2015
Mbrëmja Familjare – Ju Mund ta Bëni atë!
Prill 2015


Shtëpitë Tona, Familjet Tona

Mbrëmja Familjare – TI MUND TA BËSH!

Pavarësisht se si është familja juaj, mbrëmja familjare mund t’ju bekojë e t’ju forcojë.

composite of older photo and paint brushes with paint on them.

Fotografitë historike me mirësinë e Universitetit “Brigam Jang”; fotografi e një pikture nga iStock/Thinkstock

Një baba vjen në shtëpi i lodhur pas një dite të gjatë pune dhe e gjen pjesën tjetër të familjes duke u munduar nga ndjenja të ngjashme idhnake. Është mbrëmja e së hënës dhe mbajtja e një mbrëmjeje familjare duket e pamundur. Pasi bën një lutje për ndihmë, babai dhe nëna vendosin t’i bëjnë gjërat sa më të thjeshta. Ata i bëjnë thirrje familjes të mblidhet, këndojnë një himn dhe luten së bashku. Ata i japin çdo pjesëtari një qiri të vogël për ta ndezur teksa ata tregojnë rreth diçkaje që i frymëzoi kohët e fundit. Në një dhomë të errët, drita e qirinjve përfaqëson frymëzimin dhe e përqendron vëmendjen e fëmijëve. Teksa jepen dëshmitë, një ndjenjë e ëmbël paqeje dhe dashurie hyn në shtëpi. Familja e përfundon natën mirënjohëse që e mbajti mbrëmjen familjare.

A e dinit se mbrëmja familjare ka qenë program i Kishës për 100 vjet? Në prill 1915, Presidenca e Parë i drejtoi anëtarët që të linin mënjanë një natë çdo javë për lutje familjare, muzikë, nxënie ungjilli, histori dhe veprimtari. (Shih faqen 80 për një fragment nga letra e Presidencës së Parë.) Profetët vazhdojnë të na e kujtojnë rëndësinë e mbrëmjes familjare. “Ne nuk mund t’ia lejojmë vetes ta shpërfillim këtë program të frymëzuar nga qielli”, tha Presidenti Tomas S. Monson. “Ai mund t’i sjellë rritje shpirtërore çdo pjesëtari të familjes, duke e ndihmuar atë t’iu bëjë ballë tundimeve që janë kudo.”1

Këtu janë disa qëndrime për t’u mbajtur në mendje teksa e bëni mbrëmjen familjare pjesë të javës suaj:

Kjo gjen zbatim për mua. “Mbrëmjet familjare janë për gjithsecilin”, tha Plaku L. Tom Peri, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.2 Të gjithë ne – të martuar apo beqarë, me ose pa fëmijë – mund t’i kushtojmë kohë forcimit të familjes dhe të mësuarit të ungjillit.

Unë mund ta gjej kohën. Kisha jep shembull duke i lënë mbrëmjet e së hënës të lira nga veprimtaritë e Kishës. Ju mund t’i tregoni Zotit dhe familjes suaj se jeni të gatshëm të lini kohë mënjanë për atë që është me më shumë rëndësi.

Unë mund ta gjej se çfarë hyn në punë për familjen time. Nëse familja juaj është e ndarë gjeografikisht, provoni një “mbrëmje familjare në internet” për të folur me pjesëtarët e familjes në internet ose nëpërmjet telefonit. Dikujt i duhet të punojë deri vonë? Mbani një “mbrëmje familjare në park” pranë vendit të punës gjatë një pushimi. Një baba i divorcuar mbante një “mbrëmje familjare me letra” çdo të hënë, duke u shkruar fëmijëve të tij që jetonin shumë larg.3 Lërini pengesat të jenë një katalizator për krijueshmëri më të madhe.

Unë mund ta filloj këtë javë. Mbrëmja familjare mund të organizohet sipas nevojave dhe rrethanave të shtëpisë suaj. Këtu janë disa sugjerime të përgjithshme:

  • Fillojeni dhe përfundojeni me lutje.

  • Përdorni muzikë, përfshirë himne dhe këngë të Fillores.

  • Mësoni nga shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve bashkëkohorë.

  • Përfshini një larmi veprimtarish fizike, projektesh shërbimi dhe veprimtari të përqendruara tek ungjilli nga java në javë.

  • Argëtohuni! Luani një lojë ose bëni gostitje.

  • Jini të qëndrueshëm. Nëse nuk mund ta bëni të hënën, gjeni një ditë tjetër që funksionon.

Unë i dua bekimet. Profetët kanë premtuar se, nëse marrim pjesë në një mbrëmje familjare, bekime të mëdha do të rrjedhin: Dashuria dhe bindja në shtëpi do të shtohen. Besimi do të zhvillohet në zemrat e fëmijëve. Familjet “do të fitojnë fuqi për t’i luftuar ndikimet e këqija dhe tundimet” që i rrethojnë.4

Ndërkohë që mbrëmjet tuaja familjare mund të mos jenë përvoja të përsosura çdo herë, familja juaj do të forcohet dhe bekohet nga përpjekjet tuaja. “Secila mbrëmje familjare në shtëpi është një gjurmë peneli në telajon e shpirtit tonë”, dha mësim Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. “As edhe një ndodhì nuk duket të jetë shumë mbresëlënëse apo e paharrueshme. Por ashtu si gjurmët e … bojës, plotësojnë njëra-tjetrën dhe japin një kryevepër mbresëlënëse, po ashtu konsekuenca jonë në kryerjen e gjërave në dukje të vogla mund të çojë në rezultate shpirtërore të rëndësishme.”5

Shënime

  1. Thomas S. Monson, “Constant Truths for Changing Times”, Liahona, maj 2005, f. 19.

  2. L. Tom Perry, “Therefore I Was Taught”, Ensign, maj 1994, f. 38.

  3. “Family Home Evening: Any Size, Any Situation”, Ensign, dhjetor 2001, f. 42.

  4. First Presidency, në James R. Clark, përpil., Messages of the First Presidency of The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints, 6 vëll. (1965–1975), 4:339.

  5. Dejvid A. Bednar, “Më të Zellshëm dhe më të Përfshirë në Shtëpi”, Liahona, nëntor 2009, f. 20.