Jozef Shikuesi
Anali historik qartëson se si Jozef Smithi e përmbushi rolin e tij si një shikues dhe se si e përktheu Librin e Mormonit.
Më 6 prill 1830, ditën që Jozef Smithi organizoi Kishën e Krishtit (më vonë e quajtur Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme)1, ai u shpalli njerëzve të mbledhur fjalët e një zbulese. “Vini re”, zëri i Perëndisë e shpalli në zbulesë, “do të ketë një anal të mbajtur mes jush; dhe në të ti [Jozef Smithi] do të quhesh shikues” (DeB 21:1).
Shenja më e dukshme e rolit të Jozef Smithit si një shikues në Kishën e sapoformuar ishte Libri i Mormonit, i cili, siç e shpjegoi ai në mënyrë të përsëritur, u përkthye “nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë”2. Shumë prej njerëzve më të afërt të Jozefit në vitin përpara organizimit të Kishës e kishin dëshmuar procesin me anë të të cilit Libri i Mormonit doli në dritë dhe kishin një farë kuptueshmërie për domethënien e fjalës shikues.
Domethënia e Fjalës Shikues
Çfarë do të thoshte fjala shikues për profetin e ri dhe bashkëkohësit e tij? Jozefi u rrit në një familje që e lexonte Biblën, libër i cili i përmend shikuesit në mënyrë të përsëritur. Te 1 Samuelit, për shembull, shkruesi shpjegon: “Në të kaluarën në Izrael, kur dikush shkonte për t’u këshilluar me Perëndinë, thoshte: ‘Çohu të shkojmë te shikuesi’, sepse profeti i sotëm në të kaluarën quhej shikues” (1 Samuelit 9:9).
Bibla gjithashtu përmend njerëz duke marrë shfaqje shpirtërore me anë të objekteve fizike, të tilla si një bastun ose një bastun ose një shufër3, një gjarpër prej bronzi mbi një shtizë (i cili u bë një simbol gjerësisht i përhapur për profesionin e mjekësisë)4, një efod (një pjesë e veshjes priftërore që përfshiu dy gurë të çmuar)5 dhe Urimin e Thumimin6.
“Të shikuarit” dhe “shikuesit” ishin pjesë e kulturës amerikane dhe familjare, në të cilën u rrit Jozef Smithi. Të zhytur thellë në gjuhën e Biblës dhe në një përzierje të kulturave anglo-europiane, të sjella nga emigrantët në Amerikën Veriore, disa njerëz në fillimin e shekullit të 19-të besonin se ishte e mundur që individët e talentuar të “shihnin”, ose të merrnin shfaqje shpirtërore, nëpërmjet objekteve materiale, të tilla si gurët shikues.7
I riu Jozef Smith i pranoi mënyra të tilla, të njohura mes njerëzve të kohës së tij, duke përfshirë idenë e përdorimit të gurëve shikues për të parë për objekte të humbura ose të fshehura. Përderisa rrëfimi biblik e tregoi Perëndinë duke përdorur objekte fizike për ta përqendruar besimin e njerëzve ose për të komunikuar shpirtërisht në kohët e lashta, Jozefi dhe të tjerët hamendësuan të njëjtën gjë për kohën e tyre. Prindërit e Jozefit, Jozef Smith Plaku dhe Lusi Mek Smithi, e pohuan zhytjen e familjes në këtë kulturë dhe përdorimin nga ana e tyre të objekteve fizike në këtë mënyrë dhe fshatarët e Palmirës dhe të Mançesterit në shtetin e Nju-Jorkut, ku jetoi familja Smith, e kërkuan Jozefin për të gjetur objekte të humbura përpara se ai të shpërngulej në Pensilvani në fund të vitit 1827.8
Për ata njerëz që nuk e kuptojnë mënyrën se si e jetonin fenë e tyre njerëzit e shekullit të 19-të në krahinën e Jozefit, gurët shikues mund të jenë të panjohur dhe studiuesit e kanë debatuar prej kohësh këtë periudhë të jetës së tij. Pjesërisht për shkak të periudhës së Ndriçimit të Mendjes ose Epokës së Arsyes, një periudhë që e theksonte shkencën dhe botën e vëzhgueshme më shumë se çështjet shpirtërore, shumë njerëz në kohën e Jozefit arritën të ndienin se përdorimi i objekteve fizike, të tillë si gurët ose shufrat apo bastunët, ishte supersticioz ose i papërshtatshëm për qëllime fetare.
Në vitet e mëvonshme, kur Jozefi e tregoi këtë ngjarje mbresëlënëse, ai theksoi vegimet dhe përvoja të tjera shpirtërore të tij.9 Ndryshe nga ai, disa nga bashkëpunëtorët e tij të mëparshëm u përqendruan në përdorimin e tij të hershëm të gurëve shikues në një përpjekje për ta shkatërruar famën e tij në një botë që po i mohonte gjithnjë e më shumë praktika të tilla. Në përpjekjet e tyre predikuese, Jozefi të tjerë të hershëm zgjodhën të mos përqendroheshin mbi ndikimin e kulturës popullore në përpjekjet e tyre për ta shpallur ungjillin, teksa shumë të kthyer të mundshëm në besim po përjetonin një ndryshim në mënyrën se si ata e kuptonin fenë në Epokën e Arsyes. Në ato që u bënë zbulesa të pranuara si shkrime të shenjta, megjithatë, Jozefi vazhdoi të jepte mësim se gurët shikues dhe mjete të tjera shikuese, si edhe aftësia për të punuar me to, ishin dhurata të rëndësishme dhe të shenjta nga Perëndia.10
Mjetet e Përdorura për të Përkthyer Librin e Mormonit
Gurët shikues gjithashtu shfaqen në rrëfimet historike që përshkruajnë Jozef Smithin dhe përkthimin e Librit të Mormonit. Historia zyrtare e Jozefit, e filluar në vitin 1838, përshkruan vizitën e një engjëlli, të njohur si Moroni, i cili i tregoi atij rreth fletëve të arta, të groposura te një kodër aty pranë. Jozefi tregon se teksa po bisedonte me engjëllin, një “vegim u hap” kaq qartë në mendjen e tij sa ai e “njoh[u] vendin” kur e pa atë më vonë vetë (Joseph Smith – Historia 1:42).
Në historinë që Jozefi filloi të hartonte në vitin 1838, Moroni e paralajmëron atë “se Satani do të përpiqej të më tundonte mua (si pasojë e rrethanave të varfra të familjes së atit tim), t’i merrja fletët për qëllim pasurimi”. Këtë engjëlli e ndaloi, tregon Jozefi, duke thënë se, në qoftë se ai kishte “ndonjë motiv tjetër” nga ndërtimi i mbretërisë së Perëndisë, ai “nuk mund t’i merr[te] ato” (Joseph Smith – Historia 1:46). Në historinë e tij të mëparshme të vitit 1832, Jozefi shpjegon: “Unë … i kërkova Fletët për të fituar pasurim dhe nuk e mbajta urdhërimin që duhej ta kisha syrin të drejtuar te Lavdia e Perëndisë”11. Si rrjedhim, atij iu kërkua të kthehej te kodra çdo vit për katër vjet, derisa të ishte i përgatitur për t’i marrë fletët (shih Joseph Smith – Historia 1:53–54).
Jozefi tregoi se, kur më së fundi i mori fletët nga Moroni në vitin 1827, ai gjithashtu mori dy gurë që do të përdoreshin në përkthimin e tyre. Ai dhe të njohur të afërt lanë rrëfime për këta gurë, duke i përshkruar ata si të bardhë ose të tejdukshëm në pamje, të vendosur në harqe ose në skelete të argjendta si syzet moderne ose gjyzlykët dhe të lidhura me një parzmore të madhe.12 Siç përshkruhet, ky mjet shikues do të kishte qenë masiv. Nëna e Jozef Smithit tha se ai i shkëpuste gurët nga parzmorja për lehtësi ndërsa i përdorte ato.13
Teksti i Librit të Mormonit i quan këta gurë “interpretuesit” dhe shpjegon se ata “ishin përgatitur që nga fillimi dhe ishin pasuar nga një brez në tjetrin, me qëllim që të përkthenin gjuhët”, duke u “mba[jtur] dhe [duke] u ru[ajtur] nga dora e Zotit” (Mosia 28:14‒15, 20).
Libri gjithashtu rrëfen se si Zoti i dha “dy gurë” vëllait të Jaredit, me premtimin se ata do t’i ndihmonin brezat e ardhshëm që të merrnin fjalët e tij. “Shkruaji këto gjëra dhe vulosi”, e udhëzon Zoti atë, “dhe unë do t’ua tregoj fëmijëve të njerëzve, në kohën time të përshtatshme.” Këta gurë, shpjegon Zoti, “[do] t’i qartësojnë në sytë e njerëzve, këto gjëra që ti do të shkruash” (Ethëri 3:24, 27).
Në kohën kur Jozef Smithi e përfundoi diktimin për shkruesit të përkthimit prej tij të Librit të Mormonit në mes të vitit 1829, kuptimi i fjalës shikues ishte qartësuar më tej në tekst. Libri i Mormonit përmban një profeci të treguar nga Jozefi i Egjiptit duke shpallur se një nga pasardhësit e tij – në mënyrë të qartë Jozef Smithi – do të ishte “një shikues [i] zgjedhur” duke sjellë pasardhës të tjerë “në njohurinë e besëlidhjeve” që Perëndia i bëri me paraardhësit e tyre (2 Nefi 3:6, 7).
Në një rrëfim tjetër në Librin e Mormonit, Alma i Riu ia jep interpretuesit birit të tij, Helamanit. “T’i ruash këta interpretues”, e këshilloi Alma atë, duke iu drejtuar dy gurëve në harqet e argjendta. Por Alma gjithashtu citon një profeci që duket se i drejtohet një guri të vetëm: “Dhe Zoti tha: Unë do të përgatis për shërbëtorin tim Gazelem një gur i cili do të bëjë që drita e tij të ndriçojë në errësirë” (Alma 37:21, 23).
Në mënyrë të dukshme, edhe pse e dhënë në kontekstin e “interpretuesve” (shumës), kjo profeci flet rreth dhënies një shërbyesi një gur (njëjës) ”i cili do të bëjë që drita e tij të ndriçojë në errësirë“.14 Shenjtorët e hershëm të Ditëve të Mëvonshme besonin se ky shërbyes i profetizuar ishte Jozef Smithi.15
Në fakt, prova historike tregon se përveç dy gurëve shikues, të njohur si “interpretuesit”, Jozef Smithi përdori të paktën një gur tjetër shikues në përkthimin e Librit të Mormonit, shpesh duke e vendosur atë brenda një kapeleje me qëllim që të bllokohej drita nga jashtë. Sipas bashkëkohësve të Jozefit, ai e bëri këtë me qëllim që t’i shihte më mirë fjalët mbi gur.16
Në vitin 1833, Jozef Smithi dhe bashkëpunëtorët e tij filluan të përdorin termin biblik “Urimi dhe Thumimi” për t’iu drejtuar çdo guri të përdorur për të marrë zbulesa hyjnore, duke përfshirë interpretuesit nefitë dhe gurin e vetëm shikues.17 Kjo terminologji e pasaktë i ka ndërlikuar përpjekjet për ta rindërtuar metodën e përpiktë me anë të së cilës Jozef Smithi e përktheu Librin e Mormonit. Përveç përdorimit të interpretuesve, sipas Martin Harrisit, Jozefi gjithashtu përdori një nga gurët e tij shikues për lehtësi gjatë përkthimit të Librit të Mormonit. Burime të tjera e vërtetojnë ndryshimin nga ana e Jozefit të mjeteve të përkthimit.18
Pasi u Botua Libri i Mormonit
Pas botimit të Librit të Mormonit në mars të vitit 1830, Jozef Smithi dhe nëpunësit e tij filluan të punojnë me atë që tani njihet si Përkthimi i Biblës prej Joseph Smith-it, një rishikim profetik i Variantit të Mbretit Xhejms.19 Nëpërmjet rrëfimit të Jozefit, përdorimi i interpretuesve nefitë për këtë projekt përkthimi nuk ishte një mundësi, sepse ai nuk i kishte më ata.
Historia e Jozefit shpjegon se “nëpërmjet urtësisë së Perëndisë, [fletët dhe interpretuesit] mbetën të sigurta në duart e mia, derisa unë të përfundoja me to atë që ishte kërkuar nga dora ime. Kur, në përputhje me marrëveshjet, lajmëtari erdhi për to, unë ia dorëzova atij; dhe ai i ka ato në ngarkim deri në këtë ditë” (Joseph Smith – Historia 1:60).
Siç e shpjegoi atë Presidenti Brigam Jang (1801–1877): “Jozefi i vendosi U[rimin dhe] T[humimin] sërish me fletët kur ai e kishte përfunduar përkthimin”20.
Jozefi kishte gurë të tjerë shikues por, sipas fjalëve të Plakut Orson Prat (1811–1881), anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dhe më vonë Historiani i Kishës, gjithashtu në këtë kohë Jozefi ishte pjekur në kuptueshmërinë e tij shpirtërore. Në një mbledhje më 28 qershor 1874, ku morën pjesë Presidenti Brigam Jang dhe shumë Autoritete të tjera të Përgjithshme, Plaku Prat u tregoi dëgjuesve të tij se kishte qenë “i pranishëm shumë herë” kur Jozef Smithi “po përkthente Dhiatën e Re”. Ngaqë nuk pa mjete përkthimi të përdoreshin gjatë procesit të përkthimit, ai pyeste veten përse Jozefi “nuk i përdori Urimin dhe Thumimin, sikurse në përkthimin e Librit të Mormonit”.
Teksa Plaku Prat e shikonte Profetin të përkthente, “Jozefi, sikur t’i kishte lexuar mendimet e tij, ngriti sytë dhe shpjegoi se Zoti ia dha Urimin dhe Thumimin kur ishte i papërvojë lidhur me Shpirtin e frymëzimit. Por tani ai kishte përparuar kaq shumë sa i kuptonte veprimet e atij Shpirti dhe nuk kishte nevojë për ndihmën e atij mjeti.”21
Brigam Jangu i tregoi dëgjuesve mendimet e tij rreth marrjes se një guri shikues. “Nuk e di që të kem pasur ndonjëherë një dëshirë për ta pasur një [gur]”, mendoi ai.22 Thënia e Brigamit shprehu kuptueshmërinë e tij që gurët shikues nuk ishin thelbësorë për të qenë një shikues.
Më 25 tetor 1831, Jozef Smithi mori pjesë në një konferencë në Orinxh të Ohajos. Gjatë konferencës, vëllai i tij, Hajrëmi, tha që ai “mendoi se ishte më mirë që informacioni për daljen në dritë të Librit të Mormonit t’u tregohej nga vetë Jozefi Pleqve të pranishëm, që ata të gjithë të mund ta dinin për veten e tyre”. Sipas procesverbalit të mbledhjes, Jozefi “tha se nuk ishte qëllimi që t’i tregoheshin botës të gjitha detajet e daljes në dritë të Librit të Mormonit” dhe “se nuk ishte e domosdoshme për të t’i tregonte këto gjëra”23. Duke u pjekur në rolin e tij si shikues dhe duke arritur të besonte se gurët shikues nuk ishin thelbësorë për zbulesën, ndoshta ai shqetësohej që njerëzit mund të përqendroheshin më shumë mbi mënyrën se si libri doli në dritë dhe më pak te libri vetë.
Çështja më e dukshme që ngriti Jozef Smithi rreth përkthimit të Librit të Mormonit, ishte që ai e bëri atë “nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë”24. Libri vetë, siç u dha ai mësim udhëheqësve të Kishës, “ishte më i sakti nga ndonjë Libër mbi tokë dhe gurthemeli i besimit tonë” dhe duke iu bindur porosive të tij, lexuesi do t’i afrohet “më shumë Perëndisë … se nga ndonjë libër tjetër”25.