2015
Lutje dhe Katedrale
Prill 2015


Lutje dhe Katedrale

Autorja jeton në Juta, SHBA.

“[Ju] jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin” (Gjoni 13:35).

Deni pa lart, por ende nuk mund ta shihte kulmin e katedrales së bukur. Njerëz që i përkisnin një kishe tjetër, vinin këtu. Deni nuk e kuptoi arsyen përse familja e saj po e vizitonte këtë kishë një ditë të premteje, por Babi tha se ata po shkonin te diçka që quhej Adhurimi i Mbrëmjes.

“Çfarë është ajo?” pyeti Deni.

“Është një mbledhje ku njerëzit këndojnë, lexojnë shkrimet e shenjta dhe luten së bashku”, tha Babi. “Si një familje e madhe në fund të ditës.”

Denit i pëlqeu mënyra se si dukej ajo nga shpjegimi. Ajo dhe familja e saj po vizitonin Anglinë. Të dielën e kaluar, ata shkuan në një lagje në një qytet të quajtur Jork. Në Fillore, të gjithë fëmijët dinin të njëjtat shkrime të shenjta dhe këngë që dinte Deni. Ajo e dinte se lagjja që vizitoi, ishte pjesë e Kishës së vërtetë të Jezusit, po njësoj si lagjja e saj në shtëpi.

Por kjo katedrale ishte shumë ndryshe nga çka ishte mësuar ajo. Ajo vuri re një tavolinë të vogël të mbushur me qirinj. Deni pa një djalë të ndizte një qiri.

“Përse po ndizni qirinj?” e pyeti Deni atë.

Djali buzëqeshi. “Unë ndez një qiri kur lutem për gjëra të veçanta. Për sa kohë flaka digjet, shpresoj që lutja do të vazhdojë të dëgjohet nga Perëndia.”

Denit ata iu dukën si qirinjtë e zakonshëm. Ajo ishte pak e hutuar, por dëshironte të ishte e sjellshme. Ajo i buzëqeshi djalit.

Deni dhe familja e saj u ulën dhe shpejt filloi Adhurimi i Mbrëmjes. Ajo pa të njëjtin djalë disa rreshta larg. Pastaj ajo kuptoi se nuk njihte asnjë prej këngëve që të gjithë po këndonin. Kur u lutën, ata lexuan me zë nga një libër i vogël. Çdo gjë dukej e ndryshme nga çka ishte mësuar ajo.

Por muzika ishte e bukur, edhe pse nuk ishte e njohur. Pastaj një burrë u ngrit që të lexonte shkrimet e shenjta. Ai kishte veshur mantel, në vend të një kostumi dhe kollareje si peshkopi i Denit. Por si filloi të lexonte, Deni e kuptoi se e njihte këtë histori! Ai po lexonte për Jezusin që shëroi 10 lebrosët.

“Babi”, pëshpëriti Deni, “më pëlqen shumë kjo histori.”

Babi buzëqeshi. “Edhe mua.”

Pastaj burri me mantel bëri një lutje. Ai i kërkoi Perëndisë të bekonte ata që ishin të sëmurë dhe në nevojë. Ashtu siç bënte Deni! Ai kërkoi edhe një bekim të veçantë për udhëheqësit e kishës së tij. Denit iu kujtua se si familja e saj gjithmonë i kërkonte Atit Qiellor të bekonte Presidentin Tomas S. Monson dhe këshilltarët e tij.

Një ndjenjë e ngrohtë erdhi në zemrën e Denit. Ajo e dinte se Ati Qiellor po i tregonte asaj që Ai i donte të gjithë fëmijët e Tij dhe i dëgjonte të gjitha lutjet e tyre, edhe nëse shkonin në një kishë të ndryshme dhe nuk kishin plotësinë e ungjillit.

Kur u ngritën për t’u larguar, Babi kontrolloi telefonin e tij. Ai u duk i trishtuar kur lexoi mesazhet e tij. “Motra Monson ndërroi jetë”, tha ai.

“Oh, jo!” Deni bëri një lutje të shpejtë në zemrën e saj që Presidenti Monson të ishte mirë.

“A je mirë?” dikush pyeti. Ishte djali i mëparshëm. Ai e kishte dëgjuar Denin dhe dukej i shqetësuar.

“Motra Monson ndërroi jetë”, tha Deni. “Ajo ishte gruaja e profetit tonë, Presidentit Monson.”

“Më vjen keq”, tha ai përzemërsisht. “Do të ndez një qiri për të.”

Deni buzëqeshi dhe e falënderoi. Ajo mendoi se ishte gjë e mirë nga ana e djalit të bënte një lutje të veçantë për Presidentin Monson. Ajo e dinte se Ati Qiellor do ta dëgjonte lutjen që bëri ajo në zemrën e saj dhe lutjen që bëri djali gjithashtu.