Shkrimet e Shenjta
Mosia 25


Kapitulli 25

Pasardhësit e Mulekut në Zarahemla bëhen Nefitë—Ata mësojnë mbi popullin e Almës dhe të Zenifit—Alma pagëzon Limhin dhe të gjithë popullin e tij—Mosia autorizon Almën të organizojë Kishën e Perëndisë. Rreth 120 para K.

1 Dhe tani mbreti Mosia bëri që të gjithë njerëzit të mblidheshin së bashku.

2 Tani nuk kishte shumë nga fëmijët e Nefit, ose shumë nga ata që ishin pasardhës të Nefit, sa kishte nga njerëzit e Zarahemlës, i cili ishte pasardhës i Mulekut dhe i atyre që shkuan me të në vendin e shkretë.

3 Dhe nuk kishte aq shumë nga njerëzit e Nefit dhe nga njerëzit e Zarahemlës, sa kishte nga të Lamanitëve; po, ata nuk ishin në numër as sa gjysma e tyre.

4 Dhe tani, të gjithë njerëzit e Nefit ishin mbledhur së bashku, ashtu edhe të gjithë njerëzit e Zarahemlës dhe ata ishin mbledhur së bashku në dy grupe.

5 Dhe ndodhi që Mosia lexoi dhe bëri që t’i lexoheshin analet e Zenifit popullit të tij; po, ai lexoi analet e popullit të Zenifit, që nga koha që u larguan nga toka e Zarahemlës, deri kur u kthyen përsëri.

6 Dhe ai lexoi gjithashtu rrëfimin e Almës dhe të vëllezërve të tij dhe të gjitha fatkeqësitë e tyre, që nga koha që u larguan nga toka e Zarahemlës, deri në kohën që ata u kthyen përsëri.

7 Dhe tani, kur Mosia i dha fund leximit të analeve, njerëzit e tij që kishin qëndruar në tokë, u goditën nga mrekullia dhe çudia.

8 Pasi ata nuk dinin se ç’të mendonin; pasi kur panë ata që ishin çliruar nga robëria, ata u mbushën me gëzim jashtëzakonisht të madh.

9 Dhe përsëri, kur menduan për vëllezërit e tyre që ishin vrarë nga Lamanitët, ata u mbushën me pikëllim dhe madje derdhën shumë lotë pikëllimi.

10 Dhe përsëri, kur menduan mbi mirësinë e menjëhershme të Perëndisë dhe fuqinë e tij në shpëtimin e Almës dhe të vëllezërve të tij nga duart e Lamanitëve dhe nga robëria, ata ngritën zërat e tyre dhe i dhanë falënderime Perëndisë.

11 Dhe përsëri, kur menduan për Lamanitët të cilët ishin vëllezërit e tyre, për gjendjen e tyre plot mëkate dhe të fëlliqtë, ata ishin plot dhembje dhe ankth për mirëqenien e shpirtrave të tyre.

12 Dhe ndodhi që ata që ishin fëmijët e Amulonit dhe të vëllezërve të tij, që kishin marrë për bashkëshorte të bijat e Lamanitëve, qenë të pakënaqur nga sjellja e etërve të tyre dhe nuk deshën të quheshin më me emrat e etërve të tyre, prandaj ata morën mbi vete emrin e Nefit, që të mund të quheshin fëmijët e Nefit dhe të numëroheshin me ata që quheshin Nefitë.

13 Dhe tani, të gjithë njerëzit e Zarahemlës numëroheshin me Nefitët dhe kjo sepse mbretëria iu dha vetëm atyre që ishin pasardhës të Nefit.

14 Dhe tani ndodhi që kur Mosia mbaroi së foluri dhe së lexuari popullit, ai deshi që edhe Alma t’i fliste popullit.

15 Dhe Alma u foli atyre, kur ata ishin mbledhur tok në grupe të mëdha dhe ai shkoi nga një grup te tjetri, duke u predikuar njerëzve pendim dhe besim në Zot.

16 Dhe ai i nxiti popullin e Limhit dhe vëllezërit e tij, të gjithë ata që u çliruan nga robëria, që ata duhet të kujtonin se qe Zoti që i shpëtoi.

17 Dhe ndodhi që pasi Alma u mësoi njerëzve shumë gjëra dhe i dha fund të folurit ndaj tyre, mbreti Limhi shprehu dëshirën që të pagëzohej; dhe i gjithë populli i tij kishte dëshirë që ata gjithashtu të pagëzoheshin.

18 Prandaj, Alma hyri në ujë dhe i pagëzoi ata; po, i pagëzoi ata sipas mënyrës që ai pagëzoi vëllezërit e tij në ujërat e Mormonit; po, dhe të gjithë ata që u pagëzuan i përkisnin kishës së Perëndisë; dhe kjo për shkak të besimit të tyre në fjalët e Almës.

19 Dhe ndodhi që mbreti Mosia lejoi që Alma të themelonte kisha në të gjithë vendin e Zarahemlës; dhe i dha fuqi të shuguronte priftërinj dhe mësues mbi çdo kishë.

20 Tani, kjo u bë, sepse kishte kaq shumë njerëz, saqë nuk ishte e mundur që të gjithë të drejtoheshin nga një mësues; as nuk mund të dëgjonin të gjithë në një mbledhje fjalën e Perëndisë;

21 Prandaj, ata u mblodhën së bashku në grupe të ndryshme që u quajtën kisha, secila kishë kishte priftërinjtë e saj dhe mësuesit e saj dhe secili prift predikonte fjalën sipas mënyrës që iu dha atij nga goja e Almës.

22 Dhe kështu, megjithëse kishte shumë kisha, ato të gjitha ishin një kishë; po, madje kisha e Perëndisë, pasi në këto kisha nuk predikohej asgjë veçse të ishte pendimi dhe besimi në Perëndi.

23 Dhe tani kishte shtatë kisha në vendin e Zarahemlës. Dhe ndodhi që të gjithë ata që kishin dëshirë të merrnin mbi vete emrin e Krishtit, ose të Perëndisë, u bashkuan me kishat e Perëndisë;

24 Dhe ata u quajtën populli i Perëndisë. Dhe Zoti derdhi mbi ta Shpirtin e tij dhe ata qenë të bekuar dhe përparuan në tokë.