“Çfarë doktrine mund t’i ndihmojë individët që të kapërcejnë problemet me pornografinë?” Burimet për Këshillim (2020).
“Çfarë doktrine mund t’i ndihmojë individët që të kapërcejnë problemet me pornografinë?” Burimet për Këshillim.
Burimet për Këshillim
Çfarë doktrine mund t’i ndihmojë individët që të kapërcejnë problemet me pornografinë?
Një nga përgjegjësitë tuaja si anëtar/e i/e Kishës është të jepni mësim dhe të dëshmoni për doktrinën e pastër të ungjillit të Jezu Krishtit. Kjo mund të bëhet duke dhënë mësim doktrinën e Krishtit, që është se të gjithë njerëzit duhet të kenë besim te Jezu Krishti, të pendohen për mëkatet e tyre, të pagëzohen, të marrin dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe të durojnë deri në fund. Shihni këto biseda, që janë gjithashtu në dispozicion te pjesa “Trajtimi i Pornografisë” te ChurchofJesusChrist.org:
“The Power of Teaching Doctrine” [“Fuqia për të Dhënë Mësim Doktrinën”]
“Focus on the Doctrine of Christ” [“Përqendrohuni te Doktrina e Krishtit”]
“Follow the Doctrine and Gospel of Christ” [“Ndiqni Doktrinën dhe Ungjillin e Krishtit”]
Individët janë përgjegjës për zgjidhjen e vetë sfidave të tyre me pornografinë. Ata duhet të mbajnë përgjegjësi për jetën e tyre dhe ndryshimet që iu nevojiten të bëjnë. Teksa përfshiheni në diskutime të frymëzuara me individët, udhërrëfejini që të kërkojnë zbulesë vetjake lidhur me zgjidhjet. Nxitini të kërkojnë mbështetje shpirtërore te vetja nëpërmjet përpjekjeve për të kuptuar dhe për ta zbatuar doktrinën e Krishtit. Studimi dhe lutja janë thelbësore për këtë proces.
Individët janë gjithashtu përgjegjës që të kuptojnë dhe trajtojnë dhembjen që u ka shkaktuar të tjerëve përdorimi nga ana e tyre i pornografisë. Teksa punoni me ta, udhërrëfejini që ta përqafojnë këtë përgjegjësi dhe të bëjnë çfarëdo që munden për të bërë dëmshpërblim.
Kapërcimi i pornografisë mund të jenë i vështirë. Individët duhet të punojnë për të përcaktuar dhe trajtuar faktorët e veçantë që ndikojnë në përdorimin nga ana e tyre të pornografisë. Është e rëndësishme të vëmë në dukje se zgjidhjet shpirtërore, edhe pse të rëndësishme dhe të dobishme në kapërcimin e pornografisë, shpesh janë vetëm pjesë e zgjidhjes tërësore. Individët duhet të marrin parasysh shqyrtimin e çështjeve biologjike, psikologjike dhe shoqërore, të cilat shpesh luajnë rol në përdorimin e pornografisë.
Jepni Mësim Doktrinën
Teksa u jepni mësim atyre që po ndeshen me pornografinë, punoni së bashku për të përcaktuar se cila doktrinë mund t’i ndihmojë që të trajtojnë ndikimet që kanë efekt mbi sjelljen e tyre. Presidenti Bojd K. Paker tha: “Doktrina e vërtetë, kur kuptohet, ndryshon qëndrimet dhe sjelljen. Studimi i doktrinave të ungjillit do ta përmirësojë sjelljen më shpejt sesa një studim i sjelljes do ta përmirësojë sjelljen. Shqetësimi për sjellje të padenjë mund të çojë në sjellje të padenjë. Kjo është arsyeja përse ne ia vëmë theksin kaq shumë studimit të doktrinave të ungjillit” (“Little Children”, Ensign, nëntor 1986, f. 17).
Doktrina bazë e dhënë mësim në seminar dhe institut është një udhërrëfyes i fuqishëm për të përcaktuar se te cila doktrinë të përqendroheni (shih “Basic Doctrines”). Jepeni mësim doktrinën duke përdorur burimet e ungjillit, të tilla si shkrimet e shenjta dhe bisedat e konferencave të përgjithshme.
Jepni shërbesë me dashuri hyjnore teksa jepni mësim dhe përqendrohuni që t’i ndihmoni individët për ta dalluar Frymën e Shenjtë në jetën e tyre. Nxitini të zbulojnë se si të rriten përmes sfidave të tyre me pornografinë. Merreni parasysh të bëni pyetje të frymëzuara rreth përparimit të tyre; rreth kuptueshmërisë së tyre në rritje për vetveten nga ana biologjike, psikologjike, shoqërore dhe shpirtërore; dhe rreth zhvillimit nga ana e tyre të tipareve si të Krishtit. Udhërrëfejini individët që të kuptojnë se si fuqia e Krishtit mund t’i shndërrojë dhe t’i formojë njerëzit që ata po bëhen.
Përqendrojini mësimet tuaja që t’i ndihmoni individët të kuptojnë rëndësinë dhe fuqinë e Jezu Krishtit dhe të Shlyerjes së Tij. Gjithashtu mund të jetë e dobishme t’i nxitni të kërkojnë informacion rreth seksualitetit të shëndetshëm, shprehjes së përshtatshme seksuale dhe rolit të një marrëdhënieje seksuale brenda kufijve që ka vendosur Perëndia.
Shembuj të Mësimdhënies Doktrinore
Shembujt vijues vënë në dukje sfidat me të cilat përballen zakonisht individët që hasin vështirësi me pornografinë, dhe japin doktrinën që mund të ndihmojë në këto sfida. Lutuni me secilin individ për ta ndihmuar që të përcaktojë doktrinën specifike që nevojitet më shumë pikërisht tani.
Vetmia dhe Izolimi
Individët që hasin vështirësi me pornografinë shpesh përjetojnë ndjenja të vetmisë dhe izolimit. Atyre mund t’u mungojë lidhja shoqërore me të tjerët. Të kuptuarit e doktrinës së Kreut‑Perëndi mund t’i ndihmojë individët të ndiejnë dashuri prej Atit Qiellor, Jezu Krishtit dhe Frymës së Shenjtë dhe të lidhen me Ta. Përpiquni t’u mësoni për natyrën hyjnore dhe rolet e secilit anëtar të Kreut‑Perëndi.
Turpi dhe Fshehja
Ndjenjat e turpit shpesh i bëjnë individët ta fshehin sjelljen e tyre. Turpi i bën individët të ndiejnë se ata janë njerëz të këqij dhe të padenjë për falje. Në anën tjetër, faji i bën individët të dallojnë gabime dhe të kërkojnë që të pendohen e të ndryshojnë. Të kuptuarit e planit të shpëtimit na ndihmon të përdorim fuqinë e lirisë së zgjedhjes dhe të përgjegjshmërisë. Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij e eliminojnë turpin dhe na ndihmojnë të pendohemi, rritemi dhe ndryshojmë.
Pështjellimi rreth Rolit të Seksualitetit
Nëpërmjet përdorimit të pornografisë mund të krijohen bindje të papërshtatshme ose të rreme rreth rolit të shprehjes seksuale. Plani i shpëtimit qartëson rolin e rëndësishëm të shprehjes seksuale dhe qëllimit të saj në krijimin e familjeve dhe marrëdhënieve të dashura martesore. Jepni mësim se doktrina dhe plani i shpëtimit ndihmojnë për t’i dhënë vlerë rëndësisë së një shpirti, në vend të shtrembërimeve të rrezikshme dhe kthimit në një objekt që gjenden brenda pornografisë.
Teksa i dëgjoni individët të diskutojnë sfidat që hasin, ju do të udhërrëfeheni për të përcaktuar doktrinën që i plotëson më së miri nevojat e tyre. Këta shembuj janë thjesht disa mënyra për t’iu afruar doktrinës së mësimdhënies.
Nxitini Individët të Zbatojnë Doktrinën e Ungjillit
Ndihmojini individët të përpiqen fort për ta kuptuar doktrinën që lidhet me nevojat e tyre të pashoqe. Fryma e Shenjtë mund t’i nxitë individët që të përcaktojnë mënyra specifike për ta zbatuar të vërtetën në jetën e tyre. Inkurajojini që të zotohen për të jetuar në përputhje me nxitjet që marrin, urdhërimet e Zotit dhe mësimet e ungjillit të Jezu Krishtit. Ky është një proces që zgjat gjithë jetën për të gjithë ata që përpiqen të jenë dishepuj të Jezu Krishtit.
Konceptet vijuese janë doktrinë shtesë që mund t’i ndihmojë individët që po hasin vështirësi me përdorimin e pornografisë.
Përgjegjshmëria
Secili prej nesh është fëmijë i Perëndisë. Për shkak të atij identiteti hyjnor, ne kemi dhurata, të tilla si liria e zgjedhjes, dhe përgjegjësi, të tilla si përgjegjshmëria.
Përgjegjshmëria ndaj vetvetes, të tjerëve dhe Zotit është thelbësore për përparimin. Mësojuni individëve rreziqet e pornografisë dhe se si ajo i shkel standardet e Perëndisë. Ndihmojini ata të kuptojnë se nuk mund të shkojnë përpara pa e pranuar përgjegjësinë për sjelljet e dëmshme dhe të papërshtatshme.
Për peshkopët dhe presidentët e degëve: Kjo përfshin rrëfimin. Nganjëherë mund të duhen disa takime përpara se ata që përdorin pornografi, ta zbulojnë tërësisht sjelljen e papërshtatshme. Teksa takoheni me ta, ndihmojini të kuptojnë marrëdhënien midis drejtësisë e mëshirës dhe mënyrës se si këto të vërteta lidhen me rrëfimin dhe përgjegjshmërinë. Përdorni ndjeshmëri, dashuri dhe ngrohtësi për të frymëzuar dhe inkurajuar. Kujdesuni që të shmangni turpin ose detyrimin. Një këshill për anëtarësinë nuk duhet të mbahet për të disiplinuar ose kërcënuar anëtarët që po hasin vështirësi me pornografinë (shih Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme [2020], 32.8.2).
Lutja dhe Studimi i Rregullt i Shkrimeve të Shenjta
Lutja dhe studimi i rregullt i shkrimeve të shenjta janë thelbësore për një ndryshim të madh të zemrës. Mësojini individët të luten në mënyrë specifike, duke kërkuar falje dhe duke ushtruar besim tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Individët gjithashtu mund të marrin forcë duke e studiuar çdo ditë Librin e Mormonit (shih Rasëll M. Nelson, “Libri i Mormonit: Si do të Ishte Jeta Juaj pa Të?” Liahona, nëntor 2017, f. 60–63). Ftojini të kërkojnë rregullisht në biseda nga konferencat e përgjithshme dhe artikuj të revistave të Kishës rreth pornografisë dhe synimeve shpirtërore.
Besimi tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti
Individët duhet të besojnë se mund të ndryshojnë. Përpiquni të jeni pozitiv dhe realist me ta, teksa i rishikoni parimet e besimit tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Mësojuni që dëshira më e vogël për të filluar një proces ndryshimi mund të çojë drejt përparimit (shih Alma 32:27–28). Kur individët e ushqejnë besimin e tyre dhe vënë në jetë atë që po mësojnë, ata mund ta rritin besimin e tyre për të mbështetur një ndryshim të madh.
Një Proces, Jo një Ngjarje
Pendimi është një proces i gëzueshëm që kërkon kohë (shih Dejll G. Renland, “Pendimi: një Zgjedhje e Gëzueshme”, Liahona, nëntor 2016, f. 121–24; Stiven W. Ouen, “Pendimi Është Gjithmonë Pozitiv”, Liahona, nëntor 2017, f. 48–50). Ashtu sikurse krijimi i një zakoni të keq kërkon kohë, po ashtu kërkon kohë zhvillimi i sjelljeve të shëndetshme si të Krishtit. Lutja e rregullt, studimi i rregullt i shkrimeve të shenjta dhe zhvillimi i besimit tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti, e ndihmojnë këtë proces.
Nuk kërkohet dhe as nuk është shumë realiste që një individ të jetë i përsosur në ecjen përpara ose që ai ose ajo të përjetojë menjëherë një ndryshim të madh të zemrës. Përkundrazi, ai ose ajo duhet të shkojë përpara me qëllim të vërtetë për të kërkuar falje, për ta eliminuar sjelljen mëkatare dhe për të bërë përparim të matshëm. Përveç kësaj, dikush që po sheh pornografi, duhet gjithashtu të dallojë dhe të mbajë përgjegjësi për dhembjen që ajo sjellje po shkakton dhe shkatërrimin e mirëbesimit që po krijon në marrëdhëniet e tij ose të saj. Kjo mund të përfshijë bërjen e shpagimit dhe duhet të përfshijë të qenit të ndershëm me bashkëshorten/in, nëse individi është i martuar.
Dëshmoni shpesh për fuqinë e Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe aftësinë e Tij për t’i ndihmuar njerëzit që të ndryshojnë. Shlyerja e Jezu Krishtit sjell gëzim (shih Mosia 4:2–3).