Si të Jemi të Urtë
Nga një fjalim në ceremoninë e diplomimit të Universitetit “Brigam Jang” dhënë më 10 prill 2009.
Në valën e sotme vërshuese të informacionit, ne kemi në mënyrë të dëshpëruar nevojë për urtësi – urtësi për të analizuar dhe dalluar mënyrën se si ta zbatojmë atë që po mësojmë.
Le të mbajmë mend:
Ne duhet të kërkojmë urtësi.
Urtësia ka shumë veçori dhe gjen zbatim në situata të larmishme.
Urtësia e fituar herët në jetë sjell bekime të pamasa.
Urtësia në një fushë mund të mos zbatohet në një fushë tjetër.
Urtësia e botës, ndonëse në shumë raste mjaft e vlefshme, është më e vlefshme kur i nënshtrohet me përulësi urtësisë së Perëndisë.
Shkrimet e shenjta përshkruajnë dy lloje të urtësisë: urtësinë e botës dhe urtësinë e Perëndisë. Urtësia e botës ka përbërës edhe pozitivë edhe negativë. E përshkruar në mënyrën më të errët, mund të cilësohet si e vërtetë e pjesshme, e përzier me zgjuarsi dhe dredhi, për të arritur qëllime egoiste ose të liga.
Ka një tjetër lloj urtësie të botës që nuk është asfare kaq ogurzezë në shtysat e saj. Në fakt është shumë pozitive. Kjo urtësi fitohet në mënyrë të qëllimshme nëpërmjet studimit, reflektimit, vëzhgimit dhe punës së palodhur. Ajo është shumë e vlefshme dhe e dobishme në gjërat që bëjmë. Njerëzve të mirë e të hijshëm, u vjen ndërsa jetojmë në vdekshmëri.
Më e rëndësishmja, urtësia që sjell sukses në botë, duhet të jetë e gatshme të tërhiqet përmbas urtësisë së Perëndisë dhe të mos mendojë se mund ta zëvendësojë atë.
Jo e gjithë urtësia është njësoj e rëndësishme. Ne duhet të mësojmë se, kur ka kundërshtim ndërmjet urtësisë së botës dhe urtësisë së Perëndisë, ne duhet t’ia nënshtrojmë vullnetin tonë urtësisë së Perëndisë.
Ju këshilloj që të merrni parasysh disa prej problemeve që po hasni. Vendosni një vijë në mes të letrës. Renditni urtësinë e botës në anën e majtë dhe urtësinë e Perëndisë në anën e djathtë. Shkruani problemet që janë në kundërshti me njëra-tjetrën.
Çfarë zgjedhjesh po bëni ju?
Në seksionin 45 të Doktrinës e Besëlidhjeve, i cili flet për ngjarjet që do të paraprijnë Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit, Zoti përsëri tregon historinë e dhjetë virgjëreshave dhe pastaj na lë këto fjalë: “Sepse ata që janë të urtë dhe e kanë pranuar të vërtetën, dhe kanë marrë Shpirtin e Shenjtë si udhëzuesin e tyre, dhe nuk janë mashtruar—në të vërtetë unë ju them, ata nuk do të priten e nuk do të hidhen në zjarr, por do t’i qëndrojnë ditës” (shih DeB 45:57).
Le të kërkojmë urtësinë e Perëndisë. Ka shumë gjëra që mund të mësojmë pikërisht tani rreth urtësisë. Ju premtoj se bekimet e Zotit do të jenë me ju ndërsa kërkoni urtësi, urtësinë e Perëndisë. Ai është kaq i dëshiruar të na japë urtësinë e Tij. Dhe nëse do të jemi të bindur dhe plot lutje e do ta kërkojmë atë, ajo do të vijë.