Sakrifica Vetëmohuese dhe e Shenjtë e Shpëtimtarit
Nga një fjalim i takimit shpirtëror, “Truths Most Worth Knowing” [“Të Vërtetat më të Vlefshme për t’u Njohur”], dhënë më 6 nëntor 2011 në Universitetin “Brigam Jang”. Për tekstin e plotë në anglisht, shkoni tek adresa speeches.byu.edu.
Zoti është gjithmonë gati për t’ju ndihmuar. Ai ka vuajtur dhe ka paguar dënimin nëse keni vullnetin ta pranoni Atë si Shëlbuesin tuaj.
Ne të gjithë jetojmë me një borxh shpirtëror. Në një mënyrë apo një tjetër, llogaria shtohet e shtohet. Nëse ju e shlyeni ndërsa shkoni, ju keni pak nevojë të shqetësoheni. Shpejt ju filloni të mësoni disiplinën dhe të dini se ka një ditë gjykimi përpara. Mësoni ta mbani llogarinë tuaj shpirtërore të shlyer në periudha të rregullta, në vend që ta lejoni të grumbullojë interesa dhe gjoba.
Ngaqë ju jeni duke u provuar, pritet që ju do të bëni disa gabime. Unë mendoj se ju keni bërë gjëra në jetën tuaj që ju vjen keq, gjëra për të cilat as që mund të shfajësoheni, jo më t’i korrigjoni; prandaj, ju mbani një barrë. Është koha tani të përdoret fjala faj, e cila mund të njollosë si boja që nuk fshihet dhe nuk mund të hiqet lehtë. Ndjesia e fajësisë është zhgënjim, keqardhje për bekime dhe mundësi të humbura.
Nëse po luftoni me fajin, ju nuk jeni ndryshe nga njerëzit e Librit të Mormonit për të cilët profeti tha: “Dhe për shkak të paudhësisë së tyre, kisha kishte filluar të zvogëlohej; dhe ata filluan të mos besonin në shpirtin e profecisë dhe në shpirtin e zbulesës; dhe gjykimet e Perëndisë i shikonin rreptë ndër sy” (Helamani 4:23).
Ne shpesh përpiqemi ta zgjidhim problemin e fajit duke i thënë njëri-tjetrit dhe vetes se nuk prish punë. Por disi, thellë në brendësi, ne nuk e besojmë këtë. As e besojmë veten nëse e themi atë. Ne e dimë më mirë. Prish punë!
Profetët na kanë mësuar gjithmonë pendesën. Alma tha: “Dhe vini re, ai vjen për të shëlbuar ata që do të pagëzohen në pendim, nëpërmjet besimit në emrin e tij” (Alma 9:27).
Alma i tha hapur birit të tij të pabindur: “Tani, pendimi nuk mund të vinte mbi njerëzit po të mos kishte një dënim i cili të ishte gjithashtu i përjetshëm, sikurse duhet të jetë edhe jeta e shpirtit, e vendosur kundrejt planit të lumturisë” (Alma 42:16).
Ka dy qëllime themelore për jetën e vdekshme. I pari është që të marrim një trup që mund, nëse e duam atë, të pastrohet, të ekzaltohet dhe të jetojë përgjithmonë. Qëllimi i dytë është që të provohemi. Kur provohemi, ne sigurisht që do të bëjmë gabime. Por nëse do t’i bëjmë, ne mund të mësojmë nga gabimet tona. “Po të themi se s’kemi mëkatuar, e bëjmë atë gënjeshtar dhe fjala e tij nuk është në ne” (1 Gjon 1:10).
Ju, ndoshta, mund të ndiheni inferiorë në mendje e trup dhe jeni të shqetësuar apo të rënduar nga pesha e ndonjë llogarie shpirtërore që është shënuar si “borxh i mbetur”. Kur ju kuptoni të vërtetën rreth vetes në ato çaste meditimi të qeta (që shumë prej nesh përpiqen t’i shmangin), a ka disa gjëra të pazgjidhura që ju shqetësojnë? A keni diçka në ndërgjegjen tuaj? A jeni ende, në një shkallë apo një tjetër, fajtor për diçka të vogël ose të madhe?
Shumë shpesh ne marrim letra nga ata që kanë bërë gabime tragjike dhe janë të rënduar. Ata luten: “A mund të falem ndonjëherë? A mund të ndryshoj ndonjëherë?” Përgjigjja është po!
Pali u mësoi korintasve: “Asnjë tundim nuk ju ka gjetur juve, përveç se tundimi njerëzor; por Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që t’ju tundojnë përtej fuqive tuaja, por me tundimin do t’ju japë dhe rrugë dalje, që ju të mund ta përballoni” (1 Korintasve 10:13).
Ungjilli na mëson se ai lehtësim nga mundimi dhe faji mund të fitohet nëpërmjet pendimit. Përveç atyre të paktëve – atyre shumë të paktëve – që zgjedhin të ndjekin humbjen e shpirtit pasi kanë njohur një plotësi, nuk ka zakon, nuk ka varësi, nuk ka rebelim, nuk ka shkelje, nuk ka faj, të vogël apo të madh që përjashtohet nga premtimi për falje të plotë. Pavarësisht se çfarë ka ndodhur në jetën tuaj, Zoti ka përgatitur një rrugë kthimi për ju nëse do të mbani vesh nxitjet e Shpirtit të Shenjtë.
Disa janë të mbushur me një dëshirë të fortë, një tundim që vjen përsëri dhe përsëri në mendje, ndoshta për t’u bërë një zakon dhe pastaj një varësi. Ne jemi të prekshëm ndaj shkeljes e mëkatit dhe gjithashtu një arsyetimi se ne nuk kemi faj sepse u lindëm të tillë. Ne ngecim në kurth dhe nga ajo vjen dhimbja e mundimi që vetëm Shpëtimtari mund ta shërojë. Ju e keni fuqinë ta ndaloni dhe të shëlbeheni.
Satani Sulmon Familjen
Presidenti Marion G. Romni (1897–1988) më tregoi njëherë: “Mos u trego thjesht që ata të mund të kuptojnë, tregoju në mënyrë që ata të mos mund të keqkuptojnë”.
Nefi tha: “Pasi shpirti im kënaqet në qartësi; pasi sipas kësaj mënyre vepron Zoti Perëndi mes fëmijëve të njerëzve. Pasi, Zoti Perëndi i jep dritë të kuptuarit” (2 Nefi 31:3).
Kështu që dëgjoni me vëmendje! Unë do të flas qartë si një njeri që është thirrur dhe nën detyrimin për të vepruar kështu.
Ju e dini se ka një kundërshtar. Shkrimet e shenjta e përkufizojnë atë me këto terma: “Ai gjarpri i vjetër që është djalli, … ati i të gjitha gënjeshtrave” (2 Nefi 2:18). Ai u zbua që në fillim (shih DeB 29:36–38) dhe iu mohua trupi i vdekshëm. Ai është betuar tani për të prishur “planin e madh të lumturisë” (Alma 42:8) dhe për t’u bërë një armik i gjithë drejtësisë. Ai i përqendron sulmet e tij mbi familjen.
Ju jetoni në një kohë kur fshikullimi i pornografisë po përfshin gjithë botën. Është vështirë t’i shpëtosh. Pornografia është përqendruar në atë pjesë të natyrës suaj nëpërmjet së cilës ju keni fuqinë të krijoni jetë.
Kënaqja me pornografi çon në vështirësi, prishje martese, sëmundje dhe andralla dhjetëra llojesh. Nuk ka pjesë të saj që të jetë e pafajshme. Ta mbledhësh, ta shikosh apo ta marrësh atë me vete andej-këndej në çfarëdo forme, është si të mbash gjarprin me zile në çantën e shpinës. Ajo ju ekspozon tek pasoja e njëjtë e pashmangshme shpirtërore e kafshimit prej gjarprit me injektim me helm vdekjeprurës. Mund të kuptohet lehtësisht, me botën që është ashtu siç është, që ju mundet thuajse në mënyrë të pafajshme të ekspozoheni ndaj saj, ta lexoni atë ose ta shihni pa i kuptuar pasojat e tmerrshme. Nëse kjo ju përshkruan ju, unë ju paralajmëroj që ta ndërprisni. Ndaleni tani!
Libri i Mormonit na mëson se të gjithë “njerëzit janë udhëzuar mjaftueshëm që ata të kuptojnë të mirën nga e keqja” (2 Nefi 2:5). Dhe kjo përfshin ju. Ju e dini çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar. Jini shumë të kujdesshëm të mos bëni diçka që e dini se është e gabuar.
Edhe pse shumë gabime mund të rrëfehen privatisht te Zoti, ka disa shkelje që kërkojnë më shumë sesa kjo që të ketë falje. Nëse gabimet tuaja kanë qenë të rënda, takohuni me peshkopin tuaj. Përndryshe, rrëfimi i zakonshëm, i qetë dhe personal, do të mjaftojë. Por mbani mend, ai mëngjes i mrekullueshëm i faljes mund të mos vijë i gjithi menjëherë. Nëse në fillim pengoheni, mos u dorëzoni. Mposhtja e shkurajimit është pjesë e provës. Mos u dorëzoni. Dhe siç kam këshilluar përpara, me të pranuar dhe braktisur mëkatet tuaja, mos shihni prapa.
Shpëtimtari Vuajti për Mëkatet Tona
Zoti është gjithmonë gati për t’ju ndihmuar. Ai ka vuajtur dhe ka paguar dënimin nëse keni vullnetin ta pranoni Atë si Shëlbuesin tuaj.
Ngaqë jemi të vdekshëm, ne nuk mund, vërtet nuk mund, të kuptojmë plotësisht se si Shpëtimtari e përmbushi sakrificën e Tij shlyese. Por për tani se si-ja nuk është aq me rëndësi sa pse-ja e vuajtjes së Tij. Përse e bëri Ai atë për ju, për mua, për të gjithë njerëzimin? Ai e bëri atë për shkak të dashurisë për Perëndinë, Atin, dhe gjithë njerëzimin. “Askush s’ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij” (Gjoni 15:13).
Në Gjetseman, Krishti u veçua nga Apostujt e Tij për t’u lutur. Gjithçka që ndodhi është përtej të kuptuarit tonë për ta ditur! Por ne dimë se Ai e përfundoi Shlyerjen. Ai ishte i gatshëm të merrte mbi Vete gabimet, mëkatet dhe fajet, dyshimet dhe frikën e të gjithë botës. Ai vuajti për ne në mënyrë që ne të mos na duhet të vuajmë. Shumë të vdekshëm kanë vuajtur mundime e kanë pasur vdekje të dhimbshme e të tmerrshme. Por agonia e Tij i kapërceu të gjitha ato.
Në moshën time unë kam arritur të di çfarë është dhimbja fizike dhe nuk është argëtim! Askush nuk i shpëton kësaj jete pa mësuar diçka rreth vuajtjes. Por mundimi vetjak që unë nuk mund ta duroj, është kur unë kam arritur të kuptoj se i kam shkaktuar vuajtje një tjetri. Është atëherë që unë kuptoj në një shkallë të vogël agoninë që përjetoi Shpëtimtari në Kopshtin e Gjetsemanit.
Vuajtja e Tij ishte e ndryshme nga të gjitha vuajtjet e tjera të mëparshme ose më të mëvonshme sepse Ai mori mbi Vete të gjitha ndëshkimet që i ishin dhënë ndonjëherë familjes njerëzore. Imagjinojeni atë! Ai nuk kishte asnjë borxh për të shlyer. Ai nuk kishte bërë asnjë gabim. Megjithatë, një grumbullim i të gjithë fajit, brengës e hidhërimit, dhimbjes e poshtërimit, të të gjithë torturave mendore, emocionale dhe fizike që njeh njeriu – Ai i përjetoi ato të gjitha. Pati vetëm Një në të gjitha kronikat e historisë njerëzore që ishte tërësisht i pamëkat dhe i kualifikuar të përgjigjej për mëkatet dhe shkeljet e të gjithë njerëzimit, dhe t’i mbijetonte dhimbjes që e shoqëroi për të paguar për ta.
Ai ishte i gatshëm për ta sakrifikuar jetën e Tij dhe në thelb tha: “Jam unë që marr përsipër mëkatet e botës” (Mosia 26:23). Ai u kryqëzua; Ai vdiq. Ata nuk mund ta hiqnin jetën e Tij prej Tij. Ai dha pëlqimin që të vdiste.
Falja e Plotë është e Mundur
Nëse jeni penguar ose keni humbur ndonjëherë për njëfarë kohe, nëse ndieni se kundërshtari tani ju mban peng, ju mund të shkoni përpara me besim dhe të mos endeni më lart e poshtë në botë. Ka nga ata që qëndrojnë gati që t’ju drejtojnë përsëri te paqja dhe siguria. Madje hiri i Perëndisë, siç është premtuar në shkrimet e shenjta, vjen “pas gjithçkaje që ne mund të bëjmë” (2 Nefi 25:23). Mundësia për këtë, për mua, është e vërteta më e vlefshme për t’u ditur.
Unë premtoj se mëngjesi i shkëlqyer i faljes mund të vijë. Atëherë “paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarësie” (Filipianëve 4:7) vjen në jetën tuaj përsëri, diçka si lindje dielli dhe ju dhe Ai, “nuk do ta kujto[ni] më mëkatin [tuaj]” (Jeremia 31:34). Si do ta dini ju? Ju do ta dini! (Shih Mosia 4:1–3.)
Kjo është ajo për të cilën kam ardhur t’ju mësoj juve që jeni në vështirësi. Ai do të hyjë dhe do ta zgjidhë problemin që ju nuk mund ta zgjidhni, por ju duhet të paguani çmimin. Kjo nuk ndodh nëse ju nuk bëni tuajën. Ai është një sundues shumë bujar sepse Ai e ka paguar çmimin e nevojshëm, por Ai do që ju të bëni atë që duhet, edhe nëse është e dhimbshme.
Unë e dua Zotin dhe unë e dua Atin që e dërgoi Atë. Barrët tona të zhgënjimit, mëkatit dhe fajit mund të vihen para Atij dhe në kushtet e Tij bujare, çdo zë në llogari mund të shënohet “e paguar plotësisht”.
“Ejani, pra, dhe të diskutojmë bashkë, thotë Zoti, edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora, edhe sikur të ishin të kuqe të purpur, do të bëhen si leshi.” Që do të ndodhë, vazhdoi Isaia: “Në rast se jeni të gatshëm të bindeni” (Isaia 1:18–19).
Ejani tek Ai
Shkrimi i shenjtë “mëso urtësi në rininë tënde; po, mëso në rininë tënde të zbatosh urdhërimet e Perëndisë” (Alma 37:35) është një ftesë që shoqërohet me premtimin për paqe dhe mbrojtje nga kundërshtari. “Askush të mos e shpërfillë moshën tënde të re, por bëhu shembull për besimtarët në fjalë, në sjellje, në dashuri, në Frymë, në besim dhe në dëlirësi” (1 Timoteut 4:12).
Mos prisni që gjithçka do të shkojë shtruar gjatë gjithë jetës tuaj. Madje edhe për ata që po jetojnë siç duhet, nganjëherë do të ndodhë e kundërta. Përballojeni çdo sfidë të jetës me optimizëm e siguri dhe ju do të keni paqen e besimin që t’ju mbështetin tani dhe në të ardhmen.
Për ata që ende nuk i kanë të gjitha bekimet që ndieni se i doni dhe keni nevojë për t’i pasur, unë vendosmërisht besoj se asnjë përvojë apo mundësi thelbësore për shëlbim dhe shpëtim nuk do t’ju mohohet juve që jetoni besnikërisht. Qëndroni të denjë; jini plot shpresë, të durueshëm dhe plot lutje. Gjërat kanë një mënyrë për t’u rregulluar më në fund. Dhurata e Frymës së Shenjtë do t’ju udhëheqë dhe do të drejtojë veprimet tuaja.
Nëse ju jeni një nga ata që luftojnë me fajin, zhgënjimin apo depresionin si pasojë e gabimeve që keni bërë apo të bekimeve që ende nuk kanë ardhur, lexoni mësimet risiguruese që gjenden në himnin “Come unto Jesus” [“Te Jezusi t’Vini”]:
Te Jezusi t’vini, ju t’munduar,
T’lodhur që nga m’kati shtypeni.
N’limanin e sigurt’ për t’ju çuar
Ku besimtar’t mund t’prehen, t’prehen.
Te Jezusi t’vini; v’mendje kushton,
Dhe pse udhën humbët n’errësir’.
Dashuri’ e Tij but’sisht ju drejton
Nga nat’ e errët në dit’, në dit’.
Te Jezusi t’vini; vërtet ju d’gjon,
Po t’i luteni për dashuri.
S’e dini se pran’ engjëjt ju qëndrojn’
Nga mbretërit’ lart me drit’, me drit’?1
Unë pohoj, me Vëllezërit e mi Apostujt, të jem një dëshmitar i veçantë i Zotit Jezu Krisht. Ajo dëshmi vërtetohet çdo herë që unë ndiej brenda vetes ose te të tjerët ndikimin pastrues të sakrificës së Tij të shenjtë. Dëshmia ime dhe ajo e Vëllezërve të mi, është e vërtetë. Ne e njohim Zotin. Ai nuk është i huaj për profetët, shikuesit dhe zbuluesit e Tij.
E kuptoj se ju nuk jeni të përsosur, por ju po ecni në atë rrugë. Kini kurajë. Dijeni se çdo person që ka një trup, ka fuqi mbi një që nuk ka.2 Satanit i është mohuar trupi; kështu që, nëse ndonjëherë ju do të përballeni me tundime, dijeni që ju ua kaloni të gjitha atyre tundimeve nëse do të ushtroni lirinë e zgjedhjes që iu dha Adamit dhe Evës në kopsht dhe që është përcjellë deri te ky brez.
Dhe nëse prisni me shpresë dhe dëshirë që të bëni atë që Zoti do t’ju ngarkonte të bënit – ajo është gjithçka që pritet nga ju.