2015
Cili Është Heroi Juaj?
Prill 2015


Cili ËshtëHeroi Juaj?

Autorja jeton në Kaliforni, SHBA.

Eli e dinte se cili ishte heroi i saj, por ajo ishte shumë e frikësuar për ta thënë atë.

“Mbaje ti nderin, ndërgjegjen, besim’n; qëndro si hero” (“Ji i Drejtë”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 64).

Eli e hëngri thoin e saj me nervozizëm. Zonjusha Fic po kalonte në rreshtat e bankave dhe po i bënte një pyetje çdo nxënësi, një e nga një.

“Cili është heroi yt?” e pyeti Zonjusha Fic Xhereminë.

Xheremia nuk humbi kohë për t’u përgjigjur. “Babi im!” tha ai me krenari.

Zonjusha Fic buzëqeshi. “Dhe i yti, Sara?”

Përgjigjja e saj erdhi po aq shpejt. “Abraham Linkolni.”

Eli e ndjente zemrën e saj të rrihte fort ndërsa Zonjusha Fic vazhdonte të ecte në rreshtin e nxënësve. Ata kishin qenë duke folur për heronjtë gjatë gjithë ditës dhe tani gjithsecili duhej të thoshte se kush ishte heroi i tyre – para gjithë klasës!

Amberi dhe Xhastini thanë se heronjtë e tyre ishin nënat e tyre. Uollteri tha se heroi i tij ishte gjyshi i tij. Disa nxënës të tjerë thanë se heronjtë e tyre ishin një mbret ose president.

Kishin mbetur vetëm pak nxënës përpara se Zonjusha Fic të arrinte tek Eli. Ajo duhej të mendonte për një hero – dhe shpejt.

Eli pa poshtë te këpucët e saj, e turpëruar. Të vije me një hero nuk ishte problemi i vërtetë. Ajo tashmë e dinte se cili ishte heroi i saj. Ai ishte Jezu Krishti. Ai kishte shëruar të sëmurët, kishte ngritur të vdekurit dhe kishte paguar çmimin për mëkatet e gjithsecilit. Ai ishte heroi më i madh që ka jetuar ndonjëherë! Ajo thjesht ishte shumë e frikësuar ta thoshte atë.

Eli e hëngri sërish thoin e saj nga mendimi se do t’i tregonte të gjithë klasës se Jezu Krishti ishte heroi i saj. Po sikur Xheremia të qeshte me të? Po sikur Sara dhe Amberi të bënin thashetheme për të në pushim të madh?

Sigurisht që ajo e dinte se Jezu Krishti ishte heroi i saj. Por kjo nuk do të thoshte se çdo njeri tjetër duhej ta dinte gjithashtu.

Zonjusha Fic ndaloi pikërisht përpara bankës së Elit dhe buzëqeshi. “Dhe cili është heroi yt, Eli?”

Eli hodhi një vështrim nga rreshti i nxënësve afër saj deri te Zonjusha Fic. “Abraham Linkolni”, pëshpëriti ajo.

Zonjushës Fic i rrezëlliu fytyra. “Mirë!” tha ajo teksa shkoi te nxënësi tjetër në rresht.

Sapo ajo u largua, shpatullat e Elit u lëshuan të lehtësuara. Gjysma e së keqes që mbaroi. Gjëja e fundit që i duhej, ishte që çdo njeri në klasë të dinte se heroi i saj ishte –

“Jezu Krishti”, tha një zë.

Eli çakërriti sytë ndërsa pa me ngadalë rreth e rrotull. Atje – vetëm pak më poshtë rreshtit – qëndronte i ulur një djalë i vogël me flokë të çrregullta. Ai ishte i dobët e i turpshëm dhe ulej gjithmonë të fund të klasës. Eli as nuk ia dinte emrin. Ajo nuk mbante mend që ai të kishte thënë ndonjëherë një fjalë të vetme – deri tani.

Disa nxënës u kthyen për ta vështruar ngultas djalin, por ai nuk e kishte mendjen tek ata. Ai thjesht pa nga Zonjusha Fic dhe foli sërish. “Heroi im është Jezu Krishti.”

Zonjusha Fic buzëqeshi me gëzim dhe vazhdoi më poshtë. Por Eli pa nga djali me habi. Ajo kishte qenë e frikësuar t’i thoshte gjithsecilit për heroin e saj, por ai nuk kishte qenë. Ai madje as nuk shkonte në kishën e saj! Por ai e dinte sa e rëndësishme ishte të qëndronte si një shembull i Jezu Krishtit, madje edhe kur ishte e vështirë.

Eli i buzëqeshi djalit. Ajo nuk do të ishte më e frikësuar të thoshte se cili ishte heroi i saj. Në fund të fundit, ajo tashmë kishte dy prej tyre.