Shkrimet e Shenjta
1 Nefi 22


Kapitulli 22

Izraeli do të shpërndahet mbi gjithë faqen e dheut—Johebrenjtë do të kujdesen dhe do të ushqejnë Izraelin me ungjillin në ditët e fundit—Izraeli do të mblidhet dhe do të shpëtohet, dhe të ligjtë do të digjen si kashtë—Mbretëria e djallit do të shkatërrohet dhe Satani do të lidhet. Rreth 588–570 para K.

1 Dhe tani ndodhi që pasi unë, Nefi, kisha lexuar këto gjëra që ishin gdhendur mbi fletët e tunxhit, vëllezërit e mi erdhën tek unë dhe më thanë: Ç’kuptim kanë këto gjëra që ke lexuar? Vër re, a duhet të kuptohen sipas gjërave që janë shpirtërore, që do të ndodhin sipas shpirtit dhe jo mishit?

2 Dhe unë, Nefi, u thashë atyre: Vini re, ato iu shfaqën profetit nëpërmjet zërit të Shpirtit; pasi nëpërmjet Shpirtit u bëhen të ditura profetëve të gjitha gjërat që do të vijnë mbi fëmijët e njerëzve sipas mishit.

3 Kështu që, gjërat që kam lexuar, janë gjëra që u përkasin si gjërave tokësore ashtu dhe shpirtërore; pasi duket që shtëpia e Izraelit, herët ose vonë, do të shpërndahet mbi të gjithë faqen e dheut dhe gjithashtu mes të gjitha kombeve.

4 Dhe vini re, ka shumë që kanë humbur tanimë nga njohuria e atyre që janë në Jeruzalem. Po, pjesa më e madhe e të gjitha fiseve është larguar; dhe ata janë shpërndarë poshtë e lart nëpër ishujt e detit; dhe se ku janë, askush prej nesh nuk e di, përveçse ne e dimë se i kanë larguar.

5 Dhe, meqenëse i kanë larguar, këto gjëra u profetizuan në lidhje me ta dhe gjithashtu në lidhje me të gjithë ata që do të shpërndahen dhe do të ngatërrohen që tani e tutje, për shkak të të Shenjtit të Izraelit; pasi ata do të ngurtësojnë zemrat e tyre kundër tij; kështu që, ata do të shpërndahen mes të gjitha kombeve dhe do të urrehen nga të gjithë njerëzit.

6 Megjithatë, pasi Johebrenjtëkujdesen për ta dhe Zoti të ngrejë dorën mbi Johebrenjtë dhe t’i tregojë ata si shembull, dhe pasi fëmijët e tyre të mbahen në krahët e tyre, dhe bijat e tyre të mbarten në supet e tyre, vini re, këto gjëra për të cilat janë folur janë tokësore; pasi të tilla ishin besëlidhjet e Zotit me etërit tanë; dhe kanë të bëjnë me ne në ditët që do të vijnë dhe gjithashtu me të gjithë vëllezërit tanë që janë nga shtëpia e Izraelit.

7 Dhe do të thotë se koha do të vijë që, pasi e gjithë shtëpia e Izraelit të jetë shpërndarë dhe ngatërruar, Zoti Perëndi do të ngrejë një komb të fuqishëm mes Johebrenjve, po, madje mbi faqen e kësaj toke; dhe nga ata fara jonë do të shpërndahet.

8 Dhe pasi fara jonë të jetë shpërndarë, Zoti Perëndi do të vazhdojë të bëjë një punë të mrekullueshme mes Johebrenjve, që do të jetë me vlerë të madhe për farën tonë; prandaj, është sikur të ushqehen nga Johebrenjtë dhe të mbahen në krahët e tyre dhe në supet e tyre.

9 Dhe ajo do të jetë gjithashtu me vlerë për Johebrenjtë; dhe jo vetëm për Johebrenjtë, por për të gjithë shtëpinë e Izraelit, duke ia bërë të njohura besëlidhjet e Atit të qiellit Abrahamit, duke thënë: Në farën tënde do të bekohen të gjitha fiset e tokës.

10 Dhe unë do të doja, vëllezërit e mi, që ju të dini se të gjitha fiset e tokës nuk mund të jenë të bekuara, veçse në qoftë se ai do të zhveshë krahun në sytë e kombeve.

11 Prandaj, Zoti Perëndi do të vazhdojë të zhveshë krahun e tij në sytë e të gjitha kombeve, duke përmbushur besëlidhjet e tij dhe ungjillin e tij tek ata që janë të shtëpisë së Izraelit.

12 Prandaj, ai do t’i nxjerrë ata përsëri nga robëria dhe ata do të mblidhen së bashku në tokat e trashëgimit të tyre; dhe ata do të nxirren nga mugëtira dhe nga errësira; dhe ata do të dinë se Zoti është Shpëtimtari i tyre dhe Shëlbuesi i tyre, i Fuqishmi i Izraelit.

13 Dhe gjaku i asaj kishe të madhe dhe të neveritshme, që është lavirja e të gjithë tokës, do të bjerë mbi kokat e tyre pasi ata do të bëjnë luftë me njëri-tjetrin dhe shpata e vetë duarve të tyre do të bjerë mbi kokat e tyre dhe ata do të dehen me gjakun e tyre.

14 Dhe çdo komb që do të luftojë kundër teje, O shtëpi e Izraelit, do të kthehet njëri kundër tjetrit dhe ato do të bien në gropën që ato hapën për të futur në kurth popullin e Zotit. Dhe të gjithë që luftojnë kundër Sionit do të shkatërrohen dhe ajo lavirja e madhe që ka shtrembëruar udhët e drejta të Zotit, po, ajo kisha e madhe dhe e neveritshme, do të shembet në pluhur dhe e madhe do të jetë rënia e saj.

15 Pasi, vini re, thotë profeti, koha vjen shpejt që Satani nuk do të ketë më fuqi mbi zemrat e fëmijëve të njerëzve; pasi dita vjen shpejt që të gjithë kryelartët dhe ata që bëjnë të liga do të jenë si kashta; dhe dita vjen që ata duhet të digjen.

16 Pasi, koha vjen shpejt, që zemërimi i plotë i Perëndisë do të vërshojë mbi të gjithë fëmijët e njerëzve; pasi ai nuk do të lejojë që të ligjtë të shkatërrojnë të drejtët.

17 Prandaj, ai do t’i ruajë drejtët nëpërmjet fuqisë së tij, madje sikur të ndodhë që i gjithë zemërimi i tij duhet të vijë dhe të drejtët të ruhen, deri në shkatërrimin e armiqve të tyre me zjarr. Prandaj, të drejtët nuk duhet të kenë frikë; pasi kështu thotë profeti, ata do të shpëtohen edhe sikur të jetë nga zjarri.

18 Vini re, vëllezërit e mi, unë ju them se këto gjëra duhen të vijnë së shpejti; po, madje, gjaku dhe zjarri dhe mjegulla e tymit duhet të vijnë; dhe është e nevojshme të jetë mbi faqen e kësaj toke; dhe kjo u vjen njerëzve sipas mishit, në qoftë se ata do të ngurtësojnë zemrat e tyre kundër të Shenjtit të Izraelit.

19 Pasi vini re, të drejtët nuk do të vdesin; sepse koha do të vijë patjetër, që të gjithë ata që luftojnë kundër Sionit do të flaken.

20 Dhe Zoti, me siguri, do të përgatitë një udhë për popullin e tij, në përmbushjen e fjalëve të Moisiut, që ai foli, duke thënë: Një profet do të ngrejë mes jush Zoti, Perëndia juaj, sikurse unë; atë do ta dëgjoni ju në të gjitha gjërat çfarëdo që ai do t’ju thotë. Dhe do të ndodhë që të gjithë ata që nuk do ta dëgjojnë atë profet, do të braktisen nga njerëzit.

21 Dhe tani, unë, Nefi, ju shpall, se ky profet për të cilin Moisiu foli, ishte i Shenjti i Izraelit; prandaj ai do të ushtrojë gjykim në drejtësi.

22 Dhe të drejtët nuk duhet të kenë frikë, pasi ata janë ata që nuk do të ngatërrohen. Por është mbretëria e djallit, që do të ndërtohet mes fëmijëve të njerëzve, mbretëri e cila është themeluar mes atyre që janë në mish—

23 Pasi koha shpejt do të vijë, që të gjitha kishat që janë ndërtuar për të marrë fitim dhe të gjitha ato që janë ndërtuar për të marrë pushtet mbi mishin dhe ato që janë ndërtuar që të bëhen të njohura në sytë e botës, dhe ato që kërkojnë kënaqësitë e mishit dhe gjërat e botës, dhe që bëjnë çdo lloj paudhësie; po, në fund, të gjitha ato që bëjnë pjesë në mbretërinë e djallit, janë ato që duhet të kenë frikë dhe të dridhen dhe të tunden, ato janë ato që duhet të hidhen në pluhur, ato janë ato që duhet të digjen si kashtë; dhe kjo është sipas fjalëve të profetit.

24 Dhe koha vjen shpejt që të drejtët do të çohen si viça stalle dhe i Shenjti i Izraelit duhet të mbretërojë në sundim, me fuqi dhe pushtet dhe lavdi të madhe.

25 Dhe ai mbledh fëmijët e tij nga të katër anët e tokës; dhe ai numëron delet e tij dhe ato e njohin atë; dhe do të ketë një vathë dhe një bari; dhe ai do të ushqejë delet e tij dhe në të ato do të gjejnë kullotë.

26 Dhe për shkak të drejtësisë së popullit të tij, Satani nuk ka pushtet; prandaj, ai nuk do të mund të lirohet për hapësirën e shumë viteve; pasi ai nuk ka fuqi mbi zemrat e njerëzve, pasi ata jetojnë në drejtësi dhe i Shenjti i Izraelit mbretëron.

27 Dhe tani, vini re, unë, Nefi, ju them juve se të gjitha këto gjëra duhet të vijnë sipas mishit.

28 Por, vini re, të gjitha kombet, fiset, gjuhët dhe njerëzit do të jetojnë në siguri me të Shenjtin e Izraelit, nëse ata do të pendohen.

29 Dhe tani unë, Nefi, i jap fund; pasi unë nuk guxoj të flas më tej në lidhje me këto gjëra.

30 Prandaj, vëllezërit e mi, unë do të doja që ju të merrni parasysh, që gjërat që janë shkruar në fletët prej tunxhi janë të vërteta; dhe ato dëshmojnë se një njeri duhet të jetë i bindur ndaj urdhërimeve të Perëndisë.

31 Prandaj, ju nuk duhet të supozoni se unë dhe ati im jemi të vetmit që kemi dëshmuar dhe gjithashtu u kemi mësuar atyre këto gjëra. Prandaj, në qoftë se ju do të jeni të bindur ndaj urdhërimeve dhe duroni deri në fund, ju do të shpëtoheni ditën e fundit. Dhe kështu është. Amen.