2015
Ndikimi Shpirtëror i Grave
Prill 2015


Ndikimi Shpirtëror i Grave

Autorja jeton në Juta, SHBA.

A e rrokim fuqinë e forcës tonë shpirtërore?

drawing of women with their arms around each other

BIJA TË HYJNISË, Kathleen Peterson, NUK LEJOHET KOPJIMI

Shumë gra të mrekullueshme, të përulura në Kishë japin shërbim të përkushtuar pa e kuptuar ndikimin gjithëpërfshirës që ka jeta e tyre – si shembuj të shërbimit tokësor, por edhe si trashëgimi të forcës shpirtërore. Një grua e tillë është gjyshja ime, Sheri Pitersen. Ajo ka shërbyer me besnikëri në thirrje të heshtura gjithë jetën e saj. Nëse do ta pyesnit, ajo do të pohonte se nuk ka shumë talente për t’i dhënë botës. Mirëpo, ndërsa kam filluar të mësoj për jetën e saj, unë kam kuptuar pikërisht se sa shumë forca e saj shpirtërore ka ndikuar në jetën time.

Prindërit e Sherit reshtën së frekuentuari kishën dhe u ndanë kur ajo ishte ende shumë e re, kështu që ajo u rrit me të ëmën, Florencën, e cila ishte përherë në punë. Florenca [vetë] ishte lënë edhe më shumë pas dore kur ishte fëmijë, meqë qe rritur në një shkollë me konvikt ndërsa e ëma, Xhorxhia, bëri një jetë të kësaj bote. Pavarësisht nga vështirësitë gjatë rritjes së vet, Sheri qëndroi aktive në ungjill, duke e frekuentuar kishën me familjen e stërgjyshes së saj, Elizabetës, ose me miq. Ajo pa në familjet e tyre atë që ajo dëshironte të kishte në familjen e saj. Ajo nuk e dinte saktësisht se si duhej të ishte një familje, por ajo e dinte atë çfarë nuk duhet të ishte dhe ajo qe e vendosur të bënte që familja e saj e ardhshme të ishte ndryshe.

Bashkëshorti i Sherit – gjyshi im, Delli – njëherë më tha: “Që të kesh një dëshmi duhet ta dëshirosh atë. Sheri gjithmonë dëshironte një dëshmi.” Ndonëse vitet e tyre të para të martesës ishin të ngarkuara me mundime, ata ishin të vendosur të qëndronin të fortë si familje. Ata ishin më pak aktivë gjatë vitit të parë të martesës së tyre për shkak të orarit të punës së Dellit, por një thirrje për të shërbyer në Fillore e nxiti Sherin që të fillonte të merrte pjesë dhe Delli shpejt iu bashkua asaj në kishë si këshillues i kuorumit të dhjakëve. Që nga ajo kohë, ata kanë qenë të dy aktivë dhe të fortë në Kishë. Gatishmëria e Sherit për të shërbyer dhe vendosmëria e saj për të rritur një familje të fortë e ndihmoi mamanë time të bëhej ajo gruaja e fortë siç [dhe] është; dhe shembulli i nënës sime ka ndihmuar duke ndikuar në jetën time, veçanërisht ndërsa unë tani nis vetë familjen time.

Si gra ne mund të kemi një ndikim të thellë shpirtëror në jetën e njerëzve përreth nesh. Me të vërtetë, Jozef Smithi dha mësim se roli ynë “nuk është vetëm për të ndihmuar të varfrit, por për të shpëtuar shpirtra”1. Jezu Krishti i ka thirrur gratë e Kishës së Tij që të jenë dishepullet e Tij dhe që të jenë të forta shpirtërisht. Forca dhe ndikimi ynë shpirtëror janë jetësorë në përparimin e punës për shpëtim dhe ne duhet të kërkojmë mundësi për t’i forcuar shpirtërisht njerëzit përreth nesh. Kur e bëjmë këtë, ndikimi i besimit dhe i drejtësisë sonë do të vazhdojë mjaft përtej asaj që ne mund të kuptojmë.

Të Thirrura për të Qenë Dishepulle

Plaku Xhejms E. Talmixh (1862–1933), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shkroi: “Mbështetësi më i madh botëror i grave dhe i të qenit grua është Jezusi, Krishti”2. Mendoni, për shembull, për atë që Ai u mësoi dy prej dishepulleve të Tij femra në Dhiatën e Re, dy motrave Maria dhe Marta. Libri Daughters in My Kingdom [Bija në Mbretërinë Time] shpjegon: “Lluka 10 përmban një rrëfim të Martës tek e hap shtëpinë e saj për Jezusin. Ajo i shërbeu Zotit duke u kujdesur për nevojat e Tij fizike dhe Maria u ul te këmbët e Mësuesit dhe përvetësonte mësimet e Tij.

Në një epokë kur nga gratë pritej përgjithësisht të jepnin vetëm shërbim tokësor, Shpëtimtari i mësoi Martës dhe Maries se edhe gratë mund të merrnin pjesë shpirtërisht në punën e Tij. Ai i ftoi ato të bëheshin dishepullet e Tij dhe të merrnin nga shpëtimi ‘pjesën më të mirë’ që nuk do t’u hiqej kurrë atyre.”3

Ashtu si Marta, ndonjëherë ne biem në gabimin e të menduarit se roli kryesor i grave është që të japin shërbim tokësor, të tillë si të sigurojnë vakte, të qepin dhe të pastrojnë për të tjerët. Ky shërbim është një sakrificë e çmuar dhe e shtrenjtë; sidoqoftë, më tepër sesa ka nevojë për motra që mund të qepin e të gatuajnë, Zoti ka nevojë për gra me fuqi shpirtërore, besimi, drejtësia dhe mirëdashja e të cilave ndriçon dukshëm në jetën e tyre. Ai e di se secila prej nesh ka kaq shumë për të dhënë. Jezu Krishti na thërret të gjithave ne që të kalitim forcën dhe aftësinë tonë shpirtërore për të marrë zbulesë e për të vepruar në përputhje me të që të ndihmojmë për çuarjen përpara të veprës së Tij. Linda K. Barton, presidente e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, u tha motrave: “Ju jeni dërguar në tokë në këtë periudhë ungjillore për shkak të njeriut që jeni dhe për atë që jeni përgatitur të bëni! Pavarësisht nga ajo që Satani do të përpiqet të na bëjë të mendojmë rreth asaj se cilat jemi, identiteti ynë i vërtetë është ai i një dishepulle të Jezu Krishtit!”4

Drawing of Jesus with Mary and Martha

Zoti na njeh ne dhe rrethanat tona dhe Ai ka një punë për secilën prej nesh që ta bëjmë në këtë tokë. Asnjë motër nuk di tepër pak ose ka tepër pak talente për të qenë një forcë shpirtërore për mirë dhe për t’i sjellë të tjerët te Krishti. Me këtë potencial hyjnor ne kemi përgjegjësinë për t’u bërë udhëheqëse shpirtërore në shtëpitë dhe komunitetet tona. Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpalli: “Çdo motër në këtë Kishë, që ka bërë besëlidhje me Zotin, ka një urdhërim hyjnor që të ndihmojë për të shpëtuar shpirtra, që të udhëheqë gratë e botës, që të forcojë shtëpitë e Sionit dhe që të ndërtojë mbretërinë e Perëndisë”5.

Ne nuk duhet të jemi në pozicione të larta ose të bëjmë gjëra të jashtëzakonshme për t’i ndihmuar njerëzit përreth nesh që të bëjnë zgjedhje që do t’i çojnë ata më pranë Jezu Krishtit – gjë që është detyra jonë më e rëndësishme. Si gjërat më të mëdha edhe ato më të voglat që bëjmë në jetën e një apo dy njerëzve, edhe thjesht brenda vetë familjes sonë, mund të kenë një efekt të thellë.

Gra në Punën e Shpëtimit

Një himn i shtrenjtë pohon: “Dhe puna e engjëjve u jepet grave; Kjo ësht’ dhurata që ne motrat kemi”6. Ne kemi shumë për të dhënë në jetën e atyre që duam. Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ka treguar histori për mënyrën se si forca shpirtërore e dy grave ndikoi në jetën e tij:

“Kur isha fëmijë i vogël, babai im nuk ishte anëtar i Kishës dhe mamaja ime ishte bërë më pak aktive. … Disa muaj pas ditëlindjes sime të tetë, Gjyshe Uitëlli udhëtoi përmes të gjithë vendit për të na vizituar. Gjyshja ishte e shqetësuar se as unë, as vëllai im më i madh, nuk ishim pagëzuar. Nuk e di se çfarë u tha ajo prindërve të mi për këtë, por e di vërtet se një mëngjes ajo na çoi në një park vëllanë tim dhe mua dhe na tregoi ndjenjat e saj mbi rëndësinë e të qenit të pagëzuar dhe të pjesëmarrjes rregullisht në mbledhjet e Kishës. Nuk i mbaj mend hollësitë e asaj që tha ajo, por fjalët e saj prekën diçka në zemrën time dhe shpejt vëllai im dhe unë u pagëzuam. …

Gjyshja përdori pikërisht sasinë e duhur të guximit dhe respektit për ta ndihmuar babanë tonë të kuptonte sa e rëndësishme ishte të na çonte në kishë me makinë për mbledhjet tona. Në çdo mënyrë të përshtatshme, ajo na ndihmoi të ndienim një nevojë për ungjillin në jetën tonë.”7

Një tjetër burim force shpirtërore ishte gruaja e Plakut Skot, Xhenina. Kur po dilnin në takime, ata filluan të bisedonin rreth të ardhmes. Xhenina, e cila ishte rritur në një shtëpi të fortë misionare, shprehu dëshirën e saj për t’u martuar në tempull me një misionar të kthyer. Plaku Skot, i cili më përpara nuk kishte menduar seriozisht për të shërbyer në një mision, u ndikua fuqimisht. “Shkova në shtëpi dhe nuk mund të mendoja për asgjë tjetër. Ndenja zgjuar gjithë natën. … Pas shumë lutjesh, mora vendimin të takohesha me peshkopin tim dhe të filloja aplikimin tim për misionar.”8 Ndonëse Xhenina i dha atij udhërrëfimin dhe nxitjen për të cilën kishte nevojë, Plaku Skot tha: “Xhenina nuk më kërkoi asnjëherë që të shërbeja një mision për të. Ajo më donte mjaftueshëm sa të më tregonte bindjen e saj dhe pastaj më dha mundësinë të zgjidhja drejtimin e vetë jetës sime. Ne të dy shërbyem në misione dhe më vonë u vulosëm në tempull. Guximi dhe zotimi i Xheninës ndaj besimit të saj kanë sjellë gjithë ndryshimin në jetën tonë së bashku. Jam i sigurt se nuk do ta kishim gjetur lumturinë që gëzojmë, pa besimin e saj të fortë në parimin e shërbimit ndaj Zotit së pari. Ajo është një shembull i mrekullueshëm, i drejtë!”9

Ishte ndikimi shpirtëror i këtyre grave në jetën e tij që ndihmoi vetëm një të ri – Plakun Skot – të merrte disa nga vendimet më të rëndësishme në jetën e tij: të pagëzohej, të shërbente në një mision dhe të martohej në tempull.

Ne mund t’i ndihmojmë të tjerët të kenë dëshirë për të bërë zgjedhje të mira nëpërmjet shembullit, veprimeve, fjalëve dhe drejtësisë sonë vetjake. Motra Karol M. Stivens, këshilltare e parë në presidencën e përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, shpall: “Ne jemi bija të besëlidhjes në mbretërinë e Zotit, dhe ne kemi mundësinë të jemi mjete në duart e Tij. … [Ne] marrim pjesë në punën e shpëtimit çdo ditë në mënyra të vogla e të thjeshta – duke u kujdesur, duke e forcuar dhe mësuar njëra-tjetrën.”10 Kur mbështetemi te Shpirti dhe shkojmë përpara me përpjekje të sinqerta e të përulura për t’i ndihmuar njerëzit përreth nesh që t’i afrohen më shumë Krishtit, ne do të udhëhiqemi në atë që mund të bëjmë e do të na jepet forcë për ta bërë atë dhe ne do të ndiejmë gëzimin e sjelljes së fëmijëve të Zotit tek Ai.

drawing of a mother and baby

Të Bëhemi një Ndikim Shpirtëror

Duke e ditur përgjegjësinë tonë, ne, ashtu si dishepujt e lashtë, mund të pyesim: “Ç’duhet të bëjmë” (Veprat e Apostujve 2:37) që të jemi një ndikim shpirtëror? Në një konferencë të përgjithshme të kohëve të fundit, Motra Barton i ftoi motrat të përfytyronin “disa nga afishet e mundshme shpirtërore që shënojnë ‘kërkohet ndihmë’, të lidhura me punën për shpëtim:

  • Kërkohet ndihmë: prindër që t’i rritin fëmijët e tyre në dritë e të vërtetë

  • Kërkohet ndihmë: bija … , motra … , emta … , kushërira, … gjyshe dhe mi[kesha] të vërtet[a] për të shërbyer si këshillues[e] dhe për të dhënë një dorë ndihme nëpër shtegun e besëlidhjes

  • Kërkohet ndihmë: ata që i dëgjojnë nxitjet e Frymës së Shenjtë dhe veprojnë sipas përshtypjeve që marrin

  • Kërkohet ndihmë: ata që e jetojnë ungjillin përditë në mënyra të vogla e të thjeshta

  • Kërkohet ndihmë: punonjës të historisë familjare dhe punonjës tempulli për t’i lidhur familjet në përjetësi

  • Kërkohet ndihmë: misionarë dhe anëtarë për të përhapur ‘lajmin e mirë’ – ungjillin e Jezu Krishtit

  • Kërkohet ndihmë: shpëtues për të gjetur ata që e kanë humbur udhën e tyre

  • Kërkohet ndihmë: mbajtës të besëlidhjeve që të qëndrojnë të palëkundur për të vërtetën dhe drejtësinë

  • Kërkohet ndihmë: dishepuj të vërtetë të Zotit Jezu Krisht.”11

Këto nuk janë gjëra të reja por, kur ne kërkojmë mundësi për të marrë pjesë në punën për shpëtim, ne do ta përmirësojmë aftësinë tonë për t’i ndihmuar njerëzit përreth nesh. Plaku Ballard tha: “Nuk ka gjë në këtë botë aq vetjake, aq edukuese, apo aq jetëndryshuese sa ndikimi i një gruaje të drejtë”12. Ndërsa e kalitim fuqinë tonë shpirtërore nëpërmjet lutjes dhe studimit vetjak të shkrimeve të shenjta, bindjes së paepur dhe mbajtjes me besnikëri të besëlidhjeve tona, ne do të arrijmë të jemi ai ndikim.

Përtej Asaj që Mund të Kuptojmë

Presidenti Brigam Jang (1801–1877) tha: “A mund ta merrni me mend totalin e të mirave që nënat dhe bijat në Izrael janë në gjendje të bëjnë? Jo, është e pamundur. Dhe të mirat që ato do të bëjnë, do t’i shoqërojnë ato në gjithë përjetësinë.”13

Vendimet e drejta të gjyshes sime kanë ndikuar në brezat e familjes së saj përtej asaj që ajo mund të kuptonte kur ishte e re. Mirëpo, ndikimi shpirtëror i grave në familjen time shtrihet edhe më tej në të shkuarën. Sheri mori një sasi të madhe force vetjake shpirtërore nga të vëzhguarit e stërgjyshes së saj (stër-katragjyshes sime), Elizabetës. Shembulli i besimit dhe i dëshmisë së Elizabetës pati ndikim përtej dy brezash të ardhshëm joaktivë në Kishë duke ndihmuar stërmbesën e saj, Sherin, të ndryshonte një prirje për familje të ndara dhe të kthehej në Kishë.

Ndërsa bëhemi një forcë shpirtërore për njerëzit përreth nesh, ndikimi ynë do të shtrihet përtej asaj që mund të kuptojmë. Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008) tha: “Ne do t’i thërrasim gratë e Kishës që të qëndrojnë të bashkuara për drejtësinë. Ato duhet të fillojnë [me të] në vetë shtëpitë e tyre. Ato mund ta japin mësim atë në klasat e tyre. Ato mund të bëhen zëri i saj në klasat e tyre. …

Unë e shoh këtë si të vetmin burim shprese të shndritshme në një botë që po marshon drejt vetëshkatërrimit.”14

Kur e plotësojmë këtë urdhër, punës së Zotit do t’i jepet shtysë përpara si në botën përreth nesh dhe, më e rëndësishmja, në familjet tona dhe në jetën e njerëzve që duam.

Old photo of three women

Shënime

  1. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2007), f. 483.

  2. James E. Talmage, Jesus the Christ, bot. i 3-të (1916), f. 475.

  3. Daughters in My Kingdom: The History and Work of Relief Society (2011), f. 3–4.

  4. Linda K. Barton, “Kërkohen: Duar dhe Zemra për Përshpejtimin e Punës”, Liahona, maj 2014, f. 123.

  5. M. Russell Ballard, “Women of Righteousness”, Ensign, prill 2002, f. 70.

  6. “As Sisters in Zion”, Hymns, nr. 309.

  7. Riçard G. Skot, “Ju Kam Dhënë Shembullin”, Liahona, maj 2014, f. 32.

  8. Riçard G. Skot, “Ju Kam Dhënë Shembullin”, f. 33.

  9. Riçard G. Skot, “Ju Kam Dhënë Shembullin”, f. 33.

  10. Karol M. Stivens, “Kemi Arsye të Madhe për t’u Gëzuar”, Liahona, nëntor 2013, f. 117.

  11. Linda K. Barton, “Kërkohen: Duar dhe Zemra për Përshpejtimin e Punës”, f. 124.

  12. M. Rasëll Ballard, “Nëna dhe Bija”, Liahona, maj 2010, f. 18.

  13. Discourses of Brigham Young, përzgj. John A. Widtsoe (1954), f. 216.

  14. Gordon B. Hinckley, “Standing Strong and Immovable”, Worldwide Leadership Training Meeting, 10 janar 2004, f. 20.