Kapitulli 28
Bijtë e Mosias shkojnë t’u predikojnë Lamanitëve—Mosia përkthen fletët e Jareditëve duke përdorur dy gurët shikues. Rreth 92 para K.
1 Tani ndodhi që pasi bijtë e Mosias bënë të gjitha këto gjëra, ata morën një numër të vogël me vete dhe u kthyen tek ati i tyre, mbreti dhe dëshiruan nga ai që t’i lejonte që me këta të cilët ata i kishin zgjedhur, të mund të shkonin në tokën e Nefit, që ata të mund të predikonin gjërat që kishin dëgjuar dhe që të mund t’u sillnin vëllezërve të tyre Lamanitë, fjalën e Perëndisë—
2 Që ndoshta të mund t’i sillnin ata në njohurinë e Zotit, Perëndisë së tyre dhe t’i bindnin për paudhësinë e etërve të tyre; dhe se ndoshta mund t’i shëronin ata nga urrejtja që kishin ndaj Nefitëve, që edhe ata të mund të silleshin që të gëzoheshin në Zotin, Perëndinë e tyre, që të mund të bëheshin miq me njëri-tjetrin dhe të mos kishte më grindje në të gjithë vendin që Zoti, Perëndia i tyre, u kishte dhënë atyre.
3 Tani, ata dëshironin që shpëtimi duhej t’i njoftohej çdo krijese, pasi nuk mund të duronin që ndonjë shpirt njeriu të mbaronte; po, madje vetëm mendimet se ndonjë shpirt do të pësonte vuajtje pa mbarim, i bënin të ngjetheshin dhe të dridheshin.
4 Dhe kështu veproi Shpirti i Zotit mbi ta, pasi ata kishin qenë mëkatarët më të urryer. Dhe Zoti e pa të arsyeshme në mëshirën e tij të pafund që t’i kursente ata; megjithëse ata vuajtën dhembje të mëdha shpirtërore për shkak të paudhësive të tyre, duke vuajtur shumë dhe duke u frikësuar se do të dëboheshin përgjithnjë.
5 Dhe ndodhi që ata iu përgjëruan atit të tyre për shumë ditë, që të mund të shkonin në tokën e Nefit.
6 Dhe mbreti Mosia shkoi të pyeste Zotin, në qoftë se duhej t’i lejonte bijtë e tij të shkonin mes Lamanitëve që të predikonin fjalën.
7 Dhe Zoti i tha Mosias: Leri të shkojnë, pasi shumë do të besojnë në fjalët e tyre dhe ata do të kenë jetën e përjetshme; dhe unë do t’i shpëtoj bijtë e tu nga duart e Lamanitëve.
8 Dhe ndodhi që Mosia u dha leje të shkonin dhe të bënin sipas kërkesës së tyre.
9 Dhe ata nisën udhëtimin e tyre për në vendin e shkretë për të shkuar që të predikonin fjalën mes Lamanitëve; dhe unë do të bëj një rrëfim të veprimeve të tyre më pas.
10 Tani, mbreti Mosia nuk kishte kujt t’ia kalonte mbretërinë, pasi asnjë nga bijtë e tij nuk e pranoi mbretërinë.
11 Prandaj, ai mori analet që ishin gdhendur mbi fletët e tunxhit dhe gjithashtu fletët e Nefit dhe të gjitha gjërat që ai kishte mbajtur dhe kishte ruajtur sipas urdhërimeve të Perëndisë, pasi i përktheu dhe bëri që të shkruheshin analet që ishin mbi fletët e arit, që ishin gjetur nga njerëzit e Limhit, që iu dorëzuan atij nga dora e Limhit;
12 Dhe këtë ai e bëri për shkak të kureshtjes së madhe të popullit të tij; pasi ata dëshironin jashtë mase të dinin në lidhje me ata njerëz që kishin qenë shkatërruar.
13 Dhe tani, ai i përktheu ato me anë të atyre dy gurëve që ishin ngulitur në dy cepat e një harku.
14 Tani, këto gjëra ishin përgatitur që nga fillimi dhe ishin pasuar nga një brez në tjetrin, me qëllim që të përkthenin gjuhët;
15 Dhe ato u mbajtën dhe u ruajtën nga dora e Zotit, që ai t’i zbulonte çdo krijese që do të zotëronte vendin, paudhësitë dhe neveritë e popullit të tij;
16 Dhe kushdo që i ka këto gjëra, quhet shikues sipas mënyrës së kohërave të vjetra.
17 Tani, pasi Mosia mbaroi së përkthyeri këto anale, vini re, ato jepnin një histori të popullit që ishte shkatërruar, që nga koha kur ata u shkatërruan gjatë ndërtimit të kullës së madhe, në kohën që Zoti ngatërroi gjuhën e njerëzve dhe ata u shpërndanë tutje mbi faqen e të gjithë dheut, po, dhe madje që nga ajo kohë deri më herët në krijimin e Adamit.
18 Tani, ky rrëfim bëri që njerëzit e Mosias të pikëlloheshin jashtëzakonisht, po, ata ishin të mbushur me hidhërim; megjithatë, ai u dha atyre njohuri të madhe, në të cilën ata u gëzuan.
19 Dhe ky rrëfim do të shkruhet më vonë; pasi vini re, është e domosdoshme që të gjithë njerëzit të dinë gjërat që janë shkruar në këtë rrëfim.
20 Dhe tani, sikurse ju thashë, pasi mbreti Mosia i bëri këto gjëra, ai mori fletët e tunxhit dhe të gjitha gjërat që ai kishte mbajtur dhe ia kaloi Almës që ishte i biri i Almës; po, të gjitha analet, dhe gjithashtu interpretuesit, dhe ia kaloi atij dhe e urdhëroi që t’i mbante dhe t’i ruante ato, dhe gjithashtu të mbante një anal të popullit, duke i pasuar ato nga një brez në tjetrin, ashtu sikurse ishin kaluar, që nga koha që Lehi u largua nga Jeruzalemi.