Shkrimet e Shenjta
Doktrina e Besëlidhje 122


Seksioni 122

Fjala e Zotit drejtuar Joseph Smith Profetit, ndërsa ai ishte i burgosur në burg në Liberty, Missouri, në mars 1839 (History of the Church, 3:300–301).

1–4, Skajet e tokës do të pyesin për emrin e Joseph Smith-it; 5–7, Gjithë rreziqet dhe mundimet e tij do t’i japin përvojë dhe do të jenë për të mirën e tij; 8–9, Biri i Njeriut ka zbritur poshtë atyre të gjithave.

1 Skajet e tokës do të pyesin për emrin tënd dhe të marrët do të të përqeshin e ferri do të tërbohet kundër teje;

2 Ndërsa të pastrit në zemër dhe të urtët, dhe fisnikët, dhe të virtytshmit do të kërkojnë këshillë dhe autoritet dhe bekime vazhdimisht prej dorës tënde.

3 Dhe populli yt nuk do të kthehet kurrë kundër teje nëpërmjet dëshmisë së tradhëtarëve.

4 Dhe megjithëse ndikimi i tyre do të të futë në shqetësim dhe brenda hekurave e mureve, ti do të shihesh me nder; dhe veçse për një çast të shkurtër, dhe zëri yt do të jetë në mes të armiqve të tu më i tmerrshëm sesa luani i egër, për shkak të drejtësisë tënde; dhe Perëndia yt do të qëndrojë pranë teje përherë e përgjithmonë.

5 Në qoftë se thirresh përmes vuajtjes, në qoftë se je në rreziqe mes vëllezërve të rremë, në qoftë se je në rreziqe mes plaçkitësish, në qoftë se je në rreziqe në tokë apo në det;

6 Në qoftë se akuzohesh me të gjitha mënyrat e akuzave të rreme, nëse armiqtë e tu bien mbi ty, nëse të shkëpusin nga shoqërimi i atit e i nënës tënde dhe i vëllezërve e i motrave të tua, dhe nëse me një shpatë të zhveshur armiqtë e tu të shkëpusin nga gjiri i gruas tënde dhe i fëmijëve të tu, dhe djali yt më i madh, megjithëse vetëm gjashtë vjeç, do të kapet pas rrobave të tua dhe do të thotë: Ati im, ati im, përse nuk mund të qëndrosh me ne? O, ati im, çfarë do të bëjnë burrat me ty? dhe atëherë, nëse ai do të ndahet prej teje me anë të shpatës dhe ti do të tërhiqesh zvarrë në burg e armiqtë e tu do të të sillen përreth si ujqër për gjakun e qengjit;

7 Në qoftë se ti do të hidhesh në gropë apo në duart e vrasësve dhe vendimi me vdekje jepet mbi ty, në qoftë se do të hidhesh në thellësi, në qoftë se dallgët e trazuara komplotojnë kundër teje, në qoftë se erërat e forta bëhen armiku yt, në qoftë se qiejt mbledhin errësirë dhe gjithë elementet ndërthuren për të penguar rrugën; dhe, mbi të gjitha, në qoftë se edhe grykat e ferrit do ta shqyejnë gojën për ty, dije, biri im, se gjithë këto gjëra do të të japin përvojë dhe do të jenë për të mirën tënde.

8 Biri i Njeriut ka zbritur nën këto të gjitha. A je ti më i madh se ai?

9 Si rrjedhim, qëndro në udhën tënde dhe priftëria do të mbetet me ty; sepse kufijtë e tyre janë caktuar, ata s’mund të kalojnë. Ditët e tua njihen dhe vitet e tua s’do të numërohen më pak; si rrjedhim, mos ki frikë se ç’mund të bëjë njeriu, sepse Perëndia do të jetë me ty përherë e përgjithmonë.