Nuk Është Mëkat Të Jesh i Dobët
Autorja jeton në Juta, SHBA.
Kufizimet dhe mangësitë nuk janë mëkate dhe nuk na pengojnë që të jemi të pastër e të denjë për Shpirtin.
“A jam vërtet i denjë të hyj në shtëpinë e Perëndisë? Si mund të jem nëse nuk jam i përsosur?”
“A mundet Perëndia vërtet ta kthejë dobësinë time në forcë? Unë kam agjëruar dhe jam lutur për ditë me radhë që ky problem të largohet prej meje, por asgjë nuk duket se po ndryshon.”
“Në fushën e misionit, unë e jetoja ungjillin në mënyrë më të qëndrueshme sesa në çdo periudhë në jetën time, por nuk kam qenë kurrë më i vetëdijshëm për të metat e mia. Përse atëherë, kur po sillesha aq mirë, ndonjëherë ndihesha aq keq?”
Ndërsa përsiatim pyetje të tilla, është thelbësore të kuptojmë se, ndërkohë që mëkati në mënyrë të pashmangshme na largon nga Perëndia, dobësia, ndryshe nga ç’pritet, mund të na çojë drejt Tij.
Dallimi ndërmjet Mëkatit dhe Dobësisë
Përgjithësisht, ne e mendojmë mëkatin dhe dobësinë thjesht si njolla të zeza të madhësive të ndryshme në cohën e shpirtit tonë, shkallë të ndryshme të rënda shkeljeje. Por shkrimet e shenjta bëjnë të ditur se mëkati dhe dobësia janë qenësisht të ndryshme, kërkojnë mjete të ndryshme ndreqjeje dhe kanë potencialin që të sjellin pasoja të ndryshme.
Shumica prej nesh e kuptojnë më mirë mëkatin sesa e vrasim mendjen ta pranojmë, por le ta rishqyrtojmë: Mëkati është një zgjedhje për të mos iu bindur urdhërimeve të Perëndisë ose për të ngritur krye kundër Dritës së Krishtit brenda nesh. Mëkati është një zgjedhje për t’i mirëbesuar Satanit në vend të Perëndisë, duke na vënë në armiqësi me Atin tonë. Ndryshe nga ne, Jezu Krishti qe tërësisht pa mëkate dhe mund të shlyente për mëkatet tona. Kur pendohemi sinqerisht – duke përfshirë ndryshimin e mendjes, zemrës e sjelljes sonë; ofrimin e kërkesës për falje ose rrëfimeve me vend; bërjen e dëmshpërblimeve ku është e mundur; dhe mos përsëritjen e atij mëkati në të ardhmen – ne kemi të drejtë për Shlyerjen e Jezu Krishtit, mund të falemi nga Perëndia dhe të jemi përsëri të pastër.
Të bërit të pastër është thelbësor pasi asgjë e papastër nuk mund të jetojë në praninë e Perëndisë. Por nëse synimi ynë i vetëm është që të jemi po aq të pafaj sa ishim kur u larguam nga prania e Perëndisë, atëherë do të qe më mirë që të gjithë të rrinim shtrirë sa gjatë e gjerë në djepat tanë për tërë jetën tonë. Përkundrazi, ne erdhëm në tokë për të mësuar nëpërmjet përvojës që të dallojmë të mirën nga e liga, për t’u rritur në urtësi e aftësi, për t’i jetuar vlerat që çmojmë, dhe për të fituar karakteristika të perëndishmërisë – përparim të cilin nuk mund ta arrijmë brenda caqeve të sigurta të një djepi.
Dobësia njerëzore luan një rol të rëndësishëm në këto qëllime thelbësore të vdekshmërisë. Kur Moroni u shqetësua se dobësia e tij në të shkruar do t’i bënte johebrenjtë të tallnin gjërat e shenjta, Zoti e siguroi atë me këto fjalë:
“Dhe në qoftë se njerëzit vijnë tek unë, unë do t’u tregoj atyre dobësinë e tyre. Unë u jap njerëzve dobësi, që ata të jenë të përulur dhe hiri im është i mjaftueshëm për të gjithë njerëzit që përulen para meje; pasi në qoftë se ata përulen para meje dhe kanë besim tek unë, atëherë unë do të bëj që gjërat e dobëta, të bëhen të forta në ta” (Ethëri 12:27; shih edhe 1 Korintasve 15:42–44; 2 Korintasve 12:7–10; 2 Nefi 3:21; dhe Jakobi [LiM] 4:7).
Deduksionet e këtij shkrimi të shenjtë të njohur janë të thella dhe na ftojnë ta dallojmë mëkatin (të nxitur prej Satanit) nga dobësia (e përshkruar këtu si një gjendje “që na jepet” nga Perëndia).
Ne mund ta përkufizojmë dobësinë si kufizim në urtësinë, fuqinë dhe shenjtërinë tonë që vjen me të qenit njeri. Si njerëz të vdekshëm ne jemi lindur të pafuqi dhe të varur, me të meta fizike e prirje natyrore të ndryshme. Ne jemi rritur e rrethohemi nga njerëz të tjerë të vdekshëm e të dobët dhe mësimet, shembujt e sjelljet e tyre ndaj nesh janë të gabuara dhe ndonjëherë dëmtuese. Në gjendjen tonë të dobët, të vdekshme, ne vuajmë sëmundje fizike dhe emocionale, uri dhe lodhje. Ne përjetojmë emocione njerëzore si: zemërim, hidhërim dhe frikë. Ne na mungon urtësia, zotësia, aftësia për të duruar dhe forca. Dhe ne u nënshtrohemi tundimeve të shumë llojeve.
Ndonëse ishte pa mëkat, Jezu Krishti u bashkua me ne në mënyrë të plotë në gjendjen e dobësisë së vdekshme (shih 2 Korintasve 13:4). Ai u lind si një foshnjë e pafuqi në një trup të vdekshëm dhe u rrit nga kujdestarë të papërsosur. Atij iu desh të mësonte se si të ecte, të fliste, të punonte dhe të ishte në harmoni me të tjerët. Ai kishte uri dhe lodhej, ndiente emocione njerëzore dhe mund të sëmurej, vuante, mund t’i rridhte gjak dhe të vdiste. Ai “u tundua në të gjitha ashtu si ne, por pa mëkatuar”, duke ia nënshtruar Veten vdekshmërisë në mënyrë që të “mund t’i vijë keq për dobësitë tona” dhe të na ndihmojë për dobësitë ose mangësitë tona (Hebrenjve 4:15; shih edhe Alma 7:11–12).
Ne nuk mundet që thjesht të pendohemi për të qenit të dobët – as dobësia vetë nuk na bën të papastër. Ne nuk mund të rritemi shpirtërisht, përveçse nëse e flakim mëkatin, por ne gjithashtu nuk rritemi shpirtërisht, përveçse nëse e pranojmë gjendjen tonë të dobësisë njerëzore, i përgjigjemi asaj me përulësi e besim dhe mësojmë nëpërmjet dobësisë sonë që t’i mirëbesojmë Perëndisë. Kur Moroni u shqetësua rreth dobësisë në të shkruarin e tij, Perëndia nuk i tha që të pendohej. Përkundrazi, Zoti e mësoi të ishte i përulur dhe të kishte besim në Krisht. Kur jemi të bindur dhe besnikë, Perëndia na jep hir – jo falje – si kurë për dobësinë. Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta e përkufizon hirin si një fuqi aftësuese nga Perëndia për të bërë atë që nuk mund ta bëjmë vetë (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Hir”, f. 64–65) – kura e duhur e perëndishme me anë të së cilës Ai mund “të bëj[ë] që gjërat e dobëta, të bëhen të forta”.
Të Ushtrojmë Përulësi dhe Besim
Që herët në përvojën tonë në Kishë, neve na jepen mësim elementet thelbësore të pendimit, por saktësisht si e ushqejmë përulësinë dhe besimin? Merrni parasysh sa vijon:
Përsiatni dhe lutuni. Ngaqë jemi të dobët, ne mund të mos e dallojmë nëse kemi të bëjmë me mëkat (që kërkon një ndryshim të menjëhershëm e depërtues të mendjes, zemrës e sjelljes) apo me dobësi (që kërkon përpjekje të përulur, të vazhdueshme, mësim e përmirësim). Mënyra se si i shikojmë këto gjëra mund të varet nga mënyra si jemi rritur dhe pjekuria jonë. Mund të ketë madje elemente si të mëkatit edhe të dobësisë në një sjellje të vetme. Të thuash që një mëkat është në të vërtetë dobësi çon në arsyetim në vend që të çojë në pendesë. Të thuash që një dobësi është mëkat mund të çojë në turpërim, fajësim, dëshpërim dhe heqje dorë nga premtimet e Perëndisë. Përsiatja dhe lutja na ndihmojnë t’i bëjmë këto dallime.
Vendosni përparësitë. Ngaqë jemi të dobët, ne nuk mund ta bëjmë çdo ndryshim të nevojshëm gjithë njëherësh. Ndërsa ne përulësisht dhe besnikërisht përpiqemi ta mposhtim dobësinë tonë njerëzore duke u marrë me disa aspekte një e nga një, ne mundet gradualisht ta ulim paditurinë, t’i bëjmë zakon modelet e mira, ta zhvillojmë shëndetin tonë fizik dhe emocional e aftësinë tonë për të duruar dhe të forcojmë mirëbesimin tonë te Zoti. Perëndia mund të na ndihmojë të dimë se ku të fillojmë.
Planifikoni. Ngaqë jemi të dobët, të forcuarit do të kërkojë më tepër sesa një dëshirë të drejtë dhe shumë vetëdisiplinim. Ne gjithashtu duhet të planifikojmë, të mësojmë nga gabimet, të zhvillojmë strategji më të efektshme, të rishikojmë planet tona dhe të përpiqemi përsëri. Ne kemi nevojë për ndihmë nga shkrimet e shenjta, libra të përshtatshëm dhe njerëz të tjerë. Ne fillojmë nga pak, gëzohemi me përmirësimin dhe pranojmë rreziqe (edhe pse ato na bëjnë të ndihemi të cenueshëm dhe të dobët). Ne kemi nevojë për mbështetje që të na ndihmojë të bëjmë zgjedhje të mira edhe kur jemi të lodhur ose të shkurajuar dhe plane për t’u kthyer në udhën e duhur kur gabojmë.
Ushtroni durim. Ngaqë jemi të dobët, ndryshimi mund të kërkojë kohë. Ne nuk [mundet që] thjesht të heqim dorë nga dobësia jonë në të njëjtën mënyrë si heqim dorë nga mëkati. Dishepuj të përulur bëjnë me gatishmëri atë që u kërkohet, mësojnë përtëritjen, vazhdojnë të përpiqen dhe nuk dorëzohen. Përulësia na ndihmon të kemi durim me veten dhe të tjerët, të cilët janë gjithashtu të dobët. Durimi është shfaqje e besimit tonë në Zot, mirënjohje për besimin e Tij te ne dhe mirëbesim në premtimet e Tij.
Edhe kur pendohemi me sinqeritet për mëkatet tona, marrim falje dhe bëhemi përsëri të pastër, ne mbetemi të dobët. Ne ende i nënshtrohemi sëmundjes, emocionit, paditurisë, prirjeve natyrore, lodhjes dhe tundimit. Por kufizimet dhe mangësitë nuk janë mëkate dhe nuk na pengojnë që të jemi të pastër e të denjë për Shpirtin.
Dobësia në Forcë
Ndonëse Satani është i etur ta përdorë dobësinë tonë për të na nxitur që të mëkatojmë, Perëndia mund ta përdorë dobësinë njerëzore për të na mësuar, forcuar dhe bekuar. Sidoqoftë, në kundërshtim me atë që mund të presim ose shpresojmë, Perëndia jo gjithmonë “bë[n] që gjërat e dobëta, të bëhen të forta” në ne duke e hequr dobësinë tonë. Kur Apostulli Pal u lut vazhdimisht që Perëndia t’i hiqte një “gjëmb në mish” që Satani e përdorte për t’i rënë me grushta, Perëndia i tha: “Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi” (2 Korintasve 12:7, 9).
Ka shumë mënyra se si Zoti i bën “gjërat e dobëta, të bëhen të forta”. Ndonëse Ai mund ta heqë dobësinë nëpërmjet kurës së jashtëzakonshme për të cilën shpresojmë, nga përvoja ime vetjake kjo ndodh disi rrallë. Për shembull, nuk shoh asnjë provë që Perëndia e hoqi dobësinë e Moronit në të shkruar pas vargut të famshëm tek Ethëri 12. Perëndia gjithashtu mundet që gjërat e dobëta t’i bëjë të forta duke na ndihmuar të punojmë me dobësitë tona, të fitojmë një ndjenjë humori ose perspektivë të përshtatshme rreth tyre dhe të përmirësohemi gradualisht me kalimin e kohës lidhur me to. Gjithashtu, forcat dhe dobësitë shpesh janë të ndërlidhura (si p.sh. forca e këmbënguljes dhe dobësia e kokëfortësisë) dhe ne mund të mësojmë të vlerësojmë forcën dhe të zbutim dobësinë që e shoqëron atë.
Ka një mënyrë tjetër, edhe më të fuqishme, se si Perëndia gjërat e dobëta i bën të forta në ne. Zoti i thotë Moronit tek Ethëri 12:37: “Pasi ti ke parë dobësinë tënde, do të bëhesh i fortë, madje sa të ulesh në vendin që unë kam përgatitur në pallatet e Atit tim”.
Këtu Perëndia nuk po parashtron që të ndryshojë dobësinë e Moronit, por të ndryshojë Moronin. Duke u përpjekur ta mposhtte sfidën e dobësisë njerëzore, Moroni – dhe ne – mund të mësojmë dashurinë hyjnore, dhembshurinë, përulësinë, durimin, guximin, stoicizmin, urtësinë, forcën për të duruar, faljen, përtëritjen, mirënjohjen, krijimtarinë dhe një mori virtytesh të tjera që na bëjnë më të ngjashëm me Atin tonë në Qiell. Këto janë pikërisht tiparet për të cilat erdhëm në tokë që t’i mprihnim, cilësitë si të Krishtit që na përgatitin për pallatet atje lart.
Askund nuk është më e dukshme dashuria, urtësia dhe fuqia shëlbuese e Perëndisë sesa në aftësinë e Tij për ta kthyer luftën tonë me dobësinë njerëzore në virtytet e paçmueshme të perëndishme dhe forcat që na bëjnë më të ngjashëm me Të.