Shkrimet e Shenjta
2 Nefi 19


Kapitulli 19

Isaia flet si të ishte Mesia—Njerëzit në errësirë do të shohin një dritë të madhe—Te ne një fëmijë ka lindur—Ai do të jetë Princi i Paqes dhe do të sundojë mbi fronin e Davidit—Krahaso Isaia 9. Rreth 559–545 para K.

1 Megjithatë, mugëtira nuk do të jetë aq sa ishte gjatë ndëshkimit të tyre, kur së pari ai e mjeroi lehtë tokën e Zabulonit, tokën e Naftalit dhe pastaj e mjeroi më rëndë gjatë Detit të Kuq, matanë Jordanit në Galilenë e kombeve.

2 Njerëzit që ecën në errësirë kanë parë një dritë të madhe; ata që jetojnë në tokën e hijes së vdekjes, mbi ta ka shkëlqyer drita.

3 Ti ke shtuar kombin dhe ke rritur gëzimin—ata gëzohen para teje sipas gëzimit të korrjes, dhe sikurse njerëzit gëzohen kur ata ndajnë plaçkën.

4 Pasi ti ke thyer zgjedhën e barrës së tij dhe shkopin e supit të tij, shufrën e shtypësit të tij.

5 Pasi çdo betejë e luftëtarit është me zhurmë të ngatërruar, dhe rrobat të mbuluara me gjak; por kjo do të jetë me djegie dhe eshkë.

6 Pasi një fëmijë na ka lindur, një djalë na është dhënë; dhe perandoria do të jetë mbi shpatullën e tij; dhe ai do të quhet i Mrekullueshëm, Këshilltar, Perëndia i Fuqishëm, Ati i Amshuar, Princi i Paqes.

7 Për rritjen e perandorisë dhe paqes nuk ka fund, mbi fronin e Davidit dhe mbi mbretërinë e tij për ta rregulluar dhe për ta vendosur me gjykim dhe me drejtësi, nga tani e tutje, e përgjithmonë. Zelli i Zotit të Ushtrive do ta bëjë këtë.

8 Zoti i dërgoi Jakobit fjalën e tij dhe ajo ka ndriçuar Izraelin.

9 Dhe të gjithë njerëzit do ta dinë, madje Efraimi dhe banorët e Samarisë, që thonë me kryelartësi dhe me mburrje në zemër:

10 Tullat kanë rënë, por ne do të ndërtojmë me gurë të prerë; panjat janë prerë, por ne do t’i zëvendësojmë ato me qitro.

11 Prandaj, Zoti do t’i ngrejë kundërshtarët e Retsinit kundër tij; dhe do të bashkojë tok armiqtë e tij;

12 Sirianët para dhe Filistejtë pas; dhe ata do ta përpijnë Izraelin, me gojë hapur. Megjithatë, zemërimi i tij nuk shuhet, por dora e tij është akoma e shtrirë.

13 Pasi njerëzit nuk i drejtohen atij që i qëllon dhe as nuk e kërkojnë Zotin e Ushtrive.

14 Prandaj, Zoti do të përjashtojë nga Izraeli, kokën dhe bishtin, degën dhe kallamin brenda një dite.

15 I moshuari, ai është koka; dhe profeti që mëson gënjeshtra, është bishti.

16 Pasi udhëheqësit e këtij populli bëjnë që ai të gabojë; dhe ata që udhëhiqen prej tyre shkatërrohen.

17 Prandaj Zoti nuk do të ketë gëzim në të rinjtë e tyre, as nuk do të ketë mëshirë për jetimët dhe për të vejat e tyre; pasi secili prej tyre është një hipokrit dhe një keqbërës dhe çdo gojë flet marrëzira. Megjithatë, zemërimi i tij nuk shuhet, por dora e tij është akoma e shtrirë.

18 Pasi ligësia digjet porsi zjarri; ajo do të përlajë ferrat dhe gjembat dhe do të ndezë pjesën më të dendur të pyjeve dhe ato do të ngjiten lart ashtu si ngjitet lart tymi.

19 Nëpërmjet zemërimit të Zotit të Ushtrive, vendi është errësuar dhe njerëzit do të jenë si eshka e zjarrit; askush nuk do ta kursejë të vëllanë.

20 Dhe ai do të vjedhë nga e djathta dhe do të jetë i uritur; dhe do të hajë nga e majta dhe nuk do të jetë i kënaqur; çdo njeri do të hajë mishin e krahut të vet—

21 Manasi, Efraimi; dhe Efraimi, Manasi; ata do të jenë së bashku kundër Judës. Megjithatë, zemërimi i tij nuk shuhet por dora e tij është akoma e shtrirë.