell që na do mjaftueshëm për të na dhënë dhuratën e veçantë të Frymës së Shenjtë.