Ndihma për Studimin
PJS, Marku 9


PJS, Marku 9:3 (krahaso Marku 9:4)

(Gjon Pagëzori ishte në malin e Shpërfytyrimit.)

3 Dhe atje iu shfaqën atyre Eliasi me Moisiun, ose në fjalë të tjera, Gjon Pagëzori dhe Moisiu; dhe ata po bisedonin me Jezusin.

PJS, Marku 9:40–48 (krahaso Marku 9:43–48)

(Prerja e një dore ose këmbe fyerëse krahasohet me eliminimin e shoqërive që mund ta çojnë dikë në rrugë të shtrembër.)

40 Prandaj, nëse dora jote të bën të mëkatosh, preje; ose nëse vëllai yt mëkaton kundër teje dhe nuk e rrëfen dhe nuk e braktis, ai do të përjashtohet. Është më mirë për ty të hysh në jetë i gjymtuar, sesa të kesh dy duar për të shkuar në ferr.

41 Sepse është më mirë për ty të hysh në jetë pa vëllanë tënd, sesa ti dhe vëllai yt të flakeni në ferr; në zjarrin që nuk do të shuhet kurrë, ku krimbi i tyre nuk vdes dhe zjarri nuk shuhet.

42 Dhe përsëri, nëse këmba jote të bën të mëkatosh, preje; pasi ai që është shembulli yt, me anë të të cilit ti ecën, nëse bëhet shkelës, do të përjashtohet.

43 Është më mirë për ty të hysh i çalë në jetë, sesa të kesh dy këmbë dhe të hidhesh në ferr; në zjarrin që kurrë s’do të shuhet.

44 Prandaj, lëreni çdo njeri të qëndrojë më këmbë ose të bjerë, vetë dhe jo për një tjetër; ose duke mos i besuar një tjetri.

45 I kërkoni Atit tim dhe do të bëhet tamam në atë çast ajo që do të kërkoni, nëse kërkoni me besim, duke besuar se do të merrni.

46 Dhe nëse syri yt që sheh për ty, ai që është caktuar të kujdeset për ty që të të tregojë dritë, bëhet një shkelës dhe të bën të mëkatosh, nxirre.

47 Është më mirë për ty të hysh në mbretërinë e Perëndisë me një sy, sesa të kesh dy sy për t’u flakur në zjarrin e ferrit.

48 Sepse është më mirë që vetja jote të shpëtohet, sesa të hidhesh në ferr me vëllanë tënd, ku krimbi i tyre nuk vdes dhe ku zjarri nuk shuhet.