2015
Pyetje & Përgjigje
Tetor 2015


Pyetje & Përgjigje

“Kur nëna ime u sëmur, ne agjëruam dhe u lutëm për të, por megjithatë ajo vdiq. Si mund të ndihem në paqe me këtë?”

Kjo është një kohë trishtimi në jetën tënde. Është normale të duash siguri dhe përgjigje për pyetjet e tua të shumta: “Përse nuk jetoi ajo? A do ta shoh përsëri? Si mund të vazhdoj pa të?”

Ungjilli i Jezu Krishtit i ofron të dyja edhe siguri edhe përgjigjet. Zoti premtoi: “Të bekuar janë të gjithë ata që vajtojnë, pasi ata do të ngushëllohen” (3 Nefi 12:4). Kërkoni Frymën e Shenjtë, sepse Ai është Ngushëlluesi.

Pyeteni veten nëse lutjet tuaja janë dëgjuar. Jini të sigurt: Ati Qiellor gjithmonë i dëgjon lutjet tona. Shkrimet e shenjta dhe profetët e gjallë na premtojnë se kjo është e vërtetë. Ajo që Zoti i tha Jozef Smithit, zbatohet edhe për ju: “Lutjet e tua dhe lutjet e vëllezërve të tu kanë ardhur në veshët e mi” (DeB 90:1). Por ne duhet të kujtojmë se Ati Qiellor u përgjigjet lutjeve tona me një këndvështrim të përjetshëm në mendje (shih Isaia 55:8–9). Kjo është arsyeja përse ne e ndjekim shembullin e Shpëtimtarit për të kërkuar bekime, por mandej duke kërkuar sinqerisht që vullneti i Atit të bëhet (shih Lluka 22:42).

Edhe pse e vështirë, kjo sprovë mund të jetë një kohë rritjeje për ju. Ju mund të mësoni të keni besim në vullnetin e Perëndisë, madje edhe nëse kjo parakupton që nëna juaj nuk shërohet. Sigurisht që ju donit që ajo të jetonte. Por prova e kësaj jete të vdekshme është që të besosh në Perëndi në të gjitha kohët – sidomos kur është e vështirë. Nëse besoni tek Ai, “gjithë gjërat do të punojnë së bashku për të mirën tuaj” (DeB 90:24).

Vdekja Është Pjesë e Planit

Sipas planit të lumturisë të Atit tonë Qiellor për ne, kthimi ynë në praninë e Tij bazohet te vdekja dhe ringjallja, që do të na ndihmojnë të kalojmë nga kjo gjendje e vdekshme në një gjendje të pavdekshme. Ju duhet vetëm të pranoni faktin se vdekja është pjesë e planit dhe të besoni se një ditë do të jeni në gjendje që përsëri të jeni me nënën tuaj të vdekur. Dijeni që nëna juaj është në botën e shpirtrave dhe se ajo po pret për ju.

Dejvid M., 18 vjeç, Kasai Perëndimor, Republika Demokratike e Kongos

Ajo është në Botën e Shpirtrave

Nëna ime u diagnostikua dy vjet më parë me kancer. Unë nuk doja ta shihja në dhembje dhe uroja që të mund të bëja diçka. Dhe edhe pse nëna ime u bë më mirë, ajo ishte një përvojë e vështirë. Nëna juaj është në një vend ku nuk do të ndiejë dhembje apo vuajtje. Është e vështirë të mos e shohësh më, por ju nuk jeni kurrë vetëm. Ajo do t’ju dojë gjithmonë dhe Ati ynë Qiellor do të jetë atje gjithmonë për t’ju ngritur kur jeni poshtë. Ju nuk do të jeni kurrë i braktisur. Jezu Krishti vuajti dhembjet e botës; Ai e di se si ndiheni dhe në çfarë gjendje po kaloni. Bëni siç bëra unë në kohën time të sprovës: shkoni tek Ai dhe Ai do t’i bëjë barrët tuaja të lehta.

Shiloh W., 18 vjeç, Çiuaua, Meksikë

Familja Juaj Do Të Ribashkohet

Nëna ime vdiq kur isha vetëm 12 vjeçe. Në atë kohë unë nuk isha anëtar e Kishës. Kur ishte e sëmurë, unë lutesha shumë që ajo të bëhej mirë. Unë kisha shumë besim dhe besoja te Perëndia me shpresën që shëndeti i saj do të rikthehej. Mjerisht ajo nuk u shërua. Unë pyesja përse ajo duhej të vdiste në një moshë të tillë të re dhe të më linte ndërsa isha ende adoleshente. Isha e zemëruar dhe arrita në një pikë që dyshoja se ekzistonte Perëndia. Tani që jam anëtare e Kishës, e kuptoj planin e shpëtimit. Unë e di se ajo po më pret dhe se familja jonë do të ribashkohet.

Ina L., 19 vjeçe, Minas Gerais, Brazil

Sprovat Na Japin Mësim

Nëna ime vdiq tre vjet më parë. Marrëdhënia juaj me Atin tuaj Qiellor dhe me Shpëtimtarin do të rritet nëse vështroni nga Ata kur keni nevojë. Ju do të shihni se kjo sprovë, shkatërruese siç mund të jetë, mund të jetë gjithashtu një bekim. Lutiuni Ati tuaj në Qiell për paqe dhe siguri. Besoni në planin e Zotit për ju. Pranojeni që Ati Qiellor e di se ku po shkojmë dhe çfarë duhet të bëjmë që të arrijmë atje. Zoti ju do dhe do që ju të keni gëzim. Sprovat tona janë për të na mësuar dhe për të na bërë më të fortë.

Megan B., 18 vjeç, Ontario, Kanada

Ju Do Ta Shihni Atë Përsëri

Nëna e nënës sime vdiq kur nëna ime ishte 17 vjeçe. Familja agjëroi dhe u lut për të gjatë disa javëve përpara se ajo të vdiste. Asaj iu dha gjithashtu një bekim priftërie. Gjëja kryesore që i dha paqe nënës sime, ishte dijenia se ajo do të mund ta shihte nënën e saj përsëri në jetën tjetër. Qëllimi i nënës sime është që ta jetojë jetën e saj në mënyrë të tillë që të jetë e denjë për atë bekim. Jam e dëshpëruar që nuk do të jem kurrë në gjendje ta takoj atë në këtë jetë, por mezi e pres kohën kur përfundimisht do të takohemi.

Keri R., 15 vjeç, Juta, SHBA