“Pikëllimi dhe Humbja”, Burimet për Këshillim (2020)
“Pikëllimi dhe Humbja”, Burimet për Këshillim.
Pikëllimi dhe Humbja
Pikëllimi mund të jetë një emocion mbizotërues. Pothuajse çdo njeri e përjeton atë në njëfarë pike në jetë. Vdekja është pjesë e planit të Perëndisë për lumturinë, por edhe me atë kuptueshmëri, shumë njerëz e gjejnë të vështirë të ndeshen me emocionet që e rrethojnë humbjen e një njeriu që ata e duan. Përveç kësaj, vdekja nuk është burimi i vetëm i pikëllimit; lloje të tjera humbjeje krijojnë ndjenja pikëllimi, të tilla si humbja e një vendi pune, e një marrëdhënieje, e shëndetit dhe kështu me radhë. Pikëllimi është një përgjigje normale ndaj humbjes dhe një kalim emocional drejt shtegut të gëzimit, jo një shprehje e dobësisë apo një mungesë besimi te Perëndia ose dashuria e Tij.
Njerëzve që vajtojnë, u nevojitet kohë për të ndier pikëllim për humbjet e tyre dhe ata kanë nevojë për miq e familjarë përkrahës që të jenë me ta përmes asaj përvoje. Sasia e kohës që nevojitet me qëllim që pikëllimi të ndjekë rrjedhën e vet të natyrshme të shërimit, ndryshon nga njeriu në njeri, në varësi të disa faktorëve. Ishte humbja e papritur apo që pritej plot agoni? Në rastin e vdekjes, sa afër ishte emocionalisht personi që vajton me personin që vdiq? Sa shumë varej personi nga personi që vdiq apo gjëja që humbi? Këto dhe elemente të tjera e rritin kuptimin tonë për mënyrën se si ta ndihmojmë dikë që është i/e pikëlluar.
Disa njerëz mund të kenë nevojë t’u shmangen gjërave që ua kujtojnë humbjen e tyre, ndërkohë që të tjerë mund të gjejnë ngushëllim nga kujtimet. Disa njerëzve mund t’u nevojitet kohë që të rrinë larg të tjerëve përpara se të ndihen në gjendje që të shoqërohen apo të frekuentojnë mbledhjet dhe aktivitetet e Kishës, ndërkohë që njerëz të tjerë kanë menjëherë dëshirë të madhe për lidhje shoqërore. Çdo njeri është i ndryshëm dhe shtigjet individuale që shtrihen përpara, do të ndryshojnë.
Teksa i jepni shërbesë dikujt që po ndeshet me hidhërimin, para së gjithash tregoni dashuri. Thënie të tilla mund t’ju ndihmojnë të shprehni dashamirësi:
-
“Nuk e di se çfarë të them, por dua që ta dish se kam merak për ty.”
-
“Nuk duhet të flasësh nëse nuk do, por unë jam këtu që të dëgjoj nëse ti do.”
-
“Është në rregull të kesh ndjenja të ndryshme nga një ditë në tjetrën apo nga një çast në tjetrin. Nuk ka asnjë mënyrë të duhur se si të ndihesh. Thjesht lëre veten që t’i ndiesh emocionet si të vijnë.”
-
“Më vjen vërtet keq që po kalon përmes kësaj gjëje.”
Kuptoni Situatën
Teksa i jepni shërbesë dikujt që po ndeshet me pikëllimin, merreni parasysh të bëni pyetje si ato më poshtë në mënyrë të mirësjellshme dhe dashamirëse për t’ju ndihmuar që të kuptoni shqetësimet, nevojat dhe rrethanat e personit.
-
Si po e përballon këtë?
-
Kur po kalon një ditë të mirë, çfarë duket se e bën atë ndryshim pozitiv?
-
Ku drejtohesh për përkrahje emocionale?
-
Çfarë gjërash të veçanta kanë thënë ose bërë njerëzit që të kanë ndihmuar? Çfarë nuk ka qenë e dobishme?
Përveç kësaj, mund të jetë e dobishme që të keni dijeni për fazat e pikëllimit. Shumica e njerëzve kalojnë përmes pesë fazave emocionale kur ata ndiejnë pikëllim: mohimit, zemërimit, kushtëzimit, depresionit dhe pranimit. Këto mund të ndodhin në çfarëdo rendi dhe disa mund të kapërcehen apo mund të përsëriten më shumë se një herë. Çdo fazë në procesin e pikëllimit mund të kërkojë një qasje të ndryshme nga njerëzit që japin shërbesë. Ja një përshkrim bazë i çdo faze:
-
Mohimi: Mohimi është zakonisht faza e parë e pikëllimit. Individët që përjetojnë mohim, mund të mohojnë atë që ka ndodhur, mund të mpihen ose mund të përjetojnë tronditje. Kur një person e përjeton këtë fazë, shpesh gjëja më e mirë është që t’i flitni me dashamirësi ose të shpenzoni kohë thjesht duke u ulur së bashku në heshtje.
-
Zemërimi: Në këtë fazë, individët mund ta drejtojnë zemërimin te Perëndia, vetvetja ose njerëz të tjerë përreth tyre. Merreni parasysh ta nxitni personin që të mbajë një ditar për ato ndjenja të zemërimit. Ai ose ajo mund të vendosë ta shkatërrojë ditarin pasi ta ketë kaluar këtë fazë, por, për kohën e tanishme, ditari mund të sigurojë një mjet të sigurt për ta shprehur zemërimin.
-
Kushtëzimi: Dikush në fazën e kushtëzimit mund të përpiqet të vërë kushte me Perëndinë dhe të bëjë pyetje “po sikur” (të tilla si: “Po sikur të premtoj se do ta trajtoj personin më mirë?” ose “Po sikur të shkoj në tempull çdo javë?”). Individët shpesh ndihen fajtorë për paaftësinë e tyre për ta mbrojtur personin i cili ka vdekur ose për të parandaluar fatkeqësinë që ndodhi. Kur dikush e përjeton këtë fazë në rastin e vdekjes, mund të ndihmojë që ta pyetni nëse ajo ose ai beson që personi i vdekur do të donte që individi të ecte përpara në jetë.
-
Depresioni: Në këtë fazë, individët mund të ndiejnë zbrazëti, mungesë fuqie e shprese dhe ndoshta humbje interesi për të marrë pjesë në jetën e përditshme. Ata mund të fillojnë të largohen nga njerëzit e tjerë. Nëse dikush mbetet në këtë fazë për një periudhë të gjatë kohe (katër deri në gjashtë javë), ai ose ajo mund të ketë nevojë të referohet te një grup përkrahjeje ndaj pikëllimit ose te një profesionist i shëndetit mendor.
-
Pranimi: Në këtë fazë, individët dalëngadalë i përshtaten gjendjes së tyre të re normale. Emocionet e tyre stabilizohen dhe ata mësojnë ta përballojnë pikëllimin. Mund të ndihmojë që t’i risiguroni se përshtatja është në rregull dhe se, në rastin e vdekjes, njeriu i tyre i dashur që ka vdekur, do të donte që ata të kërkonin lumturi.
Ndihmojeni Individin
Teksa përpiqeni ta ndihmoni personin, merreni parasysh informacionin vijues:
-
Ndihmojeni personin të dijë se është në rregull të pikëllohet. Disa mund ta shohin pikëllimin si shprehje të besimit të dobësuar, por është e rëndësishme që individët ta lejojnë pikëllimin te vetja. Diskutimi se si edhe Jezusi ndjeu pikëllim, mund t’i ndihmojë anëtarët të kuptojnë se pikëllimi nuk tregon mungesë besimi (shih Gjoni 11:32–36).
-
Ndihmojeni personin të dallojë se çdo njeri pikëllohet në mënyrën e vet. Nuk ka një mënyrë të vetme se si të trajtohet humbja dhe çdo njeri do të përgjigjet ndryshe. Personi nuk duhet të ndihet fajtor ngaqë ndihet ose nuk ndihet në një mënyrë të caktuar.
-
Komunikoni dashamirësi (dhe vazhdoni ta bëni këtë gjë shumë kohë pas humbjes).
-
Lutuni për udhërrëfim se çfarë të thoni. Ngushëllimi i një njeriu mund të jetë diçka që ju frikëson, por shpesh është më e mira të ndihmoni dhe të thoni diçka, sesa të mos thoni asgjë. Është e rëndësishme që njerëzit të cilët janë të pikëlluar, ta dinë se ju keni merak dhe dëshironi t’i përkrahni.
-
Mbani mend të jini të ndjeshëm. Disa thënie me qëllim të mirë mund të mos shihen si mirëkuptuese nga ata që janë të pikëlluar. Shembujt vijues mund të jenë më të dëmshëm sesa të dobishëm:
-
“Është pjesë e planit të Perëndisë.”
-
“Të paktën …” (“Të paktën, nuk vuajtën”, “Të paktën tani mund të dalësh në takime me njerëz të tjerë”, “Të paktën tani mund të gjesh një vend pune siç e pëlqen vërtet” e kështu me radhë).
-
“Pata një përvojë të ngjashme.”
-
“Shërbe më shumë.”
-
“Gjërat do të përmirësohen me kalimin e kohës.”
-
“Duhet …” ose “Nuk duhet …”
-
“Ai [ose ajo] është në një vend më të mirë.”
-
-
Përkundrazi, ju mund:
-
Të thoni: “Nuk e di se çfarë të them përveçse të të bëj të ditur se shumë njerëz të duan, përfshirë mua”.
-
Të thoni: “Po lutem për ty”.
-
Tʼia bëni të ditur personit të pikëlluar nëpërmjet fjalëve dhe veprimeve tuaja se po mendoni për të. Ofrimi i ndihmës mund të jetë aq i thjeshtë sa dërgimi i një mesazhi sms.
-
Të kaloni kohë me personin e pikëlluar.
-
-
-
Dëgjoni. Dhënia e këshillës apo e folura me personin nuk është e vetmja mënyrë për të ndihmuar. Nëse dëgjoni dhe e lejoni personin të shprehë ndjenjat e veta, gjesti shpesh do të pranohet mirë dhe është dobiprurës. Thjesht të uleni me individin është një mënyrë pa fjalë e shprehjes së përkrahjes. Thjesht dëgjimi mund të jetë i vështirë ngaqë mund të ndieni se nuk po bëni sa duhet për ta lehtësuar dhembjen, por vetë dëgjimi është një veprim i dobishëm e përkrahës.
-
Mos reagoni. Teksa individët kalojnë përmes fazave emocionale të pikëllimit, ata mund të thonë ose bëjnë gjëra që nuk janë të karakterit të tyre. Jini të duruar dhe pranojeni se sjellje të tilla shpesh tregojnë fazën ku është personi në procesin e pikëllimit.
-
Ruajeni përkrahjen pas humbjes. Nxitini udhëheqësit e Kishës, vëllezërit dhe motrat shërbestare, anëtarët e lagjes dhe miqtë që t’i vazhdojnë përpjekjet e tyre për të qenë përkrahës emocionalisht shumë kohë pasi ndodh ngjarja. Pikëllimi është një proces që mund të zgjatë muaj dhe madje vite.
-
Jini vigjilentë ndaj komenteve dhe sjelljeve vetëvrasëse. Nëse një person i pikëlluar flet rreth vetëvrasjes, gjithmonë merreni këtë gjë seriozisht. Shihni faqen Vetëvrasja te Burimet për Këshillim. Nëse shqetësoheni për sigurinë e personit, kontaktoni menjëherë shërbimin vendor të urgjencës mjekësore ose zyrën e Shërbimeve Familjare (nëse është në dispozicion). Udhëheqësit e Kishës gjithashtu mund të kontaktojnë shërbimin telefonik të ndihmës së Kishës për asistencë lidhur me këtë çështje. Shkoni te suicide.ChurchofJesusChrist.org ose pjesa Vetëvrasja në programin kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] për të gjetur shërbime telefonike të ndihmës pa pagesë nëpër botë dhe burime për t’i ndihmuar individët që po hasin vështirësi në një krizë që lidhet me vetëvrasjen.
Në rastin e vdekjes së një njeriu të dashur, procesi i pikëllimit mund të përfshijë që ta ndihmoni familjen për një funeral ose shërbesë varrimi. Planifikimi dhe pjesëmarrja në një funeral mund të jenë të vështira për individët që janë të pikëlluar. Është e rëndësishme të jeni të ndjeshëm ndaj nevojave të tyre kur jepni përkrahje dhe ngushëllim. Gjeni informacion lidhur me administrimin e funeraleve dhe shërbesave të tjera që lidhen me to në pjesën 29.6 te Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (ChurchofJesusChrist.org). Sa vijojnë janë disa orientime shtesë që t’i mbani në mendje:
-
Shërbesat funerale kanë për qëllim që të nderojnë jetën e personit të vdekur dhe t’i ndihmojnë njerëzit që janë të pikëlluar për të gjetur ngushëllim e paqe. Një funeral është shpesh një pjesë thelbësore e ecjes përpara në procesin e pikëllimit. Si i tillë, është e rëndësishme që të jeni të ndjeshëm ndaj nevojave dhe dëshirave të individëve ose pjesëtarëve të familjes që janë të pikëlluar. Mund të jetë i dobishëm diskutimi për planin e shpëtimit dhe për fuqinë e Jezu Krishtit për të dhënë ngushëllim. Është gjithashtu e rëndësishme të shpenzohet kohë e përshtatshme për ta nderuar personin e vdekur dhe për të kujtuar marrëdhëniet dhe tiparet pozitive të karakterit të tij ose të saj.
-
Individët që janë të pikëlluar, mund të zgjedhin ose jo që të flasin apo të marrin pjesë në shërbesë. Kjo është një zgjedhje vetjake që e bëjnë ata.
-
Në çfarëdo fjale që thoni në funeral, mbani mend të shprehni dashamirësi. Nxitini të tjerët që po flasin (udhëheqësit e Kishës, vëllezërit dhe motrat shërbestare, fqinjët e kështu me radhë) që të jenë gjithashtu të ndjeshëm në fjalët që thonë.
Gjendja financiare mund të jetë një shqetësim për funeralin dhe më pas. Nëse një individ ose familjarët kanë humbur siguruesin e të ardhurave të tyre, ata mund të shqetësohen rreth financave në të ardhmen. Kërkoni udhëzim shpirtëror teksa merrni parasysh se si ndihma ose programet e Kishës mund t’i trajtojnë disa nga këto shqetësime.
Përkraheni Familjen
Në varësi të gjendjes, pjesëtarët e familjes dhe miqtë e tjerë të ngushtë gjithashtu mund të hasin vështirësi lidhur me pikëllimin, veçanërisht nëse pikëllimi lidhet me humbjen e një njeriu të dashur. Merrni parasysh informacionin në pjesën “Ndihmojeni Individin” për çdo pjesëtar të familjes dhe mik/e të ngushtë.
Edhe nëse pikëllimi po ndikon vetëm te një pjesëtar i familjes, ju mund të viheni në kontakt me familjen dhe të shihni se si po ia kalojnë të tjerët. Atyre mund t’u nevojitet përkrahje që ta ndihmojnë pjesëtarin e familjes së tyre që po has vështirësi.
Përdorni Burime të Lagjeve dhe të Kunjeve
Kur është me vend, merreni parasysh t’u kërkoni udhëheqësve/eve të lagjes apo individëve të tjerë të mirëbesuar që të sigurojnë përkrahje të vazhdueshme. Kërkojini leje individit përpara se ta diskutoni situatën me të tjerët.
-
Nxitini rrethin familjar të personit dhe vëllezërit ose motrat shërbestare që të jenë të vëmendshëm. Procesi i pikëllimit mund të kërkojë një kohë të gjatë dhe ka të ngjarë që personit t’i nevojitet përkrahje shtesë për njëfarë kohe. Ajo përkrahje duhet të vazhdojë shumë kohë pas funeralit.
-
Disa individë mund të përfitojnë nga frekuentimi i një grupi përkrahës. Grupet mund të jenë veçanërisht të dobishme për individët që e ndiejnë se askush nuk e kupton gjendjen e tyre ose mënyrën se si ndihen. Disa grupe mund të kryhen nëpërmjet mediave shoqërore. Mjekët e familjeve, agjencitë funerale dhe organizatat e azileve gjithashtu mund të jenë në gjendje t’ju ndihmojnë që të përcaktoni grupe përkrahëse në zonën tuaj. Programi Shërbimet Familjare nuk ofron grupe përkrahëse për pikëllimin, por ju mund të këshilloheni me zyrën tuaj vendore të Shërbimeve Familjare (nëse është në dispozicion) që të merrni referime ose rekomandime.
-
Ndihmojeni personin të marrë ndihmë profesionale nëse është e nevojshme. Pikëllimi mund të jetë një emocion i ndërlikuar dhe dikush që është i pikëlluar, mund të ketë nevojë për ndihmë nga një profesionist. Shihni faqen Burimet për Këshillim te shëndeti mendor.