Thirrjet në Lagje ose Degë
Misionarët që Kthehen Herët në Shtëpi


“Misionarët që Kthehen Herët në Shtëpi”, Burimet për Këshillim (2020).

“Misionarët që Kthehen Herët në Shtëpi”, Burimet për Këshillim.

Misionarët që Kthehen Herët në Shtëpi

4:29

Misionarët/et që kthehen nga misionet ose i përfundojnë misionet e tyre më herët sesa pritej, mund të përjetojnë sfida të pashoqe. Kur u përgatitën për misionet e tyre dhe u larguan për të shërbyer, ka të ngjarë që ata ishin të mbushur me shpresë të madhe dhe një dëshirë për t’i shërbyer Zotit. Kur kthehen herët në shtëpi për çfarëdo arsyeje (për shembull, çështje të shëndetit fizik ose mendor apo shkelje), ata mund të ndihen të zhgënjyer, të turpëruar ose të shkurajuar. Ata mund ta vënë në dyshim frymëzimin që i drejtoi për të shërbyer një mision. Këta misionarë të kthyer mund të shqetësohen për mënyrën se si njerëzit e tjerë i shohin ata ose madje për mënyrën se si Zoti i sheh ata. Ata mund të ndihen sikur kanë dështuar ose janë të padenjë dhe madje mund ta gjykojnë veten negativisht. Gjithashtu mund të kenë ndjenja të humbjes dhe madje mund të kalojnë përmes fazave të ndryshme të pikëllimit.

Misionarët/et që kthehen herët në shtëpi, kanë nevojë për përpjekjet e bashkuara të familjes, miqve, udhëheqësve dhe anëtarëve të lagjes për t’i ndihmuar gjatë kësaj kohe të vështirë. Ndihmoni me dashuri për të ngushëlluar, inkurajuar dhe për të treguar kujdes për çdo misionar/e të kthyer dhe familjen e tij ose të saj. Inkurajojeni misionarin/en, familjen e tij ose të saj dhe anëtarët e lagjes që t’i referohen atij ose asaj si një “misionar i kthyer ose misionare e kthyer” dhe jo si një “misionar/e i/e kthyer herët” ose “misionar/e i/e liruar herët nga thirrja”. Kjo zgjedhje e fjalëve mund të ndihmojë për ta pakësuar ndjenjën e turpit që lidhet me lirimet herët.

Përpiquni të Kuptoni

Kur flisni me individët, sigurohuni të tregoni dashuri dhe ndjeshmëri sikurse do të tregonte Shpëtimtari. Ngaqë çdo situatë është e ndryshme dhe rrethanat e çdo personi ndryshojnë, me lutje merreni parasysh të bëni pyetje si këto që vijojnë, që t’ju ndihmojnë të kuptoni më mirë shqetësimet e misionarit/es dhe të dalloni nevojat e tij ose të saj.

  • Si ndihesh rreth misionit tënd?

  • Çfarë bekimesh more nga shërbimi yt?

  • Cilat janë shqetësimet ose brengat e tua më të mëdha pikërisht tani?

  • Si ndihesh rreth lirimit tënd?

  • Si po i përgjigjet familja jote lirimit tënd nga thirrja?

  • Cilat janë planet e tua për t’i trajtuar sfidat që të kthyen në shtëpi?

  • Çfarë burimesh të përkrahjes ke?

  • Si mund të të forcojnë mësimet që mësove në misionin tënd, gjatë kësaj kohe kalimtare?

  • Si është marrëdhënia jote me Zotin pikërisht tani?

Ndihmojeni Individin

Teksa e ndihmoni misionarin/en e kthyer nga misioni për situatën e vet, merrini parasysh disa nga këto sugjerime:

Nëse është e dobishme, takohuni rregullisht me misionarin/en e kthyer për ta ndihmuar që të gjejë shpresë dhe shërim.

  • Ndihmojeni misionarin të kuptojë fuqinë e Shpëtimtarit për ta ndihmuar atë përmes çfarëdo sfide (shih Alma 7:11–12; Doktrina e Besëlidhje 88:6; Mosia 24:13–15).

  • Ndihmojeni misionarin/en të kuptojë identitetin dhe vlerën e tij ose të saj si fëmijë i Perëndisë dhe të dallojë anët e forta individuale, talentet, aftësitë dhe dhuratat e veta shpirtërore (shih Doktrina e Besëlidhje 18:10–11; Veprat e Apostujve 17:28–29).

  • Nxiteni misionarin/en të kërkojë një bekim priftërie.

  • Nëse misionari/ja u kthye në shtëpi për shkak të një sëmundjeje fizike ose të shëndetit mendor, ndihmojeni të marrë kurim të menjëhershëm dhe të duhur.

Ndihmojeni misionarin/en të kuptojë se Zoti e vlerëson dhe e pranon shërbimin që ka dhënë si misionar/e, përfshirë faktin që ai ose ajo e pranoi thirrjen për të shërbyer (shih Doktrina e Besëlidhje 124:49).

  • Shprehni mirënjohje për shërbimin që dha personi si misionar/e.

  • Nëse lirimi i misionarit/es të kthyer ishte për arsye të shëndetit fizik ose mendor, peshkopi mund ta bëjë atë që t’i raportojë këshillit të lartë të kunjit.

  • Gjeni mënyra që ta ndihmoni të ndihet i/e mirëpritur në lagje ose të tregojë përvoja rreth misionit. Nëse është e përshtatshme, kërkojini misionarit/es nëse do të donte të ofronte një lutje, të jepte dëshminë e vet ose të fliste në kishë.

  • Ndihmojeni misionarin/en të kuptojë se ai ose ajo do të kenë shumë mundësi për të shërbyer në punën e Zotit, edhe nëse nuk e mban më etiketën me emrin e misionarit/es.

Theksoni se përparësia kryesore e misionarit/es të kthyer është shërimi dhe se vendimet lidhur me kthimin në shërbimin misionar duhet të vijnë më vonë.

  • Mos ushtroni trysni që misionari/ja të kthehet sërish në fushën e misionit. Ky vendim mund të vijë vetëm pas shërimit të plotë nga sfidat që e kthyen atë në shtëpi.

  • Për ata që dëshirojnë të kthehen në shërbimin misionar ose kërkojnë mundësi të tjera për të shërbyer, shihni pjesën “Kthimi në Shërbim”.

Nxiteni misionarin/en që të mbajë kontakt me presidentin e misionit dhe bashkëshorten e tij, ndërkohë që kalon përmes kësaj kohe kalimtare.

Nëse misionari/ja nuk kthehet në shërbimin kohëplotë, përpiquni të jepni përkrahje dhe përkujdes. Teksa misionari/ja i/e kthyer fillon të caktojë synime për të ardhmen e vet, këshillojeni për gjëra të tilla si:

  • Arsimi

  • Punësimi

  • Marrëdhëniet (dalja në takime)

  • Mundësitë për shërbim

  • Frekuentimi i institutit

  • Frekuentimi i tempullit dhe denjësia për të

Për peshkopin: Nëse misionari/ja shpërngulet ose ndryshon lagjet pak kohë pas kthimit, komunikoni me peshkopin e ri të misionarit/es dhe sigurohuni që ai të jetë në dijeni të gjendjes së misionarit/es të kthyer.

  • Nëse misionari/ja u kthye në shtëpi për shkak të çështjeve të denjësisë, ndihmojeni në procesin e pendimit (shih Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme [2020], kapitulli 32).

  • Nëse lirimi i misionarit/es të kthyer ishte për arsye të shëndetit fizik ose mendor, peshkopi mund të marrë parasysh të bëjë që ai/ajo t’i raportojë këshillit të lartë të kunjit.

Përkraheni Familjen

Përvoja e misionarit/es që kthehet herët në shtëpi, mund të ndikojë gjithashtu në jetën e pjesëtarëve të familjes së tij ose të saj. Përcaktoni ndikimin mbi familjen e anëtarit/es dhe përpiquni t’i trajtoni ato çështje.

Këshillohuni me pjesëtarët e familjes dhe ndihmojini në vetë vështirësitë, shqetësimet ose pyetjet e tyre, të cilat vijnë si rrjedhojë e kthimit herët të misionarit/es.

  • Ndihmojini pjesëtarët e familjes që të kuptojnë se si Shpëtimtari mund t’i shërojë, t’u sjellë paqe dhe t’i ngushëllojë ata dhe misionarin/en e kthyer.

Nxiteni familjen që të këshillohet së bashku rreth nevojave të misionarit/es të kthyer dhe burimeve që janë në dispozicion për ta ndihmuar atë.

  • Ndihmojini pjesëtarët e familjes që ta përqendrojnë shqetësimin e tyre te misionari/ja dhe shërimi i tij ose i saj, në vend që të përqendrohen te mënyra se si mund ta shohin të tjerët situatën.

  • Ndihmojini prindërit e misionarit/es të kuptojnë se kthimi herët i birit ose bijës së tyre nuk do të thotë që ata kanë bërë diçka gabim si prindër.

  • Ndihmojini prindërit të kuptojnë se nuk nevojitet që ta ndëshkojnë vetveten ose t’ua hedhin fajin vetvetes apo të tjerëve për kthimin herët të misionarit/es.

Bëjini pjesëtarët e familjes që të mos e shtyjnë misionarin/en për t’u kthyer në shërbimin misionar përpara se ai ose ajo të jetë gati, apo në qoftë se misionari/ja nuk dëshiron të kthehet.

Përdorni Burime të Lagjeve dhe të Kunjeve

Merreni parasysh të punoni me udhëheqësit/et e lagjes apo individë të tjerë të mirëbesuar që të siguroni përkrahje, udhërrëfim dhe ndihmë të vazhdueshme. Kërkojini leje individit përpara se ta diskutoni situatën me të tjerët.

Udhëheqësit mund të marrin parasysh ta diskutojnë gjendjen e misionarit/es të kthyer në këshillin e lagjes për të përcaktuar burime dhe mundësi për ta ndihmuar atë.

  • Gjeni mënyra që udhëheqësit e Kishës t’i shërbejnë aktivisht dhe ta përkrahin misionarin/en e kthyer dhe familjen e tij ose të saj gjatë kësaj kohe kritike.

Nxiteni misionarin/en të përcaktojë një person të mirëbesuar që të jetë këshillues dhe nxitini ata të takohen rregullisht.

  • Këshilluesi mund të jetë motra ose vëllai shërbestar i misionarit/es të kthyer.

  • Merreni parasysh që të zgjidhni një misionar/e tjetër të kthyer me një përvojë të ngjashme, që ka gjetur shpresë dhe forcë nëpërmjet Shpëtimtarit Jezu Krisht dhe ungjillit të Tij.

Përfshijeni misionarin/en në thirrje dhe mundësi për të shërbyer dhe flisni në mënyra të përshtatshme kur ai ose ajo është gati për ta bërë këtë gjë.

Si të jetë e përshtatshme, merrni parasysh ndihmë shtesë nga burime të Kishës dhe burime të komunitetit që janë në harmoni me parimet e ungjillit.

  • Në disa zona, programi Shërbimet Familjare siguron shërbime këshillimi për udhëheqësit e Kishës dhe sesione këshillimi për misionarët/et që kthehen herët në shtëpi.

  • Nëse programi Shërbimet Familjare nuk është në dispozicion, merrni parasysh burime shtesë në komunitet.