Kapitulli 4
(Qershor–tetor 1830)
Si u bë Satani djalli—Ai tundon Evën—Adami dhe Eva bien dhe vdekja hyn në botë.
1 Dhe unë, Zoti Perëndi, i fola Moisiut, duke thënë: Ai Satan, që ti e ke urdhëruar në emër të të Vetëmlindurit tim, është po ai që ishte nga fillimi dhe erdhi përpara meje, duke thënë—Vër re, ja ku jam unë, dërgomë mua, unë do të jem biri yt dhe do ta shëlbej gjithë njerëzimin, që asnjë shpirt të mos humbasë, dhe sigurisht do ta bëj atë; si rrjedhim, ma jep mua lavdinë tënde.
2 Por, vër re, Biri im i Dashur, që ishte i Dashuri dhe i Zgjedhuri im që nga fillimi, më tha: Atë, vullneti yt u bëftë dhe lavdia qoftë e jotja përgjithmonë.
3 Si rrjedhim, ngaqë ai Satan ngriti krye kundër meje dhe kërkoi të shkatërronte lirinë e njeriut për të zgjedhur, të cilën, unë, Zoti Perëndi, ia kisha dhënë atij, dhe gjithashtu që unë t’i jap atij fuqinë time; me anë të fuqisë së të Vetëmlindurit tim, unë bëra që ai të flakej tutje;
4 Dhe ai u bë Satani, po, madje djalli, ati i gjithë gënjeshtrave, për të mashtruar e verbuar njerëzit dhe për t’i çuar ata në robërinë e vullnetit të tij, madje të gjithë ata që nuk do t’i bindeshin zërit tim.
5 Dhe tani gjarpëri ishte më dinak sesa çdo egërsirë e fushës që unë, Zoti Perëndi, kisha bërë.
6 Dhe Satani vuri në zemrën e gjarpërit, (sepse ai kishte tërhequr shumë pas vetes), dhe ai gjithashtu kërkoi të mashtronte Evën, sepse ai nuk e dinte mendjen e Perëndisë, si rrjedhim, kërkoi të shkatërronte botën.
7 Dhe ai i tha gruas: Po, a ka thënë Perëndia—Mos ha nga çdo pemë në kopsht? (Dhe ai foli me anë të gojës së gjarprit.)
8 Dhe gruaja i tha gjarpërit: Ne mund t’i hamë frutat e pemëve të kopshtit;
9 Por nga fruti i pemës që ti sheh në mes të kopshtit, Perëndia ka thënë: Mos hani prej tij, as mos e prekni, përndryshe do të vdisni.
10 Dhe gjarpëri i tha gruas: Ti sigurisht nuk do të vdesësh;
11 Sepse Perëndia e di se në ditën që ti do të hash prej tij, atëherë sytë e tu do të hapen dhe do të jesh si perënditë, duke njohur të mirën dhe të keqen.
12 Dhe kur gruaja pa se pema ishte e mirë për ushqim dhe se u bë e këndshme për sytë dhe një pemë që dëshirohej për ta bërë atë të mençur, ajo mori nga fruti i saj dhe hëngri vërtet e gjithashtu i dha burrit të saj që ishte me të, dhe ai hëngri.
13 Dhe sytë e të dyve u hapën dhe ata e dinin se kishin qenë lakuriq. Dhe qepën gjethe fiku së bashku dhe bënë për vete përparëse.
14 Dhe ata e dëgjuan zërin e Zotit Perëndi, ndërsa po ecnin në kopsht, në flladin e ditës; dhe Adami dhe gruaja e tij shkuan të fshiheshin nga prania e Zotit Perëndi midis pemëve të kopshtit.
15 Dhe unë, Zoti Perëndi, e thirra Adamin dhe i thashë atij: Ku shkon ti?
16 Dhe ai tha: Dëgjova zërin tënd në kopsht dhe pata frikë, ngaqë pashë se isha lakuriq, dhe u fsheha.
17 Dhe unë, Zoti Perëndi, i thashë Adamit: Kush të tha se ishe lakuriq? Mos ke ngrënë nga pema që të urdhërova të mos haje, nëse kështu, ti sigurisht do të vdisje?
18 Dhe njeriu tha: Gruaja që më dhe, dhe urdhërove që të mbetet me mua, më dha nga fruti i pemës dhe unë vërtet hëngra.
19 Dhe unë, Zoti Perëndi, i thashë gruas: Çfarë është kjo që ke bërë? Dhe gruaja tha: Gjarpëri më mashtroi dhe unë vërtet hëngra.
20 Dhe unë, Zoti Perëndi, i thashë gjarpërit: Ngaqë e ke bërë këtë, ti do të mallkohesh mbi gjithë kafshët dhe mbi çdo bishë të fushës; mbi bark do të ecësh dhe pluhur do të hash në gjithë ditët e jetës sate;
21 Dhe unë do të vendos armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj; dhe ai do të ta shtypë kokën dhe ti do të plagosësh thembrën e tij.
22 Gruas unë, Zoti Perëndi, i thashë: Unë do ta shumëzoj së tepërmi vuajtjen tënde dhe barrën tënde. Me vuajtje do të lindësh fëmijë dhe dëshira jote do të drejtohet ndaj burrit tënd e ai do të sundojë mbi ty.
23 Dhe Adamit, unë, Zoti Perëndi, i thashë: Ngaqë ti dëgjove zërin e gruas tënde dhe hëngre nga pema për të cilën të kisha urdhëruar duke thënë—Mos ha prej saj, toka do të mallkohet për shkakun tënd; në hidhërim ti do ta hash frutin e saj tërë ditët e jetës tënde.
24 Gjemba dhe gjithashtu bimë gjembore do të sjellë ajo për ty dhe ti do të hash barin e fushave.
25 Me djersën e ballit tënd do të hash bukë, derisa të rikthehesh në dhe—sepse sigurisht që do të vdesësh—sepse nga ai ke dalë; sepse ti je pluhur dhe në pluhur do të rikthehesh.
26 Dhe Adami e quajti gruan e tij Evë, sepse ajo ishte nëna e tërë të gjallëve; sepse kështu unë, Zoti Perëndi, e kam thirrur të parën e të gjitha grave, të cilat janë shumë.
27 Adamit dhe gjithashtu gruas së tij, unë, Zoti Perëndi, u bëra rroba lëkure dhe i vesha.
28 Dhe unë, Zoti Perëndi, i thashë të Vetëmlindurit tim: Vër re, njeriu është bërë si një prej nesh, duke njohur të mirën dhe të keqen; dhe tani, ai nuk duhet ta shtrijë dorën e tij e të marrë edhe nga pema e jetës dhe të hajë e të jetojë përgjithmonë,
29 Prandaj unë, Zoti Perëndi, do ta largoj nga kopshti i Edenit, për të lëruar tokën nga e cila ai u nxor;
30 Sepse ashtu sikurse unë, Zoti Perëndi, jetoj, madje kështu fjalët e mia nuk mund të përçmohen, sepse ashtu siç dalin nga goja ime, ato duhet të përmbushen.
31 Kështu unë e largova njeriun dhe vendosa në lindje të kopshtit të Edenit kerubinët dhe një shpatë flakëruese, e cila kthehej nga çdo anë, për të ruajtur rrugën drejt pemës së jetës.
32 (Dhe këto janë fjalët që i thashë shërbëtorit tim, Moisiut, dhe ato janë të vërteta, ashtu sikurse jam unë; dhe unë t’i kam folur ato. Kujdesu që të mos ia tregosh askujt, derisa unë të të urdhëroj, përveç atyre që besojnë. Amen.)