2015
Të Jetuarit me Qëllim të Vërtetë
Tetor 2015


Të Jetuarit me Qëllim të Vërtetë

Nga një takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë në moshë madhore, “Të Jetuarit me Qëllim: Rëndësia e Qëllimit të Vërtetë”, dhënë në Universitetin “Brigam Jang” – Ajdaho më 11 janar 2015. Për bisedën e plotë, shkoni te devotionals.lds.org.

Qëllim i vërtetë është të bëhet gjëja e duhur për arsyet e duhura.

Gold stars

Fotografi nga Jupiterimages/Stockbyte/Thinkstock

E mësova rëndësinë e qëllimit të vërtetë kur isha student në moshë të re në seminar. Mësuesi ynë na drejtoi sfidën që ta lexonim Librin e Mormonit. Që ta mbanim shënim përparimin tonë, ai krijoi një tabelë me emrat tanë në njërën anë dhe librat e Librit të Mormonit renditur në krye të saj. Sa herë që e lexonim një libër, ai vendoste një yll pranë emrit tonë.

Fillimisht unë nuk bëra shumë përpjekje për të lexuar dhe nuk kaloi shumë kohë përpara se ta gjeja veten duke mbetur mbrapa gjithnjë e më shumë. I shtyrë nga një ndjenjë turpi dhe shpirti im i brendshëm konkurrues, e fillova leximin. Sa herë që merrja një yll, ndihesha mirë. Dhe sa më shumë yje merrja, aq më shumë nxitesha për të lexuar – midis orëve mësimore, pas shkollës, në çdo minutë të kursyer.

Kjo do të ishte një histori e shkëlqyer po të mund t’ju thoshja se për shkak të përpjekjeve vetjake e mbarova i pari në klasë – por jo. Dhe do të ishte në rregull nëse do mund t’ju thoshja se mora diçka më të mirë sesa vendin e parë – një dëshmi për Librin e Mormonit. Por as kjo nuk ndodhi. Unë nuk mora një dëshmi. Ajo që mora ishin yje. Mora yje, sepse ajo ishte arsyeja përse po lexoja. Për të përdorur fjalët e Moronit, ai ishte “qëllim [i] vërtetë” imi.

Moroni ishte i qartë kur përshkroi se si ta gjesh nëse Libri i Mormonit është i vërtetë: “Dhe kur ju t’i merrni këto gjëra, unë do t’ju këshilloja që të pyesni Perëndinë, Atin e Amshuar, në emrin e Krishtit, në qoftë se këto gjëra nuk janë të vërteta; dhe në qoftë se ju do të kërkoni me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë duke pasur besim në Krisht, ai do t’ju tregojë të vërtetën, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë” (Moroni 10:4; theksimi i shtuar).

Arsyet e Duhura

Duke e hedhur vështrimin pas, mund të shoh se Zoti ishte tërësisht i drejtë me mua. Përse duhej të kisha pritur që të gjeja diçka tjetër nga ajo që po kërkoja? Qëllimi i vërtetë është të bësh gjënë e duhur për arsyet e duhura; unë po lexoja librin e duhur për arsyet e gabuara.

Vetëm shumë vite më vonë unë e lexova përfundimisht Librin e Mormonit me qëllim të vërtetë. Tani unë e di se Libri i Mormonit e përmbush qëllimin e tij hyjnor të dëshmimit për jetën dhe misionin e Jezu Krishtit sepse unë e kam lexuar me qëllim të vërtetë.

Mësimi që mora rreth qëllimit të vërtetë dhe Librit të Mormonit, vlen për të gjithë ne në të gjitha aspektet e jetës sonë. Tepër shpesh ne ndjekim në mënyrë pasive modele dhe zakone që janë krijuar ndër vite – ne thjesht kalojmë nëpër lëvizje pa shqyrtuar me kujdes se ku po na çojnë këto lëvizje. Të jetuarit me qëllim të vërtetë shton fokusin dhe përqendrimin në jetën tonë dhe mund të bëjë gjithë ndryshimin. Të jetuarit me qëllim të vërtetë do të thotë të kuptojmë “përse-në” – shtysat prapa veprimeve tona. Sokrati tha: “Jeta e pakontrolluar nuk vlen të jetohet”.1 Prandaj përsiatni se si e shpenzoni kohën dhe pyeteni veten rregullisht: “Përse?” Kjo do t’ju ndihmojë që të zhvilloni aftësinë për të parë përtej çastit. Është shumë më mirë ta hidhni vështrimin përpara dhe ta pyetni veten: “Përse do ta bëja këtë?” në vend që të shihni mbrapa dhe të thoni: “Përse, o, përse e bëra atë?”

A man looking at a wall with different types of gears on it.

Fotoilustrim nga Sergey Nivens/iStock/Thinkstock

Çfarë Dëshiron Zoti që të Bëni Ju?

Kur isha i ri, pata vendosur të mos shkoja në një mision. Pas një viti në kolegj dhe një viti në ushtri, kisha një punë të mirë në një spital vendor si teknik radiografie. Jeta dukej se shkonte mirë dhe misioni nuk dukej i nevojshëm.

Një ditë, Dr. Xhejms Pingri, kirurg në spital, më ftoi të hanim drekë. Gjatë bashkëbisedimit tonë, ai zbuloi se nuk kisha në plan të shërbeja në një mision dhe pyeti përse. I thashë se isha pak më i madh në moshë dhe ndoshta ishte tepër vonë. Ai më tha se ajo nuk ishte një arsye shumë e mirë, duke thënë se ai kishte shkuar në misionin e tij pasi kishte mbaruar fakultetin e mjekësisë. Më pas ai dha dëshmi për rëndësinë e misionit të tij.

Dëshmia e tij pati një ndikim të rëndësishëm mbi mua. Ajo më bëri të lutem siç nuk isha lutur kurrë më parë – me qëllim të vërtetë. Mund të mendoja për shumë arsye që të mos shkoja në një mision: isha i turpshëm. Kisha një punë që më pëlqente. Kisha një mundësi burse që nuk do të ishte në dispozicion pas një misioni. Më e rëndësishmja, kisha një të dashur që më priti ndërkohë që isha në ushtri dhe e dija se nuk do të priste për dy vjet të tjerë! U luta që të merrja miratim se arsyet e mia ishin të vlefshme dhe se kisha të drejtë.

Për zhgënjimin tim, nuk mund të gjeja një përgjigje të lehtë po ose jo, për të cilën shpresoja. Atëherë më erdhi mendimi: “Çfarë dëshiron Zoti që të bësh ti?” Duhej të pranoja se Ai dëshironte që unë të shërbeja një mision dhe ky u bë një çast vendimtar në jetën time. A do të bëja atë që dëshiroja të bëja unë apo do të bëja vullnetin e Zotit? Kjo është një pyetje që të gjithë do të bënim mirë t’ia bënim vetes shpesh.

Fatmirësisht, unë zgjodha që të shërbeja një mision dhe u caktova që të punoja në Misionin e Meksikës Veriore.

Pasoja të Përjetshme

Tridhjetë e pesë vjet më vonë, biri im më nxiti të vizitoja Meksikën me të. Ne shpresonim të gjenim dikë nga njerëzit që unë i pata mësuar. Ne morëm pjesë në një mbledhje sakramenti në qytetin e vogël ku e fillova misionin tim, por nuk njoha asnjë person. Pas mbledhjes, folëm me një nga anëtarët dhe e pyetëm nëse njihte ndonjë nga njerëzit në listën time, të cilëve u pata dhënë mësim shumë vite përpara. E kaluam gjithë listën pa sukses derisa arritëm tek emri i fundit: Leonor Lopez de Enrikes.

“Ou, po”, tha burri. “Kjo familje është në një lagje tjetër, por ata vijnë në kishë te kjo ndërtesë. Mbledhja e tyre e sakramentit është më pas.”

Nuk na u desh të prisnim gjatë para se Leonora të hynte në godinë. Edhe pse tani ishte në mesin e të 70-ave, e njoha menjëherë dhe ajo më njohu mua. Patëm një përqafim të gjatë, të përlotur.

“Ne jemi lutur për 35 vjet që ti të ktheheshe që të mund të të falënderonim për sjelljen e ungjillit në familjen tonë”, tha ajo.

Teksa anëtarë të tjerë të familjes u futën në godinë, ne ndamë përqafime dhe lot. Shpejt zbuluam se peshkopi i kësaj lagjeje ishte një nga bijtë e Leonorës, drejtuesja e muzikës një mbesë, pianisti një nip, dhe disa të rinj në Priftërinë Aarone që ishin nipër të saj. Një nga bijat e saj u martua me një këshilltar në presidencën e kunjit. Një bijë tjetër ishte martuar me peshkopin e një lagjeje atje pranë. Shumica e fëmijëve të Leonorës shkuan në misione dhe tani nipërit dhe mbesat e saj kanë shërbyer gjithashtu në misione.

Ne mësuam se Leonora ishte një misionare shumë më e mirë nga sa isha unë. Sot fëmijët e saj kujtojnë me mirënjohje përpjekjet e saj të palodhura për t’ua mësuar ungjillin atyre. Ajo u mësoi atyre se vendime të vogla, me kalimin e kohës, çojnë në një jetë të plotë, të drejtë e të lumtur dhe ata ua mësuan ato gjëra të tjerëve. Gjithsej, më shumë se 500 vetë u bënë anëtarë të Kishës për shkak të kësaj familjeje të mrekullueshme.

Dhe gjithçka nisi nga një bisedë gjatë një dreke. Shpesh mendoj se, nëse Dr. Pingri do të ishte përqendruar më shumë te karriera e tij apo në interesa të tjera të botës, ai mund të mos më kishte pyetur kurrë përse nuk po shërbeja në një mision. Por përqendrimi tij ishte te të tjerët dhe te çuarja më tej e punës së Zotit. Ai mbolli një farë që është rritur, ka dhënë fryt dhe vijon të shumëfishohet fuqishëm (shih Marku 4:20). Misioni im më mësoi pasojat e përjetshme të një vendimi të vetëm për të bërë vullnetin e Zotit.

Kujtoni Qëllimin Tuaj të Përjetshëm

Shpesh herë kam vështruar pas në jetën time dhe kam pyetur veten përse ishte kaq e vështirë për mua që ta merrja vendimin për të shkuar në një mision. Ishte e vështirë ngaqë u shpërqendrova; humba nga shikimi qëllimin tim të përjetshëm – qëllimin e vërtetë të arsyes përse jemi këtu.

Dëshirat e mia dhe vullneti im nuk përputheshin me vullnetin e Zotit; ndryshe, vendimi do të kishte qenë më i lehtë. Dhe përse nuk përputheshin ato? Unë shkoja në kishë dhe merrja sakramentin të dielave, por nuk u përqendrova te kuptimi i tij. Lutesha, por kryesisht po shkoja përmes veprimeve. I lexoja shkrimet e shenjta, por vetëm në mënyrë rastësore dhe pa qëllim të vërtetë.

Unë ju nxit që të jetoni një jetë të vetëdijshme dhe të përqendruar – edhe nëse nuk keni vepruar vazhdimisht kështu në të shkuarën. Mos u shkurajoni nga mendime mbi atë që keni bërë apo që nuk keni bërë tashmë. Lëreni Shpëtimtarin t’i pastrojë ato tërësisht. Kujtoni atë që Ai ka thënë: “Kurdoherë që pendoheshin dhe kërkonin ndjesë me dëshirë të sinqertë, ata faleshin” (Moroni 6:8; theksimi i shtuar).

Filloni tani. Jetoni një jetë të qëllimshme, duke kuptuar përse e bëni atë që bëni dhe ku do t’ju çojë ajo. Kur i bëni këto gjëra, ju do të zbuloni se “përse-ja” më e rëndësishme prapa gjithçkaje që bëni, është që ju e doni Zotin dhe e dalloni dashurinë e Tij të përsosur për ju. Gjetshi gëzim të madh në kërkimin tuaj për përsosurinë dhe në kuptueshmërinë dhe bërjen e vullnetit të Tij.

Shënim

  1. Socrates in Plato, Apology (2001), f. 55.