2015
Si mund të ndihem mjaftueshëm i qetë për të folur me peshkopin tim rreth problemeve ose shqetësimeve?
Prill 2015


Pyetje & Përgjigje

“Si mund të ndihem mjaftueshëm i qetë për të folur me peshkopin tim rreth problemeve ose shqetësimeve?”

Ju mund të ndiheni të tensionuar për t’i folur peshkopit tuaj rreth gjërave me të cilat po ndesheni, dhe kjo është normale. Ne shpesh tensionohemi përpara përvojave të reja ose përpara se të flasim me një të rritur.

Por peshkopi juaj është thirrur nga Perëndia. Ai është thirrur ngaqë ai është një dishepull i zotuar i Jezu Krishtit. Ai do të bëjë gjithçka të mundshme për të qenë i përzemërt dhe i kuptueshëm. Qëllimi i tij është që t’ju ndihmojë të vini te Shpëtimtari në mënyrë që të mund të gjeni paqe. Fillimisht, ju mund të ndiheni të turpëruar për t’i folur për pyetjet ose mëkatet tuaja, por ai nuk do të ketë një opinion më të keq për ju. Në fakt, ai do të jetë i gëzuar që ju keni dëshirë të përmirësoheni. Dhe ai do të ruajë fshehtësinë e bisedave tuaja.

Ju nuk duhet t’i mbartni të vetëm barrët tuaja. Peshkopi juaj mund t’ju ndihmojë të gjeni përgjigje për pyetjet tuaja dhe, nëse është e nevojshme, mund t’ju ndihmojë të pendoheni e të mposhtni, nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit, ndjenjat e fajit, dëshpërimit apo padenjësisë.

Kur të flisni me peshkopin tuaj, ju do të ndieni dashurinë e tij për ju. Megjithëse ai është përgjegjës për të gjithë lagjen ose degën, në qendër të vëmendjes së tij është mirëqenia e të rinjve dhe të rejave. Ju nuk po e shqetësoni atë duke i kërkuar ndihmë.

Ju mund t’i luteni Atit Qiellor për forcë dhe kurajë që të flisni me peshkopin tuaj. Ai e ka autorizuar peshkopin tuaj që t’ju ndihmojë dhe peshkopi juaj mezi pret të veprojë ashtu. Në qoftë se shkoni me zemër të hapur dhe një dëshirë për të qenë më të mirë, ju do të zbuloni se do të largoheni nga zyra e tij duke u ndier shumë më mirë sesa ndiheshit më përpara.

Ai Nuk do të Ketë një Opinion më të Keq për Ju

Peshkopit të lagjes suaj i është dhënë autoriteti për t’ju udhëhequr nëpër hapat e pendimit. Ndonjëherë e vetmja mënyrë për ju që të pendoheni plotësisht nëpërmjet Shpëtimtarit, është të filloni të punoni me peshkopin tuaj. Kur kisha nevojë të flisja me peshkopin tim, ai më ndihmonte të gjeja Shpëtimtarin dhe të mbyllja plagën më të thellë që kisha pasur ndonjëherë. Peshkopi juaj dëshiron t’ju ndihmojë. Thirrja e tij është që të përkujdeset për ju dhe ai nuk do të ketë një opinion më të keq për ju për shkak të diçkaje për të cilën keni nevojë të takoheni me të.

Medison D., 18 vjeçe, Juta, SHBA

Peshkopi Juaj Është i Gatshëm të Ndihmojë

E kisha zakon të ndihesha në siklet në intervista, por përfundimisht kuptova se peshkopi im ishte përherë i gatshëm të më ndihmonte të zgjidhja problemet e mia. Mirëbesojini peshkopit tuaj; ai është bari dhe lagjja është tufa e tij.

Xhemi R., 19 vjeç, Koçabamba, Bolivi

Ai Nuk do të Tradhtojë Mirëbesimin Tuaj

Kam arritur të di për vete se një peshkop është ndoshta i rrituri më i besuar nga i cili një adoleshent mund të kërkojë ndihmë. Ai kurrë nuk do ta tradhtojë mirëbesimin tuaj – çdo gjë që ndani me të, mbetet në zyrën e tij. Ndonjëherë është kaq e vështirë të bisedoni për problemet tuaja, por të folurit ballë për ballë me dikë që ju do dhe kujdeset e do më të mirën për ju e bën shumë më të lehtë.

Nikol S., 18 vjeçe, Ajdaho, SHBA

Ju Mund të Mbështeteni tek Ai

Peshkopi ose presidenti i degës suaj është një shërbëtor i vërtetë i Zotit. Ju mund të mbështeteni tek ai për udhërrëfim ndërsa kërkoni frymëzim nga Fryma e Shenjtë dhe shkrimet e shenjta. Ju duhet të kuptoni se peshkopi është aty për t’ju ndihmuar dhe se ai udhëhiqet nga Perëndia.

Stanjislav R., 19 vjeç, Donjeck, Ukrainë

Mbani Mend se Ai ju Do

Nëse keni diçka që vërtet dëshironi ta diskutoni me peshkopin, mund të jetë më e lehtë që së pari të bisedoni me të për shkollën dhe gjëra të tjera të përgjithshme. Nëse jeni të tensionuar ngaqë keni nevojë të flisni me të për çështje pendimi, vetëm kujtoni se ai ju do. Ju nuk duhet të jeni të tensionuar për atë që ai do të mendojë për ju, pasi për ç’arsye do t’ju shihte juve me përbuzje ngaqë dëshironi të jeni më pranë Krishtit?

Ashli D., 17 vjeçe, Arizona, SHBA

Lutuni që ta Dini për Vete

Pyeteni veten për arsyen përse ndiheni në siklet që të flisni me peshkopin. A mendoni se ai nuk do të jetë në gjendje të ndihmojë të zgjidhni problemet tuaja? Lutuni që ta dini për vete se peshkopi ju do dhe është thirrur t’ju ndihmojë.

Adam H., 13 vjeç, Kaliforni, SHBA

Edhe nëse Bëni një Gabim

Mund të jetë e vështirë dhe turpëruese t’i rrëfeni gjëra peshkopit tuaj por, kur të dilni nga ajo zyrë, ju do të ndiheni të lehtësuar dhe do ta dini se Ati Qiellor ju do. Ai dëshiron që ju të jeni të lumtur, edhe nëse bëni një gabim.

Amanda W., 16 vjeçe, Juta, SHBA

Ai Është Gati për të Ndihmuar

Peshkopi është bariu i lagjes suaj. Mbani mend se ai do të bëjë çdo gjë të mundshme për t’ju ndihmuar dhe ai ka fuqinë e Perëndisë në anën e tij. Nëse ndiheni i frikësuar, ju mund të luteni për forcë që të jeni në gjendje të flisni me peshkopin tuaj. Në fund, ju do të jeni i kënaqur që shkuat tek ai – dhe do t’ia vlejë.

Samuel H., 14 vjeç, Ajdaho, SHBA