2015
Hapësira Jonë
Prill 2015


Hapësira Jonë

Zjarrfikësit dhe Armatimi i Perëndisë

illustration of firefighters

Ilustrime nga Julia Yellow

Ishte një ditë e qetë në punën time si zjarrfikës vullnetar, kështu që vendosa të lexoja Librin e Mormonit. Kur një nga shokët e punës më pa duke lexuar, ai më pyeti nëse e dija mënyrën se si mund të veshim armatimin e Perëndisë në kohët e sotme. Ndërsa po flisnim, u dha sinjali i alarmit. Kishte rënë zjarr në një dyqan aty afër.

Shpejt veshëm pajimet tona të zjarrfikësit dhe shkuam drejt e atje. Flakët ishin vigane dhe, kur iu qasëm dyqanit, diçka shpërtheu drejt nesh. Na përfshinë flakët. Shpërthimi më çorientoi mua dhe shokun tim të punës për pak sekonda. Por falë pajisjes sonë dhe veshjes sonë mbrojtëse, nuk pësuam asnjë dëm.

Kur u kthyem në stacionin zjarrfikës pasi fikëm zjarrin, e pyeta shokun tim të punës nëse i kujtohej pyetja e tij për armatimin e Perëndisë. Ai tha se i kujtohej dhe unë shpjegova se armatimi i Perëndisë është njësoj si pajimet tona mbrojtëse të zjarrfikësit. Ne duhet t’i mbajmë gjithnjë veshur në mënyrë që të mund t’u bëjmë ballë sulmeve të kundërshtarit. Nëse i mbajmë urdhërimet, ne do të bekohemi me fuqinë mbrojtëse të armatimit të Perëndisë dhe Fryma e Shenjtë do të jetë udhërrëfyesi ynë.

Fernando de la Rosa Marron, Meksikë

Shkrimi Im i Shenjtë i Parapëlqyer

1 Samuelit 16:7. “Zoti nuk shikon si shikon njeriu, njeriu shikon pamjen, kurse Zoti shikon zemrën.”

Përpara se të bashkohesha me Kishën, përherë e kisha parë veten si një person të zakonshëm me aftësi të zakonshme. Ndieja se nuk kisha asgjë me vlerë për të dhënë. Kisha frikë t’u tregoja njerëzve se cila isha për shkak të frikës se mos nuk pranohesha dhe lëndohesha. Mendoja se gjithsecili rreth meje ishte më i fortë, më i zgjuar dhe më i mirë se unë.

Por të gjitha këto pikëpamje ndryshuan kur u bëra anëtare e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Unë mësova se ne jemi të gjithë fëmijë të Perëndisë dhe ne trashëguam cilësi hyjnore. Tani e kuptoj se nuk ka asnjë garë për atë se cili është më i zgjuar, më i pasur ose më tërheqës. Në sytë e Zotit, ne jemi të gjithë të barabartë dhe Ai është ai që gjykon – jo në bazë të tipareve tona fizike, por sipas bindjes dhe dëshirës sonë për të ndjekur shtegun që Ai ka vendosur.

Xhoun Azusena, Filipinet

A do të Punoni të Dielën?

illustration of men loading a truck

Ilustrime nga Julia Yellow

Kur isha 15 vjeç, fitova një dëshmi të fortë për ungjillin e Jezu Krishtit dhe isha kaq i lumtur që u bashkova me Kishën. Në atë kohë, po punoja për të ndihmuar në mbajtjen e familjes sime. Megjithatë, jo shumë kohë pasi u pagëzova, e humba punën.

Duhej të gjeja shpejt një punë të re pasi familja varej nga unë, por çdo punë për të cilën aplikova, kërkonte që të punoja të dielave. Refuzova shumë oferta pune pasi e dija se duhet të isha në kishë të dielave (shih DeB 59:9–10).

Pas dy muajsh kërkimi, ende nuk kisha gjetur punë. Nëna ime nuk ishte anëtare e Kishës dhe ndonëse besonte në Perëndi, ishte shumë e zemëruar që po lija të iknin kaq shumë punë.

Një natë, më pa me lot në sy dhe pyeti: “Përse po e lejon Perëndia që kjo të na ndodhë kur je kaq besnik në bërjen e asaj që është e drejtë?”

Unë u përgjigja: “Nënë, unë nuk e di arsyen përse kjo po na ndodh, por e di vërtet se po bëj gjënë e duhur dhe e di se Perëndia do të na bekojë për atë”.

Mëngjesin tjetër një person më ofroi një shumë të madhe parash për të punuar dy ditë duke lëvizur disa ngarkesa të rënda nga njëra shtëpi tek tjetra. Puna qe e rëndë por, kur mora paratë, shkova drejt e në shtëpi dhe bëra një lutje mirënjohjeje. Shpejt gjeta një punë të mirë që më lejonte t’i merrja pushim të dielat dhe që atëherë nuk kam qenë i papunë.

Jam i lumtur që zgjodha ta mbaja të shenjtë ditën e Shabatit. Ka shumë sfida në jetë, por e di se nëse, pavarësisht nga ato sfida, përpiqemi të jemi të fortë, Zoti do të na bekojë.

Sahil Sherma, Indi