Shkrimet e Shenjta
Abrahami 4


Kapitulli 4

Perënditë planifikojnë krijimin e tokës dhe të gjithë jetës në të—Planet e tyre për gjashtë ditët e krijimit paraqiten.

1 Dhe atëherë Zoti tha: Le të zbresim. Dhe ata zbritën në fillim dhe ata, domethënë Perënditë, organizuan dhe formuan qiejt e tokën.

2 Dhe toka, pasi u formua, ishte e zbrazët dhe e shkretuar, sepse ata nuk kishin formuar asgjë përveç tokës; dhe errësira mbretëroi mbi faqen e thellësisë dhe Shpirti i Perëndive mbuloi faqen e ujërave.

3 Dhe ata (Perënditë) thanë: Le të ketë dritë; dhe pati dritë.

4 Dhe ata Perënditë e kuptuan dritën, sepse ajo ishte e shndritshme; dhe ata e ndanë dritën, ose e bënë atë të ndahej, nga errësira.

5 Dhe Perënditë e quajtën dritën Ditë dhe errësirën e quajtën Natë. Dhe ndodhi që nga mbrëmja deri në mëngjes e quajtën natë; dhe nga mëngjesi deri në mbrëmje e quajtën ditë; dhe kjo ishte e para, ose fillimi, i asaj që ata e quajtën ditë dhe natë.

6 Dhe Perënditë gjithashtu thanë: Le të ketë hapësirë mes ujërave dhe ajo do të ndajë ujërat nga ujërat.

7 Dhe Perënditë e urdhëruan hapësirën, kështu që ajo i ndau ujërat që ishin nën hapësirën nga ujërat që ishin mbi hapësirën; dhe ishte kështu, madje siç urdhëruan ata.

8 Dhe Perënditë e quajtën hapësirën Qiell. Dhe ndodhi që ishte nga mbrëmja në mëngjes që ata e quajtën natë, dhe ndodhi që ishte nga mëngjesi në mbrëmje që ata e quajtën ditë; dhe kjo ishte koha e dytë që ata e quajtën natë dhe ditë.

9 Dhe Perënditë urdhëruan, duke thënë: Le të mblidhen ujërat nën qiell së bashku në një vend dhe le të dalë toka e thatë; dhe ishte kështu, siç urdhëruan ata;

10 Dhe Perënditë e quajtën vendin e thatë Tokë; dhe mbledhjen së bashku të ujërave, e quajtën ata Ujëra të Mëdha; dhe Perënditë panë se ato u bindën.

11 Dhe Perënditë thanë: Le ta përgatisim tokën për të sjellë bar, barishten për të prodhuar farë, pemën frutore për të prodhuar frute sipas llojit të saj, farë e cila vetë prodhon sipas ngjashmërisë së saj mbi tokë; dhe ishte kështu, madje siç urdhëruan ata.

12 Dhe Perënditë organizuan tokën për të sjellë bar nga fara e vet dhe barishten për të sjellë barishte nga fara e saj, duke prodhuar farë sipas llojit të saj; dhe tokën për të prodhuar pemën nga fara e saj, duke prodhuar frut, fara e të cilit mund të sillte vetëm njësoj si vetvetja, sipas llojit të saj; dhe Perënditë panë se ato iu bindën.

13 Dhe ndodhi që ata i numëruan ditët; nga mbrëmja në mëngjes e quajtën natë; dhe ndodhi, që nga mëngjesi në mbrëmje ata e quajtën ditë; dhe ishte periudha e tretë.

14 Dhe Perënditë organizuan dritat në hapësirën e qiellit dhe i bënë ato të ndajnë ditën nga nata; dhe i organizuan ato për të qenë për shenja e për stinë dhe për ditë e për vite;

15 Dhe i organizuan ato të jenë për drita në hapësirën e qiellit, për t’i dhënë dritë tokës; dhe ishte kështu.

16 Dhe Perënditë organizuan dy dritat e mëdha, dritën më të madhe për të sunduar ditën dhe dritën më të vogël për të sunduar natën; me dritën më të vogël ata vendosën yjet gjithashtu;

17 Dhe Perënditë i vendosën ato në hapësirën e qiejve, për të dhënë dritë mbi tokë dhe për të sunduar mbi ditën e mbi natën dhe për të bërë të ndahet drita nga errësira.

18 Dhe Perënditë i vëzhguan këto gjëra të cilat i kishin urdhëruar, derisa ato u bindën.

19 Dhe ndodhi që ishte nga mbrëmja në mëngjes që ishte natë; dhe ndodhi që ishte nga mëngjesi në mbrëmje që ishte ditë; dhe ishte periudha e katërt.

20 Dhe Perënditë thanë: Le t’i përgatisim ujërat për të sjellë me shumicë krijesat lëvizëse që kanë jetë; dhe shpendët që të mund të fluturojnë mbi tokë në hapësirën e hapur të qiellit.

21 Dhe Perënditë i përgatitën ujërat që ato të mund të sillnin balena të mëdha dhe çdo krijesë të gjallë që lëviz, të cilën ujërat duhej ta sillnin me shumicë sipas llojit të tyre; dhe çdo shpend me krahë sipas llojit të tyre. Dhe Perënditë panë se ata do të bindeshin dhe se plani i tyre ishte i mirë.

22 Dhe Perënditë thanë: Ne do t’i bekojmë ata e do t’i bëjmë të jenë të frytshëm dhe të shumohen e të mbushin ujërat në dete ose ujërat e mëdha; dhe t’i bëjmë shpendët të shumohen në tokë.

23 Dhe ndodhi që ishte nga mbrëmja deri në mëngjes që ata e quajtën natë; dhe ndodhi që ishte nga mëngjesi deri në mbrëmje që ata e quajtën ditë; dhe ajo ishte periudha e pestë.

24 Dhe Perënditë e përgatitën tokën për të sjellë krijesat e gjalla sipas llojit të tyre, gjedhët e rrëshqanorët dhe bishat e tokës sipas llojit të tyre; dhe ishte kështu, sikurse kishin thënë ata.

25 Dhe Perënditë e organizuan tokën për të sjellë bishat sipas llojit të tyre dhe gjedhët sipas llojit të tyre e çdo gjë që zvarritet mbi tokë sipas llojit të saj; dhe Perënditë panë se ata do të bindeshin.

26 Dhe Perënditë u këshilluan mes tyre dhe thanë: Le të zbrezim e të formojmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë, sipas ngjashmërisë sonë; dhe ne do t’u japim atyre zotërim mbi peshqit e detit dhe mbi shpendët e ajrit, dhe mbi gjedhët, dhe mbi gjithë tokën, dhe mbi çdo rrëshqanor që zvarritet në tokë.

27 Kështu Perënditë zbritën për të organizuar njeriun sipas shëmbëlltyrës së tyre, në shëmbëlltyrën e Perëndive për ta formuar atë, mashkull dhe femër për t’i formuar ata.

28 Dhe Perënditë thanë: Ne do t’i bekojmë. Dhe Perënditë thanë: Ne do t’i bëjmë të jenë të frytshëm dhe të shumëzohen e të mbushin tokën, dhe ta nënshtrojnë atë e të kenë zotërim mbi peshqit e detit dhe mbi shpendët e ajrit, dhe mbi çdo gjë të gjallë që lëviz mbi tokë.

29 Dhe Perënditë thanë: Vini re, ne do t’iu japim çdo bimë që jep fruta, që do të vijë mbi faqen e tërë tokës, dhe çdo pemë që do të ketë frut mbi të; po, frutin e pemës duke prodhuar farë për to, do ta japim; ai do të jetë për ushqimin e tyre.

30 Dhe çdo bishe të tokës dhe çdo shpendi të ajrit, dhe çdo krijese që zvarritet mbi tokë, vini re, ne do t’u japim jetë e gjithashtu do t’iu japim çdo bimë të gjelbër për ushqim dhe të gjitha këto gjëra do të organizohen kështu.

31 Dhe Perënditë thanë: Ne do të bëjmë gjithçka që kemi thënë dhe do t’i organizojmë ato; dhe vini re, ato do të jenë shumë të bindura. Dhe ndodhi që ishte nga mbrëmja deri në mëngjes që ata e quajtën natë; dhe ndodhi që ishte nga mëngjesi deri në mbrëmje që ata e quajtën ditë; dhe ata numëruan periudhën e gjashtë.