Shkrimet e Shenjta
Doktrina e Besëlidhje 102


Seksioni 102

Protokolli i organizimit të këshillit të parë të lartë të Kishës, në Kirtland, Ohio, më 17 shkurt 1834 Kirtland (History of the Church, 2:28–31). Protokolli origjinal u mbajt nga pleqtë Oliver Cowdery dhe Orson Hyde. Dy ditë më vonë, protokolli u korrigjua nga Profeti, iu lexua këshillit të lartë dhe u pranua nga këshilli. Vargjet 30 deri në 32, të cilat kanë të bëjnë me Këshillin e Dymbëdhjetë Apostujve, u shtuan nga Profeti Joseph Smith në 1835, kur ai e përgatiti këtë seksion për t’u botuar në Doktrina e Besëlidhje.

1–8, Një këshill i lartë caktohet për të zgjidhur vështirësi të rëndësishme të cilat ndodhin në Kishë; 9–18, Jepen procedura për dëgjimin e çështjeve; 19–23, Presidenti i këshillit merr vendimin; 24–34, Procedura e apelimit shpjegohet.

1 Në këtë ditë një këshill i përgjithshëm prej njëzet e katër priftërinjsh të lartë u mblodh në shtëpinë e Joseph Smith të Riut, me anë të zbulesës, dhe vazhduan për të organizuar këshillin e lartë të kishës së Krishtit, i cili duhej të përbëhej nga dymbëdhjetë priftërinj të lartë dhe një ose tre presidentë, siç e kërkonte rasti.

2 Këshilli i lartë u caktua me anë të zbulesës për qëllimin e zgjidhjes së vështirësive të rëndësishme që ngrihen në kishë, të cilat nuk mund të zgjidhen nga kisha ose këshilli i peshkopit në mënyrë të kënaqshme për të dy palët.

3 Joseph Smith i Riu, Sidney Rigdon-i dhe Frederick G. Williams-i u njohën si presidentë nga zëri i këshillit; dhe Joseph Smith Plaku, Joseph Coe, John Johnson, Martin Harris, John S. Carter, Jared Carter, Oliver Cowdery, Samuel H. Smith, Orson Hyde, Sylvester Smith dhe Luke Johnson, priftërinj të lartë, u zgjodhën të ishin një këshill i përhershëm për kishën, me zërin unanim të këshillit.

4 Këshilltarët e lartpërmendur u pyetën më pas nëse i pranonin caktimet e tyre dhe nëse do të vepronin në atë detyrë sipas ligjit të qiellit, të cilës ata të gjithë iu përgjigjën se i pranonin caktimet e tyre dhe do t’i përmbushnin detyrat e tyre sipas hirit të Perëndisë të dhënë mbi ta.

5 Numri që përbënte këshillin, që votoi në emër të kishës dhe për kishën në caktimin e këshilltarëve të lartpërmendur, ishte dyzet e tre, siç vijojnë: nëntë priftërinj të lartë, shtatëmbëdhjetë pleq, katër priftërinj dhe trembëdhjetë anëtarë.

6 Votuar: që këshilli i lartë nuk mund të ketë fuqi për të vepruar pa shtatë prej këshilltarëve të lartpërmendur ose pa qenë të pranishëm zëvendësuesit e tyre, të caktuar në mënyrë të rregullt.

7 Këta shtatë vetë do të kenë fuqi për të caktuar priftërinj të tjerë të lartë, të cilët ata mund t’i konsiderojnë të denjë dhe të aftë për të vepruar në vendin e këshilltarëve që mungojnë.

8 Votuar: që sa herë që do të ndodhë një vend bosh për shkak të vdekjes, heqjes nga detyra për shkelje ose heqjes për shkak të largimit nga kufijtë e kësaj qeverisjeje të kishës, të ndonjë prej këshilltarëve të lartpërmendur, ai do të plotësohet me anë të emërimit të presidentit ose presidentëve dhe do të miratohet nëpërmjet zërit të një këshilli të përgjithshëm të priftërinjve të lartë, të mbledhur për atë qëllim, për të vepruar në emër të kishës.

9 Presidenti i kishës, që është gjithashtu presidenti i këshillit, caktohet me anë të zbulesës dhe mbështetet në administrimin e tij nga zëri i kishës.

10 Dhe është sipas dinjitetit të detyrës së tij që ai duhet të kryesojë mbi këshillin e kishës; dhe është privilegji i tij për t’u ndihmuar nga dy presidentë të tjerë, të caktuar sipas së njëjtës mënyrë që ai vetë u caktua.

11 Dhe në rastin e mungesës së njërit ose të dy prej atyre që caktohen për ta ndihmuar atë, ai ka pushtet të kryesojë këshillin pa një ndihmës; dhe në rast se ai vetë mungon, presidentët e tjerë kanë fuqi të kryesojnë në vend të tij, që të dy ose njëri prej tyre.

12 Sa herë që një këshill i lartë i kishës së Krishtit organizohet në mënyrë të rregullt, sipas modelit të sipërpërmendur, do të jetë detyra e dymbëdhjetë këshilltarëve të hedhin në short numrat dhe në këtë mënyrë të sigurojnë se cili nga të dymbëdhjetët do të flasë i pari, duke filluar me numrin një dhe kështu në vazhdim deri tek numri dymbëdhjetë.

13 Sa herë që ky këshill mblidhet për të vepruar mbi një çështje, dymbëdhjetë këshilltarët do të marrin në konsideratë nëse ajo është një çështje e vështirë apo jo; në qoftë se nuk është, vetëm dy prej këshilltarëve do të flasin për të, në përputhje me modelin e shkruar më lart.

14 Por nëse mendohet se është e vështirë, katër do të caktohen; dhe nëse është më e vështirë, gjashtë; por në asnjë rast nuk do të ketë më shumë se gjashtë që do të flasin.

15 I akuzuari, në të gjitha rastet, ka të drejtë për gjysmën e këshillit, për të parandaluar fyerje ose padrejtësi.

16 Dhe këshilltarët e caktuar për të folur përpara këshillit duhet ta paraqesin çështjen, pasi fakti të merret në shqyrtim, në dritën e saj të vërtetë përpara këshillit; dhe çdo njeri duhet të flasë sipas barazisë dhe drejtësisë.

17 Ata këshilltarë që tërheqin numra çift, që janë 2, 4, 6, 8, 10 dhe 12, janë individët që duhet të flasin në emër të të akuzuarit dhe të parandalojnë fyerje dhe padrejtësi.

18 Në të gjitha rastet akuzuesi dhe i akuzuari do të kenë privilegjin e të folurit për veten e tyre përpara këshillit, pasi provat të dëgjohen dhe këshilltarët që caktohen për të folur për një çështje, të kenë mbaruar vërejtjet e tyre.

19 Pasi të dëgjohen provat, këshilltarët, akuzuesi dhe i akuzuari të kenë folur, presidenti duhet të japë një vendim sipas të kuptuarit që ai do të ketë për çështjen, dhe t’u kërkojë të dymbëdhjetë këshilltarëve ta miratojnë atë me anë të votës së tyre.

20 Por nëse këshilltarët e mbetur, të cilët nuk kanë folur, ose secili prej tyre, pasi të dëgjojnë faktet dhe argumentet me ndershmëri, zbulojnë një gabim në vendimin e presidentit, ata mund ta bëjnë të njohur atë dhe çështja duhet të dëgjohet përsëri.

21 Dhe nëse, pas një ridëgjimi të kujdeshëm, ndonjë dritë shtesë shfaqet për çështjen, vendimi duhet të ndryshohet në përputhje me të.

22 Por në qoftë se asnjë dritë shtesë nuk jepet, vendimi i parë duhet të mbetet, pjesa dërmuese e këshillit ka fuqi të vendosë po atë.

23 Në rast vështirësie lidhur me doktrinën ose parimin, në qoftë se nuk është shkruar mjaft për ta bërë të qartë çështjen për mendjet e këshillit, presidenti mund të kërkojë dhe marrë mendjen e Zotit me anë të zbulesës.

24 Priftërinjtë e lartë, kur ndodhen larg, kanë pushtet të thërrasin dhe të organizojnë një këshill sipas mënyrës së sipërpërmendur, për të zgjidhur vështirësitë, kur të dyja palët ose secila prej tyre do ta kërkojnë atë.

25 Dhe këshilli i përmendur i priftërinjve të lartë do të ketë pushtet për të caktuar një prej grupit të tyre për ta kryesuar këtë këshill për atë kohë të veçantë.

26 Do të jetë detyra e këshillit të përmendur për t’i transmetuar, menjëherë, një kopje të veprimeve të tyre, me një thënie të plotë të dëshmisë që shoqëron vendimin e tyre, këshillit të lartë të vendosur aty ku është Presidencia e Parë e Kishës.

27 Nëse palët ose ndonjëra prej tyre nuk janë të kënaqura me vendimin e këshillit të përmendur, ato mund t’i apelojnë këshillit të lartë të vendosur aty ku është Presidencia e Parë e Kishës, dhe të kenë një ridëgjim, çështje e cila do të dëgjohet, sipas modelit të shkruar më përpara, sikur të mos ishte marrë një vendim i tillë.

28 Ky këshill i priftërinjve të lartë larg duhet të thirret vetëm në rastet më të vështira të çështjeve të kishës; dhe asnjë rast i zakonshëm ose i thjeshtë nuk duhet të jetë shkak për ta thirrur atë këshill.

29 Priftërinjtë e lartë që udhëtojnë ose jetojnë larg, kanë fuqi të thonë nëse është e nevojshme të thirret një këshill i tillë apo jo.

30 Ka një dallim midis këshillit të lartë ose priftërinjve të lartë që udhëtojnë larg, dhe këshillit të lartë udhëtues, të përbërë nga dymbëdhjetë apostuj, në vendimet e tyre.

31 Mund të ketë apelim të vendimit të të parit; por nuk mund të ketë apelim të vendimit të të dytit.

32 I dyti mund të vihet në pikëpyetje nga autoritetet e përgjithshme të kishës në rast shkeljeje.

33 Rënë dakort: që presidenti ose presidentët e vendosur aty ku është Presidencia e Parë e Kishës, do të kenë pushtet për të përcaktuar nëse ndonjë rasti të tillë, që mund të apelohet, i jepet e drejta për një ridëgjim, pas shqyrtimit të apelit dhe fakteve e thënieve që e shoqërojnë atë.

34 Dymbëdhjetë këshilltarët më pas vepruan duke hedhur short ose duke votuar, për të përcaktuar kush do të fliste i pari, dhe sa vijon ishte rezultati, në mënyrë specifike: 1, Oliver Cowdery; 2, Joseph Coe; 3, Samuel H. Smith; 4, Luke Johnson; 5, John S. Carter; 6, Sylvester Smith; 7, John Johnson; 8, Orson Hyde; 9, Jared Carter; 10, Joseph Smith Plaku; 11, John Smith; 12, Martin Harris. Pas lutjes konferenca u shpërnda.

Oliver Cowdery,

Orson Hyde,

Nëpunës.