2015
Motra Spaford Po më Fliste Mua
Tetor 2015


Motra Spaford Po më Fliste Mua

Sendi Hauzon, Ohajo, SHBA

Po luaja një lojë restoranti në internet në mbrëmje vonë kur bashkëshorti im më kaloi pranë dhe lajmëroi që do të shkonte në shtrat.

“Do të vij menjëherë“, i thashë.

“Do ta besoj këtë kur ta shikoj”, tha ai.

Po luaja një lojë në të cilën gatuaja ushqim virtual në një restorant virtual për disa klientë virtualë në internet. Pashë nga ekrani i kompjuterit dhe thashë: “Në fakt, do të më dalë ushqimi për 15 minuta”.

Për të kaluar kohën ndërsa prisja, mora librin Daughters in My Kingdom: The History and Work of Relief Society [Bija në Mbretërinë Time: Historia dhe Puna e Shoqatës së Ndihmës], të cilin e kisha lënë mbi tryezë që kur e kisha marrë në Shoqatën e Ndihmës. Fillova të lexoja parathënien. Në faqen e tretë gjeta sa vijon nga Motra Bell S. Spaford, presidentja e nëntë e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës.

“Gruaja tipike e sotme, besoj”, shkroi ajo, “do të bënte mirë t’i peshonte interesat e saj, t’i vlerësonte veprimtaritë në të cilat është angazhuar dhe më pas të ndërmarrë hapa për ta thjeshtuar jetën e vet, duke i vënë të parat gjërat me rëndësi parësore, duke e vendosur theksin atje ku shpërblimet do të jenë më të mëdha e më të qëndrueshme dhe duke e çliruar veten nga veprimtaritë më pak shpërblyese” (2011, f. xiii).

Përveç shkrimeve të shenjta, asgjë që kam lexuar nuk më ka prekur kaq thellë. Kjo grua që vdiq më shumë se 30 vjet më parë, po më fliste mua. Fjalët e saj me gjasë janë më me vend sot sesa kur ajo i tha ato.

E dija menjëherë se nuk duhet të luaja më kurrë lojëra në internet. E fika kompjuterin, shkova në shtrat dhe i tregova bashkëshortit për vendimin tim. Ditën vijuese as nuk e ndeza kompjuterin. Përkundrazi, kuptova se sa shumë orë kisha çuar dëm me ato lojëra çdo ditë.

I shumëzova tri orë me 365 (ditë në vit) dhe i pjesëtova me 24 (orë në ditë). U shtanga kur mësova se kisha çuar dëm 45,62 ditë në vit. Ato orë dhe ditë të çmuara kanë ikur përgjithmonë. Mund t’i kisha shpenzuar duke lexuar shkrimet e mia të shenjta, duke kaluar kohë me bashkëshortin dhe fëmijët e mi, duke u shërbyer të tjerëve ose duke i lartësuar thirrjet e mia.

Autoritetet e Përgjithshme e trajtojnë shpesh këtë temë gjatë konferencës së përgjithshme. Prapëseprapë nuk kishte pasur efekt tek unë dhe mendoja se nuk gjente zbatim për mua.

Jam mirënjohëse që Fryma e Shenjtë më ndihmoi ta dalloj se Autoritetet e Përgjithshme – dhe Bel S. Spafordi – po më flisnin mua.