2015
Përfundojeni me Pishtarin Tuaj Ende të Ndezur
Tetor 2015


Mesazhi i Presidencës së Parë

Përfundojeni me Pishtarin Tuaj Ende të Ndezur

Runners passing a torch.

Fotografi nga Comstock/Stockbyte/Thinkstock

Në Greqinë e lashtë, vrapuesit garonin në një garë me stafetë të quajtur lampadedromia.1 Në garë, vrapuesit mbanin një pishtar në dorë dhe e kalonin te vrapuesi i radhës derisa pjesëtari i fundit i skuadrës të kalonte vijën e përfundimit.

Çmimi nuk i jepej skuadrës që vraponte më shpejt, i jepej skuadrës së parë që e arrinte vijën e përfundimit me pishtarin e saj ende të ndezur.

Ka një mësim të thellë këtu, një i dhënë nga profetët e lashtë dhe bashkëkohorë: ndërkohë që është e rëndësishme ta fillojmë garën, është edhe më e rëndësishme që ta përfundojmë me pishtarin tonë ende të ndezur.

Salomoni e Filloi Fuqishëm

I madhi Mbret Salomon është një shembull i dikujt që e filloi fuqishëm. Kur ishte i ri, ai “e donte Zotin dhe respektonte statutet e Davidit, atit të tij” (1 Mbretërve 3:3). Zoti ishte i kënaqur me të dhe tha: “Kërko ç’të duash dhe unë do ta jap” (1 Mbretërve 3:5).

Në vend që të kërkonte pasuri ose një jetë të gjatë, Salomoni kërkoi “një zemër të zgjuar, në mënyrë që të administrojë drejtësinë për popullin tënd dhe të dallojë të mirën nga e keqja” (1 Mbretërve 3:9).

Kjo e kënaqi kaq shumë Zotin sa Ai e bekoi Salomonin jo vetëm me mençuri, por edhe me kamje të pamasë dhe një jetë të gjatë.

Edhe pse Salomoni ishte njëmend shumë i mençur dhe bëri shumë gjëra të mëdha, ai nuk e përfundoi fuqishëm. Për fat të keq, më vonë gjatë jetës së tij, “Salomoni bëri atë që isht[e] e keqe në sytë e Zotit dhe nuk e ndoqi tërësisht Zotin” (1 Mbretërve 11:6).

Përfundimi i Garës Sonë Vetjake

Sa herë e kemi filluar diçka dhe nuk e kemi përfunduar? Dieta? Programe ushtrimesh fizike? Zotime për t’i lexuar shkrimet e shenjta çdo ditë? Vendime për të qenë dishepuj më të mirë të Jezu Krishtit?

Sa shpesh bëjmë qëllime vjetore në janar dhe i ndjekim ato me vendosmëri të flaktë për pak ditë, pak javë ose madje pak muaj vetëm për të zbuluar që, deri në tetor, flaka e zotimit tonë është pak më shumë se hi i ftohur?

Një ditë, hasa me një fotografi gazmore të një qeni që qëndronte pranë një flete letre të cilën ai e kishte bërë copash. Aty lexohej: “Certifikatë Trajnimi për Bindjen e Qenve”.

Ne jemi ashtu ndonjëherë.

Kemi synime të mira; e fillojmë fuqishëm; duam të jemi vetja jonë më e mirë. Por në fund, i lëmë qëllimet tona vjetore të bëra copash, të hedhura tutje e të harruara.

Është në natyrën njerëzore të pengohesh, të dështosh e ndonjëherë të dëshirosh të dalësh jashtë gare. Por si dishepuj të Jezu Krishtit, ne jemi zotuar jo vetëm që ta fillojmë garën, por edhe që ta përfundojmë atë dhe ta përfundojmë atë me pishtarin tonë tek flakëron ndritshëm. Shpëtimtari u premtoi dishepujve të Tij: “Ai që do të ngulmojë deri në fund do të shpëtohet” (Mateu 24:13).

Më lini ta parafrazoj atë që Shpëtimtari e ka premtuar në kohën tonë: Nëse i zbatojmë urdhërimet e Tij dhe e përfundojmë me pishtarin tonë ende të ndezur, ne do të kemi jetë të përjetshme, e cila është më e madhja nga të gjitha dhuratat e Perëndisë (shih DeB 14:7; shih edhe 2 Nefi 31:20).

Drita Që Nuk Shuhet Kurrë

Ndonjëherë pasi pengohemi, dështojmë apo madje heqim dorë, ne shkurajohemi dhe besojmë se drita jonë është fikur dhe e kemi humbur garën. Por unë dëshmoj se Drita e Krishtit nuk mund të zhduket. Ajo shkëlqen në natën më të errët dhe do t’i ndriçojë përsëri zemrat tona nëse vetëm ne i kthejmë zemrat tona nga Ai (shih 1 Mbretërve 8:58).

Pavarësisht nga fakti se sa shpesh apo sa larg rrëzohemi, Drita e Krishtit flakëron përherë ndritshëm. Dhe madje në natën më të thellë, nëse ne veçse çapitemi drejt Tij, drita e Tij do t’i gëlltitë hijet e do t’i rindezë shpirtrat tanë.

Kjo garë dishepullimi nuk është një vrapim i shpejtë; është një maratonë. Dhe nuk përbën ndonjë ndryshim të madh se sa shpejt vrapojmë. Në fakt, mënyra e vetme se si mund ta humbasim këtë garë është duke u dorëzuar apo hequr dorë përfundimisht.

Për sa kohë vazhdojmë të ngrihemi e të lëvizim drejt Shpëtimtarit tonë, ne do ta fitojmë garën me pishtarët tanë duke flakëruar ndritshëm.

Sepse pishtari nuk ka lidhje me ne apo me atë që ne bëjmë.

Ka lidhje me Shpëtimtarin e botës.

Dhe ajo është një Dritë që nuk mund të zbehet kurrë. Është një Dritë që e përpin errësirën, i shëron plagët tona dhe ndrin edhe në mes të hidhërimit më të thellë dhe errësirës më të padepërtueshme.

Ajo është një Dritë që e tejkalon të kuptuarin.

E mbaroftë secili prej nesh shtegun që ka nisur. Dhe me ndihmën e Shpëtimtarit dhe Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit, ne do ta mbarojmë plot gëzim dhe me pishtarët tanë ende të ndezur.

Shënim

  1. Harpers Dictionary of Classical Antiquities (1898), “Lampadedromia”, www.perseus.tufts.edu/hopper. [Gjeografi grek] Pausanias përshkruan një garë të ndryshme me pishtarë, në të cilën mbajtësit e pishtarëve, mundësisht një nga çdo fis, nuk e kalonin dorë më dorë pishtarin e tyre. Por si te gara lampadedromia, fituesi ishte i pari që e arrinte fundin e garës me pishtarin e tij ende të ndezur.

Product Shot from October 2015 Liahona