2015
Shpirti më Pëshpëriti Mua
Prill 2015


Shpirti më Pëshpëriti Mua

Kristina Albreht Erhart, Uashington, SHBA

drawing of boys running

Ilustrimet nga Bradley H. Clark

“Hej, çuna! Kthehuni!” bërtiti një zë tejet i shqetësuar.

U ktheva dhe vura re dy djem, rreth pesë dhe shtatë vjeç, duke vrapuar përmes vendparkimit të dyqanit me lot që u rridhnin nëpër faqe. Shitësi dukej i merakosur ndërsa u thërriste atyre.

Teksa po kthehesha për nga makina ime, Shpirti pëshpëriti: “Mund të jesh e dobishme këtu”. Pëshpëritja ishte e qetë, sidoqoftë kaq e qartë sa një çast më vonë po vrapoja përmes vendparkimit drejt djemve.

E gjeta më të madhin duke qëndruar pranë një furgoni të vogël ngjyrë kafe. U qasa dhe u gjunjëzova krah tij.

“Ç’kemi. Emri im është Kristina. A je mirë?”

Pas fjalëve të mia, ai qau edhe më fort dhe e mbuloi fytyrën me krah. Shitësi dhe djali tjetër na u bashkuan.

“Mendoj që flasin vetëm frëngjisht”, më tha shitësi. “Ne sapo i gjetëm duke vrapuar nëpër dyqan, të humbur.”

E përsërita prezantimin tim me fëmijët në frëngjisht. Gjuha frënge ishte gjuha ime amtare, por nuk e kisha folur që kur isha birësuar në një familje anglishtfolëse kur isha fëmijë e vogël. Zakonisht, frëngjishtja ime është e dobët. Megjithatë, në atë çast, nuk isha as e ngathët, as e ngadaltë në të folur. Fjalët ishin të qarta në mendjen time dhe zëri im ndërsa ngushëlloja djemtë.

Mes dënesash, djali më i madh shpjegoi me një lumë të vrullshëm fjalësh se ai dhe i vëllai nuk mund t’i gjenin prindërit e tyre askund në dyqan dhe kishin vrapuar jashtë duke i kërkuar. Ndërsa e dëgjoja, u bëra turbull e vetëdijshme për atë se sa e mrekullueshme ishte që jo vetëm po flisja me lehtësi frëngjisht, por po i kuptoja e ngushëlloja pa vështirësi dy fëmijët e trembur.

“Kanë humbur prindërit dhe dëshirojnë t’i presin te makina e tyre”, i thashë shitësit. Djali i vogël më tha emrat e prindërve të tij, të cilat ia dhashë shitësit, në mënyrë që ai të mund t’i lokalizonte me altoparlantin e dyqanit. Pak minuta më vonë, djali pikasi të atin duke dalë nga dyqani dhe vrapoi ta takonte.

Ndërsa e ndoqa djalin për tek i ati, zbulova se nuk mundesha më as të thosha mirupafshim në frëngjisht. U përpoqa më kot të thosha ndonjë gjë që djemtë të mund ta kuptonin, por nuk mund të thosha asgjë më shumë sesa pak fjalë aty-këtu. Më në fund, iu ktheva anglishtes, duke i thënë djalit: “Mirupafshim. Ishte kënaqësi që u takuam.”

Teksa i lashë djemtë me prindërit e tyre, unë isha plot mirënjohje. Ati Qiellor kishte vepruar nëpërmjet meje për të lehtësuar dy prej të vegjëlve të Tij. U ndjeva e përulur që Zoti mundi të lartësonte aftësitë e mia të kufizuara për të përmbushur qëllimet e Tij. Isha mirënjohëse që dëshmova atë që mund të ndodhë ndërsa ia përkushtojmë veten Atij kur thirremi, edhe në situatat më të pagjasa.