2019
Zbulesë Vetjake e Personalizuar
Prill 2019


Zbulesë Vetjake e PËRSHTATUR ENKAS PËR JU

Si e bëni dallimin midis zbulesës dhe vetë mendimeve tuaja?

woman reading book

Vepër arti nga Brian Kershisnik

Ne jetojmë në një botë me mundësi të shumta. Kemi lirinë për të zgjedhur karrierën tonë, shkollën, bashkëshortin/en, vendin ku duam të jetojmë dhe shumë më tepër. Është me të vërtetë një bekim i brezit tonë. Por, nga ana tjetër, kjo i bën të gjitha këto zgjedhje më të vështira, sepse është e vështirë të marrësh vendime kur ka kaq shumë shtigje dhe mundësi që do të na çojnë në gjëra të mira. Si e zgjedhim të duhurën kur ekzistojnë kaq shumë mundësi që janë të mira? Kur ndiheni të humbur e të pështjelluar në këtë stuhi vendimmarrjesh, dijeni se Ati Qiellor dëshiron t’ju udhërrëfejë. Ju mund të zgjidhni shtegun e duhur dhe të merrni përgjigjet që po kërkoni nëse e ndiqni zërin e Tij. Dallojeni mënyrën se si Ai ju flet, mirëbesojini Atij, ndiqeni profetin, jini të duruar, jini më optimist dhe kini besim, dhe përfundimisht do të udhëhiqeni për në drejtimin e duhur.

– Vira Vashçenko, Kiev, Ukrainë

Gjatë gjithë jetës kam parë se si Zoti më ka udhëhequr, dhe e kuptoj se gjithçka që kam arritur është falë Tij dhe udhërrëfimit të Tij. Edhe në çastet kur mendoj se eci vetëm, në fund, Ai më bën të ditur se ka qenë gjithnjë me mua dhe unë e ndiej këtë. Kjo është arsyeja pse kam marrë vendimin për të vazhduar gjithmonë përpara me besim, madje edhe kur mendoj se jam vetëm. Për mua, ka raste kur shtegu nuk është gjithmonë i qartë dhe nuk mund ta shoh gjithnjë se çfarë më pret në të ardhmen, por unë gjithnjë ndërmarr hapa besimi dhe pastaj filloj ta shoh dritën dhe ta dalloj dorën e Perëndisë në jetën time. E di se Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, na duan dhe se Ata janë të gatshëm të na udhërrëfejnë, por Ata gjithashtu presin që ne ta vëmë besimin tonë tek Ata dhe të veprojmë kur marrim nxitje nga Shpirti. –

Indhira Meja, Republika Domenikane

Teksa rritesha, më është dashur të mësoj gjuhën e Shpirtit. Shpirti flet me mua nëpërmjet mendimeve të thjeshta. Më është dashur praktikë që të mësohem me këtë, por zakonisht Shpirti vjen tek unë në vende të qeta, si për shembull kur ngas makinën për të shkuar në punë. E di që nuk janë mendimet e mia, sepse Shpirti shpesh ndërhyn kur nuk po mendoja fare për temën.

– Klarisa Mej Tejlor, Juta, SHBA

Mendoj se një nga teknikat më të mahnitshme që duhet të zotërojmë është aftësia për t’i dalluar pëshpëritjet e buta të Frymës së Shenjtë. Studimi i zellshëm i shkrimeve të shenjta më ka shtyrë më tej për ta zotëruar atë. Kam besuar gjithmonë se ai që kërkon me zell do të gjejë; dhe misteret e Perëndisë do të shpalosen përpara tij me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë (shih 1 Nefi 10:19). Me fjalë të tjera, nëse dua ta dalloj Shpirtin, nuk mund t’ia lejoj vetes që të futem në mendime të padobishme ose në shqetësimet e jetës së përditshme, por në vend të kësaj unë duhet t’i futem punës dhe ta harroj veten. Ky është çasti kur unë do të jem më në gjendje ta dalloj Shpirtin, pasi jam gati për të! Ashtu sikurse një anije nuk mund të udhëtojë me lehtësi përmes një stuhie, ne nuk mund ta dëgjojmë Shpirtin nëse na marrin me vete shqetësimet e jetës që janë jashtë kontrollit tonë. –

Emanuel Borngreat Dogbi, Akra, Gana

couple

Në familjen tonë të vogël, ne e dallojmë Shpirtin për shkak të paqes që ndiejmë, sidomos unë dhe bashkëshorti im së bashku si çift. Kur janë vetë mendimet tona, nuk ndiejmë kurrë se kjo është padyshim gjëja e duhur – gjithmonë ka një dyshim apo frikë të nënkuptuar. Por, kur është zbulesë, ne gjithmonë ndiejmë paqe, edhe nëse përpiqemi të arsyetojmë dhe gjërat nuk duket se kanë shumë kuptim fillimisht. Kur e ndjekim atë dhe ia dalim mbanë, gjithmonë shohim se gjërat zënë vendin e vet dhe gjithçka funksionon. Kjo ndodh kur ne shohim njëri-tjetrin dhe themi, “Ou, tani ka kuptim!”

– Mariana Rajt, Juta, SHBA

Megjithëse të gjithë ne mund të marrim zbulesë vetjake në mënyra të ndryshme, një gjë padyshim është e vërtetë: Perëndia na flet shpesh. Ne thjesht duhet të jemi të gatshëm që të bëjmë përpjekje për ta rritur aftësinë tonë për ta dalluar dhe dëgjuar zërin e Tij. Siç këshilloi Presidenti Rasëll M. Nelson: “Lutuni në emrin e Jezu Krishtit për shqetësimet tuaja, frikën tuaj, dobësitë tuaja – po, pikërisht dëshirat e zemrës suaj. Dhe më pas dëgjoni! Shkruajini mendimet që ju vijnë në mendje. Shënojini ndjenjat dhe pasojini me veprime që nxiteni të bëni. Kur e përsëritni këtë proces ditë pas dite, muaj pas muaji, vit pas viti, ju do të ‘rriteni drejt parimit të zbulesës’” (“Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Liahona, maj 2018, f. 95).