Gjetja e Paqes për Veten dhe të Tjerët në Kohë të Vështira
Ja tek janë tetë mënyra për ta ndihmuar veten dhe të tjerët të ndiejnë paqe kur jeta bëhet e vështirë.
Ndonjëherë jeta ka uljet dhe ngritjet e veta. Ju mund të merakoseni për probleme familjare, probleme shëndetësore, probleme në shkollë ose shumë ngjarje të tjera shqetësuese në botë sot. Si mund të gjejmë paqe vetjake në një botë të vështirë? Qoftë nëse mungesa e paqes vjen nga ngjarje që nuk janë nën kontrollin tuaj ose nga gjëra tek të cilat mund të ndikoni dhe t’i ndryshoni, këtu janë disa ide për t’ju ndihmuar të gjeni paqe të brendshme nëpërmjet Jezu Krishtit.
4 Mënyra për të Gjetur Paqe për Veten
-
Përqendrohuni tek e përjetshmja
Është e vështirë të ndihesh në paqe kur je i përqendruar vetëm te shqetësimet afatshkurtra. Por nëse përqendroheni tek e gjithë panorama, plani i Perëndisë për lumturinë, ju mund të gjeni paqe te njohuria se ajo që të lëndon pikërisht tani nuk do të zgjatë përjetë. Për shembull, tempulli na ndihmon të përqendrohemi tek e përjetshmja. Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008) tha se në tempull “ju do të dalloni një paqe që nuk do ta gjeni tjetërkund”1.
-
Hiqni dorë nga ajo që nuk mund ta kontrolloni
Kur diçka që nuk e keni nën kontroll e largon paqen nga ju, është tunduese të ndihesh i pashpresë ose i zemëruar. Por nuk është e dobishme të përqendroheni te gjëra që nuk mund t’i ndryshoni. Në vend të kësaj, afrohuni te Shpëtimtari për të gjetur paqe të brendshme edhe kur jeta ju jep një dorë të keqe letrash. Ai ka premtuar që t’ju dërgojë Ngushëlluesin, Frymën e Shenjtë (shih Gjoni 14:26–27).
-
Falini të tjerët
Shpesh gjëja më e vështirë nga e cila të hiqni dorë është negativiteti që ndieni kur dikush ju bën padrejtësi. Por Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ka dhënë mësim: “Ne do të kemi gëzimin e faljes në jetën tonë kur dëshirojmë që ta shtrijmë këtë gëzim lirisht tek të tjerët. … Si rrjedhim, Shpirti i Zotit do të mbushë shpirtrat tanë me gëzimin që shoqëron qetësinë hyjnore të vetëdijes (shih Mosia 4:2–3).”2 Kthimi te Shpëtimtari mund t’ju ndihmojë të çliroheni nga barrët emocionale dhe të mbusheni me paqe.
-
Pendohuni dhe mbështetuni te Krishti
Pavarësisht nga gjërat e tjera që po shkojnë mirë në jetën tuaj, mbajtja e barrës së mëkatit përherë do t’jua rrëmbejë paqen. Ndonjëherë kemi nevojë për peshkopin tonë që të na ndihmojë të pendohemi plotësisht. Por ne të gjithë kemi nevojë të pendohemi rregullisht dhe nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, të bëhemi të pastër nga çdo gjë që na pengon për t’u bërë më shumë si Ai.
4 Mënyra për t’i Ndihmuar të Tjerët të Gjejnë Paqe
-
Shpërndajeni ungjillin e Jezu Krishtit
Ashtu siç mund të gjejmë paqe për veten tonë duke u përqendruar te Shpëtimtari, ne mund t’i drejtojmë të tjerët tek Ai si “themeluesi i paqes” (Mosia 15:18). Për shembull, përpiquni të jepni një shkrim të shenjtë ose një citim nga konferenca e përgjithshme që ju ndihmoi të mësonit më shumë rreth Jezu Krishtit.
-
Jini një paqebërës
Ndihmojini shokët ose shoqet apo motrat ose vëllezërit tuaj që t’i zgjidhin konfliktet. Ashtu si anti-nefi-lehitët në librin e Almës, ne mund t’i varrosim armët tona të luftës – armë si bërja e thashethemeve, kërkimi i hakmarrjes ose të qenit egoist – dhe t’i shkëmbejmë ato me mjetet e paqes: të folurit me mirësi, bindjen ndaj urdhërimeve të Perëndisë dhe faljen e të tjerëve (shih Alma 24:19).
-
Jini një dëgjues i mirë
Ndonjëherë, njerëzit e munduar kanë nevojë që të flasin hapur për mendimet dhe ndjenjat e tyre në vend që t’i mbajnë përbrenda. Nuk duhet t’i zgjidhim ne problemet e tyre por thjesht mund t’i dëgjojmë shqetësimet e tyre dhe t’u japim përkrahje, duke treguar dashuri dhe mirëkuptim si të Krishtit.
-
Jepuni shërbesë njerëzve në lagjen dhe komunitetin tuaj
Ju mund të dilni vullnetar në një strehë për të pastrehët, të shërbeni si mbikëqyrës i një bashkëmoshatari ose t’i çoni gostitje një familjeje të re në lagjen tuaj. Ndihmojini njerëzit të gjejnë paqe te gjërat e vogla. Pasja e një vendi të qëndrueshëm për të ngrënë dhe fjetur, një mbikëqyrësi të besueshëm ose një sigurie të vogël që dikush interesohet për ty, mund të ketë një ndikim të fortë.
Jezusi u tha këto fjalë ngushëllimi të gjithë atyre që patën vështirësi për të gjetur paqe: “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po ua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë” (Gjoni 14:27). Nëse shkojmë vetë dhe i sjellim të tjerët më afër Jezu Krishtit, ne mund të gjejmë paqe edhe kur jeta bëhet e vështirë.