Seksioni 123
Detyra e Shenjtorëve në lidhje me përndjekësit e tyre, siç u paraqit nga Joseph Smith Profeti, ndërsa ishte i burgosur në burgun e Liberty-së, Missouri, në mars 1839 (History of the Church, 3:302–303).
1–6, Shenjtorët duhet të mbledhin dhe të botojnë një rrëfim të vuajtjeve dhe përndjekjeve të tyre; 7–10, I njëjti shpirt që ngriti besime të rreme, gjithashtu çon në përndjekjen e Shenjtorëve; 11–17, Shumë vetë mes të gjitha sekteve do ta pranojnë përsëri të vërtetën.
1 Dhe përsëri, ne do t’ju sugjerojmë të merrni në konsideratë përshtatshmërinë e gjithë shenjtorëve për të mbledhur dituri të të gjitha fakteve dhe vuajtjeve e abuzimeve mbi ta nga njerëzit e këtij shteti;
2 Dhe gjithashtu të të gjithë pasurisë dhe sasisë së dëmeve që ata kanë pësuar, si dëmtime të karakterit dhe personale, gjithashtu edhe të pronësisë së patundshme;
3 Dhe gjithashtu emrat e gjithë personave që kanë pasur dorë në shtypjet e tyre, për aq sa të mund t’i gjejnë e t’i zbulojnë ato.
4 Dhe ndoshta një komitet mund të caktohet për t’i zbuluar këto gjëra dhe për të shënuar thënie dhe akt-betime; dhe gjithashtu për të mbledhur botimet shpifëse që janë në qarkullim;
5 Dhe gjithçka që është në gazetat dhe në enciklopeditë, dhe të gjitha historitë shpifëse që botohen e shkruhen, dhe prej cilëve shkruhen, dhe për të paraqitur vargun e tërë maskarallëqeve djallëzore dhe mashtrimeve të poshtra e vrasëse që janë ushtruar mbi këtë popull—
6 Që ne jo vetëm t’ia botojmë gjithë botës, por t’ua paraqesim ato krerëve të qeverisë në gjithë nuancën e tyre të errët e djallëzore, si përpjekjen tonë të fundit që na kërkohet nga Ati ynë Qiellor, përpara se të mund të kërkojmë plotësisht e tërësisht atë premtim që do ta nxjerrë atë nga vendi i tij i fshehjes; dhe gjithashtu që i tërë kombi të mund të lihet pa shfajësim përpara se ai të dërgojë pushtetin e krahut të tij të fuqishëm.
7 Është detyrë e menjëhershme që ia detyrojmë Perëndisë, engjëjve, me të cilët do të sillemi të qëndrojmë, dhe gjithashtu vetes sonë, grave dhe fëmijëve tanë që janë detyruar të përkulen me pikëllim, hidhërim e kujdes, nën dorën më të mallkuar të vrasjes, tiranisë dhe shtypjes, të mbështetur dhe të nxitur e të mbrojtur nga ndikimi i atij shpirti i cili besimet e etërve, që kanë trashëguar gënjeshtra, i ka gozhduar kaq fort në zemrat e fëmijëve dhe e ka mbushur botën me ngatërresë, dhe është rritur fort e më fort dhe është tani pikërisht forca lëvizëse e gjithë korrupsionit dhe tërë toka rënkon nën peshën e paudhësisë së tij.
8 Ai është një zgjedhë e hekurt, është një lidhje e fortë; ato janë pikërisht prangat dhe zinxhirët, dhe vargojtë, dhe verigat e ferrit.
9 Prandaj është detyrë e menjëhershme që ia detyrojmë jo vetëm grave tona dhe fëmijëve tanë, por të vejave dhe jetimëve, burrat dhe etërit e të cilëve janë vrarë nën dorën e tij të hekurt;
10 Veprimet e errëta dhe të zymta të së cilës janë të mjaftueshme për ta bërë vetë ferrin të rrëqethet dhe të mbetet i shtangur e i zbehtë dhe duart e vetë djallit të dridhen e të paralizohen.
11 Dhe gjithashtu është detyrë e menjëhershme që ne ia detyrojmë gjithë brezit të ri dhe gjithë të kulluarve në zemër—
12 Sepse ka shumë vetë akoma mbi tokë, mes të gjitha sekteve, grupimeve dhe besimeve, të cilët janë të verbuar nga dinakëria e hollë e njerëzve, me anë të së cilës ata rrinë në pritje për të mashtruar, dhe të cilët mbahen larg nga e vërteta vetëm ngaqë nuk dinë se ku ta gjejnë atë—
13 Si rrjedhim, që ne t’i harxhojmë dhe t’i shpenzojmë jetët tona për të sjellë në dritë gjithë gjërat e fshehura të errësirës, në shkallën që i njohim ato; dhe ato janë manifestuar me të vërtetë nga qielli—
14 Këto, atëherë, duhet të kryhen me zell të madh.
15 Askush të mos i numërojë ato si gjëra të vogla; sepse ka shumë që shtrihet në të ardhmen, lidhur me shenjtorët, që varet nga këto gjëra.
16 Ju e dini, vëllezër, që një anije shumë e madhe ka shumë përfitim nga një timon shumë i vogël në kohën e një stuhie, duke u mbajtur në mënyrë të sigurtë ndaj erës dhe valëve.
17 Si rrjedhim, vëllezër shumë të dashur, le të bëjmë me gëzim të gjitha gjërat që janë në fuqinë tonë; dhe atëherë qëndrofshim të patundur, me sigurinë më të madhe, për të parë shpëtimin e Perëndisë dhe që krahu i tij të zbulohet.