2015
Sa e Rëndësishme Mund të Ishte Kjo?
Tetor 2015


Sa e Rëndësishme Mund të Ishte Kjo?

Kelli Leing, Uashington, SHBA

Gjatë udhëtimit tim në bordin e anijes USS West Virginia, erdhi një thirrje për një oficer që fliste portugalisht që të shkonte në një shkëmbim trejavor në Marinën Braziliane. Isha i vetmi nga trupat e nëndetëses që flisja portugalisht.

Ndjenja ime fillestare ishte që të mos shkoja. Sapo e kisha mbaruar një patrullim tremujor dhe mezi po prisja të shihja familjen time, por shkëmbimi nuk më hiqej nga mendja. Iu drejtova Atit Qiellor në lutje, mora një përgjigje të fortë që duhej të shkoja dhe e pranova detyrën.

Rregullimet për detyrën dolën të mbushura me pengesa. Në njëfarë pike ndjeva se po hiqja dorë. Mendova: “Sa e rëndësishme mund të ishte kjo? Megjithatë, Fryma e Shenjtë më shtyu të vazhdoja përpara.

Illustration depicting men on board a Navy ship.  One of the men is pointing and yelling at a man sitting at a table.  Another officer is standing in the doorway.

Ilustrimi nga Allen Garns

Më në fund, pas disa vonesash, mbërrita në një anije braziliane. Kur më shoqëruan për në dhomën e ndenjjes së oficerit, kapiteni i anijes po bërtiste dhe po tregonte me gisht një oficer të ri. Kapiteni më pa, ndaloi dhe tha me një anglishte të çalë: “A, paska ardhur miku im amerikan. Mirëserdhët. A mund t’ju ofroj diçka për të pirë?”

Iu përgjigja në portugalisht se do të më pëlqente shumë një pije freskuese e famshme braziliane që nuk e kisha shijuar që nga misioni im. Ai më tha se anija i kishte të gjitha llojet e likerit në bord, por i pohova se nuk pija alkool.

Më vonë një trokitje u dëgjua në kabinën time. Kur e hapa derën, aty qëndronte oficeri i ri që kishte qenë te dhoma e ndenjjes.

“Ti je amerikan”, tha ai. “Ti nuk pi alkool. Ti flet portugalisht. A mos vallë je mormon?”

“Po, jam”, iu përgjigja.

Ai m’i hodhi krahët në qafë dhe qau me dënesë.

Ky oficer, togeri Mendez, qartazi ishte një i sapokthyer në besim dhe një i diplomuar kohët e fundit në Akademinë Braziliane të Marinës. Në bordin e anijes, ai shpejt mësoi se kapiteni priste prej tij që dhe ai të merrte pjesë në stilin e shfrenuar të jetesës së oficerëve kur vizitonin porte. Përkundrazi, togeri Mendez dilte vazhdimisht vullnetar për detyrën e qëndrimit brenda portit dhe i shmangte në mënyra të tjera veprimtaritë jashtë portit, gjatë ndalesave të anijes. Kapitenit i erdhi në majë të hundës kjo. Kur unë hyra në sallonin e ndenjjes, ai po i bërtiste togerit Mendez ngaqë nuk bashkohej me ta.

“Do të dalësh me oficerët gjatë ndalesës sonë në portin e radhës”, e kishte urdhëruar ai togerin. “Do t’i tregosh oficerit amerikan që po na vjen për vizitë, se si është t’ia kalosh mirë. Ai këtë do të presë prej nesh.”

Për muaj, togeri Mendez kishte qenë duke u lutur që kapiteni t’i kuptonte dhe pranonte parimet e tij. Me mbërritjen time, diskutimi për ungjillin u bë qendra e shumicës së bisedave në dhomën e ndenjjes. Ne folëm me oficerët e tjerë rreth Jozef Smithit, Rivendosjes, Fjalës së Urtësisë dhe ligjit të dëlirësisë. Ndjenjat kundrejt togerit Mendez shpejt ndryshuan. Oficerët e hoqën pornografinë e ekspozuar hapur dhe, në portin e radhës, ne të gjithë shijuam një vakt së bashku në një restorant, në vend që të shkonim në një klub.

Afër mbarimit të tri javëve të mia në bord dhe pas shumë diskutimesh me kapitenin dhe oficerët rreth bindjeve tona, burrat i zbutën zemrat e tyre. “Tani e kuptoj”, i tha kapiteni togerit Mendez përpara se të ikja, duke shtuar se nuk do t’i kërkonte më atij të dilte kundër parimeve të veta.

Unë kurrë nuk do ta harroj këtë përvojë. Togeri Mendez dhe unë mësuam se Ati ynë në Qiell na njeh përkatësisht, na do dhe është i merakosur për jetën tonë vetjake.