Këndoni Himnin Tuaj të Parapëlqyer
Anxhela Olsen Sentër, Ohajo, SHBA
Unë sapo kisha lindur bijën tonë, Rebekën. Dhimbjet e lindjes kishin qenë të forta dhe unë isha e rraskapitur.
Kur ma vendosën Rebekën në krahë, unë pata ndjenjën e papërmbajtshme që duhet të këndoja himnin tim të parapëlqyer “Fëmi i Per’ndis’ Jam” (Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 58). Reagimi im fillestar ishte: “Jo, jam tepër e lodhur. Do t’ia këndoj më vonë asaj.” Por atëherë mendimi erdhi sërish. Kështu që, megjithëse isha e rraskapitur, fillova të këndoja strofën e parë. Bashkëshorti dhe nëna ime m’u bashkuan.
Kur e mbaruam këngën, ndjeva një emocion të veçantë në dhomë. Edhe doktoreshës, e cila deri në atë pikë kishte qenë profesionale dhe disi e ftohtë, i rrodhën lot nëpër faqe. Ajo na falënderoi që kënduam një këngë kaq të bukur. Ajo tha se në të gjitha vitet që kishte ndihmuar në lindjen e foshnjave, kurrë nuk ishte ndier siç ndihej në atë çast.
Unë reflektova për atë përvojë dhe pyeta veten nëse duhet të gjeja një regjistrim të himnit dhe t’ia jepja asaj. Fatkeqësisht, fillova të ngarkohesha me jetën dhe e harrova atë.
Pastaj erdhi dita për kontrollin tim të paslindjes. Ndërsa doktoresha hyri në dhomë, iu ndriçua fytyra dhe më dha një përqafim. Ajo tha se nuk kishte qenë në gjendje ta hiqte nga mendja këngën dhe madje ishte përpjekur të gjente muzikën në internet në mënyrë që të mund t’ia këndonte familjes së saj. Atëherë ndodhi që Fryma e Shenjtë më kujtoi se duhet të kisha marrë një kopje të muzikës për të. I premtova se brenda javës do të kthehesha me muzikën.
Atë natë u luta për ndihmë që të gjeja aranzhimin e këngës që do të ishte më i miri për të. Pasditen tjetër porosita një disk që përmbante këngën. Kur erdhi me postën pas disa ditësh, mezi po prisja t’ia jepja.
Ajo qe e emocionuar ta merrte dhe më falënderoi për dhuratën. Ajo më tha se nuk ishte e sigurt për arsyen, por për të ishte shumë e rëndësishme që këtë këngë t’ia tregonte familjes së saj. Ndërsa vazhduam të flisnim, i shpreha asaj jo vetëm dashurinë time për këngën, por edhe dëshminë time për të vërtetat e thjeshta që ajo na mëson.
Kur po kthehesha në shtëpi atë ditë, ndjeva dashurinë e Atit tonë Qiellor për një prej bijave të Tij – doktoreshën time. Ai e njeh dhe e do atë dhe dëshiron që ajo të kuptojë se edhe ajo mund të kthehet të jetojë me Të përsëri.