Shkrimet e Shenjta
Doktrina e Besëlidhje 119


Seksioni 119

Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit, në Far West, Missouri, më 8 korrik 1838, në përgjigje të përgjërimit: “O Zot! Tregoju shërbëtorëve të tu se sa shumë kërkon nga pronat e njerëzve të tu për të dhjetë” (History of the Church, 3:44). Ligji i së dhjetës, siç kuptohet sot, nuk i ishte dhënë Kishës përpara kësaj zbulese. Termi “e dhjetë” në lutjen e sapocituar dhe në zbulesat e mëparshme (64:23; 85:3; 97:11) nuk do të thoshte thjesht një të dhjetën, por gjithë ofertat ose kontributet me vullnet të lirë në fondet e Kishës. Zoti i kishte dhënë më përpara Kishës ligjin e përkushtimit dhe të kujdestarisë së pasurisë, të cilin anëtarët (kryesisht pleqtë udhëheqës) lidhën besën se duhej të ishte i përjetshëm. Për shkak të dështimit të pjesës më të madhe për ta mbajtur këtë besëlidhje, Zoti e tërhoqi atë për një farë kohe dhe dha në vend të tij ligjin e së dhjetës për të gjithë Kishën. Profeti i kërkoi Zotit se sa shumë nga pasuria e tyre kërkonte ai për qëllime të shenjta. Përgjigjja ishte kjo zbulesë.

1–5, Shenjtorët duhet të paguajnë pasurinë e tyre shtesë dhe më pas të japin, si të dhjetë, një të dhjetën e interesit të tyre çdo vit; 6–7, Një veprim i tillë do ta shenjtërojë tokën e Sionit.

1 Në të vërtetë, kështu thotë Zoti, unë kërkoj që gjithë pasuria e tyre shtesë të vihet në duart e peshkopit të kishës sime në Sion,

2 Për ndërtimin e shtëpisë sime dhe për ngritjen e themelit të Sionit e për priftërinë dhe për borxhet e Presidencisë së Kishës.

3 Dhe ky do të jetë fillimi i së dhjetës së popullit tim.

4 Dhe pas asaj, ata që e kanë paguar të dhjetën kështu, do të paguajnë një të dhjetën e gjithë interesit të tyre çdo vit; dhe ky duhet të jetë një ligj i qëndrueshëm për ta përgjithmonë, për priftërinë time të shenjtë, kështu thotë Zoti.

5 Në të vërtetë unë ju them, do të ndodhë që gjithë ata që mblidhen në tokën e Sionit, duhet të paguajnë të dhjetë nga pasuritë e tyre shtesë dhe duhet ta zbatojnë këtë ligj, ose ata nuk do të gjenden të denjë për të qëndruar mes jush.

6 Dhe unë ju them, në qoftë se njerëzit e mi nuk e zbatojnë këtë ligj, për ta mbajtur atë të shenjtë dhe me anë të këtij ligji të shenjtërojnë tokën e Sionit për mua, që statutet e mia dhe gjykimet e mia të mbahen mbi të, që ajo të mund të jetë më e shenjta, vini re, në të vërtetë unë ju them, ajo nuk do të jetë një tokë e Sionit për ju.

7 Dhe ky duhet të jetë një shembull për gjithë kunjat e Sionit. Madje kështu. Amen.