Thirrjet në Lagje ose Degë
Punësimi


“Punësimi”, Burimet për Këshillim (2020).

“Punësimi”, Burimet për Këshillim.

Punësimi

2:2

Punësimi i mirë është një mënyrë se si individët mund të sigurojnë siç duhet për veten dhe familjet e tyre, si edhe të përdorin aftësitë e tyre dhe të gjejnë përmbushje të qëllimeve. Ndërkohë që disa njerëz të cilët kërkojnë punësim, mund të jenë të papunë, shumë të tjerë janë aktualisht duke punuar, por mund të jenë duke kërkuar mundësi më të mëdha, të tilla si një ndryshim në gjendjen e tyre të punës ose përmirësim të të ardhurave.

Pavarësisht nga arsyeja përse njerëzit mund të kërkojnë punë, kërkimi për një vend pune mund të jetë sfidues dhe kushdo që po kërkon një vend pune, mund të ketë një larmi nevojash. Ato nevoja mund të jenë financiare, emocionale, fizike ose shpirtërore. Teksa punoni me njerëz që po kërkojnë punësim, fillimisht përpiquni të kuptoni nevojat e tyre dhe më pas drejtojini te burimet që mund t’i ndihmojnë për të zhvilluar sukses të vazhdueshëm. Shpreheni dashurinë tuaj për ata me të cilët po punoni, dhe ndihmojini të ndiejnë shpresë teksa veprojnë përgjatë procesit të kërkimit të vendit të punës ose teksa kërkojnë mundësi shtesë arsimimi ose vetëpunësimi.

Përpiquni të Kuptoni

Kur dikush po kërkon punësim, sigurohuni që fillimisht ta ndihmoni të ndiejë se ju e kuptoni. Kjo bëhet më mirë në një bashkëbisedim një për një, që ta ndihmoni personin të ndihet rehat dhe më i gatshëm për të treguar. Me lutje merreni parasysh të bëni pyetje si ato që vijojnë në mënyrë të mirësjellshme dhe të ndjeshme, që t’ju ndihmojnë ta kuptoni më mirë gjendjen dhe të dalloni nevojat:

  • E di se kërkimi për një vend pune mund të jetë i vështirë. Si po ia kalon? Si mund të të ndihmoj?

  • Cila është gjendja jote aktuale e punësimit?

  • Çfarë lloj mundësish ke si synim?

  • Për çfarë pozicionesh apo vendesh pune je i interesuar?

Ndihmojeni Individin

Kur arrini t’i kuptoni nevojat e personit për punësim, merreni parasysh të përdorni disa nga sugjerimet vijuese. Kur flisni me të, sigurohuni të tregoni dashuri dhe ndjeshmëri sikurse do të tregonte Shpëtimtari. Për udhërrëfim se si t’i ndihmoni më mirë individët që të kërkojnë punësim, ju lutemi të shqyrtoni materialin “Si ta Ndihmoni Dikë që po Kërkon një Vend Pune” përveç përmbajtjes që ndodhet më poshtë.

Pyetni përpara se të jepni informacion rreth kërkimit të personit për një vend pune.

  • Me lutje mendoni për individë të tjerë që mund të jenë më të dobishmit për personin që po kërkon një vend pune, përfshirë anëtarë të lagjes dhe të kunjit.

  • Merreni parasysh ta pyesni personin: “A mund t’ua jap këtë informacion të tjerëve që mund të kenë kontakte të mira ose mundësi për vende pune për ty?”

Jepni vetëm informacionin që përputhet me interesat e personit.

  • Shumica e njerëzve qëllimisht po kërkojnë vendin e duhur të punës, jo thjesht çfarëdo vendi pune, prandaj sigurohuni që të flisni për mundësi dhe kontakte për vende pune që janë domethënëse për synimet e personit për punësim. Ndërkohë që mund të keni qëllime të mira, rekomandimi i mundësive për çdo lloj vendi pune aktualisht mund ta bëjë personin të ndihet i keqkuptuar.

  • Merreni parasysh të mbani një listë kontaktesh brenda lagjes, të cilët mund t’u sigurojnë lidhje të dobishme kërkuesve për një vend pune në një larmi profesionesh dhe pozicionesh.

Lidhuni me burime ekspertësh. Dikush që po kërkon punë, zakonisht nuk pret që ju t’ia tregoni se si ta bëjë kërkimin e tij për një vend pune apo që të jeni trajneri i tij për një vend pune. Shpeshherë, mund të jeni më i dobishëm duke e lidhur personin me burimet që vijnë nga ekspertë që merren me kërkimin për një vend pune.

  • Burimet në komunitet, materialet filmike në internet, kërkimet në internet, librat dhe artikujt e kohëve të fundit janë të gjitha burime fantastike informacioni për kërkimin e një vendi pune.

  • Nëse personi do të dëshironte një trajner për një vend pune, ndihmojeni të lidhet me një ekspert për teknikat e kërkimit të vendit të punës. Një kërkim në internet për trajnim pa pagesë lidhur me kërkimin për një vend pune shpesh do t’ju ndihmojë të gjeni ekspertë që janë të gatshëm për të ndihmuar.

  • Në disa zona, ju mund të jeni në gjendje të lidheni me ndihmën dhe burimet nga Shërbimet e Punësimit të Kishës.

  • Nëse ky person po përjeton shqetësim mendor ose emocional si rrjedhojë e kërkimit të vështirë për një vend pune, merreni parasysh ta lidhni atë me një terapist ose burime të tjera të shëndetit mendor.

Përkraheni Familjen

Problemet e punësimit mund të ndikojnë te pjesëtarët e familjes, si edhe tek individi. Pjesëtarët e familjes mund të kenë nevojë për përkrahje emocionale, shpirtërore dhe financiare. Mbani mend që të jeni të ndjeshëm ndaj situatave të ndryshme në secilën familje. Jini në dijeni të nevojave të mundshme të shëndetit mendor që lidhen me problemet e punësimit, dhe lidhini njerëzit nevojtarë me burimet profesionale.

Këshillohuni me familjarët rreth gjendjes së tyre financiare dhe diskutoni për burimet e tyre. Mbani mend që shumë anëtarë do të jenë ngurrues dhe vështirë se do të kërkojnë ndihmë financiare, madje edhe kur kanë nevojë për të. Jini të ndjeshëm ndaj kësaj dhe merreni parasysh të ofroni ndihmë në vend që të pritni që të tjerët t’u kërkojnë ndihmë. Merreni parasysh që të drejtoheni për ndihmë te burimi Financat.

Përdorni Burime të Lagjeve dhe të Kunjeve

Anëtarët e Kishës mund të jenë përkrahës dhe ndihmues ndaj atyre që mund të jenë duke kërkuar punësim. Mbani mend të kërkoni leje përpara se të jepni informacion rreth kërkimit të personit për një vend pune. Drejtojini anëtarët te pjesa “Si ta Ndihmoni Dikë që po Kërkon një Vend Pune”, që t’i ndihmoni të dinë se si t’i japin shërbesë dikujt që po kërkon punësim.

Për individët që kanë pengesa për punësim (të tilla si mungesa e trajnimit, çështje shoqërore ose emocionale, apo vështirësi gjuhësore), mund t’ju nevojitet të përdorni burime shtesë:

Përcaktoni dhe nxitni përdorimin e organizatave dhe burimeve vendore të shërbimit për karrierën. Burimet mund të përfshijnë:

  • Agjencitë qeveritare dhe private.

  • Qendrat e shërbimeve të karrierës në institucionet arsimore.

  • OJQ‑të (organizatat joqeveritare).

  • Stazhet e punës, praktikat e punës dhe programet e trajnimit pa shkëputje nga puna.